Kreu Letërsi Shënime mbi libra Mehmet Elezi: Gruaja – qielli i kanunit dhe qiej të tjerë

Mehmet Elezi: Gruaja – qielli i kanunit dhe qiej të tjerë

           “Mos vallë kishte qenë gjithmonë…  në mbrojtje të gruas dhe kurrsesi kundër saj, por sytë tanë të verbër nuk e kishin dalluar dot?

Ismail Kadare

1.Kanuni, Hahni, Çajupi dhe të tjerë

Në kundërshtim me çka është thënë ligësisht mbi katërdhjetë vjet, qielli i Kanunit hapet pakujtimas me një ndriçim thuajse të tejjetshëm mbi gruan. Te Mëngjeset në Kafe Rostand Kadareja bën një përgjithësim që të shkund: “mendimi shqiptar asnjëherë nuk ka arritur të depërtojë në thellësinë e tij” (të Kanunit). Bën edhe një pyetje që të përthith, për “sfinksin plak”: “mos vallë kishte qenë gjithmonë…  në mbrojtje të gruas dhe kurrsesi kundër saj, por sytë tanë të verbër nuk e kishin dalluar dot?”. 

“Sytë tanë të verbër”!

Me arsyetimin ngulmues dhe bukurinë e shprehjes, përsiatjet e Kadaresë për marrëdhëniet e Ligjit të Lekës me gruan lëshojnë dritë dhe vatërzohen në një pikë thelbësore, që ishte mbuluar me terr. Ndihesh si në një kthesë të menjëhershme në mal, kur papritmas zbulohet një hapësirë pa fund, rrafshinë valëzuese, sa  tokësore aq edhe hyjnore. Duke e kundruar, shtangesh, të merren mendtë:

Duke u ndalur tek ajo që duket se përbën thelbin e së keqes, përjashtimin e gruas prej Kodit, ka gjasë që pikërisht aty gjendet enigma. Përjashtim do të thotë, në këtë rast, dalje. Duke qenë se pjesën më dramatike të Kodit e përbënin rregullat e vdekjes, dalje prej Kodit do të thoshte dalje prej kësaj matematike dhe gjeometrie të zymtë.
Kjo bazohej në atë nyje themelore të Kanunit që shpallte mosprekjen e gruas prej çdo lloj arme. Gruaja s’bie në gjak. Mbi gruan s’vepron dot vrasja. Nga askush dhe në asnjë rrethanë. Shkurt, midis këtij teatri të vdekjes, gruaja është e mosvdekshme. Thënë ndryshe: e pavdekshme.
Jemi vetëm një hap larg botës së zanave e shtojzovalleve. Dhe një hap larg paktit të hamendësuar. Thelbi i paktit të fshehtë s’mund të ketë qenë tjetër veçse venomi që njëra palë i ka bërë tjetrës, kundrejt shpërblimit të kësaj të fundit. Kodi i ka dhënë gruas mosvdekjen, për t’i kërkuar përjashtim nga gjithçka.

Është vështirë të dallosh, në këtë rast, të humburin prej fitimtarit.

I pari e kish qitur në spikamë Koliqi. “Ku mprohet grueja ma fort se në Kanun? Ajo nuk bjen në gjak. Vrasja e nji grueje e korit dorasin. “Burri nuk ka tagër mbi jetë të grues””.  [1]

Vetëm dy njerëz përjashtohen nga gjakmarrja në Kanun: prifti dhe gruaja. I mbështjell një mburojë e mistershme, e padepërtueshme nga vdekja.  Nenet e formuluara për secilin janë fjalë për fjalë të njëjtë, si copy paste.

“Prifti s’bjen në gjak”;

 “Grueja s’bjen në gjak”.

A thua, ani pse të ndryshëm, të dy ata kanë një pikë madhore të përbashkët, të cilën as vdekja s’e kapërcen dot, pikërisht lidhjen me hyjnoren?

Kjo pikë rrezaton edhe te mbrojtja që i jep Kanuni cilitdo në shoqërinë e një gruaje. Një burrë pranë një gruaje është po aq i paprekshëm sa në krah të një shenjti e pse jo, të një ëngjëlli! [2]

Shtypja e gruas nuk ka asnjë lidhje me Kanunin, përkundrazi. Në trevat ku autoriteti i Kanunit ishte i venitur ose i huaj, nën qiellin e tyre, gruaja nuk ndihej më e lumtur. Për të mos thënë ndihej më zi.

“…gjithë keqësija, thotë Pukëvili, bie mbi gruanë, të cilatë, për një dyshim të dobët, pa u-gjykuar aspak, munt që të vritenë”. [3]  Në Republikën e Kanunit kjo as që mund të përfytyrohet.

