Kreu Opinion Një sulm i të përditshmes gjermane Frankfurter Rundschau ndaj Dante Aligherit

Një sulm i të përditshmes gjermane Frankfurter Rundschau ndaj Dante Aligherit

Përgatiti, përktheu nga gjermanishtja dhe italishtja Aristidh Shqevi

Me rastin e shtatëqind vjetorit, u festua në Itali më 25 mars 2021, Dita e Dante-s. Në të njëjtën ditë, kritiku gjerman, Arno Widmann, botoi një artikull në revistën letrare Frankfurter Rundschau. Artikulli i tij, i cili bënte një analizë Dante Alighieri-t dhe veprës së tij madhore, shkaktoi një reagim të menjëhershëm të shtypit dhe të të gjitha mediave. Për shumicën e gazetave, botimi i artikullit të Widmann-it u konsiderua si veprimi i dikujt që fillimisht mbjell erën e pastaj i duhet të korrë furtunën. Në faqet e para të gazetave u panë tituj si: Sulm i pabesueshëm nga Gjermania – La Repubblica, Gjermania na fyen edhe me figurën e Dante-s – Il Secolo d’Italia, Sulm nga Gjermania – La Stampa, Dante – egoist dhe plagjiator? – Il Fatto Quotidiano, Dante, sulm i një të përditshme gjermane: Kopjoi gjithçka nga një arab – La Stampa. Dante dhe gazeta gjermane: sulm i egër i Frankfurter Rundschau – La Nazione

Nga ana tjetër, aty këtu u dëgjua edhe ndonjë zë i rrallë në mbrojtje të artikullit të Arno Widmann-it. Njëri prej tyre ishte edhe gazetari Roberto Saviano. Me një postim të tijin në facebook, ai shprehet: ‘Shikoj nëpër mediat sociale një polemikë absurde që e ka zanafillën te një artikull i botuar në Gjermani. Dua t’ju tregoj këtu se edhe një artikull shumë i mirë i një analize letrare mund të përdoret si mjet për arritjen e qëllimeve të veçanta nga populizmi i pafytyrë. Dante-s nuk i bëhet asnjë sulm nga Gjermania, siç sugjeron ndonjë gazetar apo politikan, dhe nuk ka kurrfarë akuze në drejtim të tij se ai është një plagjiator. Nuk ekziston asgjë e tillë, madje nuk ka as edhe një hije të vetme. Ka vetëm mungesë kapaciteti për t’i lexuar dhe kuptuar tekstet e shkruara’, përfundon ai.

Sipas gazetarit Roberto Vivaldelli, Saviano nuk argumenton dhe nuk jep shpjegime në postimin e tij se ku qëndrojnë gabimet në përkthim të shtypit italian. Ai thjesht shprehet se e njeh mirë Widmann-in, dhe në të njëjtën kohë akuzon gazetarët italianë. Drejtori i Galerisë Uffizi në Firence ishte nga të parët që reaguan ndaj shkrimit të Arno Widmann-it. Po kështu, edhe gazetarja Chiara Pozzati i përgjigjet atij me një shkrim në gazetën Il Quotidiano Nazionale.


Arno Wiedmann: Të mirit shpërblim, të ligut ndëshkim

*Frankfurter Rundschau

Shtatëqind vite pas vdekjes, festohet në Itali, por jo rastësisht më 25 Mars, dita e Dante-s.

