Kreu Letërsi Shënime mbi libra Matteo Mandalà: Fluturimi i përdredhur i lirisë: Leonardo De Martino vs. Ndre...

Matteo Mandalà: Fluturimi i përdredhur i lirisë: Leonardo De Martino vs. Ndre Mjeda

Duke rilexuar faqet e dendura të përmbledhjes “Harpa e një arbëreshi” (Arpa di un italo-albanese) është vërtet e pamundur të mos vihen re në afshin patriotik të autorit, të cilit sot i kujtojmë njëqindvjetorin e vdekjes, rrënjët e paradigmës ideologjike që e bëri këtë intelektual arbëresh të jashtëzakonshëm ta shndërronte shpirtin zanafillor prej misionari franceskan në një gjendje të re jete dhe veprimi. At De Martino jo vetëm që zgjodhi të bëhej një interpretues autentik i ndjenjave dhe idealeve të traditës romantike italiane, por edhe një divulgues i vetëdijshëm i tyre qysh para transferimit të tij në Shqipëri në vitin 1865. Njëkohësisht ai u bë përfaqësues po aq i vetëdijshëm në trojet shqiptare i lëvizjes kulturore dhe politike arbëreshe të shek. XIX, eksponenti kryesor i së cilës ishte Jeronim De Rada. Admirues dhe ithtar i imzot Giuseppe Marinoni-t (1810-1891) që ishte përfaqësues i përndritur i klerit lombard dhe themelues i institutit papnor për misionet e jashtme (1850-1891), qysh nga vitet e para të mbërritjes në Shkodër, më saktë në kuvendin e Troshanit, françeskani arbëresh u bë një pikë referimi për rininë shqiptare dhe një promovues i palodhur i letërsisë së re në gjuhën shqipe.

Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX intelektualët arbëreshë, pasi morën pjesë aktive në lëvizjen për bashkimin dhe pavarësinë e Italisë, i kthyen sytë nga Shqipëria, atdheu i të parëve të tyre, i Skënderbeut dhe i besimit të lashtë të krishterë, duke i dhënë jetë kështu një procesi mitizimi, që kishte për synim të promovonte ringjalljen kulturore dhe politike të shqiptarëve për t’i çliruar ata shpirtërisht, së pari, nga zgjedha osmane, e pastaj për t’i mbrojtur edhe nga politikat kolonialiste të fuqive të tjera të rajonit. Për t’ia arritur këtij synimi ambicioz, ata hartuan një strategji që përpiqej të përshtaste në mjedisin ballkanik të njëjtat mjete që kishin përdorur gjatë luftrave të Risorxhimentos italiane. Kështu, për të ngritur në këmbë popullin shqiptar, që në masën dërrmuese ishte analfabet, u pa e nevojshme që jo vetëm të zbuloheshin forma të reja komunikimi kulturor dhe politik, si p.sh. teatri me shprehjet e shumta të tij, por edhe të ngriheshin shkolla dhe qendra formimi për rininë e të përhapej, falë shtypit në gjuhën shqipe, një vizion i ri kulturor kombëtar. Në kuadrin e përgjithshëm të kësaj politike për emancipimin kulturor të shqiptarëve u bë e domosdoshme lëvrimi i gjuhës shqipe dhe i një letërsie në shqipe, përhapja e shkrimit të gjuhës ndër të rinjtë, si edhe botimi i veprave të intelektualëve shqiptarë të mbetura në dorëshkrim. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një përpjekje për të rivendosur lidhjet historike me autorët e vjetër të shek. XVI-XVIII në mënyrë që t’i sigurohej letërsisë shqipe moderne një identitet më solid, mbi të gjitha në funksion të projektit të çlirimit kombëtar. Shkurtimisht këto janë elementet kryesore të botëkuptimit rilindas apo neo-risorxhimental të Leonardo De Martino-s, i cili jo më kot në pjesët jopoetike të vëllimit Harpa vendosi të sjellë dëshmi dokumentare që shpalosin para bashkëkohësve parimet dhe synimet e filozofisë së tij politiko-kulturore. Kujtojmë këtu se vepra u botua në 1881, pak vite pas traktatit të Berlinit (1878) dhe themelimit të Lidhjes së Prizrenit (1878), dhe vetëm dy vjet para botimit të revistës Fiamuri Arbërit (1883) me të cilën De Rada do të tërhiqte vëmendjen e politikës europiane drejt “çështjes ballkanike”. Kjo datë e fundit simbolike nuk ia zvogëlon rëndësinë teksteve që ndërkohë kishin dalë në dritë më parë, si botimi në vitin 1868 i veprës Vāji i hapses me të cilën De Martino përkthente për herë të parë në shqipe kryeveprën e romantizmit lombard: romancën e famshme Rondinella pellegrina të Tommaso Grossi-t (1790-1853), mbi historinë e përkthimit të së cilës do të ndalemi më poshtë me qëllim që të nxjerrim në dritë të vërtetën historike mbi një ngjarje që përcaktoi braktisjen e misionit apostolik në Shqipëri dhe largimin e papritur e përfundimtar  nga Shkodra të De Martinos, si edhe të vëmë në vend integritetin dhe prestigjin moral, politik dhe kulturor të këtij intelektuali të shquar.

