“Ç’është dashuria? Është fëshfërima e erës përmes shkurreve me trëndafila – jo, është flaka që digjet në gjak. Është muzikë ferri, dhe nën tingujt e saj fillojnë të kërcejnë edhe zemrat e pleqve. Është si lulja margaritarit që hapet me ardhjen e natës, dhe si lulëkuqja, që në një puhizë të lehte i mbledh petalet dhe vdes, nëse e prek […] Oh, dashuria është një natë vere, me yje dhe me aromën e tokës […] e shndërron zemrën e njeriut në një kopsht të lulëzuar dhe në një grumbull plehrash, në një kopsht të harlisur e të paturpshëm… ”.
(Nga Viktoria. Një histori dashurie, f. 43 – 44)
Qenësia e dashurisë për njeriun
Kur i qasësh dhe synon ta interpretosh një vepër letrare që si objekt poetik ka dashurinë, siç ngjet me romanin Viktoria. Një histori dashurie të Knut Hamsun-it, atëherë dashur e pa dashur të vinë në mendje, sidomos, dy vepra shumë të njohura të letërsisë botërore të shkruar: Epi i Gilgameshit, i traditës sumere babilonase, i shkruar me kunja mbi 4000 vjet më parë[1], dhe libri i Besëlidhjes së Vjetër, Kënga e këngëve, e shkruar në gjuhën hebraishte para mbi 2600 vjetësh[2].
Në të parën (Epin e Gilgameshit) përligjet qenësia dhe rëndësia e dashurisë nga fakti se Enkiduji (personazhi i dytë në vepër për nga rëndësia) nga një kafshë stepe shndërrohet në njeri falë forcës magjike të dashurisë së gruas, me të cilën rri gjashtë ditë e shtatë net. Pra, është dashuria e gruas, është gruaja me trupin e saj të bukur, janë gjinjtë e saj (“kodrat e haresë”), që e kushtëzojnë shndërrimin e parëndomtë dhe shkaktojnë mrekullinë.
Në të dytën (Këngën e këngëve) dashuria dëshmohet si pjesë e pandashme e jetës së njeriut, si qenësi, si sublimim i gjallimit. Përfaqësuesi i shquar i hebraizmit, rabini Aqiba (vdekur më 135 pas Krishtit), thoshte se bota e tërë nuk është e denjë sa dita në të cilën Šîr haššîrîm – Kënga e këngëve iu dhurua Izraelit. Të gjitha librat e Biblës janë të shenjta, po Kënga e këngëve është më e shenjta nga të gjitha (Mišnah, Jadayim 3, 5). Si e tillë ajo u fut dhe në liturgjinë hebraike, duke u bërë njëra ndër pjesët Meghillot (‘rrotulloret’)[3]; më vonë edhe pjesë e traditës së krishterë. Në këtë kryevepër letrare poetike që ka vetëm 117 vargje ose 1200 fjalë në hebraishte, shqiptohet dashuria sa konkrete, aq dhe shpirtërore e hyjnore; dashuria si realitet i krijuar nga Hyji[4] dhe që përligjet në mënyrën më të thellë pikërisht nga njerëzit e krijuar prej Tij. Në të dashuria shprehet përmes një gjuhe universale, simbolike po dhe të afërt dhe të përfillshme për të gjitha kohët, me degëzime të shumtë kuptimesh, përkatësisht me një nëntekst jashtëzakonisht të pasur, jo vetëm për breza e njerëz të ndryshëm, po edhe për një person që e lexon atë në kohë dhe në rrethana të ndryshme. Si e tillë ajojo vetëm bëri ndikim në letërsinë hebraike, por edhe në autorët dhe letërsitë që e çmojnë mirëfilli artin e fjalës dhe mesazhin poetik[5].
Pse është e tillë dashuria dhe pse ajo është bërë aq shpesh objekt poetik i veprave të periudhave dhe i autorëve të ndryshëm nga fillimi i gjallimit të njeriut, të dëshmuar së pari nga krijimet e letërsisë që lindi dhe u përcoll gojarisht për qindvjetsha me radhë?