Në shenimet për krahinën e Rrëzës, në anën  e Tepelenës e të Delvinës, Hahni shkruan:

Dhandri e blen nusen me të holla dhe ajo nuk merr me vete as rrobat e veta… Nga kjo rrjedh që burri ushtron nji sundim despotik mbi gruen dhe ajo i bindet atij symbylltas… Burri ka fuqi të pakufizueme; nusja nuk guxon me ba as ma të voglin kundërshtim. Ai mund ta rrafi sa të ketë qejf, bile edhe mund ta përzejë, në qoftë se ajo ban nji gabim të vogël… Ajo nuk mund të bajë as gjanë ma të vogël pa lejen e bashkëshortit të saj. Por edhe para vjehrrit e vjehrrës duhet të jetë e bindun dhe e përvujtme… fuqia atnore asht aq e madhe, sa baba mund ta përzejë nusen edhe kundra dëshirës së djalit të vet… [4]

Pukëvili lavdëron hijeshinë e grave “toske”. Ato janë “të bukura, delikate, me gjithë cilësitë e tërheqjes “së një race të hollë”. Por “gratë e Labëve janë dënuarë me punë të rënda, shëmtohenë prej vuajtjevet”. [5]  Në fshatrat e Bregut buzë Jonit ngjyrat nuk ishin më të gëzueshme. Waltraud Tunger (Bejko) vëren se gratë e atjeshme “lodheshin me atë ngarkesën e rëndë me dru mbi shpinë, që e përkulte trupin gati deri në tokë”, ndërkohë që “bënin edhe çorape”.  Për “këtë shfrytëzim poshtërues të grave bregdetare kisha lexuar qysh në Fier, shkruan ajo. U trondita, kur i pashë me sytë e mi”. [6]

Edhe në Zagori gruaja mundohej si kafshë pune. Burri sillej si mashkulli i bletës. Shullëhej e bënte kokrrën e qejfit, gruan e shfrytëzonte barbarisht.

Burrat nënë hije

Lozin kuvendojnë

Pika që s’u bije

Se nga gratë rrojnë.

Gratë venë ndë arë

Dhe në vreshta gratë

Gruaja korr bar

Punon ditë e natë.

Në mbyllje të Fshatit tim Çajupi shpërthen plot pezëm:

Moj e zeza grua

Ç’e do burrëzinë

Që ftohet në krua

Dhe ti mban shtëpinë?!

Sipas dëshmisë së Koliqit, Çajupi “nuk ra kurrë dakord me t’atin që jetonte si zotni i madh në Egjypt e në kryeqytetet e mëdha europiane, tue lanë mënjanë të shoqen dhe tue e detyrue me punue si tana bashkëfshataret e veta nëpër ara, me sigurue mjetet e jetesës”.

Ku më i vranët e ku më i zvarur, një qiell jodashamirës për gruan mbulonte krejt Europën. Gruas nuk i njihej e drejta e pronës dhe e trashëgimisë (këtë ndalesë, sipas Koliqit, Kanuni e ka marrë nga e drejta romake). Në një vend demokratik e frymëzues si Zvicra, femrat kanë fituar të drejtën e votës me referendum vetëm më 1973, tetëdhjetë vjet pas Zelandës së Re, e cila është vendi i parë në botë që ua ka njohur grave të drejtën me votue (1893). [7]  Dhe pesëdhjetë e tre vjet mbas Shqipërisë, ku e drejta e votës u është njohur grave qysh në vitin 1920. Të drejtat e grave janë mohuar ose nëpërkëmbur edhe atje ku nuk ta pret mendja, në  qendra planetare të dijes e të kulturës.

Universiteti i Kembrixhit: po vinte  mesi i qindvjetëshit të 20-të, ai u jepte diploma vetëm studentëve meshkuj. Kjo ka zgjatur deri më 1948![8]

Filarmonia e famshme e Vjenës: po trokiste mijëvjeçari i tretë dhe nuk pranonte muziktare femra. Për herë të parë ka pranuar një anëtare të përhershme të orkestrës në prag të vitit 1997.  Më 2013 kishte vetëm 6 artiste femra në orkestër!

2.Ndërmjet shakullit të vdekjes dhe shakullit të jetës, gruaja zgjedh të dytin

 Një nen i vrazhdë, shkëmbor, në tekstin e Gjeçovit e cilëson gruan “shakull me bajtë” (me bartë ngarkesa në shpinë). “Grueja asht shakull me bajtë… Mundi i së bajtmes s’i hiqet grues mje në dekë”.

Dy fjali të shkurta. Ato kanë vënë në vështirësi si dashamirësit e Ligjit të Lekës, ashtu  edhe studiuesit e ftohtë, të paanshëm të tij. Pse kaq i rëndë, kaq i prerë, çnjerëzor me gruan, në kundërshtim me vetveten, kur në disa nene të tjera thuajse e hyjnizon? Pa gjetur dot një përgjigje bindëse, shpesh është zgjedhur shmangia prej kësaj pike të errët. Herë-herë është kaluar me fjalë të përgjithshme si “ka qenë koha, Kanuni vjen nga mesjeta”.

Këtë nen propaganda komuniste e ka shfrytëzuar si armë shkatërruese. E ka përdorur për t’i dhënë Ligjit madhështor të Lekës goditje nën brez.

Si mund të ftillohet?

Papritmas vjen në ndihmë një studiues i huaj, burim referimi për albanologë me emër në kontinent. Ernesto Koci (Cozzi) [9], delegati i parë i Vatikanit në Shqipëri (1921). E ka hulumtuar Kanunin drejtpërdrejt në vend, gjatë shumë vjetëve, s’ka dijeni se ky sistem ligjesh dokesore një ditë do të mblidhet e do të kodifikohet nga një Gjeçov, aq më pak ka dijeni si do të pasqyrohet ky a ai nen. Vëzhgues i hollë, fort i vemendshëm, vrojton çdo veçori  e ndryshesë (nuancë) sipas vendit, bën përqasje dhe sjell një shtjellim bindës, që shërben me e shpërnda tymnajën.