Më 14 shtator, 1321, fiorentini Dante Aligheri vdiq në mërgim në Ravenna, por, përse vallë shkruhet sot ky artikull për të? Njëzetë e pesë marsi i vitit të kaluar u prezantua si Dita e Dante-s në të gjithë vendin. Çdo vit, poeti më i madh i Italisë do të përkujtohet në këtë datë. Por përse më 25 mars? Pikërisht në këtë ditë, të Premten e Madhe të vitit 1300, thuhet se ai nisi udhëtimin e tij nëpër ferr, purgator dhe parajsë. Dante-s i pëlqen të luajë me numrat. Poema e tij e madhe, ‘Komedia Hyjnore’, fillon me fjalët: ‘Pasi kishim përshkuar gjysmën e udhëtimit të jetës, erdha në vete në një pyll të errët. Shtegun që duhej ta ndiqja, e kisha humbur.’ (Përkthimi: Kurt Flasch). Meqenëse datë regjistrimi të lindjes së Dante-s nuk ka, bazuar në deklaratën e bërë me rastin e përvjetorit, i bie që Dante të kishte lindur në vitin 1265. Njëzetë e gjashtë marsi, data e pagëzimit të tij, një e Shtunë e Madhe, na është lënë trashëgim. Dhe ja, rastësisht, ai u pagëzua me emrin Durante, i cili shumë shpejt u shndërrua në Dante.

Vijmë kështu në midisin e arritjeve që Dante pati gjatë jetës së tij. Italia e vlerëson atë si një nga kontribuuesit, të cilët e ngritën gjuhën kombëtare në lartësitë e një letërsie të madhe. Në një farë kuptimi, ai e krijoi gjuhën në funksion të veprës së tij. Gjuha e Dante-s u bë gjuha e lexuesve të tij dhe më pas e italianëve. Por kjo është rrëgjuar. Askush nuk do të fliste kështu sot, sidoqoftë, gjashtëdhjetë vite më parë, ishte pikërisht kjo ajo që iu thuhej nxënësve italianë. Për më tepër, këta nxënës ishin të vetëdijshëm se Dante-n ata nuk e kuptonin dot. Teksti i Dante-s kishte nevojë për deshifrim. Komedia Hyjnore – dhe jo vetëm botimet shkollore – u mbushën me shënime që jo vetëm shpjegonin fjalë të veçanta, por njëkohësisht ndihmonin lexuesit modernë që të orientoheshin përmes sintaksës së Dante-s. Gjuha ama ishte italishtja, dhe jo latinishtja.

Në këtë vepër do të flitej, në nivelin më të lartë filozofik dhe teologjik, për Zotin dhe botën. Në gjuhën ‘vulgare’, domethënë në gjuhën e thjeshtë të popullit. Pra, në gjuhën që prindërit tanë na folën kur ne sapo kishim lindur, gjuhën me të cilën ne u rritëm, dhe nëpërmjet së cilës artikuluam për herë të parë ndjenjat tona. Sidoqoftë, veç kësaj ekziston edhe gjuha me anën e së cilës ne mësojmë ta kuptojmë atë, gjuha e shkencës që na tregon se si është vetë bota, por edhe si ajo duhet të jetë.

Kur e lexojmë këtë vepër, kemi të drejtë që mendjen ta çojmë te dyzimi që ekziston midis gjuhës amtare dhe latinishtes. Sidoqoftë, kjo nuk është e mjaftueshme nëse ju e preferoni Italinë, dhe nëse doni ta kuptoni situatën në të cilën italishtja ndodhej në shekullin e 13-të. Fushata kundër sektit fetar të Katarëve në Occitania, në jug të Francës (1209-1229), jo vetëm që shkatërroi nga themelet një pjesë të mëdhe të Provansës, por edhe lejoi shumë prej trubadurëve të saj të kërkonin strehim në gjykatat e huaja. Këta autorë në mërgim iu erdhën në ndihmë poetëve vendas, të cilët në shumë pjesë të Evropës flisnin gjuhën e tyre amtare. Italia mbeti prapa këtij zhvillimi. Kjo është aq e vërtetë, saqë mund të thuhet se: ‘Poezia e parë e artit në gjuhën amtare në Itali u shkrua në dialektin Provansal’. Brunetto Latini, një mësues dhe mik i Dante-s, enciklopedinë e tij të titulluar ‘Libër Thesar’ e shkroi në frëngjisht. Jo vetëm sepse e botoi atë gjatë mërgimit në Francë, por edhe sepse e dinte që lexuesit e gjuhës frënge do të ishin më të shumtë.