Një nga përgjigjet e mundshme jepet në vetë romanin Viktoria. Një histori dashurie: “Dashuria është fjala e parë e krijuesit, mendimi i parë që ndriçoi në shpirtin e tij. Kur ai tha: ‘U bëftë drita!’ – atëherë lindi dashuria. Gjithçka që krijoi ishte e bukur; asgjë nga ato që krijoi, nuk do të donte ta kthente në mosqenie. Dhe dashuria u bë burimi i çdo gjëje mbi tokë dhe sunduesja e parë; po në gjithë rrugën e saj ka lule dhe gjak, lule dhe gjak” (f. 45).
Dikush e lidh qenësinë e dashurisë me faktin se vetë Hyji është triniteti i dashurisë[6] dhe ekziston si plotní dhe marrëdhënie e dashuria dhe e bashkimit të dashurisë[7]. Nga kjo rrjedhë se dashurinë fizike, shpirtërore dhe hyjnore, janë të njësuara me njëra – tjetrën, siç theksonte edhe papa Benedikti XVI: “Dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin janë të pandashme, janë urdhërim i përnjëjtësuar. Të dyja, pra, jetojnë nga dashuria e ardhur nga Zoti…” [8].
Rëndësia e dashurisë përligjet edhe nga fakti se brenda dashurisë bashkëjetojnë përbërës e kuptime të shumta; ajo shprehet si ballafaqim me veten e me të tjerët, të përballon me vështirësitë, me frikën e me dhembjen; ndërlidhet sidomos me marrëdhëniet midis dy qenieve njerëzore, siç thekson dhe filozofi dhe teologu i shquar grek, Christos Yannaras: “Tjetri bëhet ‘kuptimësia’, përgjigja e ndjeshme e dëshirës më të thellë e jetike të natyrës sonë. Ndoshta nuk jemi dashuruar në personin e Tjetrit, po në etjen tonë të mishëruar në personin e tij[9]“. Pra, dashuria barazohet me vetë jetën: “Tjetri përbën mundësinë e vetme për arsye se marrëdhënia jonë me botën është e ndërsjellë. Tjetri është fytyra e botës, logosi i secilës qenësi objektive. Logosi që më drejtohet mua dhe më fton në universalen e bashkë-ekzistimit[10]“.
Edhe mendimi i shkrimtarit të shquar rus, F. Dostojevski, i thënë në romanin e tij “Demonët” mund të hedhë dritë në të kuptuarit e qenësisë së dashurisë për njeriun dhe jetën e tij: “E çka është më e përjetshme sesa dashuria? Dashuria është më e lartë se ekzistenca, është kurorëzim i ekzistencës, e si është e mundur që ekzistenca të mos i nënshtrohet?”
Dashuria si ndjenja më e fuqishme nuk di as për kohë, as për moshë; magjia e saj përligjet kudoherë dhe vijimisht. A nuk e përligj qenësinë e saj për jetën e njeriut edhe ky mendim i shkrimtarit të shquar, Markesit: (Gabriel García Márquez): “Zoti im […] tregoju njerëzve se sa gabim e kanë kur mendojnë se pushohet së dashuruari kur plakesh, pa e ditur se plakesh kur pushon së dashuruari[11]“.
Rrëfim i natyrshëm mirëfilli poetik për dashurinë
Më ka rënë shumë rrallë që të lexoj një roman që është shkruar kaq natyrshmëri, me kaq mjeshtëri dhe me kaq thellësi për dashurinë[12], një rrëfim i shqiptuar nga thellësia e zemrës, si thuhet në roman (f.52) [13]. Pikërisht pse çdo gjë në vepër rrëfehet natyrshëm, po çdo gjë e menduar, e matur me peshojën e saktë të artit, që ndikon fuqishëm estetikisht në lexuesin.
