Kreu Arte pamore Massimo Scaringella: Identiteti dhe vitaliteti i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të...

Massimo Scaringella: Identiteti dhe vitaliteti i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit

Sado e gjerë të jetë një ngjarje kulturore, ajo kurrë nuk mund të pasqyrojë në mënyrë shteruese kërkimin krijues në zhvillim të vazhdueshëm. Por sigurisht ngjarje të tilla si Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit, e cila ekspozon 40 artistë nga 17 vende të ndryshme të botës, ku përpos pavijonit kombëtar të Shqipërisë, pjesë e saj janë edhe pavijonet kombëtare si: Amerika, Finlanda, Italia, Turqia, Kina, Kosova, Gjermania, Maqedonia e Veriut, Peruja, Zvicra, Tavjvani, Republika Dominikane, Suedia, Bregu i Fildishtë, Rumania dhe Argjentina të cilët falë kësaj larmie antropologjie kulturore ndërkombëtare mund të japin një ide për rrugën aktuale të artit bashkëkohor dhe gjallërinë e tij.

Në fakt, njohja dhe ndërveprimi me veprat e artistëve të një rëndësie të madhe, të cilët eksperimentojnë me shtigje të reja krijuese dhe mjete të reja për të kuptuar gjenialitetin e tyre, na ndihmon të njohim jo vetëm një çështje estetike, por sigurisht edhe një vlerë shoqërore dhe politike të lidhur me identitetin e veçantë të vendeve të origjinës. 

Me përzgjedhjen e tyre është dashur të nxjerrim në pah disa shtigje që zbulojnë jo vetëm tendenca të caktuara piktorike dhe mjedisore, por edhe disa kërkime të thelluara nga pikëpamja konceptuale dhe teknologjike. Nuk është rastësi që themeluesi dhe kuratori i këtij edicioni të parë të Bienales Ndëkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit Ph.D. Oltsen Gripshi ka kërkuar të hulumtoj, apo të ftoj artistët të interpretojnë temën: “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”, një qasje konceptuale e kuratorit Gripshi, që eksploron integrimin në rritje të inteligjencës artificiale (AI) në shoqëri, duke theksuar se si kjo teknologji po tjetërson mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Ku koncepti i “të ardhmes hibride” i referohet një të ardhmeje ku inteligjenca artificiale dhe inteligjenca njerëzore bashkëpunojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën, duke krijuar mundësi të reja dhe duke adresuar sfida të ndërlikuara të gjithanëshme. Sepse vetëm me eksplorimin brenda temave të ndryshme me të cilat shprehet arti bashkëkohor është e mundur të kuptohen realitetet e ndryshme krijuese në veprim, si pjesë e të jetuarit aktual brenda një vendi, edhe kur ai shfaqet përmes disa artistëve të cilët në raste dhe për motive të ndryshme, veprojnë jashtë kontekstit të tyre lokal, duke përbashkuar kështu kulturat e larmishme që kanë prekur e përjetuar përgjatë rrugëtimit të tyre si krijues.

Artistët që karakterizojnë këtë rrugë krijuese shikojnë të gjithë brenda origjinës dhe qenies së tyre, duke zgjedhur gjestin dhe formën ideale, mes përmasave për të kundërshtuar, ngjyrave për të ekspozuar, fjalëve për të sugjeruar dhe shenjave ëndërrimtare për të sublimuar. Një vizion dhe një koncept në të njëjtën kohë autentik dhe i natyrshëm, një kuptim i pastër në të cilin theksohet qendra e krijueshmërisë së formës. Në këtë mënyrë ata arrijnë edhe një herë misionin e artistit: atë të një fushëpamjeje gjithnjë e më të ashpër të realitetit në të cilin jetojnë. Legjitimiteti i tij jepet duke qenë gjithmonë një frymë e lirë në të cilën baza e mbijetesës estetike është kërkimi dhe jo rezultati praktik.

Për këtë arsye, artisti që e koncepton, rrezikon dhe supozon këtë realitet (ndonjëherë fizik) nuk i intereson kalimi i kohës. Prandaj, veprat e pranishme në këtë Bienale shënojnë një rrugë të mundshme në realitetin artistik bashkëkohor, duke u shfaqur së bashku me artistë të mirënjohur në nivel ndërkombëtar dhe disa artistë të rinj premtues që ngjallin shpresë për të ardhmen e tyre dhe të aftë për të prodhuar vepra të jashtëzakonshme për nga qasja konceptuale-filozofike dhe semiotike për nga përmbajtja e tyre.

Por dihet gjithashtu se ngjarjet artistike të këtij niveli kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për komunitetet që i presin ato, duke sjellë përfitime të shumta kulturore, sociale dhe ekonomike. Rritja e ndërgjegjësimit për çështjet sociale, historike dhe mjedisore, të trajtuara shpesh përmes veprave të artit. Për qytetin e Durrësit, por besoj për të gjithë Shqipërinë, shpresoj që kjo bienale të sjellë atë kontribut në njohjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore dhe artistike të një rajoni që ka histori shekullore duke stimuluar ardhjen e vizitorëve dhe turistëve.

Në përmbledhje për sa më sipër, një ngjarje artistike nuk është vetëm një festë e krijimtarisë dhe shprehjes njerëzore, por edhe një katalizator për zhvillimin kulturor, social dhe ekonomik të një komuniteti.

Exit mobile version