Kreu Muzikë Nekije Shahinasi: “Zjerm”, poemë e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes

Nekije Shahinasi: “Zjerm”, poemë e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes

Zjerm, kënga më e njohur teknofolk që nga dhjetori i vitit të kaluar, është jo vetëm surpriza e Festivalit të Këngës, por edhe zbulimi i poetik i vitit. Zjerm na kujton se arti sjell ende frymëzim, shpresë, udhërrëfim e poezi. 

Kush është Shkodra Elektronike?

Në thelb të këtij projekti që ka mahnitur publikun qëndrojnë Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, dy artistë shqiptarë nga diaspora, të bërë bashkë nga malli për gjuhën amë, dashuria për muzikën dhe inspirimi që iu jep folku. Zjerm është shkruar nga Beatriçe Gjergji dhe Lekë Gjeloshi.

Zjerm është kënga e tyre më e njohur, përfaqësuese e Shqipërisë në edicionin e 69-të të Eurovision-it, të cilën nuk do ta trajtojmë nën petkut e këngës, por do ta lexojmë si një poemë që bën bashkë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e një shoqërie. Është një poemë moderne që i flet së shkuarës, shtrëngon të tashmen dhe vazhdon në një të ardhme që ende luftohet në brendinë e shpirtit njerëzor. Në një kohë ku muzika sa vjen e largohet nga një përmbajtje e mirëfilltë letrare, Zjerm ngrihet si feniksi pas djegies për një rezistencë poetike. Zjerm nuk është vetëm një produkt muzikor, është një poezi e dy poetëve që vë përballë botë paralele që zor se takohen bashkë; dy zëra poetik, Kola i cili i këndon realitetit të përhumbur, vuajtjes dhe territ. Një distopi që përtypet ngadalë nga jeta e përditshme. Zëri i dytë, Beatriçe zjarrit për një botë të re. Një vend idealist, pra një utopi njerëzore dhe shpirtërore.

Të dyja linja të domosdoshme, një rrugëtim i domosdoshëm për të arritur ëndrrën. 

Vuajmë faktin se kjo poemë “lufton” mes utopizmit dhe distopizmit. Utopia që kërkojmë përballet me rrezikun e distopisë që mund të zëri rrënjë nga momenti në moment. Jetojmë në një botë ku kërkojmë të monetizojmë dhe politizojmë çdo gjë, ndërkohë natyra i përket natyrës, gjallesave që e duan të pastër siç është, njeriut që do të jetojë në harmoni me të.

Hyrja e këngës nis me idealizmin e Beatriçes, me ëndrrën e saj. “Pas shiut, e ylbertë duket bota”.

Por që në vargjet e para, hasemi me këtë botë utopike që bie në kundërshtim me përditshmërinë e qenies njerëzore.

“S’ka përreth një ambulancë

S’ka kush flet me arrogancë

Imagjino një minutë pa ushtarë, pa jetima,

Asnjë shishe n’oqean, naftës i vjen era jargavan”

Një ëndërr, një realitet i paprekshëm, i cili në vetvete përmban një zhgënjim e një plagë kolektive që ka kapluar shoqërinë. Me këto kontraste nuk ka se si të mos më shkojë mendja te Migjeni dhe këngët e tij të mjerimit, se si Shkodra Elektronike mund të jetë një Migjen i kohëve moderne. Migjeni e ndërtoi poezinë e tij mbi revoltën, ndërkaq Sh.E. na përcjell të njëjtat emocione dhe ndjesi, por nëpërmjet shpërfaqjes së këtij realiteti, të dhuron një botë ideale dhe se sa të lëndon ideja se mund të mos ketë një të ardhme të tillë. A ka diçka më të dhimbshme se të “prekësh” një ideal dhe njëkohësisht të jetë kaq larg teje? A ka diçka më të dhimbshme se të kesh një mundësi të artë dhe të të shkërmoqet para syve?

“Zjerm!

Njerëzit pa emër e njerëzit e dlirë

Njësoj këputen e bijnë

Si shtatë thika që t’ngulen n’shpirt”

Zjermi mes distopisë dhe shpresës; varg që flet për plagën kolektive, se si njerëzit pa emër, të dlirë janë ata, që ndryshe nga ata që krijojnë këto sisteme, goditen e që ngrihen më të fortë se kurrë më parë. Nuk mund të lë pa përmendur referencat biblike, se si këto shtatë thika janë një analogji me shtatë shpatat e Virgjëreshës Mari, shtatë vuajtjet e saj si një reminishencë e sakrificës, vuajtjes e dhimbjes “së shenjtëruar” përpara se të gëzojë drita. Kemi të bëjmë jo më me një vuajtje personale, por me një dhimbje kolektive që përsëritet në histori si një cikël i mbyllur, i cili kërkon një ndalje e fillim të ri. Strofa e Kolës flet për realitetin, ku s’guxon të shpresojë, por mund të ndiejmë një zë revolte brenda tij, sado e vogël tëjetë ajo.