Koci thotë se në Mirditë  dhe në Malsi të Vogël (Shalë, Shosh, Kir, Plan, Toplanë, Gjan) gruaja ngarkohet në shpinë “për arsye të pakalueshmënisë së rrugëve”. Nëpër shtigjet tepër të ngushta  shkëmbore nuk mund të përdoren kafshë ngarkese, punën e tyre detyrohen me e ba njerëzit. Normalisht burrat. Por këto rrugë nëpër gryka të errëta, me qafa  e humnera të tutshme, vijon ai, janë “të pasigurta për mashkujt”, për shkak të gjakmarrjes. Pas çdo guri e leqeje mund të zgjatet një gjarpnushë, që nuk njeh mëshirë: arma e gjakësit.

Mbeten dy mundësi.

Njëra: me e mbyllë kalimin nëpër male. Kjo do të thotë ngulfatje, asfiksi për jetën në krejt rrethinën. Atje nuk gjallon kurrfarë  arterjeje tjetër. Të vetmet janë ato shtigje të thyeshme, që ngjajnë si rrugë dhish. Braktisja e tyre është heqje dorë prej jetës.

Nuk mund të bëhet.

Tjetra: me hy në skenë  dikush, që është i paprekshëm me Kanun. Që ka imunitet ndaj plumbit të pushkës, ndaj gjakmarrjes.

Ky dikush ka vetëm një emër: grua.

Robert Elsie citon nga shenimet  e gjeografit gjerman Kurt Hasert (Hassert), gjatë udhëtimit në Shalë (1897): Hasert thotë të njëjtën gjë. Hallet e telashet për gratë “fillojnë që në çastin e martesës. Ato janë mushkat e familjes. Meqë burrat i kanë veprimtaritë e tyre të kufizuara për shkak të gjakmarrjes, ndërsa gratë janë të paprekshme”. Në këto rrethana gratë “shpeshherë duhet të ecin në këmbë, edhe nga disa ditë, për të shkuar në qytetin më të afërt, ku i këmbejnë produktet e tyre të mjera me artikuj të tjerë të domosdoshëm të jetës, që nuk i kanë në vendbanimet e tyre”. Robert Elsie sjell edhe shenimet e baronit Aleksandër  Degrand (1844-1911) për Shllakun. Qymyrin e drurit, që e prodhojnë në Shllak, “gratë e çojnë në qytet për ta shitur dhe pastaj kthehen me miellin e blerë”.[10]

Kthehemi te Koci.

Ai ballafaqon Malsinë e Vogël me Malsinë e Madhe. Ndryshe është në Malsi të Madhe, shkruan. Atje “rrugët janë ma të mira dhe çdo familje, sado e vorfën të jetë, ka një shtazë për bartje”. Prandaj atje “grueja nuk përdoret kurrë me bartë barrë”.  Për më tepër, burri në gjak, kur shkon rrugës së madhe, të shumtën e herës është i mbrojtur, me ndore të fisit.

Këtë gjendje qartazi të diferencuar brenda të njëjtit fis, për shkak të kushtëzimit të terrenit, autori i këtyre shenimeve e ka vënë re drejtpërdrejt në Malsi të Gjakovës (Tropojë).

Në luginën që shpalohet në të dy krahët e Valbonës, në Krasniqe, si dhe në Gash, Bytyç e Berishë, me banorë të besimit mysliman, historikisht gruaja nuk është ngarkuar. Nuk ndodhte kurrë as me rrugëtue burri kaluar e gruaja në këmbë pas tij, siç ndodhte në do treva të tjera. Trimi më në zë, i ri a i moshuar, mbante përdore frerin e kalit, në të cilin rrinte e shoqja, e bija nuse, e reja a kunata. Nëse qëllonte me e pasë kalin në bjeshkë a diku tjetër, gruaja prapë nuk çohej në të panë (në gjini) në këmbë. Dhe nuk merrej prej gjinie për te shpia e burrit në këmbë. I zoti i shpisë kërkonte kalë te një kumbar a i afërm, femra e bënte udhën vetëm kaluar.

Për kah gjaku, katundet e Tropojës që shpalohen në anën tjetër të Qafës së Kolçit, si Currajt e Epër, Currajt e Poshtër e fshatra të tjera të Nikajve, edhe ato janë Krasniqe, ani pse tjetër bajrak. Pra kemi të bëjmë me të njëjtin fis. Logjika e thjeshtë thotë se, duke qenë të fisit Krasniqe, edhe atje gruaja duhej të trajtohej si në Krasniqe. Pra nuk duhej të ngarkohej. Por atje është tjetërqysh, atje gruaja ngarkohej rëndshëm. Ngarkesa e gruas ishte e përditshme, e natyrshme.

Për ç’arsye ky ndryshim i madh, brenda të njëjtit fis?

Siç vëren me mprehtësi Dom Koci, përcaktues  është terreni.

Nikaj-Mërturi ngjan me Malsinë e Vogël, për të cilën flet Koci. Vend malor tepër i thyeshëm, toka e bukës fort me grat, do latica të pjerrëta nëpër gurë. Shtigje të frikshme nëpër rrathtorë e fyta mes majash, ku nuk ngulet këmba e mushkës. Prandaj atje janë të rralla kafshët e ngarkesës. Të panevojshme e të padobishme: s’ka rrugë për to. Në ç’mënyrë  do të barten barrët, kush do t’i marrë? Njësoj si në Mirditë e në Malsi të Vogël,  për burrin këto shtigje me të papritura bëjnë pjesë në mbretërinë e vdekjes. Nëpër prita mund të përgjojë gjakësi.