I gjithë realiteti në roman është përftuar – është ndërtuar nga autori, Knut Hamsun-i. Ai nuk i përshkruan dukuritë, as nuk rrëfen një dashuri konkrete që ka ndodhur (ose ka mundur të ndodhë), gjendjet tunduese të v eprimeve konkrete e shfrimit të epshit; ai e ndërton atë që e rrëfen, e stis vetë rrëfimin, ku përliogjet e përjetësohet ai realitet. Pra, Hamsun-i gjithçka e ndërton përmes të shprehuirit, përmes gjuhës poetike, një shqiptimi të peshuar e të pasur. Ky realitet dëshmohet jo vetëm si i mundshëm, tej masës i veçantë dhe i mëvetësishëm, po dhe besueshëm dhe mirëfilli i përfillshë. Pra, Knut Hamsun-i nuk imiton asgjë, ai ndërton dhe ndërton pa zhurmë, thuajse në heshtje, i lë vend kontekstit, larg retorikës ose pohimit. Teksti i romanit është ndërtuar mbi parimin që e përmend Platoni në veprën e vet “Joni” kur bën fjalë për Tinikun e Kalkidës, i cili nuk krijoi asnjë poezi të denjë për t’u mbajtur mend, por vetëm peanin (himn koral për nder të Apolonit), që është më e bukura nga të gjitha këngët, tërësisht trillim i muzave[14].
Kjo dëshmohet edhe nga mendimi i romansierit të shquar, Grasia Markez, i cili thoshte se rrëfimi i tij është një trillim, po mënyra si e shpreh ai një dukuri lë përshtypje tek lexuesi si ngjarje e vërtetë, pra si e vërtetë e mundshme. Realiteti që krijohet përmes tekstit poetik është realitet subjektiv, pjellë e shpirtit dhe e mendjes së shkrimtarit dhe mund të vihet komunikim me të vetëm nëse i qasemi si realitet të tillë për arsye se brenda tij dukuritë gjallojnë në mënyrë tjetër përballë asaj që ndodh në përditshmëri: edhe koha është subjektive dhe e pakufi: e kaluara, e tanishmja dhe e ardhmja mund të njësohen në një tërësi, siç ngjet edhe në ëndërr, ku gjërat ndodhin në kohë e hapësirë të pakufishme, mbi veçantinë e botës të së cilës është përftuar rrëfimi.
Mënyra e rrëfimit në roman herë – herë të kujton atë të zbatuar në Këngën e këngëve.
Dashuria e rrëfyer në veprën Viktoria. Një histori dashurie është sa konkrete aq dhe përfytyruese dhe gërshetohet me kujtime, me vegim dhe me ëndrrën. Këto ngjizën mes veti në mënyrë krejtësisht të natyrshme sa lexuesi nuk e vëren shpërndërrimin mes tyre; njëra është brenda tjetrës dhe anasjelltas: “Në kokën e tij (Johanesin – v. ime) mbretëronte një turbullirë; copëzat e ëndrrave ishin ngatërruar me kujtimet e ditës së kaluar” (f. 74). Kështu, nëse synon ta shmangësh njërën e shmang edhe tjetrën. Kjo dëshmon mjeshtërinë e shkrimtarëve të mëdhenj.
Johanesi e dashuron Viktorien pa masë. Dashuria e tij është e pastër, thellësisht e sinqertë, siç është e pafund dashuria e Viktoria për të; edhe kur për hir të babait, pranon të martohet me togerin e pasur, Oto, ajo e do pafundësisht Johanesin: “Unë e dua Johanesin, vetëm atë e kam dashur gjithë jetën, vetëm atë…vetëm atë…” (f. 143). Kjo përligjet edhe nga ajo që Viktoria i shkruan Johanesit në letrën e fundit: “Po, Johanes, unë ju kam dashur, vetëm juve ju kam dashur gjatë gjithë jetës sime” dhe “I dashur Johanes! Më duket kaq e vështirë të mësohem me mendimin se e gjithë pjesa ime në këtë botë ishte vetëm të lindja dhe t’ju doja juve” (f. 181).
