Kreu Opinion Përse Maksim Gorkin e dëbuan nga hoteli në New York

Përse Maksim Gorkin e dëbuan nga hoteli në New York

Nga Alexandra Guzeva (Russia Beyond)

Amerika e fillimit të shekullit XX ishte një vend shumë më puritan se sa Rusia. Shkrimtari i njohur revolucionar befas u ndodh atje në qendër të një skandali të vërtetë seksual.

Në pranverën e vitit 1906 shkrimtari kryesor sovjetik dhe “këngëtari i revolucionit rus”, Maksim Gorki  arriti në Amerikë në shoqërinë e një dame, të cilën gazetat lokale fillimisht e quajtën zonja  Gorkaja, sepse s’kishte si të ndodhte ndryshe. Por ndërkohë zonja e vërtetë Gorkaja ndodhej në Rusi duke u kujdesur për të bijën e sëmurë për vdekje, kurse bashkëudhëtarja e shkrimtarit ishte aktorja e Teatrit Artistik të Moskës, Marija Andrejevna, për hir të së cilës shkrimtari kishte braktisur gruan dhe fëmijët. Një marrëdhënie të tillë jashtëmartesore të një figure publike, qoftë ky dikush i ardhur nga Rusia, në Amerikë nuk mund ta toleronin.

PËRSE SHKOI GORKI NË AMERIKË

The Washington times 13 prill, 1906

Një vit përpara udhëtimit të shkrimtarit, trupat cariste hapën zjarr mbi një demonstrate paqësore të punëtorëve. Dita e 9 janarit ka hyrë në histori si “E diela e përgjakshme” dhe shënoi fillimin e revolucionit të parë rus. Maksim Gorki atëherë u shpreh rreptësishtë kundër veprimeve të Carit, bëri thirrje për lirinë e demonstrimit, gjë që shkaktoi arrestimin e tij dhe burgosjen më pas në kështjellën Petropavllovsk.

Për shkak të presionit publik, mes të cilit një plejadë shkrimtarësh të huaj, Gorkin e liruan. Ai u fut në partinë social-demokrate punëtore, prej së cilës dolën më vonë bolshevikët. Megjithatë në atdhe veprimtaria e tij politike nuk ishte e mirëpritur dhe, për t’i shpëtuar një arrestimi të ri, ai vendosi të largohej nga Rusia.

 Me porosi të partisë dhe personalisht të Vladimir Iliç Leninit, shkrimtari niset për në Amerikë, që të mblidhte para për revolucionin në Rusi. Socializmi dhe bolshevikët kishin shumë simpatizantë jashtë. Shkrimtari udhëtoi përmes gjithë Europës, e cila e njihte dhe e duartrokiste. Kurse në Amerikë veprimtaria e tij letrare ishte më pak e njohur, por mysafiri misterioz rus ngjalli shumë interes tek reporterët dhe figurat e letërsisë. Kështu Gorki u njoh me Mark Tuenin.

Kolazh fotosh në gazetën New York World: Maksim Gorki dhe gruaja e tij e vërtetë Ekaterina Peshkova (foto sipër), Maria Andrejevna (poshtë djathtas), Maksim Gorki (poshtë majtas)

Përse shpërtheu skandali?

Gorki me bashkëudhëtaren u vendosën në hotelin Belleclaire në këndin e Broduejit dhe rrugës 77 (me që ra fjala, hoteli ekziston edhe në ditët tona). Sidoqoftë, shtypi arriti ta zbulojë se missis Peshkova (Peshkov- mbiemri i vërtetë i Gorkit) nuk ishte aspak Peshkova, por Andrejeva, dhe se shkrimtari nuk ishte divorcuar zyrtarisht nga gruaja e parë.

Pas një artikulli kushtuar kësaj historie në gazetën The New York World, çiftin menjëherë… e përzunë nga hoteli. Përveç kësaj, asnjë hotel në Manhatan nuk ua hapi derën. Me vështirësi, Gorki arriti të gjejë strehë te një klub shkrimtarësh të rinj, në avenynë 5. Më vonë, një çift i pasur, Prestonia dhe John Martin, e mori Gorkin dhe Andrejevën në vilën e tyre dhe i shëtitën nëpër Amerikë.

Reputacioni moral i shkrimtarit u rrënua, por ç’ishte më e keqja, e pësoi kauza për të cilën kishte ardhur. Mark Tuen refuzoi ta takonte përsëri, megjithëse dukej se kishin lidhur një miqësi. Kurse shumë socialistë amerikanë hoqën dorë nga sponsorizimi i revolucionit rus. Përveç kësaj, Shtëpia e Bardhë e anuloi ftesën për pritje.

Darkë me Mark Tuen

 Si e mori vesh shtypi për Andrejevën?

I tërbuar nga inati, Gorki u shkruajti letra indinjate gazetave amerikane, duke mbrojtur jetën e tij private: “Ne që të dy e konsiderojmë poshtë dinjitetit tonë të japim shpjegime për këtë çështje.”

Një prej gazetave, The Evening World, citonte dyshimet e Gorkit se cili mund të ishte burimi i historisë së tij me dashnoren: “Besoj se ky pisllëk është frymëzuar nga ndonjë prej miqve të qeverisë ruse.” Qëllimi i kësaj sipërmarrjeje, me gjasë, ishte pikërisht për të shkatërruar fushatën e mbledhjes së fondeve për partinë e punëtorëve dhe mbështetjen e revolucionit në Rusi.

Gorki dhe Andrejeva mbetën të mënjanuar nga shoqëria gjatë gjithë gjysmëvitit që ndenjën në Amerikë. Me gjasë, ky incident i papëlqyer ka ndikuar dhe në mbresat e Gorkit për këtë vend. Në esenë e tij “Në Amerikë”, ai  e quan Nju Jorkun “qyteti i djallit të verdhë”,  vë theksin tek pisllëku, mjerimi, “qiell i murrëtyer i mbuluar me blozë”, shtëpi të zymta dhe triumf i pashpirt i parasë.

Përktheu Bujar Hudhri

Kryeartikujt e gazetave për skandalin e Gorkit
Exit mobile version