Kreu Opinion Ndue Dedaj: A jam unë poet?

Ndue Dedaj: A jam unë poet?

Nuk mund ta harroj atë letër, që ma shkruante në muzgun e jetës së tij, një i mirënjohuri im i kahershëm, njeri i letrave, i cili kishte botuar poezi herët. Letra në formë eseje niste me fjalët “A jam unë poet?” dhe vijonte si një përshpirtje e tij: “Këtë pyetje ia bëj vetes, si të gjithë ata që një ditë në fëmijëri, pa e kuptuar, kanë ndjerë shkreptimën qiellore të të shkruarit vargje. Zor se ka krijues të vërtetë që nuk e pyet veten sa më sipër, bile duke ndjerë drithërima në shtat. E kurrë një fjalë nuk mund të them për vete, në jam pak, aspak apo disi poet. Për ata që nuk lexojnë poezi, por që janë miqtë e mi virtualë në rrjetet sociale (më zuri dhe mua kjo dalldi në pleqëri!), me siguri që unë jam poet dhe ata janë gati të më mbushin me lavde, bile duke më quajtur dhe poet të madh!…

Poeti është një albatros

Për lexuesit e kultivuar me letërsinë, unë mund të merrem për poet, por mbase si një gjysmë poeti, ngaqë nuk dal shpesh me poezi në publik, nuk bëj promovime librash, nuk shkruhet për poezinë time andej-këndej. I kam të gjitha mundësitë të dukem më shumë në lëmin e poezisë, por më duket se asnjë lloji truku e artifici nuk i shkon artit të mirfilltë. Sa qeshë në Amerikë, mund dhe të botoja poezi në ndonjë revistë letrare, por, dreqi ta hajë, s’mu bë për mbarë. Kjo është natyra ime, disi e tërhequr, mos me mbajt fort andej nga fama, nga frika se ajo të lëshon… Sa iu përket titullarëve të letërsisë, dmth shkrimtarëve, studiuesve, kritikëve letrarë, ata më të vërtetë që i kanë fjalët e kursyera, edhe ndaj meje që jam kolegu i tyre, pasi për ata poetët numërohen me gishtat e dorës! Nuk është se ata nuk thonë fjalë vlerësuese për poezitë e tua, por titullin poet nuk ta japin lehtë. Dhe që ta dish, unë kam qenë i përfshirë në një antologji poetike kombëtare të viteve ’70. Unë e marr si shenjë serioziteti ndaj poezisë. Më mirë të paragjykojnë se të lëshojnë pe. Se na janë bërë më shumë poetë se zjarrfikës, më shumë poetë se doktorë, më shumë poetë se policë, më shumë poetë se bujq, më shumë poetë se mastershefë! Nuk ka zjarrfikës për të shuar zjarret në pyje, por poetë – zjarrfikës ka! Nuk ka doktorë për katundet e largme, por poetë – doktorë ka! Nuk ka policë kur ndodhin sherre në qytet, ama poetë – policë ka! Nuk ka bujq për të punuar tokën, ama bujq – poetë ka! Nuk ka masterfshefë për resortet turistike, ama mastershefë – poetë ka! Sa për mësuesit dhe oficerët, ata janë të gjithë poetë, nga i pari tek i fundit. Njëqind të tillë i kam veç unë në Facebook, ku zonjat poetesha zënë të paktën tridhjetë përqind. Por s’ka sipërmarrës që të jetë poet. S’ka politikan që të jetë poet. (Çudi, dikur Parlamenti kishte plot poetë të talentuar!) Përpos këtyre dy specieve, dmth politikanëve dhe biznesmenëve, poetët janë të kudondodhur, të të gjitha krahinave, feve, partive, zanateve, por jo të të gjitha moshave, pasi të rinjtë mund të kenë të tjera maniera, por nuk vuajnë nga deliri “poetik” dhe patetika e të qenit shkrimtar.