Kjo ndodh edhe me Johanesin: gjithë shpirti i tij rend drejt saj; të dashurës, Viktorias; asaj ia kushton të gjitha poezitë, edhe atëherë kur ballafaqohet dhe e tundon realiteti i rëndë: kur Viktoria martohet me togerin e pasur ose kur dyshimi se ajo, njëmend, e do atë si bir mullisi…
Magjikja e dashurisë dhe përmasa hyjnore e saj
Romansieri Knut Hamsuni i qaset dhe e vështron dashurinë nga rrafshe dhe kënde të ndryshme. Në tekst thuhet se dashuria “[…] është një natë vere, me yje dhe me aromën e tokës […] Ah, dashuri, ti e shndërron zemrën e njeriut në një kopsht të lulëzuar dhe në një grumbull plehrash, në një kopsht të harlisur e të paturpshëm… ” (f. 44). Magjia e saj është e pazakonshme dhe e paparashikueshme; kur mendon se ke mësuar dhe ke kuptuar shumë nga ajo, jeta – rastet të bindin se asaj asnjëherë nuk mund t’i preket fundi.
Kështu i ndodh dhe Johanesit. I ri, edhe ai pushtohet nga magjia e dashurisë, ashtu siç thuhet në tekstin e romanit kur flitet për veçantitë dhe zjarrin e kësaj ndjenje të njeriut, që te secili shfaqet në mënyrë të veçantë: “Nata e pranverës kishte zbritur mbi tokë, dhe një djalosh pa përballë vetes dy sy. Ai i pa thellë ata sy, dhe nuk mundi të shkëputej prej tyre. Dhe i puthi buzët e saj, e atëherë iu duk sikur në zemrën e tij u takuan dy drita: dielli dhe një yll. Duart e vajzës e përqafuan, dhe ai më nuk pa dhe nuk dëgjoi asgjë tjetër në botë” (f. 45).
Johanesi është i dashuruar në atë mënyrë që në rrëfim nuk bëhet një ndarje midis dashurisë konkrete me Viktorien dhe asaj që ai e mendon dhe e përfytyron kur është larg saj, po edhe kur e ka afër dhe i lësho fre vegimit dhe imagjinatës, siç ndodh kur Viktoria i flet për letrën e tij që e mbante në dorë – mënyrë që e përdorin mjeshtërisht prozatorët e rrafshit më të lartë:
“E kam shkruar unë këtë. Ka kohë që atëherë, ishte natë, unë po shkruaja poezi, dhe jashtë dritares sime shushuritnin me forcë plepat. Po si, po e fshihni sërish? Faleminderit që e fshehët përsëri. Oh! – pëshpëriti ai i tronditur, me zë gati të padëgjueshëm. – Ta mendosh pak, ju po rrini kaq pranë meje. Dora ime po prek dorën tuaj, dhe nga ju vjen ngrohtësi. Shpesh, kur mendoja për ju vetëm në dhomën time, më dridhej i gjithë trupi nga ndjenja. Ndërsa tani ndiej vetëm ngrohtësi. Herën e fundit, kur u ktheva në shtëpi, ju ishit e bukur, por tani jeni bërë edhe më e bukur. Sytë, vetullat apo buzëqeshja—jo, nuk e di, të gjitha bashkë; thjesht, jeni ju vetë.
Ajo buzëqeshte dhe e shihte me qepalla gjysmë të ulura; pas qerpikëve të gjatë shndrisnin thellësisht blu sytë e saj. Faqet i qenë skuqur lehtë. Dukej sikur ishte e gjitha e mbushur me një dritë gëzimi, ndërsa me një lëvizje të pavetëdijshme të dorës, e shoqëronte çdo fjalë të tij” (f.53).