Falë mprehtësisë kritike largpamëse të Ernest Koliqit, dihet tashmë fakti se ndër premisat kulturore të qasjes ideologjike të De Martinos ndaj letërsisë së Rilindjes shqiptare ishte edhe nevoja për të forcuar lidhjet me letërsinë romantike italiane. Nuk është e rastit që te Harpa u përfshinë përkthimet në gegërishten e Shkodrës të shumë veprave të autorëve të shquar italianë, si Pietro Metastasio, Alessandro Manzoni, Giacomo Leopardi dhe i lartpërmenduri Tommaso Grossi, autori i romanit historik Marko Viskonti, i cili qysh nga botimi i tij i parë në vitin 1834 njohu një përhapje të madhe dhe u ribotua shumë herë gjatë gjithë shek. XIX. Interes të madh ngjalli sidomos romanca Rondinella pellegrina që me kohë u shndërrua në një lloj manifesti letrar të risorxhimentos italiane. Rivëniet e shpeshta në skenë dhe përshtatjet e shumta muzikore – që arritën në disa dhjetëra të tilla në mbarë Italinë nga Veriu deri në Jug – e transformuan veprën e Grossi-t në një topos të dashur për të gjithë poetët dhe shkrimtarët romantikë italianë. Tek e fundit, nuk kishte imazh më të mirë për të përfaqësuar brengat dhe mundimet e popujve të shtypur nga fuqitë e huaja sesa ai i “dallëndyshes në kafaz” e nuk kishte metaforë më të goditur për të shprehur në rrafshin letrar rrugën e gjatë drejt pavarësisë dhe lirisë  sesa fluturimi i vetmuar i shpendit të brengosur. Për më tepër, zanafilla e tekstit të romancës përmbante disa tipare parahistorike që e mbikarakterizonin në sytë e romantikëve të kohës: me rrënjë të largëta popullore, “dallëndyshja shtegtare” e kishte zënë fillin në kulturën alpine të luginave të Bergamos, ku ishte përhapur si këngë dasme. Më pas u përpunua nga Paolina Secco-Suardo Grismondi (1746-1801), poetesha e njohur me pseudonimin Lesbia Cidonia, e cila në versionin e saj poetik që doli pas vdekjes në vitin 1820, por që ishte shkruar në shek. XVIII, solli shumë ndryshime semantike: së pari, përjetësoi krakëllimën e ngjirur të shpendit duke e identifikuar me «vajin» e poeteshës dhe, së dyti, konsakroi vlerën simbolike të fluturimit «rreth folesë së dashur» ku poetët e mëvonshëm romantikë njohën truallin e shenjtë të atdheut. Falë këtyre elementeve ideologjike jo vetëm që nuk ka dyshime mbi prejardhjen e romancës së Grossi-t, por nuk mund të vihet në dyshim as evolucioni ideologjik dhe përhapja e saj: në fakt, kjo këngë jo vetëm që i përkiste poezisë popullore italiane, pra jo vetëm që lidhej me traditën e këngëve të dasmës, por ajo ishte e përhapur në gjithë gadishullin Apenin, nga Veriu në Jug, madje deri edhe mes arbëreshëve. Vlen të kujtojmë këtu këngën e dasmës me titullin domethënës La rondinella (dallëndyshja) që Michele Marchianò botoi në vitin 1906 pasi e gjeti në një dorëshkrim me origjinë siciliane të shek. XVIII.