Në Itali, me vështrimin e hedhur nga modelet provansalë, tekstet në gjuhën amtare ishin fillimisht poezi dashurie. Ashtu si edhe trubadorët, poetët italianë thurën këngë për gra imagjinare, por edhe të vërteta, duke i ngritur ato në qiell dhe duke i dendur me metafora. Asgjë tjetër nuk ndodh në ‘Komedinë Hyjnore’ të Dantes. Ne as që e kemi idenë nëse Beatrice, e ngritur lart në këngë e në vargje nga autori, ka ekzistuar ndonjëherë. Megjithatë, ne e dimë që – ashtu si edhe modelet e tij – Dante ishte shumë i interesuar që të krijonte një ngrohtësi ndjesie, e cila përveç zhvillimit të të gjitha arteve të elokuencës, duhet të linte pa frymë nga habia çdo person imagjinar të cilit i adresohej, dhe mbi të gjitha, lexuesit e të dy gjinive. Ka persona që pëlqejnë të tregojnë mospërfillje për një ndryshim thelbësor: Trubadorët ishin rapsodë popullorë, nga kryeveprat e të cilëve ka mbetur vetëm teksti, kurse Dante synonte të arrinte të njëjtin efekt – pa muzikë. Ai ndjehej sikur të kishte hyrë në garë me dikë. Dëshironte ta tejkalonte vetveten. Merrej me të pamundurën dhe ndjehej si në shtëpinë e tij.

Në traditën myslimane ekziston rrëfimi i udhëtimit të Muhamedit në parajsë. Jo, ka raporte e komente, dhe të tilla ka pasur që nga vitet 60-të të shekullit të trembëdhjetë. Bëhet fjalë për përkthime në latinisht dhe italisht që i përkasin atij shekulli. Në vitin 1919, studiuesi spanjoll Miguel Asin Palacios, botoi një studim të gjerë në të cilin pohonte se Dante ishte në dijeni të tekstit të vjetër arab, dhe atë tekst ai e shfrytëzoi. Shumica e mbështetësve të Dante-s e panë këtë si një produkt të një imagjinate të shthurur. Ata e kuptuan se veçantia e heroit të tyre po vihej në dyshim. Dhe t’i bësh padrejtësi Dante-s, do të thotë t’i nënvlerësosh ambiciet e tij sportive. Ashtu siç e bëri poezinë provansale të dukej e vjetëruar, në të njëjtën mënyrë ai mund të ketë ëndërruar që ta tejkalonte ngjitjen myslimane në parajsë nëpërmjet ithtarit të tij të krishterë.