Johanesit ia ka ndezur dashuria ujëvarën e flakëve që nuk shuhen. Kjo vërehet edhe kur ai është afër Viktories dhe larg saj. Kjo i ka ngjarë edhe kur i ka shkruar poezitë kushtuar asaj, siç dëshmohet nga ajo që i rrëfen fqinjit të tij:
“Asnjëherë në jetën time nuk kam shkruar kaq lehtë. Sikur gjithçka rreth meje u ndriçua nga një rrufe. Një herë kam parë se si rrufeja kaloi mbi telat e telegrafit, si një shirit flakërues. Dhe ja, pikërisht një rrufe e tillë shpërtheu sot brenda meje. Çfarë mund të bëja? Jam i sigurt se nuk do të zemëroheni, nëse ju shpjegoj se si ndodhi gjithçka. Po rrija këtu duke shkruar; nuk jam ngritur asnjëherë nga karrigia, vazhdimisht kam menduar për ju dhe nuk lëvizja fare. Dhe pastaj erdhi një moment kur harrova gjithçka; zemra më shpërtheu në kraharor, ndoshta në atë çast u ngrita, ndoshta dhe natën jam ngritur e kam ecur nëpër dhomë. Isha kaq i lumtur!” (f. 60)
Në vijim Johanesi i rrëfen edhe këtë fqinjit të vet ( të trazuar nga mënyra se si ai ishte sjellë dhe ia kishte prishur qetësinë atij). Domethënë i tregonte arsyet që e kishin nxitur dhe e kishin shqetësuar fqinjin:
“Dje ndodhi një ngjarje e madhe në jetën time. Po ecja në rrugë dhe takova lumturinë time, më dëgjoni?—Takova yllin tim, lumturinë time. Më kuptoni? Dhe ajo më puthi. Kishte buzë kaq të kuqe; unë e dua atë, ajo më puthi, dhe puthja e saj më dehu. Ju ka kapur ndonjëherë një emocion aq i madh, sa të mos jeni në gjendje të thoni asnjë fjalë? Unë nuk arrija të nxirrja dot fjalë nga goja, dhe zemra më rrihte aq fort, sa dridhesha i tëri.
Vrapova në shtëpi dhe menjëherë rashë në gjumë; më zuri gjumi aty në karrige. Në mbrëmje u zgjova. Gjithçka në shpirtin tim rrotullohej prej entuziazmit, dhe fillova të shkruaja. Çfarë shkrova? Këto që shihni! Një gjendje e mrekullueshme dhe e paparë më kishte pushtuar; ndihesha si në parajsë, shpirti im u hap nën rrezet e diellit; një engjëll më solli verë, dhe unë e piva—ishte një verë që të dehte, dhe e pija nga një kupë prej shege. Vallë, si mund të dëgjoja tik – takun e orës? Si mund të vija re që llamba ime ishte shuar? (f.61 – 62).
Johanesi ia ka dhënë zemrën Viktories, po në një gjendje të tundimit të fuqishëm, i zemëruar, i thotë se ndoshta ai nuk ishte i denjë për të dhe kjo kishte kushtëzuar martesën e saj me Oton, togerin e pasur. Kur Viktoria ia thotë ngadalë, duke i shqiptuar me kujdes të gjitha fjalët “Unë ju dua; kuptojeni më në fund: ju dua vetëm juve, Lamtumirë” Johanesi mbytet në përsiatje, në vegime e në përfytyrime të pafund:
“Ndërsa vazhdon të rrijë ulur duke shikuar nga dritarja ku po fillon të agojë, mendimi në kokën e tij ende godet fuqishëm dhe imagji-nata vazhdon të punojë pa pushim. Ai është i mbushur gjithë ngazëllim që nuk shteron, ndërgjegjja e tij i ngjan një kopshti të dendur, të mbushur me fruta të paprekura dhe me avuj të nxehtë që dalin nga toka.
Në një mënyrë të mistershme, ai kishte kaluar në një luginë të thellë e të vdekur, ku nuk kishte asgjë të gjallë. Vetëm nga larg dëgjohej tingulli i një organoje. Ai iu afrua organos dhe e vëzhgoi me vëmendje: prej saj rridhte gjak. Organoja vazhdonte të luante muzikë, ndërsa gjaku pikonte nga muret e saj anësore. Ai vazhdoi më tej dhe doli në një shesh. Ishte bosh, asnjë pemë, asnjë zë—sheshi ishte krejtësisht i shkretë. mbi rërë dukeshin gjurmë këpucësh, dhe në ajër ende jehonin fjalët e fundit që ishin shqiptuar aty pak çaste më parë; aq afër ishte largimi i njerëzve. Një ndjenjë e çuditshme e pushtoi; jehonat e këtyre fjalëve, që ende rrinin pezull në ajër mbi shesh, e trembnin, e rrethonin, i peshonin rëndë. Ai u përpoq t’i largonte, por ato sërish afroheshin; madje nuk ishin më fjalë, por pleq të vegjël që vallëzonin, dhe tani ai i shihte qartë. Përse vallëzonin ata pleq, dhe përse vallëzimi i tyre ishte aq i zymtë? Një ftohtësi akulli vinte nga ky rreth i moshuarish që kërcenin; ata nuk e shihnin, ishin të verbër; ai u thërriste, por ata nuk e dëgjonin, sepse ishin të vdekur” (f.84 – 85).