Pjesa e dytë e fluturimit të “dallëndyshes në kafaz” u krye në mjedisin europian. Përkthimet thuajse të njëkohshme të Marko Viskontit gjermanisht (1835), frëngjisht (1836), spanjisht (1847) dhe anglisht, patën meritën se ndikuan në mënyrë vendimtare në letërsitë romantike europiane dhe i siguruan përhapje “vajit” në vende si Gjermania, që ishte në kërkim të bashkimit aq shumë të dëshiruar nga Hegeli, ku mundimet e shpendit simbolizonin mundimet e popujve që gjendeshin nën zgjedhën e huaj. Ndër vendet që u prekën nga fluturimi i vetmuar ishte edhe Shqipëria, ku “dallëndyshja shtegtare” vendosi të ndalej për të gjallëruar ndërgjegjet e mekura të shqiptarëve.

Sipas Filip Fishtës, studiues i historisë së letërsisë shqiptare të cilit nuk i janë njohur ende vlerat shkencore siç meriton, i pari që «këndon kângën e bylbylit ndër tetë-rrokësha» ishte Pjetër Zarishi, i cili qysh nga viti 1837 «u bâ prekursori i De Martinit e i Ndré Mjedjes mbi ket lândë». Mund të supozohet që De Martini u frymëzua nga leximi i tekstit të Zarishit, dorëshkrimet e të cilit i pati në dorë për një periudhë relativisht të gjatë para sa t’ia dorëzonte Prenk Bib-Dodës. Por pavarësisht nga ky fakt, s’ka dyshim që ideatori i përkthimit shqip të romancës së Grossit ka qenë pikërisht Leonardo De Martino, i cili në vitin 1868, sikurse e thamë më lart, e përktheu këngën shqip duke ia kushtuar atë një poeteshe tjetër, Dora D’Istrias, që atyre viteve ishte shndërruar në një lloj priftëreshe të lëvizjeve kombëtare të popujve ballkanikë e sidomos të atij shqiptar. Suksesi i Vājit të hapses, siç e quajti këngën përkthyesi ynë, qe i menjëhershëm: i botuar, sikurse shumë krijime të tjera të De Martinos, në një fletë fluturuese, që asokohe ishte një nga mjetet më të përshtatshme për të mbërritur gjithkund nëpër Shqipëri, ky përkthim pati një efekt vendimtar gjatë viteve fill pas botimit të Harpës, kur një jezuit i ri, ndoshta nxënës i françeskanit arbëresh, vendosi ta ripërpunonte atë tashmë me titullin e ri Vaji i bylbylit. Jezuiti i ri ishte Ndre Mjeda, që në vitin 1886 botoi për herë të parë një version të kësaj poezie të shquar, që më pas do të ripërpunohej shumë herë duke nxjerrë kështu në pah prirjen e spikatur filologjike dhe akribinë e veçantë gjuhësore të poetit shkodran. Nuk është vendi këtu rasti të ndalemi te këto aspekte, që do të jenë objekt i një studimi të posaçëm ekdotik kushtuar historisë së shkrimit të Vajit të bylbylit – përfitoj nga rasti të falënderoj miken dhe kolegen, profesoreshën Mimoza Priku, për ndihmën që më ka dhënë – por dua vetëm të saktësoj së paku dy pika kyçe: së pari, pa leximin e tekstit të De Martinos vështirë se Mjeda do të kishte arritur pjekurinë konceptuale që shfaqet qartë qysh nga versioni i parë që u botua në përmbledhjen Shahiri Elierz; së dyti, pa nxitjen e ngjarjeve të pakëndshme mbi të cilat do të ndalem në vijim, Mjeda, ndoshta as që do t’ia kishte hyrë rishikimeve të thella stilistike dhe gjuhësore që dëshmohen në materialin e vëllimshëm dorëshkrimor që ruhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë (gjej rastin të falënderoj përzemërsisht drejtorin e Arkivit, prof. Ardit Bido, për mbështetjen e tij profesionale). Shtojmë këtu edhe një pikë të tretë, që në fakt përbën pjesën më të vështirë të fluturimit të  “dallëndyshes shtegtare”, atë më të pafatën, ose nga një këndvështim tjetër do të thoshim atë që u shkon për shtat më mirë paudhësive që prodhon hera-herës pushteti.