Mund të jetë çështje psikologësh, për të mos thënë ndonjëherë dhe psikiatrish maniakëria e të pasurit pafundësisht libra, se si një mendje normale mund të “firmosë” pesëdhjetë libra poetikë në tridhjetë vjet dhe treqind novela e romane në po kaq mote!!!??? Ku do ta shpiem pas kësaj Balzakun dhe “Komedinë Njerëzore”? Si do ta quajmë këtë “komedinë” e sotme të grafomanisë? Mbeta pa mend një ditë kur shkova në bibliotekën e qytetit tim dhe pashë të paktën tre emra të panjohur që kishin sjellë aty seritë e veprave të tyre, me nga dhjetë deri në njëzet vëllime, secila më e “madhe” se e Kadaresë, me kopertina të trasha, njëra ngjyrë bari, tjetra ngjyrë deti dhe e treta ngjyrë dheu. Por unë nuk e kam inatin me këta, shkruesit anonimë, por me sojin tonë, që i “liçensojmë” ata si autorë! Një profesor i njohur letërsie, studiues dhe kririk letrar, shpall si poet në shtyp një individ që nuk kishte asnjë shenjë se ishte i tillë. Zotëria i “dekretuar” poet prej tij nuk njihte asnjë poet tjetër, veç vetes! Për çfarë e bën ai akademiku këtë? Për një kostum të shtrenjtë? Për një arkë me peshk? Apo për një dash?… Të ketë hyrë banaliteti dhe në një gjë kaq shpirtërore si poezia? Poeti ka lindur për të flutuar. Si thoshte Bodleri: “Poeti i ngjan princit të reve”, albatrosit…

Them se sociologët po e studiojnë këtë dukurinë sui generis shqiptare, se si ka mundësi që nuk lindin dhe aq poetë në kohën e sotme, kur njeriut nuk i mungon asgjë dhe poetët ardhkan varg e vister nga e djeshmja kur mungonte gjithçka!? Mundet që ndodhemi para një zbulimi, që ka të bëjë me racën tonë poet-prodhuese. A nuk kishim dje rapsodë që këndonin për çdo sofër dasme? E pse atëherë të mos kemi sot poetë që këndojnë si kanarinat rreth sofrës së Facebookut e disa portaleve që nuk kanë lidhje me letërsinë! Dhe  kanë një zemërim luani kur u trazohen ujërat nga qortimet tona: “Uh, na marrshi të keqen, na keni zili! A thua se u kemi hyrë në hise? Ne bukën tonë po hamë, bukë e kos. Ndoshta ata të romaneve hanë dhe ndonjë berxollë, se lodhen më shumë…”

E, pra, miku im, lë t’i lëmë këto ravgime e t’i kthehemi fillimit: A jam unë poet? Këtë pyetje ekzistenciale nuk ia bëjnë vetes asnjëherë ata që nuk e kanë ndjerë atë shkreptimën, por një ditë prej ditësh, kur kanë parë luzmën e poetëve të popullojë tokën si milingonat, kanë thënë, pse jo dhe unë, e çfarë kanë të tjerët më shumë? Dhe “të tjerët” nuk jemi unë e ti, por ca emra të papërsëritshëm që mbrohen nga e drejta e pashkruar e të qenit Poet, që mjafton t’iu përmendësh dhe një varg e të kuptohet se cilët janë, pa qenë nevoja t’ua zëshë në gojë emrin, si: “Këndo, hyjneshë, merinë e Akil Pelidit” (Homer), “Në mes të shtegëtisë së kësaj jete…” (Dante), “Bota kish ndërruar lisa” (De Rada), “Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme” (Migjeni), “Një shenjë ndoshta të pakuptueshme / Do t’ju bëj të gjithëve e do t’ik” (Kadare), “Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur / Një qiparis si murg i ngratë” (Agolli), “Kosova, gjaku im që nuk falet” (Podrimja), “Kur të vdes le të bahem bar” (Camaj), “Erdhi ora të vdes përsëri” (Rreshpja), “Shqipëria është djega ime” (L. Ahmeti) etj.

Trupi dhe hija

Kaq thoshte letra, shkruesi i së cilës nuk rron më prej tre muajsh. Pastë dritë baca fisnik i vargut lirik, që nuk “guxonte” me e quajt veten poet, edhe pse kishte botuar disa libra poetikë të mirëpritur, qysh nga ’60, kishte pasë hyrë dhe në një antologji poetike me poetët më të njohur të vendit. E pata njohur në konferencën kombëtare të talenteve të reja në Korçë më 1973, ku nuk ishim pjesëmarrës vetëm ne të rinjtë, por të gjithë shkrimtarët e republikës. Duhet thënë se kishte dhe ajo kohë “kooperativizmin” e saj letrar, pasi në tubimet e letërsisë, ndërsa mungonte autori i “Gjeniu i Anijes”, Lasgushi, kishte plot letrarë nga “arat, fabrikat, kantieret”, siç kishte grupime poetësh sipas profesionit: “poetë ushtarakë”, “poetë punëtorë”, “poetë kooperativistë” etj. Poetët i kishte ndjekur gjithmonë mallkimi i klasifikimit të tyre ekstraletrar, si “poet i mjerimit”, “poet revolucionar”, “poet partizan” etj., por në asnjë rast nuk thuhej “poet i dashurisë”. Si poetë revolucionarë etiketoheshin Petëfi, Majakovski, Ricosi, ndërkohë që për ta, si për të gjithë poetët e tjerë, do të mjaftonte vetëm një fjalë, përcaktori / cilësori: poet. Jo vetëm që i lexonim në tekstet shkollore “poetët revolucionarë”, por qëllonte që na vizitonin letrarë revolucionarë nga Amerika Latine apo Afrika; kur qeshë student në fillim të 80-ës pata marrë pjesë dhe unë në një takim me dy të tillë, ku me sa mbaj mend vetëm për letërsinë nuk u fol, por se si duhej shembur kapitalizmi në vendet e tyre…

