Kreu Letërsi Shënime mbi libra Mikel Gojani: Libër që dëshmon studimin cilësor të kryeveprave të letërsisë sonë

Mikel Gojani: Libër që dëshmon studimin cilësor të kryeveprave të letërsisë sonë

Anton Nikë Berisha, Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë. Botoi SHB “Faik Konica”, Prishtinë 2023

Libri “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë” i autorit Anton Nikë Berisha është dëshmi dhe sublimim i punës shumëvjeçare e të përkushtuar të këtij studiuesi për t’i interpretuar e ndriçuar vlerat e disa prej veprave më të rëndësishme të letërsisë sonë në vijën vertikale, të cilat dëshmojnë për cilësinë dhe nivelin e ngritur të saj. Është vepra e vetme e këtij lloji e botuar deri me tani në botën tonë.

Përmes këtij libri voluminoz përmbushet një zbrazëti e deritanishme në studimin e letërsisë sonë dhe njohjen më të përafërt të disa nga veprat më kryesore poetike që janë krijuar në gjuhën tonë. Pra, janë zgjedhur veprat letrare poetike të autorëve të periudhave të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të letërsisë gojore. Pra, Berisha i zgjodhi dhe i interpretoi ato vepra që sipas shijes dhe dijes së tij hyjnë në rrethin e kryeveprave të letërsisë sonë. Pra, në këtë libër autori u është qasur dhe i ka interpretuar ato vepra që dallohen “[…] si tekste poetike, si mënyra të lartësuara shtjelluese dhe si shumësi shprehëse dhe kuptimore…”.

Fjalën paraprake të librit autori shkruan se në qoftë se nisemi nga fakti tashmë i pranuar nga një varg studiuesish më të shquar botërorë se tekstin poetik e cilësojnë kuptimësi të shumta e të ndryshme ndonjëherë të pafund, atëherë mbështetesh në diçka mirëfilli të qenësishme, ndërsa t’i përcaktosh gjerat në tekstin e një vepre letrare poetike si mundësi e vetme, t’i sjellësh në një kuptimësi, domethënë ta sjellësh tekstin e tyre në një rrafsh që nuk i përket atij, të zhbësh atë. Për këtë arsye “[…] teksti i ndërtuar përmes gjuhës poetike ngërthen kuptime të shumta dhe nxit një komunikim shumësor që nuk ngjet vetëm te lexues të ndryshëm, po edhe tek i njëjti lexues në kohë dhe rrethana të ndryshme”.

Berisha thekson se veprat të cilave u është qasur dhe i ka interpretuar i çmon kryevepra, qoftë brenda krijimtarisë së autorit përkatës, qoftë të letërsisë sonë në përgjithësi. Pra, qëndrimi dhe përcaktimi i tij për këto kryevepra lidhet para së gjithash me vlerat poetike të teksteve të tyre e jo për emrin e autorëve: “Mund të ndodhë që për dikë që ndonjë nga veprat që në interpretimin tim përligjen si kryevepra, për atë të mos jenë të tilla. Kjo ndodhë ose për arsyeve të shijeve që i kanë studiuesit (edhe lexuesit), për përgatitjen profesionale ose lidhen me botën e tyre mendore dhe shpirtërore. Dikush në veprat letrare parapëlqen (dhe kërkon) dukuritë, tematikën, ndërmjetësimin e jo artin, pra në veprën letrare parapëlqejnë atë çka thuhet, e jo mënyrën si thuhen e shprehen ato”.

Libri “Rreth disa kryeveprave të letërsisë” i Anton Nikë Berisha është i konceptuar në dy pjesë, pjesa e parë: Vepra në poezi dhe pjesa e dytë: Vepra në prozë.

Poezia gojore e arbëreshëve të Italisë me vlera të mëdha

Në fillim të librit Anton Nikë Berisha ka vënë interpretimin e dy kryevepra të poezisë gojore: për rapsodinë e Pal Golemit dhe për lirikën gojore “U zu djali rrogë me ‘i vashë”, dy thesare poetike të poezisë sonë, e cila është përcjellë gojarisht shekuj me radhë para së të lindte letërsia e shkruar. Ky veprim nuk është i rastit: shumë shkrimtarë tanë të veprave të shkruara i hartuar ato duke u mbështetur edhe në traditën e pasur letrare që u përcoll gojarisht te shqiptarët nga kohë të lashta.