Së paku qysh nga viti 1879 ngriheshin akuza denigruese ndaj integritetit moral të De Martinos. Ishte fjala më së shumti për shpifje që disa nga sivëllezërit e tij dërguan në Romë dhe që vetë De Martino, pasi u thirr në vitin 1880 për të dhënë shpjegime, i hodhi poshtë si të rreme duke ia atribuuar ato vesit të sivëllezërve të tij «për t’u marrë me thashetheme» e duke pranuar vetëm një akuzë: «se thurte vargje». Gjatë viteve në vijim akuzat u rimorën nga Imzot Pasquale Guerini, nga viti 1887 Arkipeshkv i Shkodrës, dhe u përdorën në mënyrë instrumentale kundër opinioneve politike të De Martinos. Qysh nga viti 1891 De Martino kishte botuar përmes fletëve të zakonshme fluturuese, të shpërndara në mënyrë kapilare në Shkodër dhe rrethina, Vajin e bylbylit të Mjedës, madje duke e përkthyer edhe në italishte. Për këtë ishte në dijeni edhe Imzot Guerini, që në vijim u rrek me të gjitha mënyrat të bllokonte veprimtarinë e De Martinos. Edhe Mjeda i ri ishte në dijeni të faktit se poezia e tij e famshme qarkullonte falë përpjekjeve të De Martinos, aq sa e pohon këtë hapur në një letër që i dërgon Gustav Mayer-it më 15 janar 1893, duke u shprehur me ngazëllim se Vaji i bylbylit «…u bë shumë popullor në Shkodër, kurse De Martinoja e ka përkthyer italisht, po ende s’e ka botuar».

De Martino, që e vlerësonte shumë ripërpunimin e Mjedës, në fakt e kishte botuar tashmë disa herë përkthimin italisht të Vajit të bylbylit: këtë na e thotë në një letër të tij të vitit 1896 pikërisht Imzot Guerini, kur shkruan se Vaji i bylbylit ishte «kënduar nga i lartpërmenduri At në kohë të ndryshme nga 1891 në 1896». Ishin me siguri qëndrimet politike të De Martino-s që hasën në kundërvënien e Imzot Guerinit, i cili bëri çmos që françeskani arbëresh, i gjykuar si subjekt i rrezikshëm që kërcënonte qëndrueshmërinë e kishës dhe të marrëdhënieve të saj ndërkombëtare, të largohej nga Shkodra. Dokumentet që ruhen në Arkivin qendror të Shtetit në Tiranë na lejojnë të rindërtojmë zhvillimin e kësaj ngjarjeje dhe të ofrojmë një interpretim të ri për shkakun e vërtetë të largimit të papritur të De Martinos nga Shqipëria në muajt e parë të vitit 1897. Pikërisht gjatë atij viti, sapo mbërriti në Itali, De Martino shtypi në Bari botimin e parë të veprës La questione albanese-orientale (Çështja shqiptaro-lindore), ku përmblodhi disa krijime poetike satirike të hartuara gjatë viteve 1891-96, pra para se të largohej nga Ballkani, ku shprehej hapur kundër dy fuqive perandorake, Osmane dhe Austriake, interesat e të cilave përplaseshin pikërisht në trojet shqiptare, dhe ku, nga ana tjetër, pohonte faktikisht të drejtat të Shqiptarëve për vetëvendosje kombëtare.