E tash kemi “poetët fejsbukistë”, që mjafton të ndërpritet interneti për një javë nga ndonjë avari dhe të zhbëhen si koloni me gjithë vargun e komentuesve asgjëthënës. Nuk ka nevojë për Teori Letërsie, për të kuptuar se poetët nuk kanë tituj, nuk kanë kohë, nuk kanë as “atdhe”, poetët kanë gjuhë universale, edhe pse shkruajnë në gjuhë të ndryshme. Nuk imitohen poetët, ata që mendojnë se po i përngjasin ndonjë poeti që e kanë përzemër, gabohen, ngaqë poeti është i lindur dhe si i tillë është vetvetja. Populli ka një fjalë të urtë mahnitëse “Të rren mendja”. Të rren mendja se je poet! Jo, ti mund të thurësh bejte, mund të vargëzosh, por rimimi foljor i fjalëve në fund të vargut nuk është poezi, as disa biçim ekstazash poetike të kujdo qofshin nuk janë poezi. Është shumë e thjeshtë ta kuptosh thelbin e gjësë. Një piktor hedh dy viza ashtu shpejt e shpejt dhe “njolla” që ai lë në telajo është art. Dy viza që mund të hedhësh ti që nuk je as amator i pikturës nuk thonë asgjë dhe s’kanë si të thonë, pasi janë thjeshtë shkarravinë. Të ishte arti kaq i kollajtë, të gjitha grafitet e mureve do të ishin piktura dhe s’do të kishim nevojë për ekspozita piktorësh. Një muzikant luan dy – tre akorde në pjano dhe ty të mbetet në mendje filli i një melodie maxartiane, kurse dikush tjetër mund të luajë gjithë ditën gishtat mbi tastierë dhe të mos ketë luajtur asnjë notë. S’mund të jetë ndryshe as “telajo” apo “tastiera” e poezisë, prandaj mos të na rrejë mendja.

Por zemërata e poetëve të rrjeteve sociale nuk vonon, ja një dialog imagjinar:

“Ehu, plasët me leksione, nuk bëni gjë tjetër ju që e mbani veten për poetë të afirmuar, kurse neve nuk na llogarisni fare? Se sa të zotët jeni ju e tregojnë klikimet dhe komentet që iu bëhen poezive tuaja!”

“Nuk është me urraaa kjo punë! Poezia është art elitar, krijim invididual, pak e lexojnë e aq më pak e kuptojnë!”

“Kujt i vlen arti juaj abstrakt? Mos do të shtrydhim trutë që të marrim vesh se çfarë keni dashur të thoni? Jo, or jo, sa të duartroket publiku, kjo është çështja!…”

“Ka tjetër qasje letërsia, arti!…”

“O, si gjithmonë ju! Doemos, ne jemi mediokrit, ju jeni asat! Thoni ç’të doni, ne e kemi lexuesin… popullin!”

Pëder Gjergji, kishte ditë mirë jo vetëm çka ndodhte në kohën e tij, por dhe se çfarë do të ndodhte në kohët e vona, kur pati shkruar: “Padija edhe krenija shkojnë ngjitë si trupi e hija”.

***

Në pamundësi për të ndikuar sadopak në frenimin e kësaj lyzhdre poetike, pasi do të paragjykoheshim, po postojmë një poezi, që kushedi sa kohë ka që na rrotullohet në kokë, mbase qysh se njohëm poetët tanë e ata të botës dhe u magjepsëm nga metafora e tyre planetare. Ajo titullohet “Poet” dhe ka vetëm një strofë:

“O ju miq që njëri – tjetrin e thërrisni poet

Kodër m’kodër në këtë të përrallshëm shekull,

A dini se me qenë poet, duhet me qenë Homer

E me qenë Homer, duhet me qenë i verbër?…”

Exit mobile version