Poezia hebraike është një poezi, sa e vjetër aq edhe e re. E vjetër sepse fillimet e saj të para datojnë që me tekstet Biblike, dhe e re, sepse vetëm nga mesi i shekullit të XIX rifilloi të shkruhej, kryesisht në vendet europiane dhe shenjoi edhe rifillimin e një lëvizje të re, Sionismin, me qëllim final krijimin e shtetit hebre. Sikur vëren edhe studiuesi e poeti i njohur Amir Or: “Përveç përmbajtjes shpirtërore dhe historike, për lexuesin hebre, Bibla është një trashëgimi kulturore dhe letrare, e pasur me ritëm, muzikë dhe forma të të folurit. Shumica e librave të Biblës janë poezi të pastra të stileve dhe temave të ndryshme: historitë e krijimit dhe të patriarkëve, këngët e fitores dhe dashurisë, profecitë, himnet, etj.
Shkurtimisht, fillimi i Dhiatës së Vjetër është gjithashtu fillimi i hebraishtes së dokumentuar, si poezi, rreth 4000 vjet më parë. Poetët ishin forca udhëheqëse në vënien në praktikë të përtëritjes së fjalës hebraike dhe deri në mesin e shekullit, veprat e tyre u lavdëruan si për meritat e tyre poetike, ashtu edhe si arritje kombëtare. Dy gjigantët e epokës, S. Tchernikovski dhe H.N. Bialik, hoqën dorë nga retorika e lartë biblike e paraardhësve të tyre, e cila nuk i përshtatej realitetit të gjallë kombëtar dhe gjuhësor në Izrael. Detyra e tyre ishte të krijonin një shtrirje të re të madhe gjuhësore që do të mundësonte shprehjen e këtij revolucioni pionier, dhe të shumë aspekteve të reja të jetës, që vështirë se trajtoheshin nga poezia hebraike më parë. Kontributi i tyre krijoi një traditë radikale që vazhdoi edhe pas tyre, kur çdo brez i njëpasnjëshëm vazhdoi «të rrëzonte nga froni» brezin e mëparshëm, duke iu përgjigjur sfidave të reja të kohës së tyre dhe duke kapërcyer hendekun midis jetës moderne dhe shprehjes së saj artistike gjithnjë e më tej. Gjatë viteve dyzet, vala e dytë radikale, e udhëhequr nga N. Alterman dhe A. Shlonsky, ishte kryesisht e natyrës poetike dhe kërkonte shmangien e tepricave figurative, idiomave të vjetruara dhe konotacioneve fetare që ishin të huaja për Zeitgeist-in e kohës. Zëdhënësit e shquar të kthesës së tretë dhe të fundit «radikale» në vitet 1950 ishin Y. Amichai, N. Zach dhe D. Avidan, brezi i të cilëve u ndikua nga tendencat amerikane dhe angleze dhe jo europiane.” (Amir OR, Hebrew poetry at the turn of the millennium.Preface to the anthology of contemporary Hebrew poetry)
Le të kujtojmë shkurtimisht edhe një nga faktet e rëndësishme të ringjalljes së kësaj poezie e gjuhe njëkohësisht, një ngjarje e madhe sa historike, aq edhe artistike dhe unikale në botë. Kështu, poezia moderne hebraike u krijua nga rabini Moshe Chaim Luzzatto dhe u zhvillua nga lëvizjet Haskalah, që e panë poezinë si zhanrin më cilësor për shkrimin hebraik. Poeti i parë Haskalah, i cili ndikoi shumë te poetët e mëvonshëm, ishte Naphtali Hirz Wessely. Poezia Haskalah ishte më së shumti një formë didaktike e poezisë dhe trajtonte botën, publikun dhe tendencat bashkëkohore, por jo individin. Në këtë periudhë shfaqet edhe hebreu galician laik, Naftali Herz Imber, i cili i shkroi tekstin HaTikva në 1878, tekst që më vonë u bë edhe himni kombëtar i Izraelit.
