Struktura e librit dhe titulli
Stefan Çapaliku është një autor mjaft prodhimtar në letrat shqipe. I shquar në zhanrin e gjatë të romanit dhe i freskët e me një penë të ndjeshme, detajiste e plot humor në tregimin e shkurtër, nuk më kish qëlluar ta njihja më parë përmes poezisë, përveçse në lexime të rastësishme në rrjetet virtuale, sepse në fakt poezia është si një gji i cili milet rrallë, në do të japë qumësht cilësor. Ndaj këtë vëllim poetik e lexova me ëndje, ngadalë dhe e mbajta gjatë nëpër duar.
Ajo çka më intrigoi që në fillim ishte titulli.
Se çka në titullin e kësaj vepre që më grish,- thoja me vete- si emri i dikujt që s’të vjen në gojë, imazhi i të cilit endet hijeve të kujtesës.
Quhet “Camera obscura”.
Regjisori brenda meje projekton një imazh: “një puthje” e befasishme mes dy të panjohurish në një dhomë të errët ku asnjëri nuk arrin ta shquajë tjetrin, e megjithatë diç ngelet pas në atë terr: një aromë, një prekje, një ndjesi e jashtëbotshme që të eksiton e të paralizon njëherazi, një tërheqje misterioze për të zbuluar atë që është më e vështira të zbulohet: kush jam unë, kush jemi ne.
Projeksioni i përjetimit më evokon çastin e zhytjes në pakohësi, çastin kur instikti më nxit të marr një stilograf e të nis të shkruaj, çastin kur nis të kuptoj atë që kam ndjerë. A është ky çast krijues dhoma e errët ku projektohen kokëposhtë imazhet e humbura në humnerën e harresës? Një fijëz drite i bën të zgjohen dhe kujtesa i ravijëzon në një formë unike. A s’ është ky imazh i projektuar rikrijimi i vetes, i botës, ndonjëherë dhe i tjetrit? A mund të krijohet pakohësia me lëndë iluzore, të ujshme, të rrjedhshme?
Çfarë mund të thuhet për një vepër letrare nisur vetëm nga titulli i saj?
Shpesh emri ka veç lidhje arbitrare me të shenjuarin, por evokimi shpesh është jehona që bën një zë që “thërret në mal”.
Ja! Mua më evokon yin dhe yang, më krijon imazhin në lëvizje të vetë procesit krijues, një kroki të tij. 69 poezitë në brendësi më shpien te krijimi i imazhit fotografik, por 69 poezi mund të shihen edhe si një akt erotik me vetë jetën. Në mos me çastin? Atë fluidin. Të pakapshmin. Atë çast që nuk pozon përpara syve të përjetimit, por vazhdimisht përpiqet të të largohet, të arratiset, të flurohet. Po ty çfarë të evokon një titull?
Në këndvështrimin tim, titulli i përmbledhjes poetike është në fakt një metaforë e fuqishme që lidhet ngushtë me konceptimin arkitekturor të kësaj përmbledhjeje poetike dhe vetë procesin krijues. Termi “Camera obscura” është emërtim për një pajisje optike të lashtë, pararendëse e aparatit fotografik, ku një dritë që kalon përmes një vrime të vogël projekton një imazh të përmbysur në një sipërfaqe të brendshme të errët. Ky fenomen fizik shërben si simbol për mënyrën se si autori percepton dhe përpunon realitetin në poezinë e tij.
Libri përmban 69 poezi të organizuara në 10 cikle, një strukturë që mund të interpretohet si një seri “fotografish” poetike, secila duke kapur një aspekt të ndryshëm të jetës dhe ndjenjave njerëzore. Kjo ndarje në cikle i jep lexuesit mundësinë të përjetojë një udhëtim emocional dhe estetik përmes “imazheve” të ndryshme që autori ka “fotografuar” në mendjen dhe shpirtin e tij.
Simbolika e “Camera Obscura” në kontekstin e librit
Perceptimi i përmbysur i realitetit
Ashtu si në “camera obscura”, ku imazhet shfaqen të përmbysura, edhe poezitë e Çapalikut ofrojnë një këndvështrim të ndryshëm, shpesh të përmbysur, mbi realitetin e përditshëm. Ai eksploron qytetin dhe jetën urbane përmes një lenteje që zbulon detaje të fshehura dhe interpretime të reja. Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me një reference teknike, por me një metaforë të thellë. Ai fton lexuesin të hyjë në “dhomën e errët” të mendjes së tij, ku imazhet e jetës përmbysen, përpunohen dhe shndërrohen në poezi që sfidojnë perceptimet tona të zakonshme.
