Romani i shkëlqyer i Joyce-it, 100 vite më vonë, na paralajmëron nacionalizmin dhe idhujtarinë, e na bashkon në jetë dhe në vdekje
Nga Chris Hedges
Përktheu David Hudhri
Këtë javë përpara njëqind vitesh, Sylvia Beach, e cila drejtonte librarinë Shakespeare and Company në adresën 12 rue de l’Odéon në Paris, dhe zhvilloi një komunitet shkrimtarësh mërgimtarë që përfshinte Richard Wright, T.S. Eliot, D.H. Lawrence, Thornton Wilder, Ezra Pound, F. Scott Fitzgerald dhe Ernest Hemingway, vendosi në vitrinën e librarisë një roman me 732 faqe të cilin e kishte botuar, “Uliksin” e James Joyce-it.
“Uliksi” ishte refuzuar nga shumë botues në vendet anglishtfolëse. Në këtë libër, i cili deri në vitet ’30 u ndalua në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe për shkak se ishte i “pahijshëm”, ngjarjet zhvillohen gjatë një dite të vetme në Dublin, në 16 qershor 1904. Do të kthehej shpejt në një nga romanet më të rëndësishme të shekullit të njëzetë, duke marrë frymëzim nga “Odiseja” e Homerit. “Uliksi”, të cilin e kam lexuar tre herë bashkë me një libër shënimesh të shkruar nga Don Gifford për të kuptuar referencat letrare dhe historike, është i përjetshëm. Përshkruan shastisjet dhe çuditjet e pazgjidhura të cilat të gjithë i përjetojmë nga lindja e deri në vdekje, na bën thirrje të tregojmë dhembshuri e mirëkuptim, dhe na paralajmëron që t’u rrimë larg kërkesave joshëse për të shkelur mbi të tjerët, me qëllim adhurimin e idhujve.
Figurat mitike në epikën e Homerit – Uliks është emri latin për heroin e Homerit, Odisenë – janë mishëruar në klasën punëtore irlandeze. Mbreti grek i Itakës, i cili me hilenë e kalit të Trojës u bë arkitekti i fitores kundër Trojës, që kalon 10 vite në përpjekje për t’u kthyer në shtëpi pas 10 vitesh luftë dhe masakron mëtonjësit të cilët i kishin rrethuar gruan e kishin shkatërruar pallatin gjatë mungesës së tij, në duart e Joyce-it bëhet Leopold Bloom, një 38 vjeçar që punonte si propagandues për gazetën nacionaliste Freeman’s Journal. Leopold, babai i të cilit ishte një hebre hungarez i vëmendshëm, përgjatë romanit vajton djalin e tij të vogël, Rudy-n, i cili ndërroi jetë mbi një dekadë më parë, një humbje që ia prish raportet seksuale me gruan, Molly-n. Djali i Uliksit, Telemachus, që u rrit pa babanë dhe kur arriti burrërinë u largua nga Itaka për të kërkuar Uliksin, këtu bëhet Stephen Deladus, një version i trilluar i Joyce-it të ri në moshë me zhvillim të hershëm. Penelope, gruaja besnike e Uliksit, vjen si Molly, gruaja e Leoplod Bloom-it, e cila gjatë ditës ka takime romantike me të dashurin e saj, Hugh “Blazes” Boylan, dhe monologu i saj prej 22,000 fjalësh, një nga monologët më mjeshtërorë në letërsi, që deklaron shenjtërinë e dashurisë dhe të jetës – bashkë me përshkrimet e detajuara të tretjes, orgazmave dhe pordhave – përmbyll librin.
“Sado i zakonshëm mund të duket Bloom në shumë mënyra”, shkruan biografi i Joyce-it, Richard Ellmann, “i padenjë për të zënë peshq apo kontesha përmes personazheve të Hemingway-t, për të zhdukur ndjenjën e fajit me ata të Faulkner-it, apo për t’u ulur nëpër komitete me ata të C.P. Snow-t, Bloom është një enë e thjeshtë e zgjedhur për të mbajtur dhe përçuar të pastra cilësitë më të mira të mendjes. Zbulimi i Joyce-it, kaq humanist saqë për të do të kishte qenë e sikletshme ta nxirrte nga konteksti, ishte se e jashtëzakonshmja është e zakonshmja”.
