Kreu Letërsi Shënime mbi libra Natasha Lako: Rreth vetmisë bashkuese të një poezie të sapombërritur në shqip

Natasha Lako: Rreth vetmisë bashkuese të një poezie të sapombërritur në shqip

Vëllimi poetik i poetit qipriot Mehmet Jasin, “Engjëj hakmarrës” i sapobotuar në shqip, na kujton edhe një herë rolin e fuqishëm të vendlindjes në ndikimin poetik, si materie dhe si formë.

Poeti qipriot na kujton gjithashtu se ka lindur i rrethuar nga ujërat mesdhetare, mes qerthujve të ekzileve të vazhdueshme, ku jetë e mot si edhe ai vetë janë përfshirë edhe shqiptarët, derisa të na nxitë edhe për një pyetje tjetër, si të shqyer vetë prej fjalës vendlindje. Sa herë lind njeriu?

Para sa e sa vitesh më ka bërë shumë përshtypje një varg i poetit Adonis, i cili thotë se e ardhmja është e kaluara jonë. Dhe nuk është fjala për forcën thithëse që kërkon e gjithë e kaluara historike në jetët njerëzore. Është fjala për njeriun e përbërë në formë kujtimi. Në rastin e poetit Mehmet Jasin, e gjithë vendlindja e tij vazhdon të jetojë në formë kujtese. Dhe kujtesë nënkupton edhe praninë e një gjendjeje të re, në një lloj lindjeje tjetër, ku poezia ripërtërihet vazhdimisht, duke krijuar një zhvendosje të vazhdueshme, qoftë nga pasurimi i përvojave. Po t’i referohemi qoftë çdo poezie të kësaj përmbledhjeje, do të gjejmë gjithë ato rizbulime të reja të një të kaluare, që edhe në kujtesë vazhdon të krijojë një udhëtim të pafund. Dhe kjo tregon se diçka ka ikur njëherë e përgjithmonë, ose rrëshqet pa mbarim edhe në jetën e çdo njeriu. Dhe kjo gjendje bëhet e dyfishtë për poetin që është tronditur deri në identitetin e vet, të cilin e mbart kurdo e kudo me vete për të sfiduar madje edhe rrugën drejt vdekjes. Dhe kjo nuk është thjesht kënga e njeriut në ekzil, por vazhdimi i një ekzili të përditshëm, nga një poezi në tjetrën, deri në largimin e pafund. Për një poet mesdhetar, gjithë ky udhëtim përmban gjithashtu një peshë kulturore me lashtësi të ndritshme. Petro Çerkezi, përkthyesi i poetit Mehmet Jasin në shqip, thekson se poezia e Mehmet Jasinit mund të quhet si poezi e banuar nga fantazmat. Atëher edhe më shkurt mund të thuhet, se atje ku ka dhimbje, ajo jeton vetëm nëpërmjet dashurisë. Kur lexon poezitë e Mehmet Jasinit, gjen shumë Qipro, sepse Qiproja është dashuria e tij e parë dhe ndoshta e fundit. Lexuesi shqiptar, si mesdhetar mund të gjejë edhe shumë Shqipëri brenda. Poezisë së këtij poeti, të formuar në një Mesdhe të përbashkët, ku kulturat hapen dhe harlisen për t’u ngërthyer me njëra-tjetrën, në rastin e Qipros edhe në tragjedi më të afërta përplasjesh.

Hurmat që pikojnë mjaltë, tapetet e gjelbra të lutjes që fluturojnë drejt nesh nga shkretëtira të largëta, hurma, hurma, hurma, këndon poeti në poezinë kushtuar kësaj peme, dhe e gjithë kjo për atë vetë si kujtim. Për ne si një farë gjendje e paketuar. Dhe duket sikur poezia ka lindur që asgjë të mos  humbasë. Për të këqyrur më mirë poezinë e Mehmet Jasinit, mund  të ndajmë më dysh edhe gjendjen e vendlindjes poetike në ndryshim të vazhdueshëm nëpërmjet humbjeve, ku në lidhje me krijimin, fjala lindje triumfon. Mund ta lëmë poetin edhe vetëm me lindjen e një gjendjeje të re poetike që shfaqet në çdo poezi, në atë logosin poetik ku, nga “çfarë” e një vendi të përcaktuar, gjithçka kthehet në “si”, atje ku ngacmimi poetik, nga frymëzimi embrional, si filli që i jep fjalës frymë, njësoj si majaja bukës, sjell një botë njerëzore jashtëzakonisht të përcaktuar dhe të mbushur plot jetë, që përsëri është dashuri përderisa ka dhimbje. Ky është vetë udhëtimi më i brendshëm poetik, që e çel poezinë si çelet një lule nga të cilat do të mbillen farat sa herë hapësira hapet. Në nënshtresëzime të tilla, edhe vete brenda një çasti a një jete, diçka humbet pa pushim. Nga cikli “Këngët e vjetra të Neapolit”, midis përjetimeve si kujtim, si kumbime tik, tak, që janë të reja edhe gjyshja thotë, “si për të krijuar vetë thellësi të tjera të kujtesës nëpërmjet humbjes, a sikur të me shihje më të re.”