Poema me më shumë se katërmbëdhjetë mijë vargje të plotë synon të ndërtojë një urë me një shtrirje kohore njëmijë e treqind vjeçare me Eneida-n e Virgjilit. Një vepër e këtillë ka nevojë për një ego të jashtëzakonshme. Ajo ka nevojë gjithashtu për një fabrikë vargjesh që është në gjendje të troshitë një personel prej gjashtëqind personash nëpërmjet një pleksje trishe, në mënyrë të tillë që të jetë gjithmonë e qartë se: ti i përket ose kategorisë së njeriut të mirë, ose njeriut të lig. Vullneti i thjeshtë për t’i futur të njohurit dhe të afërmit në dhomat e ferrit dhe ndarjet e purgatorit, për të ndëshkuar mendje të mëdha dhe sundimtarë për të cilët nuk dihet pothuajse asgjë, nuk do të mjaftonte për një vepër të tillë. Këtu kërkohet fëlligështi. Fëlligështi në gjykim dhe ndëshkim. Leximi dashamirës i mësuesit godet Francesca da Rimini-n dhe të dashurin e saj Paolo-n, duke përshkruar me imtësi skenën dhe ndjenjat e dashurisë së të dyve, të cilët, me shkas një libër, përfundojnë në krahët e njëri-tjetrit. Çdo lexues provon një ngazëllim të thellë. Por përse e marrtë e mira përfundojnë që të dy në ferr? Dante tregon interes dhe ndjen keqardhje për ta. Pikërisht këtu kemi mbërritur në një pikë të rëndësishme. Në një tekst apokrif të Dhiatës së Re, një ithtar deklaron se ai ndjen dhembshuri për të dënuarit. Sidoqoftë, në të gjithë Dhiatën e Re kjo fjali nuk ekziston. Ajo është parë si e padëshirueshme. Këtë e thotë vetë Dante. Ishte Zoti ai që vendosi për t’i dërguar të dy të rinjtë në ferr. Megjithatë, Dante nuk pajtohet aspak me këtë. Kritika bëhet më e ashpër kur e mendon se nuk ishte Zoti ai që dërgoi Paolo-n dhe Francesca-n në ferr, por poeti Dante Alighieri, i cili me sa duket e bëri atë vetëm për ta qortuar Zotin. Jeta e përtejme është një botë e çuditshme. Përveç disa qenieve mitologjike dhe engjëjve të rënë nga qielli dhe të ngritur sërish, aty ka vetëm qenie njerëzore. Suprimimi i madh zhduket. Asnjë pemë nuk gjallon, asnjë gjë e gjallë nuk ekziston. Ekziston – le ta themi thjesht – një visore. Aty gjithçka është vendosur sipas qëllimit. Ja, për shembull, Për Malin e Dëlirjes është shkruar shumë. Por, ç’ndodh në brendësinë e tij? ‘Një dhomë për secilin më vete?’ A është ajo pjesë e planit të brendshëm qiellor apo pjesë e skëterrës?

Këtu ka edhe diçka tjetër që të bie në sy. Për Beatrice-m flitet shumë. Gjatë pelegrinazheve ajo bëhet Maria, por edhe një filozofe. Është pra, pikërisht stilizimi i lartë i ‘të dashurës’ së adhuruar që ishte në modë në poezinë trubadore. Veç kësaj, gruaja e Dante-s, dhe fëmijët e tij nuk shfaqen. Ata nuk paraqesin interes. Deri në zbulimin e jetës martesore që paraqitet si udha drejt lumturisë; ndoshta duhej të kishim pritur Luther-in dhe Reformimin.

Kërshëria e Dante-s ishte e pafund. Sidoqoftë ai nuk endej më kot. Angazhohej në punën e tij ose në punët e posaçme, të cilave i përkushtohej. Kjo mund të shihet fare mirë në mënyrën se si ai e shfaq Odise-në në kanton e 26-të. Dhe në këtë mënyrë ai prezanton Kanton e Ferrit. Një a dy shekuj pas Dante-s, humanizmi italian sajoji termin ‘ulissimo’ pikërisht për atë lloj kurioziteti aktiv në të cilin Perëndimi, që atëherë, njohu me kënaqësi vetveten. Paraqitja e Uliksit (Odise-së) nuk është aspak e shkurtër në veprën e Dante-s; ai rrëfen përpjekjen e tij për ta kaluar ngushticën e Gjibraltarit. Një uragan i fuqishëm goditi anijen e tij, thotë ai, ‘dhe më pas deti u shemb mbi ne’. (Përkthimi: Hartmut Köhler). Pra, një fund i papritur e dramatik që ka ndikim edhe sot.

