Kreu Letërsi Shënime mbi libra Migena Shyti: Dosjet e heshtimit

Migena Shyti: Dosjet e heshtimit

Për librin më të ri të Irena Dragotit,
“Gruaja që endej hijeve” Botimet M&B

Zë fill

Sa herë lexojmë një libër, me tema të njohura apo jo, interesin tonë e merr mënyra e rrëfimit. Ajo që na impresionon nuk është historia, por mendimi për të. Historitë e shkrimtarit, edhe pse na rrëfehen neve, mbeten po historitë e tij.

Ja kështu e lexova tregimin e parë të librit “Gruaja që endej hijeve” të autores Irena Dragoti (një autore e panjohur për mua), me kureshtjen “si shkruante”. E nisa me dyshime leximin, por më pas m’u çliruan tiparet e më ngjiti stili që përdorej, temat që trajtoheshin mbi histori me një psikologji njerëzish që i njeh mirë e ngjarjesh në kohë të jetuara e të sprovuara. Më kujtoi fëmijërinë me një kohë gri e të palumtur, por me copëzat e saj që sërish quhet jetë. Diku persekutimi, abuzimet, familja patriarkale, zakonet, raportet njerëzore, jeta brenda e jashtë familjes, e diku tjetër natyra në fshat, apo detaje që përcjellin një kohë si ajo puna e rakisë, kur në kopshtet pas shtëpisë, me lehtësinë më të madhe viheshin kazanët e zihej rakia.

Jetë si nga frëngjitë

Temat që përzgjedh nga realiteti i zonave rurale me problematikat e kompleksitetet e veta, zgjojnë vëmendjen e lexuesit për të pathënat tona që sot i vuajmë si pasoja. Ngjarja e parë që i jep edhe titullin tërë librit, ka një gjuhë rrëfimi që të sjell ndërmend disi autorët tanë të viteve 40 në gjuhë e portretizim. Te tregimi “I tepërt”, trajton pasojat ndër ne për raportet që krijojmë që në fëmijëri. Një dramë e patrajtuar parë rreth problemeve psikologjike (për gjëra që fliten e nuk fliten) dhe braktisjet e familjeve në vitet 90. Dilema e “la apo jo nënën dhe iku me një tjetër”, me zgjidhjen në fund është e gjetur: sido të ketë qenë, fëmijët nuk braktisen kurrë.

Tregimi “Dosja 16”, të kujton më së shumti etiketimin e vendit tonë në periudhën komuniste; vendi ku ndalohej dashuria. Rrëfimi bën skanimin e figurave femërore të atyre viteve: marksistja, nëna dhe vajza e të trija që rrotullohen mbi boshtin “dashuri”. Historia e dosjes, sjell qartë në hapësirë e kohë atë periudhë. Ndërsa te tregimi “Pranimi” shplaloset një mikrobotë e makro gjithashtu rreth marrëdhënies grua-burrë (nëna nuk i fshihte asgjë babait), nënë-vajzë (nuk mund të shprehej lirshëm një vajzë me nënën e saj), grua/vajzë-shoqëri (pa virgjërinë gruaja nuk vlen dy pare) etj. Dhe pse trajton një ngjarje mbase shpesh të përsëritur, historia të befason me zgjidhjen që i jep autorja një teme me plagët e saj. Në fund të tregimit, ndërsa Roza nanuriste ndër dhëmbë këngën popullore, dhimbja të mbulon e mbi lexuesin bie faji kolektiv.

Shprehja që përdoret te tregimi “Varrosur për së gjalli” -“hera e parë që e qëllonte me shpullë të bijën”- të bën për të qeshur e për të qarë! Vetëm përmes kësaj shpalosjeje, lexojmë nën rreshta heshtjen ndaj asaj që realisht quhet dhunë, por nuk kuptohet si e tillë dhe pse vëllezërit e kësaj “bije”, arrijnë ta torturojnë të motrën me ujë të ftohtë në vozë. Sjellja që ata kanë me të dhe mënyra si e trajtojnë, edhe pa u thënë kuptojmë se nuk janë tolerantë, por të dhunshëm. Te ky tregim (Varrosur për së gjalli) me gjithë atë rezistencë të familjes përballë dy të dashuruarve, të mrekullon gjuha e dashurisë së dy të rinjve (Fatmës dhe Nikollës) që deshifrohet vetëm në sytë e tyre. Sa mirë që çdo kohë ka njerëz të tillë, pasi bota ecën prej tyre!

Tek “Askush nuk fliste për fatin” dalin disa të vërteta që njeriu i arrin me jetë; dhuntitë lindin me njeriun dhe vullneti i zhvillon ato. E mençur analiza mbi parimet që njerëzit i mendojnë si të tilla dhe sa të dobët jemi ndaj trilleve të jetës ku e panjohura merr tjetër formë dhe më njerëzore nga sa pranohet. Njeriu në jetë mëson vetëm këtë: është i dobët e kërkon ndihmë nga forca të jashtme.