“Që të vinte në këtë konkluzion, Joyce duhet të shihte të bashkuar atë që të tjerët e konsideronin të ndarë: këndvështrimin se jeta është e papërshkrueshme dhe duhet ekspozuar, dhe këndvështrimin se është e pashprehshme dhe duhet distiluar”, vazhdon Ellman. “Natyra mund të jetë një dokumentim i tmerrshëm, ose një zbulim i fshehtë; gjithçka mund të analizohet përmes trupit fizik, ose mendjes dhe veçorive mendore. Joyce jetonte midis antipodeve dhe mbi to: shtazët e tij shfaqin një aftësi të mrekullueshme për të menduar thellë, mendjet e tij të pastra kanë trupa të ngecur pamëshirë pas tyre. Të lexosh Joyce-in është të shohësh realitetin të paraqitur pa thjeshtësimet e ndarjeve tradicionale”.
Joyce, i cili pjesën më të madhe të librit e shkroi në Cyrih gjatë masakrës shkatërruese të Luftës së Parë Botërore, ashtu si dhe gjatë Rebelimit fatkeq Lindor kundër pushtuesve britanikë në Irlandë në prillin 1916-ës, e përçmonte helmin e fortë të nacionalizmit dhe joshjen për dhunë. Ai vështronte se si intelektualët, artistët dhe shkrimtarët europianë, përfshi ata në Irlandë, degjeneronin në mjerimin e moralit të hipokrizive shoviniste, për të mbështetur aventurizmin ushtarak. Ana e errët e nacionalizmit është gjithmonë racizmi, ekzaltimi i vetes, i fisit, i kombit, njëra racë mbi tjetrën, kush poshtërohet dhe çnjerëzohet si i padenjë për të jetuar. Për Joyce-in ky ishte sakrilegj.
Në poemën satirike të Joyce-it shkruar në kohën e luftës, “Dooleysprudence”, ai flet në zërin e Martin J. Dooley, një personazh letrar i shpikur prej Finley Peter Dunne-it. Në poemë, Dooley përqesh ata përreth të mbërthyer nga entuziazmi për luftë:
Leopold Bloom është pacifist, ashtu si Joyce, një mënyrë në libër për të përqeshur të gjithë nacionalistët e flaktë, përfshi nacionalistët irlandezë, të cilët Joyce-it i ngjasonin me ciklopin idiot e me një sy të Homerit, në kapitullin e titulluar “Qytetari”.
“Ata besojnë te thupra, te fshikulluesi i plotfuqishëm, krijuesi i ferrit mbi tokë dhe te detari i Flotës Mbretërore”, thotë Qytetari për britanikët e përçmuar, “biri i bushtrës,
“Por”, thotë Bloom, “a s’është disiplina e njëjtë kudo? Dua të them, a nuk do të ishte njësoj edhe këtu, nëse do ta përballje forcën po me forcë”?
Ellmann shkruan për Leopold Bloom-in se “nëse do të mendonim që ai mund të jetë apostulli i vëllazërisë, ai na tregon vëllezër në grindje të dhunshme. Nëse e mendojmë si një mbrojtës të familjes, ai paraqet heroin e tij qendror – brinarin. Nëse i kërkojmë të jetë festuesi i individit të izoluar, Joyce tregon se izolimi e bën më të vrazhdë e të pambrojtur. Nëse kërkojmë përfaqësuesin e jetës, ai na tregon të vdekurit. Faktori harmonizues është imagjinata…”
Me imagjinatë, Ellmann nënkupton aftësinë për të parë veten tonë te tjetri, në veçanti tek i huaji, tek i përjashtuari. Përgjatë ditës, Leopold Bloom duron fyerje të lehta dhe antisemitizëm armiqësor, edhe pse hoqi dorë nga feja e babait, mamanë e kishte katolike dhe vetë i shijonte mëlçitë e derrit. “Uliksi” ballafaqon vazhdimisht personazhe të cilat kanë aftësinë për t’u penduar dhe për të treguar dhembshuri, ashtu si Leopold, me personazhe që nuk e kanë këtë aftësi, ashtu si Buck Mulligan, i cili i referohet mamasë së Stephen-it si “e vdekur kafshërisht”, dhe Simon Deladus, babanë e largët të Stephen Deladus, i cili keqtrajtonte gruan e tij të ndjerë dhe fëmijët e tyre.