Udhëtimi i Dantes- në botën e përtejshme, i shkruar ndoshta ndërmjet viteve 1307 dhe 1320, duhet të vendoset pranë një libri tjetër udhëtimi. Atij të Marco Polo-s. Tregtari venecian (1254-1324) kishte shfrytëzuar, si qëndrimin e tij në burg (1298-1299), ashtu edhe mbështetjen e një autori të romaneve kalorësiakë për të shkruar suksesin e tij të jashtëzakonshëm, të titulluar Libri i mrekullive të botës, (edhe një herë tjetër!) në frëngjisht. Kjo është antiteza e udhëtimeve vegimtare të Dante-s në botën e përtejme. Të dy autorët gërshetojnë imagjinatën me të vërtetën, si edhe besimin me dyshimin. Pavarësisht sesa e drejtë është të flasësh për Dante-n si ‘poeti i botës tokësore’, do të ishte krejtësisht absurde t’i injoroje pretendimet e tij profetike, si dhe ndjesinë fetare të misionit të tij.

Mrekullitë e botës nuk bëjnë pjesë në temën që ai shtjellon. Të paktën, jo në magnus opus-in e tij. ‘Traktati mbi ujin dhe tokën’ është një pjesë e shkencës së gjithësisë dhe filozofisë natyrore. Natyra është një nga mrekullitë e Zotit, por ky entuziazëm për stringla të larmishme, nëpërmjet të cilave tregtari Venecian Marko Polo shikon mongolët dhe kinezët, popujt, zakonet dhe tregtinë e tyre, humbet tërësisht tek vepra e Dante-s. Sidoqoftë, është e rëndësishme që ta sjellim ndërmend njërin prej tyre në rastin kur përmendet tjetri, përndryshe do të na krijohet ideja se fiksimi fetar i Dante-s është karakteristikë e një epoke dhe jo diçka që e shquante atë.

Ende nuk jam shprehur për Gibelin-ët dhe Guelf-ët, po kështu nuk kam thënë asnjë fjalë përse Dante kaloi në proces gjyqësor, përse iu desh që ta braktiste Firencen, dhe pse refuzoi të kthehej me kusht në qytetin e lindjes, kur iu dha mundësia për ta bërë një gjë të këtillë.

Më lejoni që sot, me rastin e Ditës së Dante-s, të bëj një tjetër krahasim. Poeti katolik anglez, T. S. Eliot, botoi një traktat të shkurtër për Dante-n më 1929. Përkthimi gjerman i shtëpisë botuese Suhrkamp gjendet në vëllimin ‘Was ist ein Klassiker?’ Fillimisht, poeti anglez shpjegon se Dante është i thjeshtë në lexim. Kjo është për t’u çuditur. Megjithatë ai ka të drejtë. Të paktën për mënyrën se si lexohen shkrimet e tij. T. S. Eliot vendos Shekspirin përbri Dante-s, dhe më tej krahason metaforat e veçanta me një saktësi të madhe. Këtë e bën sepse ajo çka binte më shumë në sy, ishte ndoshta aq e qartë për të, saqë dëshirë për ta ravijëzuar atë nuk kishte. Do të mjaftonte t’i hidhje një vështrim Shekspirit për ta kuptuar se ku qëndrojnë vështirësitë tona me Dante-n. Pandershmëria e Shekspirit, përshkrimi nga ana e tij i asaj që ekziston – është në të njëjtën kohë edhe imagjinata e vetë poetit! Shekspiri duket vite dritë më modern sesa orvatja e Dante-s për të pasur një mendim për çdo gjë, si edhe për të tërhequr zvarrë gjithçka drejt bankës së akuzuarit, me bazë moralin e tij. Vepra gjigante e Dante-s i jep mundësinë poetit për t’i paraprirë Gjykimit të Fundit, për t’i kryer punët e Zotit, si edhe për t’i ofruar shpërblim të mirit e ndëshkim të ligut.       

Përktheu: Aristidh Shqevi


Sulm i veçuar nga një provokator injorant

Nga Eike Schmidt
Drejtor i Galerisë Uffizi, Firence

Drejtori i Galerisë Uffizi, Schmidt: ‘Arno Widmann është i njohur për provokimet e tij, ai është një konspirator. Wiedmann nuk përfaqëson as pikëpamjen e përgjithshme të Gjermanisë për Dante-n dhe as ndonjë rrymë të veçantë mendimi.’