Në fakt, pak poezi hebraike janë shkruar gjatë epokave mesjetare, Haskala, Hibat Zion, por në mungesë të një evolucioni linear, të qëndrueshëm, të modeleve dhe formave, poezia moderne hebraike ishte një pioniere në vetvete që mbartte një monolog narrativ biblik, komentet dhe tensionet dialoguese të Talmudit, kontributin e traditës së predikimit, elementet e historisë, folklorit dhe teologjisë. Në periudhën e ringjalljes kombëtare sioniste, pika qendrore e poezisë hebraike u zhvendos nga Europa në tokën e Izraelit.Poezia moderne hebraike përfaqëson një kulm të zhvillimit të pasurisë së kulturës hebraike. Për më tepër, sfondi historik përfshin reagimet ndaj masakrave në Rusi, vendbanimet në Palestinë, Holokaustin, krijimin e shtetit të Izraelit dhe çështjet që lidhen me jetën izraelite, me tema që përfshijnë individualizmin në zhvillim, ndryshimin e peizazheve, tjetërsimin, seksualitetin dhe seksizmin, dhe ndryshimin e rolit të hebraishtes së folur. Në këtë periudhë më të shquarit padyshim që ishin Shaul Tchernihovsky dhe Haym Nahman Bialik, i cili më vonë do të konsiderohej poeti kombëtar i Izraelit. Ata hoqën dorë nga parimet që ishin pranuar gjerësisht në kohën e tyre dhe filluan të shkruanin poezi personale, për qenien njerëzore dhe shpirtin. Le të themi dy fjalë më tepër për dy gjigandët e poezisë hebraike:
Hayim Nahman Bialik (1873-1934) është figura qendrore në ringjalljen e poezisë hebraike, i cili u zhvendos nga Europa Lindore, në Odessa (1892), në Berlin (1917), në Tel Aviv (1921). Shumica e rrëfimeve të poezisë së Bialikut përqendrohen në fëmijërinë e tij. Ai shkriu në një, traditën hebraike me një rizbulim të natyrës. Po ashtu ai shkroi edhe reagime të forta nacionaliste ndaj masakrave në Europën Lindore. Më pas ai shfaqet në temat e mallit për atdheun dhe tjetërsimin kombëtar, të gjitha përmes një poezie tashmë të shkurtër. Duhet theksuar se në këtë periudhë ai hedh dyshime për ekzistencën e Zotit, efikasitetin e lutjes, praninë e drejtësisë dhe kotësinë e thirrjeve për hakmarrje, duke paraqitur një sfidë për besimin tradicional hebre në fuqitë shpëtuese të Zotit.
Shaul Tchernichovsky, qëndron denjësisht përkrah Bialik në këtë periudhë. Ai ka shkruar poezi lirike, vepra epike dramatike, balada dhe satira, kërkoi të sillte ndryshime në botën hebraike duke sjellë një shpirt të pastër dhe dinjitet personal si një shkallare drejt bukurisë dhe natyrës njerëzore. Ndjeshmëria e tij ndaj gjuhës, nga e cila ishte e pranishme një afrimitet me hebraishten e rabinëve, ishte e ndryshme nga gjuha e Bialikut që integroi gjuhën Biblike në të folurën e përditshme të qytetërimit dhe që për momentin ishte emergjencë kombëtare. Nga Bialik tek Tchernichovsky, paraqiten pasazhe të poezisë antike hebraike në një mënyrë moderne.
“Kontributi i tyre krijoi një traditë radikale që vazhdoi edhe pas tyre, kur çdo brez i njëpasnjëshëm vazhdoi “të rrëzonte” nga froni brezin e mëparshëm, duke iu përgjigjur sfidave të reja të kohës së tyre dhe duke kapërcyer hendekun midis jetës moderne dhe shprehjes së saj artistike gjithnjë e më tej. Gjatë viteve dyzet, vala e dytë radikale, e udhëhequr nga N. Alterman dhe A. Shlonsky, ishte kryesisht e natyrës poetike dhe kërkonte shmangien e tepricave figurative, idiomave të vjetruara dhe konotacioneve fetare që ishin të huaja për Zeitgeist-in e kohës. – (Në filozofinë gjermane të shekujve 18 dhe 19, një Zeitgeist (“shpirti i epokës”) është një agjent ose forcë e padukshme që dominon karakteristikat e një epoke të caktuar në historinë botërore. Përdorimi bashkëkohor i termit konsiderohet të jetë i pranueshëm për një epokë.- M.E.) Zëdhënësit e shquar të kthesës së tretë dhe të fundit “radikale” në vitet 1950 ishin Y. Amichai, N. Zach dhe D. Avidan, brezi i të cilëve u ndikua nga tendencat amerikane dhe angleze dhe jo evropiane. Ata kërkuan një gjuhë poetike më të thjeshtë, të lidhur me shprehjet dhe frazat e përditshme, vargjet e lira dhe poezinë eksperimentale.” (Amir Or, Hebrew poetry at the turn of the millennium Preface to the anthology of contemporary Hebrew poetry)
Padyshim që nuk mund të linim jashtë vëmendjes edhe zërat femërorë të poezisë hebraike të cilat padyshim kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në gjetjet e rrugëve të reja të kësaj poezie, si në kohëra të vështira, ashtu edhe në momente paqeje. Më e njohura prej poeteve të para është Rachel Bluwstein e njohur thjesht “Rashel”.Vepra e saj konsiston në një pjesë të bazave të normave të poezisë hebraike, nga ana tjetër duke e çuar publikun në kundërshtitë e tij të brendshme. Stili i saj është lirik, i shkurtër, emocional, personal e mbizotërues, siç mund të shohësh në pjesën më të madhe të veprës së saj dhe në veprën e poeteve bashkëkohore të mëpasme si Rachel Morpurgo, Zelda Mishkovsky, Dahlia Ravikovitch, Leah Goldberg.