Botimi i parë i këtij vëllimi nuk tërhoqi vëmendjen, a së paku nuk ngjalli polemika të ngjashme me ato që shkaktoi botimi i dytë, që u botua të njëjtin vit 1897 nga e njëjta shtëpi botuese. Ky botim i ri, me titullin e ndryshuar Poemetto eroico-comico (Poemë heroiko-komike), përmban dy elemente të reja: së pari, frati arbëresh theksoi qartë vlerën politike të veprës së vet duke dënuar pazaret mes osmanëve dhe austriakëve që parashikonin, në mos copëtimin e trojeve shqiptare, së paku përcaktimin e sferave të influencës mes dy fuqive perandorake, pa pëlqimin e fuqive të tjera europiane. Nga kjo pikëpamje De Martino u rreshtua në krah të politikës së intelektualëve të tjerë arbëreshë, të cilët me nismën e Jeronim De Radës dhe Anselmo Lorecchios pikërisht në shkurt të vitit 1897 kishin organizuar në Ungër “punimet e Kongresit të Dytë Gjuhësor Arbëresh” ku kishin shtruar hapur edhe çështjen e sovranitetit të shqiptarëve kundër pretendimeve ekspansioniste të Austro-Hungarisë. Në këtë kontekst politik, që bashkonte qysh pas pavarësisë italiane edhe intelektualë të tjerë, qoftë italianë si Giosuè Carducci, qoftë arbëreshë si Gavril Dara i Riu dhe Pietro Chiara, u fut edhe De Martino, i cili u rreshtua haptazi në krah të kongresistëve arbëreshë, të cilëve u kushtoi botimin e dytë të veprës, duke shkaktuar kështu zemërimin e Imzot Pasquale Guerini-t, që me atë rast lëshoi akuza të reja kundër fratit arbëresh. Kësaj here, ndryshe nga akuzat që cenonin integritetin moral të De Martinos, kritikat kundër tij kishin të bënin me përmbajtjen satirike të “poemës heroiko-komike”, që sipas arkipeshkvit komprometonte misionet katolike në Shqipëri. «Sidomos në këngën e tretë», shënonte Guerini, autori del «kundër Turqisë, në territorin e së cilës gjenden këto misione, si edhe kundër Austrisë, mbrojtëses së kultit në Shqipëri dhe mirëbërëses së misioneve dhe të Urdhrit Serafik. Poema pastaj mbaron me një thirrje për Pavarësi!!». Guerini së fundi thotë: «Si arbëresh që është le ta mbështetë sa të dojë “Shoqatën e Kombit Shqiptar” që është themeluar në Kalabri (Pallagorio di Catanzaro) e le të përkrahë sa të dojë kongresin gjuhësor arbëresh dhe letërsinë shqipe, mirëpo mund të dëmtojë misionet kur satirizon me përçmim Perandorinë Osmane dhe Austrinë, sepse poezitë e tij mund të bien në duart e të mëdhenjve të të dyja palëve».

Elementi i dytë ka të bëjë me futjen në shtojcën e vëllimit të përkthimit italisht të Vajit të bylbylit të Ndre Mjedës, çka e acaroi edhe më shumë Imzot Guerinin kundër fratit arbëresh. Në fakt, arkipeshkvi i Shkodrës në letrën e tij denoncuese nuk harroi të theksonte se De Martino kishte “përdorur” për qëllimet e tij «Vajin e bylbylit,shkruar shqip nga Andrea Mjedia i shoqërisë së Jezuitëve». Jo vetëm kaq, por De Martino e paskësh botuar përkthimin e tij «pa lejen e poetit shqiptar» dhe « ajo çka është më e rëndë, u përpoq t’i atribuonte poetit shqiptar një këngë simbolike sikur me vajin e bylbylit të aludonte për çlirimin e atdheut». Në mbështetje të interpretimit të tij Imzot Guerini linte të nënkuptohej se edhe Mjeda ishte në një mendje me të. Megjithëse letra e arkipeshkvit nuk na ka mbërritur e plotë, mund të hamendësojmë se do të ketë qenë pikërisht prelati i lartë që e ka shtyrë të mbante qëndrim të riun Mjeda, i cili asokohe ndiqte studimet në Kraljevicë të Kroacisë me një bursë që i ishte akorduar pikërisht nga Austria. Në fakt, dashur pa dashur Mjeda në datë 25 prill 1897 i dërgoi Imzot Guerinit një letër përulëse. Përveçse kundërshtoi instrumentalizimin që De Martino i kishte bërë poezisë së tij, Mjeda në fakt konfirmoi plotësisht akuzat e Imzot Guerinit, duke deklaruar se «dridhej kur shikonte se si një fetar, duke përdhosur karakterin e vet, jo vetëm e linte veten të binte kaq poshtë në punë kaq të largëta prej zanatit të tij», «por edhe guxonte të fyente me shpoti dhe sharje personazhe të nderuara, e të ngjallte mosbesim ndaj autoriteteve të larta kishtare». Me fjalë të tjera, poeti jezuit i përkrahu kërkesat e eprorit të tij, duke u gjunjëzuar kështu përpara pushtetit hierarkik deri në atë pikë sa të mohonte vlerën e poezisë së vet, të cilën më pas do ta rishikonte e ribotonte disa herë. Kështu Mjeda shkruan: «dhimbja ime u shtua shumë kur pashë të botuar në Shtojcën e vëllimit përkthimin e një poezie time shqipe, që, kur isha njëzet vjeçar, e shkrova si ushtrim letrar…». Na vjen të pyesim se sa e vështirë do të ketë qenë për ndërgjegjen e autorit të ri të poezisë së famshme kushtuar lirisë së popujve të mohonte vlerën simbolike dhe ideologjike të një prej krijimeve të veta më të bukura. Me siguri nuk do të ketë qenë e lehtë e me siguri Mjeda nuk mendonte vërtet se poezia e tij ishte thjesht një «ushtrim letrar», përndryshe nuk mund të shpjegohet pse më pas ai iu kthye disa herë tekstit të Vajit të bylbylit, duke na e lënë neve nderin dhe detyrën të rindërtojmë fazat e ndryshme të historisë së shkrimit të kësaj poezie.