Rrethanat detyrimisht e thërrasin gruan në detyrë. Ajo duhet me zgjedhë ndërmjet dy shakujve:

– ose burri shakull përdhé, i mbytur në gjak, dhe fëmijët në rrugë të madhe pa kulm mbi krye;

– ose ajo shakullin në shpinë.

I pari është shakull i vdekjes.

I dyti është shakull i jetës. Sado i rëndë.

Ëngjëll mbrojtës i familjes, përherë vetëflijuese, gruaja zgjedh shakullin e jetës. Supin barrëve, koshin në shpinë.

Shtainmec, cituar nga Robert Elsie:

…duke u kthyer nga Gjakova, kur kaluam nëpër fisin e Krasniqes, u pamë edhe me anëtarët e fisit të Nikaj-Mërturit. [11] Gratë dhe vajzat, të cilat zakonisht përdoren si kafshë për ngarkesa gjatë udhëtimit nëpër male, ashtu si bëjnë edhe në Mal të Zi, ishin të gjitha të ngarkuara kryesisht me thasë me miell e me kripë…

Për shkak të territorit me rrugë të shkatërruara, në Nikaj, Mërtur, Shalë dhe Shosh ka pak mushka, ndërsa në fisin e Toplanës dhe të Dushmanit s’ka mushka.

Një ngarkesë si kjo as që mund të përfytyrohej në Krasniqe a në Berishë. Megjithëse u përkasin të njëjtave fise. Nuk mund të përfytyrohej në Gash e Bytyç. Në Gash e Krasniqe, Bytyç e Berishë nuk është parë kurrë një grua me koshin me pleh në shpinë. As me thesin me drithë, duke shkuar në mulli. As me thesin me kripë ose miell, duke u ngjitur rrugës së bjeshkës.

Këtu s’është punë mendësie. Këtu ka dramë, vetëm dramë. Barrët në kurriz gruas ia ve nevoja e skajshme, vetëm ajo. Si në Bregun e Jugut, ku  po ashtu gruaja ngarkohet keq. Edhe asaj barrët në kurriz ia ve nevoja e skajshme. Ngarkesën e grave në Bregdet gjermania e shqiptarizuar Waltraud Tunger (Bejko), në librin e cituar,  e gjykon si “shfrytëzim poshtërues”. Ani pse atje nuk është dhé i mirëfilltë i Kanunit.

Koci thotë se njëra prej trevave me rrugë të pakalueshme, për shkak të pritave me gjakës idhnakë, është Mirdita. Për arsye të terrenit si në Malsinë e Vogël, gruaja mirditore ngarkohet. Një nen i Kanunit të mbledhur pikërisht në Mirditë, shumë vjet pas vërejtjes së hollë të Dom Kocit, e ligjëson ngarkesën. “Grueja asht shakull me bajtë…”. Në një foto të hershme të Marubit, çift mirditas, shohim burrë e grua ulur bri shoqi-shoqit, me veshjen e krahinës, burri pushkën në gjunjë, gruaja koshin në shpinë. Një foto e ngjashme mund të ishte shkrepur edhe në Malsi të Vogël. Por një foto si ajo nuk mund të shkrepej kurrë në Malsi të Madhe, në Gash, në Krasniqe e Bytyç, në Has e në Rrafsh të Dukagjinit. Sepse atje ishte realitet krejt tjetër, për shkak të një terreni tjetër. Atje gruaja nuk ngarkohej.

Koci ftillon: ky nen është specifik për peisazhe egërsisht malore, me terren të shkallmuar, të mrrolët, të rrezikshëm.

Ky nen pra nuk është parim i Kanunit. Nuk është filozofi e tij.

Nëse Gjeçovi do ta kishte mbledhur Kanunin në Malsi të Madhe, në Malsi të Gjakovës (pa përfshirë Nikaj-Mërturin), në Has e në hapësira të gjera të Rrafshit të Dukagjinit, ky nen nuk do të ishte shkruar kurrë në të drejtën dokesore. As nene të përafërta. Nuk do të ishte shkruar, sepse atje nuk ekzistonte.

Një përqasje. Në Kanun ka edhe ndonjë nen tjetër specifik për Mirditën, vetëm për të. Shkruhet, për shembull, se dera Gjomarkut asht themeli i Kanusë. Mos do të thotë kjo se Gjonmarkajt pyeteshin në Krasniqe e në Gash, në Malsi të Madhe, në Malsi të Vogël e në Rrafsh të Dukagjinit, hapësira të mirëfillta nën autoritetin e Ligjit të Lekës? Jo. Në këto vise Gjonmarkajt nuk njiheshin si themel as si kulm. Nuk ndiente kush për ta, mbase as emrin s’ua kishin dëgjuar. Gjonmarkajt përmenden vetëm sepse kodi është mbledhur në Mirditë, ku ata ishin derë e parë. Po të ishte mbledhur në një krahinë tjetër, nuk do të ishin zënë në gojë.

         E njëjta logjikë vlen edhe për ngarkesën e gruas.

E dëshmojnë edhe kanune të tjera, të cilat nga pikëpamja e parimeve të përgjithshme dhe e filozofisë që i përshkon, janë aty e aty me Ligjin e Lekës.