‘Arno Widmann? Ai është një personazh i polemikave të forta që gjithmonë provokon të tjerët me synimin që ata ta zënë në gojë në lidhje me teoritë e tij qëllimsht ngacmuese dhe, nganjëherë, edhe për tema që kanë të bëjnë me komplote. Duke dashur të flasë me keqdashje për Dante-n, ai sjell argumente që absolutisht nuk qendrojnë. Mendimi i tij nuk përkon aspak me mendimin e përgjithshëm për Dante-n në Gjermani dhe për më tepër, ai nuk përfaqëson asnjë rrymë të veçantë mendimi’.

Kështu deklaroi sot pasdite në stacionin radiofonik Lady Radio, drejtori i Galerisë Uffizi, Eike Schmidt, në përgjigje të pyetjes së drejtuesit të emisionit në lidhje me artikullin e botuar në gazetën gjermane Frankfurter Rundschau. Artikulli mban firmën e gazetarit dhe bashkëthemeluesit të gazetës ‘Taz’, Arno Widmann: ‘sulmon Alighieri-n duke i ulur vlerat rëndësisë që ai ka për gjuhën italiane dhe letërsinë botërore, me akuzën se karakteristika kryesore e Dante-s është mangësia e mendimit origjinal’.

Schmidt shpjegon: ‘Widmann mbështet idenë se rëndësia e Dante-s për gjuhën italiane nuk ka qenë dhe aq e madhe, sepse nxënësit e shkollës e paskan të vështirë për t’i kuptuar tekstet e tij. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Me përjashtim të ndonjë fjale apo të ndonjë teksti fetar, gjuha e Dante-s kuptohet edhe sot në mënyrë të përsosur, ndryshe nga çka ndodhur me gjuhën angleze dhe gjermane të viteve një mijë e treqind, të cilat janë praktikisht të pakuptueshme për anglezët dhe gjermanët e sotëm.’

‘Widmann thotë – vazhdon drejtori – se Dante u përpoq t’i imitojë poetët provensalë të Francës. Kjo nuk përbën ndonjë zbulim të madh: që Dante i ka parë poetët provensalë si një model, kjo dihet prej kohësh, por që të thuash se ai është mjaftuar thjesht me një kopjim të tyre, përbën një deklaratë të rremë, dhe kjo është më se evidente. Një tjetër argument që sjell Widmann është se, sipas tij, Dante paska krijuar një ‘kundër-version’ kristian përballë traditës islamike të udhëtimit në botën e përtejme të përfaqësuar nga Profeti Muhamed: ky argument është krejtësisht i pabazuar, sepse udhëtimi në botën e përtejme është një zhanër që haset shumë shpesh jo vetëm në traditën kristiane, por në të vërtetë, edhe në letërsinë klasike romake e greke (le ta përmendim këtu Odise-në, kur flitet për zbritjen e tij në Hades – botën e përtejme – në përpjekje për t’u takuar me Akilin). Kuptohet se autorit të shkrimit i mungojnë njohuritë bazë për temën në fjalë’.

‘Së fundi, Widmann dënon edhe vetë strukturën e Komedisë Hyjnore tek pohon se Dante – mesa duket atij Poeti i Madh nuk i vjen fare për shtat dhe madje ai ushqen antipati për të – duke vendosur se kush përfundon në Ferr, në Purgator apo në Parajsë, merr përsipër detyrën e Zotit. Përse, sipas tij? Përgjigjja nuk vonon: kjo vinte si pasojë e egoizmit të tij shumë të madh. Përfundimisht, cila mund të ketë qenë arsyeja e vërtetë që shtyu Widmann për të shkruar një artikull të tillë? Ndoshta – ironizon Schmidt – atë e ka brerë një smirë e brendshme duke u nisur thjesht nga fakti se shtatëqind vite më parë kishte pasur një shkrimtar me një ego më të madhe se ajo e tij, dhe sigurisht Widmann këtë fakt nuk e përtyp dot…’.