Zelda Mishkovsky, pasqyron përvojat e saj si një grua fetare që mësoi dhe ndërthuri materiale hebraike dhe poezi moderne. Është interesante se një grua kishte lirinë edukative për të arritur arritje të tilla, që zakonisht nuk gjendet tek burrat fetarë, bota intelektuale e të cilëve shpesh është e kufizuar më ngushtë.
Në mënyrë të ngjashme, Dahlia Ravikovitch sjell tema të feminizmit në poezinë e saj. Ajo përshkruan atë që duket të jetë përvojë tronditëse, dhe nevojën për të mbrojtur veten duke qenë e vendosur, e nënshtruar dhe e kontrolluar. Një poete që vazhdon të tregojë luftën midis individit dhe shoqërisë në Izraelin modern.
Leah Goldberg nxjerr në pah kontributin e një gruaje. Ajo i drejtohet kujtesës kolektive të hebrenjve të Tel Avivit dhe përshkruan, duke krijuar imazhe brilante dhe duke dhënë mesazhin e qartë të paaftësisë së hebrenjve në Palestinë për të shpëtuar nga kujtimet e të kaluarës së tyre.
Lea Goldberg e zgjeroi spektrin e mundësisë që ofronte lirizmi, në poezi që flisnin për qytetin, natyrën e qenies njerëzore, kërkimin e dashurisë, të takimeve dhe vëmendjes. Goldberg në poezinë e saj ka një dëshpërim, trishtim, e një zemërim, të cilin e përdor me një imagjinatë të ngjeshur dhe një forcë stilistike, trajtuar pikësëpari në tema nacionaliste që e kanë marrë frymëzimin nga Holokausti.
Suksesi i gjeneratës së poetëve që në veprat e tyre ndikuan në mënyrën e tyre për Shtetin në vitet e tij të para, u udhëhoqën nga Avraham Shlonski, Natan Alterman, Lea Goldberg dhe Uri Zvi Grinberg.
Uri Zvi Greenberg vazhdon modelin e poetëve hebrenj të Europës Lindore. Poezia e tij përzien ndikimin europian, patosin personal, temat biblike dhe ekstremiste kombëtare hebreje, në veçanti ai ofron përgjigjen e pare poetike izraelite ndaj Holokaustit
Abraham Shlonsky. Poezia e tij kombinon së bashku shprehjet fetare dhe moderne hebraike, ai përshkruan tokën moderne të Izraelit në terma fetarë: toka është e mbështjellë me dritë sikur të ishte një shall lutjeje. Shlonsky i shihte ato si simbole të rilindjes moderne hebreje në tokë. Shlonsky përdor shprehje të fuqishme biblike për të përshkruar tjetërsimin e shoqërisë moderne izraelite në një mënyrë disi tallëse. Pas ngjitjes në nivelin e profecisë biblike, pjesa tjetër përshkruan banalitetin e jetës moderne të qytetit: ndërtesat e banimit, rrugët e autobusëve, mërzia, kinematë dhe një vetëvrasje.
Nathan Zach sjell një dimension të ri në poezinë hebraike, temat e krishtera. Këtu në hebraishten moderne, pavarësisht paragjykimeve të forta kulturore për ta bërë këtë, ai ndihej I motivuar për të shkruar poezi për Jezusin duke u mbështetur në fragmente nga Dhiata e Re. Ky është ende një libër që është i ndaluar në kulturën izraelite, ku ligjet ndalojnë përdorimin e Biblave që përmbajnë Dhiatën e Re në shkollë.