Shqiptimi kontrastik mënyrë e pasurimit të të shprehurit poetike
Një mënyrë e rëndësishme e përftimit të tekstit poetik në ktë roman është edhe kontrasti, ballafaqimi, kundërvënia. Edhe në zbatimin e kësaj mënyre Hamsun-i dëshmohet mjeshtër dhe i natyrshëm. Po sjell tre shembuj.
“[…] sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndë për mua. Jashtë bie dëborë, rruga është krejt e zbrazur, gjithçka e zymtë, dhe në zemër më rëndon një melankoli e pashpresë. Dola të ecja në rrugë, pastaj për orë të tëra endesha nëpër dhomë për t’u qetësuar sadopak; por ja që tani po afrohet mbrëmja, dhe gjendja ime nuk është aspak më mirë.
Në gjoksin tim duhej të digjej një zjarr, por unë jam i ftohtë dhe i zbehtë si dita që po shuhet. Lexues i dashur, në këtë gjendje shpirtërore do të përpiqem të përshkruaj një natë të ndritshme e magjepsëse. Puna më qetëson; ku i dihet, ndoshta pas disa orësh, gëzimi do të rikthehet përsëri tek unë…” (f. 154 – 155)
Kamila, vajza të cilën Johanesi e shpëton nga mbytja në det, pas disa vitesh, kur Viktoria vendos të martohet me togerin, përmes saj, afrohet te Johanesi dhe (gjatë një takim) i premton se do të martohet me të. Mirëpo, ndërkohë ajo njihet me të riun, Riçmondin, me të cilin dashurohet marrëzisht. Këtë ia thotë ndër sy edhe Johansit:
“Sot i mora librat e tu dhe i çova në dhomën time. Dua t’i rilexoj, s’më duket aspak e mërzitshme, madje mezi pres. Dëgjo, Johanes, bëhu aq i mirë dhe më shoqëro deri në shtëpi; nuk e di nëse bëj mirë të eci vetëm. Nuk e di, ndoshta dikush po më pret jashtë, sillet nëpër rrugë dhe më pret. Jam pothuajse e sigurt… – Dhe papritur ajo nis të qajë, dhe duke u ngashëryer pëshpërit: – Unë e quajta gënjeshtar, kjo ishte kaq e ulët nga ana ime. Ndihem shumë keq që i thashë ashtu. Ai nuk më ka gënjyer aspak, përkundrazi, ai gjatë gjithë kohës…Gjithsesi nuk duhej të flisja keq për të” (f. 160 – 161).
Pikërisht zjarri i dashurisë e bën Kamilën të lëkundet, të mëdyshet dhe të mos jetë e vetvetes, po, edhe në rrethana të tilla, dëshmon se është e çiltër dhe e padjallëzuar:
“Faleminderit, Johanes i dashur, faleminderit që nuk je i zemëruar me mua, – tha ajo, duke i fshirë lotët. – Vetëm dije se edhe ty të dua. Zot, tani do të vij tek ti shumë më shpesh dhe do të bëj gjithçka që të duash. Vetëm se atë e dua më shumë, por unë nuk e kam dashur këtë gjë. Nuk është faji im.
Ai u ngrit në heshtje, vuri kapelën dhe tha: – Shkojmë?” (f. 162)
Romani Viktoria. Një histori dashurie i Knut Hamsun-it është një kryevepër poetike, një rrëfim thellësisht i natyrshëm, po dhe tronditës. Tronditës jo vetëm për mënyrën se si shqiptohet ndjenja e dashurisë, duke e ngritur dhe në përmasë hyjnore, po për mënyrën se si i thotë, i shpreh gjërat, si rrëfen për realitetin poetik, që kushtëzon një kontekst të pasur të krijuar përmes tekstit. E kanë thënë dhe autorë të shquar, po e ka pohuar edhe vetë Hamsun-i gjatë ceremonisë të marrjes së Çmimit Nobel për letërsi (për vitin 1920), se unë e kam mënyrën time të të shkruarit[15] dhe po në atë takim pati thënë se ishte i pushtuar nga nderimi i madh që iu bë me dhënien e atij çmimi[16].