Fiksimi i momenteve të përditshme
Ashtu si një aparat fotografik që kap momente të caktuara, poezitë në këtë përmbledhje janë përpjekje për të fiksuar çaste të veçanta të jetës urbane dhe emocioneve njerëzore. Autori përshkruan veten si një “kalimtar i vetmuar” që “lundron në ferrin urban” dhe zbulon qytetin në natyrshmërinë dhe origjinalitetin e tij. Në një intervistë të tij dhënë për “Albania Letteraria” Çapaliku pohon:
“Kam hartu nji libër duke dashtë me i ngjasu atij kalimtarit të vetmuem që zbulon, përndjek, lundron në ferrin urban dhe që e zbulon qytetin si nji peizazh vesesh epshore. E di se të fotografosh njerëzit do të thotë t’i dhunosh ata… prandaj personazhet e mia nuk i kam vu kurrë që të marrin pozë. Kësisoj kam fiksu energjinë e pakontrollueme, dinamikat e lëvizjes dhe shpesh edhe situatat e tyne karikatureske.”
Paul Claudel thotë se poezia nuk është e përbërë nga shkronjat, por nga drita që mbetet në letër.
Drita e një poezie është të mbrujturit me kuptim, të zgjimit të një emocioni, të arritjes së një gjendjeje frymëzimi. Ndaj që ta vlerësosh, siç e meriton, një poezi të Çapalikut, të duhet pak kohë për të perceptuar çfarë skutash shpirtërore ndriçoi një poezi e tillë tek ti si lexues i saj.
Miti dhe realiteti
Autori përdor mitin dhe realitetin për të ndërtuar një narrativë që sfidon perceptimet tradicionale.
Gjithashtu ai vetë nuk end veç vargje, ai fotografon, koreografon, regjison imazhe, ndjesi, pikëtakime botërash në bebëzat e syve të tij herë të trishtuar, herë nostalgjik, herë të frikësuar nga zbrazja, harrimi, moskuptimi, tëhuajëzimi. Kjo qasje postmoderne, kjo mënyrë unike e të parit të botës përmes përvojave personale është ajo që ndikon si strukturën, por dhe temat e “Camera Obscura”.
Struktura ciklore
Siç e përmendëm më lart, “Camera Obscura” përbëhet nga 10 cikle poetike: 1. pasqyrat e të rrëfyerit; 2. reportazhe; 3. libri i shpisë; 4. e papërlyeme; 5. ditë kryepreme; 6. nostalgjitë e skamjes; 7. ndalim kalimi; 8. tabela e njerëzve të humbun; 9. në emën të nanës; 10. post scriptum. Ajo çka të bie menjëherë në sy në të gjithë librin është mospërdorimi i shkronjës së madhe. Autori na flet me “fjalë të vogla”, na do me “fjalë të vogla”. Edhe emrin e tij nuk do ta veçojë nga fotografia e madhe ku bëjnë pjesë gjithë njerëzit e kohës së tij, e qytetit të tij, sepse ai është një nga ata, ndaj dhe atë e shkruan me shkronja të vogla, si të jetë veç një emër i përgjithshëm. Numri i poezive në secilin cikël varion sipas ciklit, kurse poezia që emërton të gjithë përmbledhjen bën pjesë në ciklin e shtatë dhe ka formën e një poeme postmoderne të konceptuar në dhjetë pjesë.
Në këtë përsjatje do ndalem veç në disa poezi, aq sa besoj do mjaftonte për t’i dhënë lexuesit me eks një ekstrakt shijeje.
Poezia “nji trup”, poezia që hap librin, paraqet një eksplorim të ndërlikuar të marrëdhënies ndërmjet ndjeshmërisë, identitetit dhe trupit si mjet mbrojtës apo ekspozues. Kjo poezi është një shpërthim i heshtur i brendshëm, një kërkesë për siguri në një botë që prek, që gjykon. Me fjalë të thjeshta, por thellësi filozofike, poeti trajton nevojën e një njeriu për të krijuar një version të vetes që mund të përballojë një botë që shpesh është brutale ndaj ndjeshmërisë. Kjo është një kërkesë për mbijetesë në një realitet që nuk e duron brishtësinë. Subjekti lirik kërkon një trup “prej fijesh të çelikta inkadeshente që digjen” –një formë e përkryer për të jetuar pa u thyer, pa u lënduar, pa u ekspozuar. Ai shpreh qartë pasigurinë e njeriut modern në përballje me botën, duke e bërë këtë poezi një rrëfim universal për ndjeshmërinë dhe vetëmbrojtjen.