Sulm i egër i gazetës gjermane “Frankfurter Rundschau”

Poeti më i madh i Italisë nuk paska krijuar ‘asgjë origjinale’. Alighieri na paska qenë ‘vite dritë’ pas Shekspirit.

nga Chiara Pozzati

IL QUOTIDIANONAZIONALE, 25 mars 2021

‘Dante, njeri i paskrupull dhe plagjiator. Nuk ka kontribuar në formimin e gjuhës italiane, dhe nuk ka krijuar asgjë origjinale. Italia feston më kot’. Ky fshikullim në suazën e një sulmi të papërmbajtur vjen nga Gjermania, jo në një ditë çfarëdo, por pikërisht në ditën e festës së përvjetorit të Dante-s. Një sulm ballor, i pathemeltë, që zor se mund ta gëlltitësh, u ndërmor nga komentuesi gjerman Arno Widmann, i cili mbushi dy faqe të plota dhe një pjesë të kopertinës të revistës letrare Frankfurter Rundschau.

Në ditën që i është kushtuar Poetit të Madh, ku marrin pjesë edhe autoritetet kryesore, përfshirë Sergio Mattarella-n dhe Papën Francesco, të bashkuar në nderim të Dante-s, Widmann mbështet idenë se vendi ynë nuk paska ndonjë arsye të fortë për të festuar, thjesht sepse poeti ynë ishte në thelb një mashtrues ‘vite dritë mbrapa Shekspirit, njeri egoist dhe ambicioz’. Duke u nisur nga të njëjtat motive që bazohen në mendjemadhësinë e tij të tepruar, ai kritikon edhe poetin T. S. Elliot, i cili na qenka fajtor sepse paska krahasuar madhështinë e shkrimtarit britanik me atë të Dante-s.

Duke rikujtuar 25 marsin si ditën e përvjetorit dantesk, Widmann shkarkon të gjithë mllefin e tij, ‘Italia i thur lavde Dante-s, sepse ai e ngriti gjuhën në lartësitë e një letërsi të madhe: ‘e ndërtoi gjuhën në funksion të veprës së tij dhe nga kjo gjuhë lindi gjuha e lexuesve dhe e vetë Italisë’. Menjëherë pas kësaj, ai preçizon se e gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një sintezë që iu servir nxënësve gjashtëdhjetë vite më parë. Vetë Komedia Hyjnore, vijon fshikulluesi Widmann, në themel nuk është origjinale: studiuesi spanjoll Asin Palacios deklaroi më 1919 se vepra e Dante-s bazohej në një poemë mitike arabe në të cilën bëhet fjalë për përvojën e ngritjes në qiell. Është më se e qartë se historia i ka përgënjeshtruar të gjitha këto, por le të bëjmë pak durim. Më pas, Widmann përfundon gjithçka me ftesën që i drejton lexuesve të tij që ‘mos të gabojmë e t’i hymë në hak Dantes, duke nënvleftësuar ambicien e tij të pacipë’, sepse në të vërtetë, ‘mund të ketë ëndërruar që, me udhëtimin e tij kristian në botën e përtejme, të bënte një puç të vogël në kurriz të poemës arabe’.

‘Të mos dëgjojmë se ç’thonë të tjerët, hidh një vështrim dhe ec përpara’: me një tweet të tillë, Ministri i Kulturës, Dario Franceschini neutralizon këtë episod. Këtë e bën duke iu referuar kantos së tretë të Ferrit, dhe duke bërë kështu lëvizjen më inteligjente përballë një kokëtrashie të madhe.

Exit mobile version