Kanuni i Skanderbegut nuk e ligjëson ngarkesën e gruas. Kanuni i Lumës jo. As Kanuni i Dibrës. Nuk gjindet ky trajtim i gruas në përmbledhje a shkurtesa të Kanunit të Lekë Dukagjinit, botuar më përpara nga autorë të besueshëm, si Pashko Vasa. As në do përmbledhje amatorësh, botuar pas viteve nëntëdhjetë. Versioni i Kanunit sipas Mark Sadikut, të parit të djelmnisë së Shalës, punuar prej Atë Bernardin Palajt, është version mjaft i shkurtuar. Por as aty nuk ekziston një nen i tillë.  

Nenin “Grueja asht shakull me bajtë…” Enver Hoxha e shkëputi nga konteksti me synime të liga. E keqpërdori në shërbim të politikës përçarëse. E përgjithësoi, duke mëtuar se pasqyronte filozofinë e Kanunit. Ashtu siç shtrembëroi në mënyrë dramatike krejt thelbin e ligjit të maleve. E paraqiti të përmbysur, kryeposhtë. Për ta helmuar. Për ta gropuar thellë në dhé pa një pllakë te kryet.

3.Nga sojnike, fisnike deri te Bukuroshja e Vjetit

Jeta qe mujshare gjithandej, por gruaja nën qiellin e Kanunit edhe nderohej fort. “Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjerë, shkruan Mit’hat Frashëri në veprën Plagët tona. Liria e saj është e plotë në viset e vendit tonë, ku s’ka hyrë pseudo-qytetërimi i Azisë (domethënë në malsitë e panënshtruara nga pushtuesit turq – m.e.)”. [12] M. Frashëri flet për “liri të plotë” të gruas në ato vise.

Një burrë në male i drejtohej një gruaje me fjalët sojnike, fisnike, të krahasueshme me zonjë. Gjuha shqipe është ndër të rrallat në botë, mbase e vetmja, që për gruan përdor fjalën shoq/ shok. Thuhet: e shoqja, i shoqi.  Atë Zef Pllumi, te libri “Rrno vetëm për me tregue”:

– Ndigjo, më tha kolegu, nuk ke si kthen në Shosh: nesër mbrama këtu do gjindemi para njaj ngjarje së madhe: asht vdekja e parë mbas shpalljes së “sundit”. Të shofim çdo të bâhet. Mrikë Kacelja, që diq, ishte bijë e Prekalit e ndoshta prekalorët nuk do t’i shtrohen “sundit”.

Njaty kah ora pesë e mbasdites malet shungulluen në largsi nga nji gjamë burrash: “I mjeri û për ty, o vllaaa!” Tri herësh u përsërit gjama e gjithkush tha me vedi: po vjen Prekali e paskan hî në Kir. Mbas nja nji gjysmë ore, malet jehuen gjamën tjetër, shumë mâ të fortë e të rrebtë. Tri herësh persëri ushtoi “I mjeri û për ty, o vllaaa!” Mandej ra nji heshtje e thellë, që priste dishka. Mendojshem me vedi: Kanuni ynë i maleve asht me të vërtetë i çuditshëm. Në pamjen e parë duket nji ligjë e egër, barbare njilloj si kodi i Hamurabit, e para ligjë e shkrueme që njef njerëzimi. Por, po u thellove në tê, gjen aty nji botëkuptim aq njerëzor, sa nuk besohet: sot këta e thrrasin “vlla” motrën e vet të dekun. Kjo gjuha e jonë, në lashtësinë e saj, gruen e thirrte “e shoqja e filanit” e jo “grueja e filanit”. Pra, koncepti i barazisë në Kanunin primitiv të Maleve tona ishte mâ i saktë se ky i ligjëve moderne. Fjalët e gjamës në Dukagjin ishin vetem dy: “vlla” ose “mik” e nuk pranonte tjera.

Në Malsi të Madhe dhe në disa treva në Malsi të Gjakovës (Tropojë) e në Rrafsh të Dukagjinit, miku që vinte në shtëpi i linte zonjës së shtëpisë të fala, dhuratë simbolike në të holla, diçka e përafërt me një tufë lule sot. Kjo doke erdhi duke u venitur, bashkë me hollimin e gjendjes ekonomike.  Dhuratat vetjake që i bëheshin gruas, nga njerëzit e gjinisë ose të tjerë, mbeteshin pronë e saj, nuk ia prekte askush. Qofshin gjë e gjallë, pare a sende me vlerë.

Të gjitha dëshmitë e udhëtarëve, diplomatë e hulumtues me emër, dashamirë ose jo, përputhen në këtë pikë. Edit Durhami pohon se “burrat i trajtojnë (gratë) me një farë fisnikërie të ashpër dhe i respektojnë”. Gratë në malsi “kanë më shumë liri se ndër malazeztë, sepse lejohen të shprehin mendimin e tyre për çështje të rëndësishme, shpesh ua kërkojnë mendimin dhe marrin pjesë në kuvendin e përgjithshëm”. Ndërsa “në Mal të Zi i zoti i shtëpisë bërtet: “Pusho grua!”, madje edhe kur ajo kërkon të bëjë një pyetje pa të keq”. Jo vetëm kaq. Siç vëren Nopça, “në Mal të Zi mund t’i presin hundën gruas, kur shkel kurorën, kurse në Shqipëri kjo nuk ndodh” kurrë. Gruaja shqiptare “mund të bëjë shaka e të qeshë me burrat, në Shkodër mund të qëndrojë në rrugë e t’i thërrasë të shoqit që të dalë nga pijetorja e t’i thotë mjaft ke pirë”. 