Poezia “fjalët” është një reflektim i thellë mbi raportin me gjuhën, fuqinë dhe pafuqinë e fjalëve, me një ton të errët, të dhimbshëm dhe filozofik. Poezia flet për shtypjen e së vërtetës, për dhimbjen e fjalëve të pazëshme që rrinë brenda nesh. Leximi i kësaj poezie të ndjek gjatë me mendimin: çfarë fjale nuk kemi thënë dot, e na djeg ende brenda?
Ëndrra si mjet për të shpalosur absurditetin, dhunën dhe groteskun e përditshmërisë njerëzore përdoret për të ndërtuar një rrëfim të fuqishëm në poezinë “andrroj”. Përmes një gjuhe vizuale e ironike, ajo ndërton një realitet të përmbysur që synon të provokojë ndërgjegjen. Poeti “andërron” një botë që përmbyset – jo nga dëshira për shkatërrim, por për të shkundur apatinë e përditshmërisë. Ëndrrat janë të forta, groteske, plot dhunë simbolike: karrige që fluturojnë, xhama që thyhen, kasapë, rruspa që shembin farmaci. Ato reflektojnë një realitet të shtrembëruar ku dhuna, absurdi dhe indiferenca janë bërë të zakonshme. Në fund, ai thotë se vetëm pas një ëndrre të tillë “mund të zgjohet ma i mirë dhe falenderues” – pra, ëndrra shërben si tronditje për t’i rikthyer ndjeshmërinë, vëmendjen dhe njerëzinë vetes.
“nuk i duroj dhomat pa orë muri
më duket vetja i humbun
pa kohë”
(Poezia “pa orë” fq. 10)
Ndjesia e humbjes së vetvetes në realitetin bashkëkohor që rrjedh prej ankthit ekzistencial të mungesës e matjes konkrete të kohës jepet në këto vargje të poezisë “pa orë”. Ky meditim modern mbi përjetimin e kohës përmes vargjesh që përshkruajnë çaste të përditshmërisë (të cilat nisin të bëhen të paqarta, duke krijuar poetikisht idenë e zhvendosjes së rutinës, “ide të përplasme me dëshira / brenga me pamundësi,”), paraqet idenë se kujtesa është e gënjeshtërt dhe e manipulueshme, por janë kujtimet, secili prej tyre ato që na bëjnë të harrohemi për t’u rigjetur. Detaje të tjera të kësaj poezie janë vërtet interesante dhe brenda korpusit tematik të shpeshtrajtuar në forma të ndryshme në veprën e Çapalikut, atë të tranzicionit, por që në këtë poezi vjen përmes detajeve: orë muri- si simbol i përditshmërisë dhe i kontrollit të ritmit jetësor; stacioni pa orë– si simbolikë e një vendi tranzit, e një vendi të ngrirë në kohë; alarmi- si një aludim për presionin e kohës në shoqërinë moderne, ku çdo çast është i kontrolluar.
Pra, një poezi reflektuese, moderne, që flet me zë të heshtur për një krizë të përbashkët.
Poezinë “dikush si unë” e lexova si një përsiatje të fuqishme mbi individualitetin dhe përvojën njerëzore të përbashkët, që flet për dhimbjen, ankthin, krijimin dhe mbijetesën. Poezia shpreh ndjesinë se, sado unike të jetë përvoja e secilit, në thelb dhimbja, ankthi dhe kërkimi për kuptim janë të përbashkëta. Një poezi introspektive, filozofike dhe jashtëzakonisht njerëzore.
Një vend tjetër tranzit, kalimtar, për të cilat ndalet poeti të meditojë janë dhe dhomat e hoteleve. Këto hapësira të përkohshme të jetës ruajnë heshturazi histori personale, emocione dhe kujtime. Në to njeriu përballet me versione të ndryshme të vetvetes.
Dhomat e hoteleve simbolizojnë hapësira të përkohshme të jetës, por aty mund të ngjizen reflektime të forta: ato janë “vende ideale për vetëvrasje”, thotë poeti, një metaforë për momente të rënduara shpirtërisht, kur njeriu përballet me boshllëkun e vet e për ta shmangur dhimbjen e ndal kohën: “kam pritë që të mos vinte ma e nesërmja”, “kam qenë aty i papranishëm”.