Duke folur për rapsodinë arbëreshe Pal Golemi, studiuesi Berisha thekson se poezia gojore e arbëreshëve të Italisë cilësohet me një sistem të ngritur e shumësor shprehës poetik e kuptimor. Që të bindemi për këtë nuk duhet mund i madh: mjafton të shfletohet cilido prej botimeve të deritashme të rëndësishme me poezi gojore arbëreshe ose dorëshkrimet e ndryshme siç është, fjala vjen, ai me rapsodi i Françesk Anton Santorit, ku janë disa nga variantet më të plota dhe artistikisht më të vlefshme të këtij lloji të krijimtarisë shpirtërore arbëreshe.

Rapsodia “Pal Golemi” është dëshmi e pandërmjetme e kësaj pasurie dhe e vlerave të mëdha artistike, për shumëçka të papërsëritshme, qoftë për strukturën tekstore, qoftë për mesazhin poetik dhe për shumësinë kuptimore.  Këtë poezi gojore së pari e shënoi (e vuri në formën e shkruar) prifti arbëresh, Nilo Katalano, nga Munxifta (Mezzoiuso) e Siçilisë, të mbledhur para vitit 1693 dhe të gjetur në Fjalorthin e tij në dorëshkrim të shek. XVII “Lessico italiano albanese e albanese-italiano”. Pra, kjo rapsodi jo vetëm është dëshmia e parë e poezisë gojore arbëreshe, që na ka arritur në formë të shkruar, po ajo është një nga krijesat letrare më të ngritura poetike.

Edhe krijesa tjetër e letërsisë sonë gojore e interpretuar “U zu djali rrogë me ‘i vashë” cilësohet me vlera poetike të mëdha, që shpalosen me shkathtësi nga studiuesi Berisha.

“Këngët e Milosaut” – kryevepër poetike

Interpretimin e kryeveprave të letërsisë sonë të shkruar Berisha e nis me Këngët e Milosaut (1836) të Jeronim de Radës, që shënon kthesën kryesore të letërsisë sonë drejt të shprehurit modern poetik.

Duke e vlerësuar këtë kryevepër, Berisha shkruan: “Pra, një numër autorësh, sidomos të kohës sonë, në këtë vepër me strukturim modern shprehës poetik, me perceptim e shqiptim kompleks të botës e të dukurive të saj, të meditimeve e të ndjenjave, me ç’rast në rrafshin thelbësor bëhet një ndërlidhje e botës së brendshme të poetit së pari me botën arbëreshe e pastaj me atë të përgjithshme; vepër që shpreh fatkeqësinë dhe tragjiken e individit si qenie, ku struktura tekstore tejet e ngjeshur i lë vend të ndjeshëm nëntekstit; ku ndërlidhjet, ballafaqimet dhe kundërvëniet bëhen njëkohësisht dhe në disa mënyra e rrafshe dhe ku, koha e hapësira, janë më tepër subjektive sesa konkrete (historike), kërkuan dhe morën në shqyrtim elemente që ishin tipike për vepra me shtjellim tradicional të objektit artistik e që nuk bënin qenësinë e “Këngëve të Milosaut”.

Vargu i De Radës është artistikisht i ngritur dhe i veçantë, që ndodh edhe me mesazhet poetike, ku dëshmohet një aftësi e  rrallë. De Rada kishte mësuar nga poezia gojore arbëreshe, e cila dallohet për pasurinë e të shprehurit poetik dhe për komunikimin e veçantë që nxit, siç ndodh, fjala vjen, në (Kangjelit VIII):

Mnīz e vérës bardhulóre

biu një re monosáqe

për ndë mest gurévet:

kan ghare te shtrush’ i ljumit.

Pa një re malji me bor

i buthétónet njerézet;

ata ljúténjën të korrat.

Një kryevepër tjetër e letërsisë së shkruar të arbëreshëve të Italisë, të cilën e interpreton Berisha, është vepra e Françesk Anton Santorit “II canzoniere albanese” (Këngëtorja arbëreshe), e cila shpreh “[…] dashurinë e lexuar në libra e jo të përjetuar nga ai, përligj përcaktimin se krijesa letrare artistike nuk është imitim i pandërmjemë i asaj që përjetësohet në jetën e përditshme, por fryt i mendimeve dhe i përsiatjeve që pastaj shndërrohen në veprën artistike, në tekst”.

Për hartimin e kësaj vepre Santori shfrytëzoi disa tradita letrare: atë gojore dhe të shkruar arbëreshe, traditën letrare evropiane, sidomos veprën e Petrarkës “Il canzoniere”, pastaj “Këngën e këngëve” të Biblës së Vjetër dhe vepra të letërsisë të kohës së tij. Ky poet arbëresh e hartoi këtë vepër në mënyrë që përmes gjuhës arbëreshe – shqipe të përjetësohej dashuria si qenësi jete e mendimi, qoftë kur ajo është konkrete, qoftë shpirtërore dhe hyjnore:

“Ti je zemër kuqulore

Vajzë që faqen mos e fsheh,

Të dashurt si nëng e njeh?