Gratë myslimane njësoj. “Gratë e fiseve myslimane në malet e Shqipërisë nuk mbulohen kurrë dhe shkojnë në treg e bëjnë pazar lirshëm me burrat”. Dom Ernesto Koci, në veprën e cituar: “Kur filtet për gjendjen e grues myslimane të Maleve të Shqipnisë… ajo asht e barabartë me atë të grues malsore të krishtenë”. Edhe në fshatrat e thella myslimane, vëren Margaret Hazllaku (Hasluck), gruaja “gëzonte po atë liri të stërgjyshëve të tyre të krishterë”. [13] Përsëri Koci, i cituar nga Zhystê Godar (Justin Godart): “Në fiset myslimane, si në fiset katolike, gruaja shihet si qenie e shenjtë; ajo mund të udhëtojë në të gjithë vendin, ditën dhe natën, pa patur frikë as nga ndonjë fyerje, as nga ndonjë rrezik; në luftërat vdekjeprurëse ndërmjet fiseve ajo është e sigurt, duke qenë gjithmonë e falur nga pushka armike. Fajtori i rrezikuar nga hakmarrja, kur ndodhet pranë një gruaje nuk mund të vritet kurrë. Për të qenë i ruajtur, një thesar i besohet një gruaje; kushdo qoftë ajo, ky thesar është i sigurt”. [14]  Në të njëjtën vijë Pukëvili: “Të krishtera e muhamedane, asnjë nuk mban perçen e sajuar nga idhtia (xhelozia) orientale”. [15] Te skipëtarët e Drinit gratë ngjeshin armë dhe ecin “me vështrim krenar”. Dora d’Istria ngulmon se myslimanët shqiptarë “s’kishin asgjë të përbashkët me osmanët, as me fanatikët e Portës, as me islamin e tyre, por, në të kundërt, ishin thellësisht të kushtëzuar… nga karakteri i tyre europian”. Edhe me gratë mbeteshin të tillë. Ata “përçmonin aziatikët  dhe nuk i poshtëronin gratë e tyre, siç bënin në vendet e tjera myslimane”. [16]  Obrej (Aubrey) Herberti  ka të njëjtin mendim për shqiptarët myslimanë. “Janë europianë tepër inteligjentë, megjithëse ndjekës të Profetit të shkretëtirës”. Madje “në Shqipëri ka një fakt të veçantë domethënës: populli është lodhur së qeni e së trajtuari si oriental, është i etshëm për të zënë në Ballkan vendin që ky popull e di se i takon”. [17]

“Pashë edhe shumë gra me kobure në brez, që po vinin prej pazarit të Lezhës”, plotëson Hahni, ndërsa ka kaluar Matin. Për Karl Otenin (Otten), ajo që bie në sy në kostumin e grave malsore “është brezi i gjerë prej fletësh hekuri, që arrin deri në gjoks dhe ku janë kapur në unaza të vogla kama dhe kutia e duhanit”. [18] Grueja malsore “udhëton natën e ditën e kudo, pa frigë se pson çfardo fyemjeje”, dëshmon Dom Ernesto Koci. Hekardi vëren rreptësinë vrastare me të cilën këqyrej morali i femrës në Mirditë, por shton: “Gratë dhe vajzat mirditore janë mjaft të lira; ato udhëtojnë gjithkund vetëm dhe respektohen ngado. Aty, si në të gjitha malet e Shqipërisë së Epërme, shoqëruesja më e mirë dhe më e sigurt është një grua”. [19] Ai shton se “në asnjë vend tjetër gratë nuk gëzojnë një respekt të tillë dhe nuk kanë një ndikim kaq të fuqishëm”, sa në malet shqiptare. Edhe pse “të nënshtruara ndaj burrave të vet”, burrat “ua marrin me kënaqësi mendimin për problemet e tyre dhe ato të vendit”. Dom Koci po ashtu: malsori “nuk e përbuz kurrë këshillën e grues së vet në punët familjare… Mashkujt parapëlqejnë ma shumë të shkojnë vetë zbathë e të veshun keq se sa gratë e tyne”.  Mosvlerësimi ndaj seksit të dobët është “i rrejshëm”, thotë. Ky mosvlerësim “përfundon gjithmonë në lojën e shprehun prej korit të Satirëve te Euripidi:

Oh, kurrë në botë – veçse për mue –

Mos t’kishin dalë femnat!

Në Kelmend gruaja ulej me burrat, me gotën e rakisë përpara. Rozë Uailder Leini vëren se “në këto male… nderimi i gruas nuk mësohet si mirësjellje oborrtare, por është aq i natyrshëm sa dhe frymëmarrja, aq i natyrshëm sa kurrë nuk zihet në gojë a në mendje…”. [20] Ajo tregon se bajraktari i Shoshit e uli nusen e djalit në sofrën kryesore, ku ishin miqtë më të rëndësishëm.

Disa sjellje të hershme ndaj gruas zbulojnë e shprehin ndjenja veçanërisht të holla, pasqyrojnë plot hijeshi thelb qytetërimi të hershëm. Midis maleve të Veriut shqiptar para Luftës së Dytë Botërore ka qenë institucionalizuar konkursi i bukurisë femërore. Një  lloj Miss Malsia, u shprehshim me gjuhën e spektakleve televizive të sotme.  Gara quhej Bukuroshja e vjetit, zhvillohej ditën e Shën-Kollit (6 dhjetor) në oborr të kishës. [21] Nuset hijeshoheshin me xhubletën e përdallgur ilire, të endur e të qëndisur mjeshtërisht me dorë. Shfaqja ndiqej me  thekuni (emocion): cila do të jetë zana shituese e bjeshkëve këtë mot? Atë Kolë Berishaj ka regjistruar edhe në celulozë pamje të festës së rrallë.