Për Joyce-in, gjuha që përdorim për të njohur veten, qoftë përmes deklaratave zyrtare, kulturës së masës ose shtypit, të cilin ai e quan “zhurmë të vdekur”, e ndan realitetin në copëza të kuptueshme, në pjesë nga intervistat që theksojnë të parëndësishmen, mitiken ose të jashtëzakonshmen. Kjo retorikë dhe gjuhë errëson në vend që të sqarojë. Është një marifet linguistik që ka për qëllim të ruajë trillimet e fuqishme që i themi vetes për veten tonë, si individë dhe si komb. Në emër të faktit dhe të objektivitetit, shtrembëron dhe gënjen. Gjithashtu, Joyce kritikon liderët fetarë dhe ata politikë të cilët kanë për detyrë të merren me nevojat e irlandezëve, përmes figurës së At John Conmee dhe mëkëmbësit të mbretit britanik. Distancimi i tejskajshëm i atyre në pushtet nga jetët dhe shqetësimet e publikut, nxjerr në pah mangësitë në deklaratat e tyre. Joyce argumenton se rregulli dhe qëllimi vijnë nga lidhjet intime shoqërore të cilat i krijojmë me ata që na rrethojnë. Ne jemi ruajtësit e vëllezërve dhe motrave tona.
Stephen nuk e pranon gazetarinë për letërsi. Por Stephen gjithashtu e di se letërsia mund të zhytet në idealizëm, sentimentalizëm dhe nostalgji platonike. Joyce ishte armik i Ringjalljes Letrare Irlandeze, të cilën e kritikoi si egoizëm dhe lartësim të fryrë në emër të autentikes. Joyce e dinte se ne e gjejmë veten midis pamjeve, tingujve, zhargonit dhe rrëmujës kaotike të jetës bashkëkohore. Joyce thoshte me mburrje se nëse Dublini do të shkatërrohej ndonjëherë, do të rindërtohej prej romanit të tij.
Ylli Polar i Stephen-it dhe për rrjedhojë i Joyce-it, është William Shakespeare i cili, sigurisht, ishte anglez dhe jo irlandez. Shakespeare, ashtu si Joyce, përdori botën përreth tij për të eksploruar ritmin e natyrës dhe të shoqërisë njerëzore, përzierjen e saj të së mirës dhe së ligës, të egoizmit dhe altruizmit, të kapacitetit për heroizëm dhe mashtrim, të aftësisë për të dashuruar dhe urryer, shpeshherë të gjitha brenda një qenieje njerëzore kontradiktore.
Joyce ishte i pamëshirshëm në sinqeritetin e tij për të metat dhe prirjet njerëzore. Por romani i tij është një thirrje për anën tonë njerëzore që na bashkon. Ai bën heronj të shpërfillurit, ashtu siç shkroi William Butler Yeats, “peshkatarët, mësuesit dhe klerikët e zhurmshëm të cilët martirët i quajnë bota”. Ai i bën të harruarit e historisë të denjë për admirimin dhe respektin tonë.
On Wednesday, Feb. 2, which was Joyce’s birthday and the day Beach handed him the first printed copy of his book, with its blue cover and white lettering, in 1922, I will walk the few blocks from my house in Princeton to the cemetery where Beach is buried to say thank you.
Të mërkurën, në datë 2 shkurt, e cila është ditëlindja e Joyce-it dhe dita kur Beach i dha kopjen e parë të shtypur të librit të tij, me kopertinën blu dhe letrën e bardhë, në vitin 1922, unë do të eci nga shtëpia ime në Princeton, deri te varrezat ku Beach është varrosur, për ta falënderuar.