Kujtimet krijojnë atë rrëshqitje të vazhdueshme drejt një udhëtimi të ri, si në poezinë ‘Shtëpia e vdekur’. Ka mbetur në kujtesë “Muri i zbardhur atje ku dikur qëndronte ora / tavolina prej arre e harruar nga koha.” Mespërmes kësaj kujtese të ngrirë, siç e quan ai vetë në një poezi, lëvrin një kujtesë tjetër që sjell thellësi të tjera, shfaqet makina e shkrimit ku i ati ka daktilografuar poezitë e para, plaçkitja e pajave të ruajtura në sëndukë otomanë, “pasqyrat, pasqyrat që mbulonin fytyrat me çarçafë”, atje ku jehon histerike e qeshura e luftës.

Ekzil i kujtesës nga shtëpia e vdekur, deri në thellësitë edhe më tragjike, derisa. si thotë vetë poeti, lind, si gjendje e re edhe mbi shtëpinë e vdekur vetëm poezia. Dhe le të kujtomë se edhe vetë vendlindja edhe fjalën lindje e lë si gjymtim, në formë më të vetmuar, humbjeje, ose largimi, si përpjekje për të zënë një tjetër vend, dhe një tjetër “lindje”.

Po ka edhe një ikje a tjetër ekzil, si në poezinë për tezen. “Çuditeshim ku e gjente një energji të tillë si të diellit, herë si dhi kokëfortë, herë duke shpërthyer në të qeshura pa asnjë mbrojtje tjetër.” Dhe mandej, ky shpërthim i së qeshurës për një lumturi “kalimtare”, si thotë poeti, fjalë e ndarë kjo nga gjithë të tjerat, në vendosjen poetike brenda poezisë. “Vallë çfarë mund t’i mësojë njeriut vetë e qeshura,” i drejtohet poeti në poezinë e tij “Alpinisti” një djaloshi, që merr rrugëtimin klandestin që nuk do të mund t’i japë më një Itakë. Kështu gjendjet njerëzore u ngjajnë galaktikave, që përpiqen të ruajnë të paktën ligjet e gravitacionit, nëpërmjet kujtesës.

Nga kjo kujtesë në poezinë e Mehmet Jasinit lind një galeri e tërë personazhesh, që nga ky djalosh që nuk e gjen më Itakën deri te Shën Pjetri, te Mustafaj dhe Marika, ku dashuria nuk pyet për ndarje dhe diferenca, por për zambakë, më të mbifuqishëm se gjithçka. Ne shpeshherë druhemi ta quajmë poezinë të drejtpërdrejtë, pikërisht për shkak të këtyre thellësive, që ajo ruan dhe njëkohësisht zbulon, ndonjëherë e përmbushur me arabeskat figurative që hapin udhët. Por suksesi i parë i poezisë së Jasinit është vështrimi njerëzor i kohës ku jetojmë, vështrim që kaq drejtpërdrejt mban gjallë këtë galeri njerëzore në gjendje të kthyera në zhgjendje.

Nga kjo drejtpërdrejtësi si gjendje e re reale poetike, e ngjizur një herë e mirë, lind në poezinë e poetit vetë hapësira e madhe e dashurisë njerëzore që në një botë kaq të pasur nuk mund të rëndohet nga paragjykimet dhe që shpreh atë pjesë qipriote që i takon të gjithë botës. Dhe

lexuesi i kudondodhur e kupton shqetësimin, hallin dhe mbi të gjitha dashurinë, kaq vetjake, kaq të profilizuar, ku vetëm kaq kuptuarshmërisht kemi mundësi të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit. Sepse nëpërmjet poezisë bota njihet, jo nga hartat, por nga shpirti njerëzor. Kësaj radhe, nën përkthimin e Petro Çerkezit kjo poezi vjen në gjuhën shqipe, në këtë truall që kulturalisht sfidon moskuptimet njerëzore, të cilat në Qipro ka ndodhur të kenë ngritur edhe karakollë të rinj ushtarësh, për të mos folur për të vrarë, të ngrirë në kujtesë, në vetminë e tyre, po aq të ngrirë.

Mali është më i fortë, ti je më i fortë se mali, i ngurtë, si vetmia, thotë poeti në poezinë “Alpinisti”. Në poezinë “Personi i tretë” ai këndon: “dhe shirat zbresin të dashurohen nëpër ujëra me Kashtën e Kumtrit që i mbulon si vello dasme.” Po, edhe ne shqiptarët gjendemi në Mesdheun edhe të këtij poeti, të përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Dhe më në fund lipset t’i kthehemi edhe vendlindjes së Petro Çerkezit, përkthyesit të këtij vëllimi, që ka ruajtur në ekzilin e tij, së bashku me kujtimet e qytetit të Gjirokastrës edhe letërsinë e tij, të shoqëruar me kthjelltësinë e ujërave të Vjosës, me të cilat vezullon edhe kthjelltësia gjuhësore, e mbushur plot dritë të gjuhës shqipe në rastin e këtij përkthimi.

Exit mobile version