Konkursi i bukurosheve, i cili më pas do të quhej Miss sipas gjedhes amerikane, në kontinent është bërë vonë pjesë e projekteve  artistike kombëtare. Në një vend të kulturës e të artit si Italia, për herë të parë është organizuar më 1939. Ka qenë quajtur Miss Sorriso (Miss Buzëqeshja). Afërsisht në të njëjtën kohë organizohej në Shqipëri. Jo në skena vezulluese, por në sheshe rrethuar me kulla të përhimëta guri, me pisha dhjetori ngarkuar me borë, me male të mrrolta shungulluese. Çiltërsisht. Pa bërryla çmimesh të përkthyera në përfitime gjithfarësoj.

Bash në zonat ku mbretëronte Kanuni, ferexhesë i qe mshelë dera: jashtë! Qe pikërisht Kanuni, që i erdhi në ndihmë Mbretit Zog, kur ky nxori dekretin që ndalonte mbulimin e femrës.

Edhe një vështrim nga tjetër kënd, jo fort i zakontë.

Në popujt europianë ka qenë i përhapur besimi se ka gra shtriga. Në mesjetë ato digjeshin të gjalla; edhe në ditët tona njoftohet për rehabilitime të herëpashershme që u bën kisha këtyre viktimave. Në veprën Aspekte mitologjike, besime e besëtytni (Prishtinë, 1997), M. Krasniqi sjell të dhënat e etnografëve serbë Vuk Karaxhiq dhe Tihomir Gjorgjeviç edhe për mënyrën si luftoheshin shtrigat në Serbi. E re nuk është mizoria ndaj tyre, që ndeshet edhe te popuj të tjerë. E re është koha kur ka vijuar. Gjuetia e tmerrshme e grave të dyshuara si shtriga ka zgjatur deri në qindvjetëshin e 19-të. Me urdhër të Karagjorgjit, udhëheqës i kryengritjes së parë serbe më 1804, ato i digjnin në zjarr njësoj si në mesjetën e kontinentit. [22]

Në bestytni shqiptarët s’kanë bërë përjashtim. Edhe ata kanë besuar se disa gra janë shtriga, se ato “hanë” fëmijë. Përjashtimin e kanë bërë në qëndrimin ndaj tyre: kurrë s’i kanë ndjekur e masakruar “shtrigat” e hamendësuara. Hahni, Nopça, Hekardi, Atë Zef Valentini, dijetarë e udhëtarë vendas e të huaj, që kanë hulumtuar në brendësi botën shqiptare, doket e mendësitë, s’kanë njoftuar as edhe për një rast të vetëm të përndjekjes e torturimit të “shtrigave”. I vetmi hap, gjithnjë si  masë mbrojtëse, ka qenë rrekja me e zhba e me e bjerrë fuqinë e tyre të errët, nëpërmjet disa riteve ose tëbameve, magjive, të quajtura të mira (pozitive).

(nga libri “Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit”, botim i dytë, i plotësuar)


[1]  E. Koliqi, Vepra 5, Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë, 2003

[2]  Në librin me shënime udhëtimi Majat e Shalës, gazetarja amerikane Rozë Uailder Leini përmend një albanologe të huaj, e cila e shoqëronte në udhëtim: këtu “…gruan s’e nget kush. Madje as burrin nuk e vret kush në praninë e saj”. Në hapësirën me madhështi tragjike të maleve “më të bukura të botës” e të banorëve të tyre, që mbush librin e Miss Leinit, në një ditë shiu ku “gjysma e ajrit ishte e mbushur me ujë”, janë disa rreshta ku gjithçka ngrohet papritmas nga një rreze humori (edhe ky tragjik!). Dikush guxon me u argëtue duke u tallur me vdekjen. Shaljani i pashëm, që shoqëron zonjën në kthim, ndalet e hyn pak në çdo shtëpi të Shoshit, keshe me kërkue një mushkë me qira, ulet e pi kafe. Por ai nuk ndalet për mushkën, ai e di se aty nuk mund të gjindet mushkë. Djaloshi ishte në gjak në Shosh dhe i kishte shkrepur në kokë me u shpotitë me tërë shoshjanët derë në derë, përfshi kryeparin e Shoshit, i sigurt se asnjëri syresh nuk mund t’i drejtonte armën, sa kohë që ishte në shoqëri me një grua. “Shaljani i pafajshëm, me gëzim të pashuar ua kishte nxjerrë gjuhën trimave të Shoshit” dhe këtë e përjeton “si dëfrim”!

Më pas ajo citon shoqëruesin e saj të ditur, pejan i shkolluar në Perëndim, që flet shumë gjuhë të huaja dhe që ëndërron me shkue në Pejën e bukur të pushtuar nga serbët,  me u çmallë me prindët e vet. (Serbët) “po të kishin çfarëdo kodi nderi… po të kishin çfarëdo respekti për gra, do të kaloja mu përmes pozicioneve të tyre me ju vashat bri meje dhe do të shkoja të shihja njerëzit e mi… S’ka asnjë fis në malsi që nuk do të lejonte një serb me kalue i sigurt me një grua me vete. Por serbët…”.

[3]  Diturija (e Lumo Skëndos), nantor 1927, numur 1.