E kemi përmendur që rreth viteve në mesin e 1950 doli një grup poetësh të rinj, për të cilët hebraishtja ishte gjuha e nënës, të udhëhequr nga Yehuda Amichai, Nathan Zach, Dan Pagis, T.Karmi e David Avidan. Ky grup, kishte si tendencë të zbuste stilin e në mënyrë të përgjithshme të mbante eksperiencën e grupit nga një liri vrojtimi të realitetit në një stil të shpërndarë, ndikuar në më të shumtën e rasteve nga influencat poetike të Pushkinit e Shilerit, drejt poetëve modernë anglezë dhe amerikanë. Poezia në këtë periudhë u infleuencua fort nga futurizmi dhe simbolizmi, por edhe nga ekspresionizmi gjerman, duke u mbajtur në një strukturë klasike dhe një melodi dhe rimë të rregullt. Kjo poezi pasqyronte imazhe e peizazhe të vendeve ku lindën poetët, imazhe të freskëta të vendit të tyre të ri, shprehur në një mënyrë heroike, kështu si në kujtesë “atje” me dëshirën për të qënë rrënjësisht “këtu”. Vepra e Zach ndërthuri hebraishten e folur qytetare me një cilësi krejt të re, gati liturgjike e muzikore.
Yehudah Amichai është një nga poetët hebrenj më intrigues të Izraelit modern. Puna e tij, sa e thellë, ironike dhe argëtuese, përkthehet lehtësisht në gjuhë të tjera. Puna e tij përzien imazhe grafike seksuale me imazhe fetare hebreje, të kritikuara nga disa, kritika befasuese në dritën e përzierjeve të ngjashme nga poetët hebrenj mesjetarë.Ai vendosi vulën në një pjesë të madhe të poezisë së shkruar nga bashkohësit e tij më të rinj, që proklamonin fundin e poezisë ideologjike mbi traditën e Alterman e Shlonsky që e bazonin veprën e tyre mbi struktura poetike klasike dhe rimë të Puna e Amichait që është gjerësisht përkthimi, është e karakterizuar nga një përdorim i një gjuhe qytetare, plot ironi e matafora metafizike.
Në kampin e poezisë hebraike sot është një polifoni zërash të gjeneratave të ndryshme. Më të njohurit nga ky grup janë Meir Wizetier, prej të cilit drejtimi prozaik e dialektor është i drejtpërdrejtë, duke hequr dorë nga romanticizmi e duke na dhënë imazhe të drejtpërdrejta nga Tel Avivi, si simbol të realitetit; Jair Horovitc në vargjet e të cilit ndjehet fryma dhe një trishtim i ëmbël e i butë; krejt e vetëdijshme nga e njëjta vdekje është Jona Wallak që prezantohet me tone të ashpra e sarkastikë, që përdor motive arketipe, një simbolizëm frojdian, nganjëherë me një ndjesi jete brutale, me përsëritje ritmike dhe gjuhë të mbushur me asosiacione.
Të tjerë poetë të rëndësishëm bashkëkohorë janë Asher Reish, Arieh Sivan, Roni Somak e Moshe Dor, Amir Or, Amira Hess, Liat Kaplan, Ada Aharoni, Hava Pintas Cohen, Aharon Shabtai, Nurit Zarchi, Mordechai Geldman, Yudit Shohar etj.
Poezia e gjeneratës më të re dominohet nga indivualizmi dhe ngurrimi, mëdyshja, që vjen me një kompozim të shkurtër, jo me rimë, dhe me ritëm të lirë. Poezia në Izrael ka një publik të gjerë e besnik dhe autorët e vëllimeve poetike në të gjitha periudhat shiten gjerësisht, sa herë që publikohen nga shtëpitë e ndryshme botuese.
* * *
Ky vështrim i shkurtër mbi lindjen dhe zhvillimin e poezisë hebraike, mbi tendencat e shkuara dhe ato të tashmet në këtë poezi, mbi përfaqësuesit e saj, janë fryt i mundësive të mia mbi studimin e kësaj letërsie të cilën përtej dashurisë, mundohem ta kuptoj. Natyrisht nuk i qëndrova dot shtysës së brendshme për t’i sjellë në shqip poetët e mi të zemrës.
Në këtë vëllim ata janë paraqitur kronologjikisht, duke respektuar vitin e lindjes së poetit.