Ajo që pësojmë

Figura e burrit në tregime të tërheq vëmendjen; është rast për psikoanaliza, pasi sillet si “xhelat i dashur” brenda mureve. Kultura jonë më mirë se kudo del përmes figurës së babait/burrit, i cili duhet të jetë i prerë, i ftohtë, autoritar, i egër, vendimmarrës, një rol që mbase edhe nuk e do, por i caktohet. Te tregimi “Amaneti” figura e babait është e skalitur përmes fjalës. Autorja di edhe me dy përcaktime, ta ravijëzojë tërë portretin e personazhit. Ky baba me shikim të ftohtë “si të kishte ndodhur një fatkeqësi” që nuk e ndryshonte as me ditë, stinë apo vite, të kujton nga mënyra si përshkruhet, personazhin e Nikës, te “Pishtarët e natës” të Camaj. Po ashtu edhe “Pranimi” e ka tmerrësisht të arrirë përshkrimin e “derr” Tomorrit i cili “gulçonte jargë dhe kutërbonte era duhan e djersë”.

Në disa tregimi, personazhi rrëfyes zgjidhet të jetë një djalë; e veçantë dhe interesante dhe të habit personazhi mashkullor që rrëfen pa komplekse gjinie. Temat ku rrëfyesi është një djalë, bëhen më interesantë në këndvështrimin e një autoreje grua dhe pse nuk identifikohet lehtësisht që në fillim. Vështirësia e kësaj zgjedhjeje duket edhe kur indiciet në rrëfim nuk e bëjnë aq të qartë gjininë e rrëfyesit (tregimi “dosja 16”, personazhi mendohet se është vajzë, por në fund të tregimit del djalë).

Temat që trajtohen janë në pjesën më të mirë, tema që për psikologjinë e kulturën tonë, nuk para janë diskutuar apo trajtuar, si është rasti i problemeve të rënda psikologjike me pasoja fiziologjike në fëmijëri, apo edhe tema e birësimeve brenda familjes. Është akoma e pakuptueshme ndër ne, se si mund t’ia “dhuroje” fëmijën familjarëve që nuk bënin fëmijë, aq më tepër pa ia marrë aspak mendimin nënës së fëmijës. Ngjarje e rëndë treguar bukur. Tema e mungesës së tolerancës ndaj fesë (“Varrosur për së gjalli”), është një kujtesë për atë që kemi trashëguar. Vetëm dialogu mund të evidentojë respektin ndaj besimit të tjetrit, e ne nuk jemi dhe aq dialogues si njerëz.

Ajo që trashëgojmë

Trashëgojmë të mirat e jo të mirat nga vendi ku zëmë fill në jetë. Kur shkruhet për gjërat që janë tonat e na identifikojnë si lloj jete e formim kulturor me shprehje frazeologjike, bestytni e patriarkalizëm, nxjerrim në pah atë që jemi në sytë e botës, me të vërtetat tona.  Vëmendja te gjuha e “gjysheve” me shprehje frazeologjike e bestytni, me fjalor të harruar e onomatopeik, na dallon nga të tjerët. Kjo gjuhë t’i vë në punë të gjitha shqisat se është gjuhë e latuar. P.sh. shprehja “t’i jepja udhë për poshtë apo për lart frymës”, për të treguar gjendjen e frikës; “fjalët e fqinjëve që shtynin gjithmonë kufijtë si gati për sherr” për natyrën nervoze; “rënia prej fikut me pasoja fatale” njohja me natyrën etj., janë nga ato shprehje që i japin lezetin shkrimeve. Si këto ka plot në çdo rrëfim.

Kur shkruan për histori që i njeh mirë, arrin çdo personazh ta skalitë në pak faqe me ca detaje që të mbeten si: “njerëzit që qeshin pak janë zemër guri” apo “e folura pak hundore si “etiketë, dëshmuese që nuk ishte nga anët tona” etj.

“Atje ku fundosen mëkatet” mbyll librin “Guaja që endej hijeve” me idenë mbase se ka në titull fjalën fund-os. Zëri përmes përroit psikik të djalit në tregim, e bën më mendues lexuesin për gjithë tipologjinë e asaj familjeje ku gruaja ka dhe s’ka zë. “Mëkati ushqehet nga frika dhe vdes kur dikush ka guxim ta emërtojë” mbyll këtë cikël të bukur me tregime. Dhe pse ka disa vende për diskutim e përmirësim, është një libër që na ndihmon të njohim veten. Autorja është zëri i një gruaje që nuk pret bota të ndryshojë, por e ndryshon.

Exit mobile version