E thjeshtë në formë, por e thellë në ndjesi poezia “dhomat e hoteleve” flet me ndjeshmëri për kujtimet si pasqyra të vetes, flet për rritjen, ndryshimin, dhimbjen dhe dëshirën për kuptim në jetën e përditshme. Në shumicën e poezive të kësaj përmbledhjeje ironia është e heshtur, por ka raste kur ajo këlthet e kalon në sarkazëm të hidhur: “kam lënë të paprekun hera herës botën time sakate/ me sy drejt tavanit kam vizitu edenin tim” (fq. 16)
Ndjenjën e një pezmi historik, ndjenjën e fajit ndaj shekullit të kaluar ndërthurur me nota të larta kritike e autokritike e gjejmë në poezinë “në vizën e vogël”. Kjo poezi është një reflektim i thellë filozofik dhe emocional mbi jetën njerëzore, historinë dhe përjetësinë e përmbledhur në një simbol të thjeshtë – viza që ndan datëlindjen nga data e vdekjes në një varr. Kritikat ndaj shekullit të ri, degjenerimin moral, social apo shpirtëror, kritika ndaj relativitetit (me shprehjen “relative qenkan gjithçka” poeti ironizon mënyrën si shoqëria moderne justifikon gjithçka, edhe dëshirat për të qenë hero apo viktimë), e bëjnë këtë poezi një testament poetik, një koncentrat jetësh, ku poetit i mjafton një vizë për të rikujtuar gjithçka që ndodhi, që nuk ndodhi, që do donte të ndodhte. Një poezi që fton për reflektim të thellë, jo vetëm mbi jetën personale, por edhe mbi mënyrën se si kolektivisht ndërtojmë një epokë. Nëse shohim vetëm plagët e kohës, do ndjejmë vetëm dhimbje, por po të kërkojmë me ngulm, do gjejmë ende dashuri, ndjeshmëri dhe hir edhe brenda një epoke të trazuar.
Po dua të ndahem me ty lexues të këtij shkrimi duke thënë dy fjalë për një poezi që e kam lexuar disa herë e në të gjitha rastet më ka prek e më ka bërë të lotoj. Është poezia “krahni” pjesë e ciklit të nëntë poetik “në emën të nanës”. Si edhe poezitë e tjera simotra të këtij cikli, edhe poezia “krahni” është një përzierje e bukur mes thjeshtësisë dhe ndjenjës së thellë, ku intimiteti i kujtesës bëhet prehje për shpirtin. Por kjo poezi është dhe një reflektim i dhembshëm mbi humbjen e nënës, thjeshtësinë e largimit dhe kujtesën që venitet me kohën, bashkë me sendet që humbin nga pakujdesia jonë për t’i ruajtur, për pendesën, fajin, nostalgjinë:
“dikush duhet t’i kish ruejtë sendet e saj
unë ma së pari
ç’ishte ky moskujdes
e tash kanë mbetë krejt pak
nji bluzë sa me i marrë aromë
disa çikërrima
dhe nji krahën i vogël
nuk di pse
po sa herë që du
të bahem burrë
krehem me të
vetëm sa për të ndi
gishtat e saj
në kry”
(poezia “krahni” fq.150)
Nuk di të them a të lexuan ty këto vargje, por për veten di me siguri të them se vargu “ç’ish ky moskujdes” ka për të më ndjekur gjatë, shumë gjatë.
Gjuha dhe stili
Përdorimi i gegënishtes e bën poezinë e Çapalikut më personale, më të gjallë dhe të afërt emocionalisht, madje shpesh disa fjalë, si për shembull fjala “andrroj”, më përçon një ndjesi të brendshme, intime, që nuk mund të ma sjellë aq thellësisht bukur fjala në standard.
Imazhet surrealiste ndërtuar prej detajeve të gjalla me fjalë të vogla të gjuhës së përditshme krijojnë shpesh figura të forta e të trazuara, si: “vallë rrethore qensh”, “kasapi me duer të përgjakuna”, që shërbejnë për ta tronditur lexuesin, apo si në rastin në fjalë dhe për ta vënë përballë realitetit të dhunshëm, të pandjeshëm.
Poeti përdor vargun e shkurtër e të lirë, pa një rimë klasike, çka e bën poezinë të ndjekë ritmin e brendshëm të ndjenjës. Përsëritja e vargjeve ose e disa koncepteve kyçe, që nëse do ndaleshim më gjatë, do të zbërthenin gjithë ngrehinën poetike të librit, imponojnë ritmin, rrjedhimisht algoritmin e përshfaqjeve tona si njerëz që lexohemi, kur lexojmë e kemi në dorë të bëhemi dëshmitar okularë të ekzistencës së përjetësisë edhe brenda një çasti, edhe brenda një shkrepjeje poetike.
(shtator 2025)