Çë vetë krahët gjelbjlore

me buthton e disheron

Se te glanj, e ngë ndërron

Ma hadhi lipin njinjë (Odhi e I).

Ciklin e kryeveprave të letërsisë arbëreshe, studiuesi Berisha e përmbyll me veprën me titull: “Te dheu i huaj”, një vepër poetike me vlera të mëdha e të shumta.

Në vijim janë interpretimet e veprave “Andrra e jetës” e Ndre Mjedës dhe “Jerina ase Mbretnesha e luleve” e atë Gjergj Fishtës, ku autori ndriçon botën e pasur dhe vlerat kryesore poetike.

Sipas autorit “Andrra e jetës” është fryt i një konceptimi dhe përfytyrimi të veçantë poetik; fryt i një aftësie e përkushtimi të madh krijues si edhe një dije e përvoje të pasur”. Në të Mjeda përligj në mënyrë të mirëfilltë e të plotë konceptin e tij për artin në përgjithësi dhe për poezinë në veçanti”.

Ndërkaq duke ndriçuar vlerat e veprës së atë Gjergj Fishta “Jerina ase mbretnesha e luleve”, Berisha thekson se kjo vepër është më përfytyruesja, më imagjinativja që është shkruar nga Fishta, ku si objekt trajtimi poetik bëhet hijeshia – bukuria e luleve, përkatësisht bukuria e vashës Jerinë.

Kur, qe, i a behë si rrezja,

Jerina atëherë te dera,

E këndshme porsi shpresa,

E hijshme si prendvera…

Në vijim Berisha i interpreton veprat “Posta e porositur” (1964) të Mark Krasniqit, poezinë e Azem Shkrelit, Mirko Gashit, Frederik Reshpjes, Ali Podrimjes, Ramadan Musliu, Prend Buzhalës, Sabit Rrustemit etj., të përfshira në përmbledhje me poezi të zgjedhura të bëra nga vetë Anton Nikë Berisha.

Arti i madh i veprave në prozë

Pjesën e dytë të librit Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë e bëjnë një varg interpretimesh të veprave të prozës sonë,  ku autori me shkathtësi i ka vërejtur dhe i ka ndriçuar disa nga vlerat kryesore që i bëjnë ato kryevepra të letërsisë sonë të shkruar. Edhe në këto punime shpaloset sistemi i të shprehurit poetik, gjuha poetike dhe mundësia e ndikimit estetik. Kjo gjë vërehet në interpretimet që u bën veprave Pasqyrat e Narçizit (1936)  të Koliqit, novelës “E madhe është gjëma e mëkatit (2000) të Mitrush Kutelit, romaneve “Qyteti i fundit” (1960) të Petro Marko,  “Lumi i vdekur” (1965) të Jakov Xoxe, prozës poetike “Dranja” (1881) të Martin Camajt, tregimit “Kulla” (1968) të Anton Pashkut, romaneve “Kronikë në gur” të Ismail Kadareës,  “ Ana Zh”, “Të gjallë dhe të vdekur” (2013” dhe “Kishim një ëndërr” 2016 të Nasi Lerës”, “Shpendkeqja” të Ymer Shkrelit, “Funerali i pafundmë” (2003) i Visar Zhitit etj.

Në vend të përfundimit

Vepra studimore “Rreth disa kryeveprave të letërsisë” e Anton Nikë Berishës është një libër që të tërheq jo vetëm me veprat dhe dukuritë që autori i ka trajtuar, por edhe për mënyrën dhe thellësinë e interpretimit të cilësive dhe të veçantive të tyre.

S’do mend se kjo vepër e Anton Nikë Berishës është fryt i punës dhe i përkushtimit shumëvjeçare. është një libër tepër i nevojshëm për studentë, për profesorë të universiteteve që letërsinë e mbajnë si lëndë mësimi dhe për studiues të letërsisë, pastaj për shkrimtarë dhe për të gjithë ata që duan të mësojnë për disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë sonë dhe për mënyrës se si ato mund të interpretohen, pa e mbyllur mundësinë e varianteve të tjera interpretuese, gjë që shkaktohet nga gjuha poetike dhe shumësia e kuptimeve që i cilëson fjalët në tekstin letrar të hartuar me përkushtim.

Mendoj se libri “ Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë” mund të shërbejë edhe si model për qasjen dhe interpretimin edhe të veprave të tjera e të veçantive të tyre poetike shprehëse.

Në fund dua t’i shpreh mirënjohjen time studiuesit Anton Nikë Berishës për hartimin dhe botimin e këtij libri të rëndësishëm me vlera të shumta.

Korrik, 2024

Exit mobile version