Ai që e lexon me vëmendje këtë vepër të Hamsun-it, pa dyshim, do të pushtohet prej saj, sidomos me artin që e cilëson fillim e mbarim. Me përkthimin cilësor në shqip ajo i bën nder edhe letërsisë sonë dhe si vlerë bëhet pjesë e saj.
Prishtinë, gusht 2026
[1] Shih Epi i Gilgameshit. E përktheu nga gjermanishtja dhe e plotësoi me shënime Anton Nikë Berisha. Botimi i tretë. Argeta – LMG, Tiranë 2008. Botimi i parë “Rilindja”, Prishtinë 1984, botimi i dytë “Naim Frashëri”, Tiranë 1990.
[2] Shih Cantico dei cantici. Në La Bibbia. Via, Verità e Vita. Nuova versione ufficiale della Conferenza Episcopale Italiana. Edizioni San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano), 2009; Gianfranco Ravasi, Cantico dei cantici…come sigillo sul cuore. Edizione San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano), 2011
Shih dhe studimin tim Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës. Me përkthim të ri të tekstit. “Faik Konica”, Prishtinë 2015.
Shih dhe studimin tim Rreth veprës “Il Canzoniere albanese” të Françesk Anton Santorit. Studim. Con una sintesi in italiano. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2012.
[3] Shih Gianfranco Ravasi, Cantico dei cantici…come sigillo sul cuore, vep. e përm., f. 178. Shih edhe Cantico dei Cantici. Nuova versione, introduzione e commento di Gianni Barbiero. Figlie di San Paolo. Milano 2004, f. 18; Cantico dei cantici. Introduzione, traduzione e commento a cura di Luca Mazzinghi. Edizioni San Paolo. Cinisello Balsamo (Milano, 2011, f. 9.
[4] Cantico dei Cantici. Introduzione e commento di Tiziano Lorenzin, vep. e përm., f. 7.
[5] Cantico dei cantici. Commento e attualizzazione. Commento e attualizzazione. Edizione Dehoniane Bologna, f. 723 – 861 dhe Gianfranco Ravasi, Cantico dei cantici…come sigillo sul cuore, vep. e përm., f. 163 – 201.
[6] Shih Giovanni Paolo II, Pensieri sparsi. Coraggiosi nella verità generosi nell’amore. A cura di don Giovanni Battista Zilio. Neri Pozza Editore. Vicenza 1998, f. 28.
[7] Shih studimin tim Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës. Me përkthim të ri të tekstit. “Faik Konica”, Prishtinë 2015, f. 73.
[8] Benedetto XVI, Deus caritas est. Lettera enciclica.Libreria Editrice Vaticana. V Ristampa 2006, f. 42.
[9] Chri Christos Yannaras, Variazioni sul Cantico dei Cantici. Edizione Qiqajon. Comunità di Bose. Magnano (BI), 2012, f. 8.
[10] Christos Yannaras, Variazioni sul Cantico dei Cantici, vep. e përm., f. 9.
[11] Lazër Stani, Rrugë pa krye. Ese letrare. Botimet Fishta. Tiranë 2016, f. 87.
[12] Shih pos të tjerash punimin tim për veprën e Lev Tolstoi, Lumturia martesore. Përktheu nga origjinali Bujar Hudhri. Botoi Onufi, Tiranë 2020.
[13] Autori e quan novelë, po vepra ka të gjitha cilësitë e romanit të mirëfilltë, qoftë si sasi, qoftë si cilësi. Këtu mbështetet përdorimi im i nocionit roman.
[14] Shih Platoni, Joni. Përktheu dhe e pajisi me shënime prof. as. dr. Vinçens Marku. Dukagjini. Pejë 2024, f. 29.
[15] Avni Saphiu (përgatitja, përkthimi, editimi). Nobelistët e letërsisë. (Botim i përditësuar). Kosova Pen center, Prishtinë 2022, f. 802.
[16] Po aty, f. 802.