[4]  J. G. Von Hahn, Studime shqiptare, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë, mungon viti i botimit.

[5]  Diturija, vep. e cituar.

[6]  Waltraud Tunger (Bejko), Çapitjet e mia nëpër Shqipëri, “Mësonjëtorja e Parë”, Tiranë, 2000.

[7]  Edhe shoqëritë e zhvilluara të Europës së sotme kanë probleme shoqërore me gruan, ani pse ato nuk spikatin në mënyrë klasike dhe janë ku e ku më të mbuluara. Nga tregu i punës: sipas një studimi të Organizatës Ndërkombëtare të Punës me qendër në Gjenevë, publikuar në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas (2019), ndryshimi midis pagesës së grave dhe burrave për të njëjtën punë me të njëjtën diplomë e kualifikim në shkallë globale mbetet 20 për qind (Zëri i Amerikës, 07 mars 2019). Gjithnjë sipas këtij studimi, dallimi gjinor është “i madh” edhe në ritmet e punësimit të grave; këto ritme “janë 26 për qind më të ulëta se të burrave”. 

Diskriminim për shkak të gjinisë ndodh edhe në institucione elitare. Radio Evropa e Lirë, 08 janar 2018, njoftonte se redaktorja e BBC-së për Kinën, Carrie Gracies, “veterane e BBC për 30 vjet”, ka dhënë dorëheqje “për shkak të diskriminimit në pagë” si grua. Duke protestuar për atë që e ka quajtur “dështim për të përmbushur hapësirën në pagesë mes grave dhe burrave në BBC”, ajo “i ka kërkuar BBC-së të respektojë ligjin britanik, i cili kërkon pagesë të barabartë për punë të barabartë”. Sërish Evropa e Lirë, duke iu referuar një analize të BBC, njofton me 05 prill 2018 se diferenca mesatare në paga për shkak të gjinisë në Mbretërinë e Bashkuar është  rreth 10 (9.7) për qind.

[8]  Viktimë e këtij diskriminimi ka qenë edhe Margaret Hazllaku (Hasluck). Kishte mbaruar studimet në Kembrixh, pa u pajisur kurrë me diplomë.

[9]  Dom Ernesto Cozzi, “Studime etnologjike të Shqipërisë s’Epërme”, botimet Fishta, 2017. Edhe citimet e tjera prej këtij autori, përveç rasteve kur saktësohet ndryshe, janë prej te njëjtit burim.

[10]  Robert Elsie, Fiset shqiptare, Botime Artini, Prishtinë, 2017.

[11]  Për saktësi, Nikaj-Mërturi nuk është një fis. Nikajt janë pjesë e fisit Krasniqe, Mërturi pjesë e Mërturit.

[12]  Mendimtarë shqiptarë, Plagët tona, Dija, Prishtinë, 2000.

[13]  Margaret Hazllak (Hasluck), Kanuni (ligji i pashkruar shqiptar), Lisitan, Tiranë 2005).

[14]  Zhystê Godar (Justin Godart) në librin Shqipëria në 1921,  Klubi i Poezisë, Tiranë, 2015.

[15]  Pukëvil (Pouqueville), Tiparet fizike të shqiptarëve. Citohet sipas përmbledhjes Pena të arta franceze për shqiptarët,  përgatitur dhe botuar nga F. Andrea, Tiranë, 2007.

[16]  Në këto shënime Dora d’Istria citohet sipas Natali Klejerit,  Në fillimet…, vepër e përmendur. Edhe vetë Klejeri shkruan se qysh në qindvjetëshin e 19-të myslimanët shqiptarë këmbëngulnin për “një identitet evropian, një identitet mysliman evropian, i ndryshëm nga ai i myslimanëve turq…”.

[17]  Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme, Ditarë dhe Letra 1904-1923, me parathënie të Noel Malkolmit, Via Egnatia, Tiranë 2012.

[18]   Karl Otten, Udhëtim në Shqipëri 1912, Dituria, 2005.

[19]  Hyacinthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, Plejad,  2008. Edhe citimet e tjera të këtij autori janë prej kësaj vepre.

[20]  Traditën shqiptare të nderimit të gruas Konica e ilustron edhe me këtë shembull: “Nja dyzet vjet më parë gjithë shtypi i botës u mbush një ditë me lajmin për një bëmë trimërore; banditët në Trakë ndalën një tren ndërkombëtar që shkonte nga Parisi në Stamboll. Të gjithë udhëtarët burra i detyruan të zbrisnin nga treni me plaçkat në dorë dhe ua rropën të gjitha gjërat e çmueshme, kurse kryetari i bandës u tha grave të qëndronin nëpër vende dhe disa herë u kërkoi falje për shqetësimin që u shkaktuan. Kombësia e banditëve u bë e njohur nga urdhrat që ai u jepte shokëve të vet në gjuhën shqipe”.

[21]  Atë Kolë Berishaj, Malsia e Madhe, vepër e cituar; shih dhe M. Elezi, Gjuha shqipe dhe ëndrra e një nate vere, Gj. Fishta, Tiranë 2012.

[22]   Sipas këtij burimi: “Vojvoda i Rudnikut, Antonije Plakiq, e ka pjekur për së gjalli një grua plakë në qendër të Kralevës në kohën e Karagjorgjit. Në fshatin Zhabar… e kanë lidhur për hell gruan e Pavle Stanojeviqit  të akuzuar për shtrigë, dhe kështu e kanë pjekur midis dy zjarreve”.

Exit mobile version