Pjesa e fundit e fluturimit të dallëndyshes zhvillohet në muzgun e jetës së De Martinos. I tërhequr në kuvendin françeskan të Sarnos, frati arbëresh për një çerek shekulli do ta vijonte betejën e tij ideale në të mirë të çështjes shqiptare. Poezitë e tij, të shtypura sipas praktikës së kohës në fletë fluturuese, patën sukses të madh dhe sidomos qarkulluan në mjediset letrare më të rafinuara të Italisë. Disa prej tyre i kemi gjetur në bibliotekën private të Giosuè Carducci-t, me të cilin De Martino kishte lidhur një marrëdhënie miqësore, pasi i bashkonin, veç të tjerash, qëndrimet kundër politikës së Austrisë. Të tjera poezi i kemi gjetur në bibliotekën e kuvendit françeskan në Vigna di Venezia, ku frati arbëresh ishte i mikpritur dhe shkonte shpesh. Të tjera poezi i ka gjetur miku dhe kolegu Francesco Altimari, të cilin e falënderoj që m’i vuri në dispozicion, në bibliotekën e kuvendit të Sarnos, ku De Martino kaloi vitet e turbullta të shekullit të ri, duke shprehur gjithherë hapur pikëpamjet e veta prej intelektuali të lirë dhe fetari të devotshëm. Pikërisht në Sarno, në vitin 1923, përfundoi fluturimi i mundimshëm i dallëndyshes, duke na e lënë neve sot detyrën të rindërtojmë andrallat e jetës dhe sidomos të lidhim fillin e këputur të së vërtetës historike që ka mbetur e fshehur mes skutave të pluhurosura të arkivave dhe indiferencës së studiuesve.

Ndërkaq njërin skaj të atij filli të këputur e kemi gjetur te konstatimet largpamëse që Filip Fishta botoi në revistën Shkëndija në vitin 1940: «Nji nga dishiret kryesore qi e ka përcjellë [De Martinon] gjatë veprimit letrar e politik, ka qenë: Pavarësija e Shqipnis. Ai dritën e vêndit t’onë e lirin e tij e ka parapa nepër mjet rrugës së dijes». Të ritheksosh sot pas njëqind vjetësh se Leonardo De Martino ishte një promovues i madh i Rilindjes “së re” arbëresho-shqiptare dhe një nga frymëzuesit kryesorë të letërsisë bashkokohore shqiptare, mund të tingëllojë si e mirëqenë, madje banale. Në fakt, t’i përfshish këto merita në kontekstin historiko-politik kompleks të kohës, t’i vlerësosh ato në kuadrin e zgjedhjeve idealiste të një françeskani që vinte nga bota arbëreshe e Italisë së Jugut dhe, së fundi, t’i vendosësh ato në perspektivën e një analize të përshtatshme kritiko-letrare, kërkon një përpjekje hemeneutike të vështirë dhe të guximshme. Por këtë ia kemi borxh qoftë kujtimit të Leonardo De Martino-s, qoftë franceskanëve shqiptarë, të cilët janë rreshtuar gjithmonë historikisht në anën më të përparuar të procesit të emancipimit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve.

Exit mobile version