“Shndrit, shndrit, shndrit”

Ati, biri dhe shpirti i shenjtë i Zjerm, kthyer tashmë në një lutje, psalm për këdo që dëgjon e shpreson që drita ka fuqinë mbi errësirën. Këdo që revolta i lind përbrenda si një filiz i shpresës.

Poema i flet së kaluarës me nostalgji e mall.

“Jarna ne ti toka ime,

Ku kam lind s’do të harroj”

Ky varg nuk është vetëm një premtim ndaj vendlindjes, është një premtim kolektiv që tashmë nuk është veçse një çështje kombëtare, por universale e cila fton çdo dëgjues e “bashkëvuajtës” që të besojë me ta dhe t’i bashkohet nismës së tyre. Kujtdo që ndien nostalgji dhe dëshirë për ta ndriçuar rrugën. E

“Jarna ne ti toka ime

Vazhdo me shndrit

është mëma jonë bashkuar me trininë e shenjtë për të dhënë forcë, e një premtim se një ditë drita s’do jetë veç një ëndërr. 

Refreni bën bashkë dy botët e poetëve, por si kurrë më parë i bashkon ato për një shpresë të vërtetë, pasi thellë brenda vetes kjo është shpresë e të gjithëve, të cilët e ndiejnë përbrenda vetes ndryshimin.

“N’zemrën teme,

Ky minutë do të vazhdojë

Njerëzit e mirë

Njerëzit pa emër

Kërcejnë valle n’shpirt”

Teksa po shihnim gjysmëfinalen e Eurovision-it me mikeshën time, E.P., dhe po analizonim Zjerm, në bisedë e sipër na kujtohet Portokall me kurdisje, romani që trajtuam në takimin e fundit të klubit të librit Onufri, i cili flet për një shoqëri distopike që manipulon mendimin e një shoqërie moderne dhe programon pjesë të popullit të tyre për të ndjekur një udhë të caktuar. Ama, a nuk është kjo çfarë përjeton njerëzimi tashmë prej shekujsh?

Ironia therëse e “Lirinë e fjalës ta mëson shkolla” na rikujton se në fund të ditës ne nuk jemi veçse një portokall me kurdisje. Liria është një iluzion i programuar, të gjithë jemi të programuar sipas një shembulli, ku mendimi kritik është pothuaj inekzistent dhe i diktuar, por mendimi se një ditë kurdisja mund të ndalojë, zgjon një zjerm brenda teje. Hyrja e strofës së Kolës nis po ashtu me një thirrje për kthim në gjenezën tonë.

“Zjerm!

Bjer mbi vallet tona tribale

Që ushtojnë sa orteku kur bjen n’male”

E teksa shohim vargun

“Yjet s’i shohim se yjet na i shkel kamba

Kur ecim n’jerm”

Na kujton dhe njëherë për programimin e individit, verbërinë që na ka kapluar duke mos qenë të vetëdijshëm për gjithë potencialin që vazhdojmë të hedhim përtokë.

E tani, për të kaluar në pjesën time të preferuar:

“Zjerm!

Jena t’untë për flakë e dritë

E t’kërkojmë n’kyt terr që s’pranë tuej shndritë”

Më në fund vjen kthesa e shumëpritur! Edhe realisti (Kola) pranon këtë thirrje shpirti që kthehet në një ëndërr e shpresë kolektive; këtë thirrje që kthehet në faktorizuesin e shkrirjes së të shkuarës, tashmes dhe të ardhmes.

Zjerm është një Promete, Zjerm është një feniks, Zjerm është unë e Zjerm është ti! Është kushdo që gjen brenda vetes dritën a shpresën për të jetuar e ëndërruar, pasi lufta e vërtetë ndodhet brenda teje! 

Sa bukur të dëgjosh vendin tënd të përfaqësohet në gjuhën tënde me një tekst kaq të fuqishëm. Andaj s’më mbetet gjë tjetër për të thënë veçse shndrit, shndrit, shndrit!

Exit mobile version