Kreu Letërsi Shënime mbi libra Mark Simoni: Vërtet, ku shkojnë këto gra?

Mark Simoni: Vërtet, ku shkojnë këto gra?

Shënime rreth vëllimit me tregime “Ku shkojnë këto gra të çuditshme?” të prozatores Zoica Gjolla Popi, botim i MUZGU-t

Kur mbyll librin me tregime të Zoica Gjolla Popi patjetër që e ndjenë se ke dalë nga një univers ngjarjesh impresionante, nga një rrebesh historishë dhe përsonazhesh tipikë, nga furtunë dramash dhe elektricitet subjektesh. Por ndjenë njëkohësisht se si aureolë të rri shija e këndshme e një libri të veçantë dhe interesant, një letërsi intensive, e rrëfyer me shumë kujdes, me rafinitura e filigrame.

Targeti i letërsisë së këtyre prozave patjetër që është portreti i femrës, punuar me shumë delikatesë, me një fjalor që i shkon shumë përshtat kësaj qenje fine, dhe ato duken si fajanca, tepër fragile, plot mister dhe ndjesi, rrethuar shpesh nga një jetë mondane, si miledi të traditës, me banesa plot statuja dhe piktura, me shumë hare dhe muzikë, siç ka dhe paralele të tjera që vijnë nga mizerabiliteti, me ndodhi tragjike dhe ekzistenciale, që luhen në katet e errëta të shoqërive.

Zoica hyn në rezonancën e përsonazheve, ndjenë frekuencat e shpirtit të tyre, është prezent shumë pranë dramave që ato përjetojnë, vuan me to, jeton jetën e tyre në jetën e saj.

Te “Miqtë e heshtjes” është antipodi i zonjës arrogante të shtëpisë dhe Edës, puntore e përvuajtur dhe dinjitoze. Jo pa qëllim autorja shëtit në gjithë tregimin takat e rënda dhe agresive të pasunares, që portretizojnë karakterin e saj të vrazhdë, dhunues dhe arrogant. Luksi i rëndë i shtëpisë së saj ia shtojënë akoma më tepër potencën e arrogancës.

Krejt ndryshe karakterialisht është një zonjë tjetër, në një banesë po tjetër, dhe me një sjellje krejt ndrysh ndaj Mirelës, ndihmëses së shtëpisë. Ana është me shumë botë, pikturon, ka një stil aristokratik të të jetuari, dashuron me shumë finesë dhe emocion, i shërben me fisnikri Kristos së saj të sëmurë, don si sytë e ballit Vjolën e saj të brishtë e shumë të butë. Pikturon vazhdimisht dhe kjo i jep dimension estetik karakterit të saj si përsonazh.

Regjistri i të shkruarit të kësaj autoreje, në tregimin “Melodi të pa harruara” zbret një kat më poshtë,  atje ku ka njerëz me halle dhe me probleme ekzistenciale, ku ka ca dhimbje e ngushtica, por ku ka po ashtu dhe hare e muzikë, ku jetojnë ngusht me shtëpi por të lirë në shpirt, ku ka edhe një plakë Selaniku që numron plot inatë këpucët e refugjatëve të cilët i ka futur me qera, por dhe një emigrante shumë të ndjeshme që i sajdis e dorovit muzikantët e vobegtë siç është Nina e mirë, që pret një beb të vogël, dhe kujdeset dhe për Lilën, ciganen e bukur që vjen pas muzikantëve që nga atdheu i tyre i largët.

Prozatorja Zoica Gjolla Popi i ka dhënë shumë vend përshkrimeve të detajuara të ambienteve, çka na tregon se kjo autore ka shumë shije. Mure me piktura, parqe me statueta dhe skulptura, shatërvane me imitacione, parqe me vepra arti, gra të veshura me shumë shije, ku Zoica i shkruan detaj për detaj si një stiliste, na e bëjnë skenën e ngjarjeve shumë pikturike, imazhiniste, filmike dhe na përfshijnë dhe ne si lexues në dimensionin e tyre.

Gjeografia e ngjarjeve është e gjërë dhe dinamike, duke kaluar sa në një vend në tjetrin. Teatri i ngjarjes tashmë shpërnguklet në Milano, në tregimin “Një natë pa gjumë”.  Prozatorja e ka shkruar me shumë dhimbje dhe shqetësim këtë tregim, ku në qendër janë rrëfimet rrënqethëse të një grupi kosovarësh, që punojnë në emigracion, vetëm e vetëm për të ndihmuar financiarisht luftën. Në qendër është një i ri që ka brenda vetes edhe dhimbjen e madhe të vrasjes së të vëllait e xhaxhait, por edhe revoltën, edhe filozofinë e lirisë, edhe dashurinë dhe malli për shenjtërinë e vendit të tij.

Droni projektor i kësaj Zoica Gjolla Popi lëviz pa rreshtur sa në një hapsirë në tjetrën. Në tregimin “Një ngjarje e papritur” skena është Kallamata. Një grua e re shtatzënë, Keti që shëtit mëngjeseve parkut së bashku me një çift të moshuarish, sulmohen nga një motorrist për tu grabitur. Tregimi ka shumë ankth, gjendje të ngrira dhe suspansi dhe mbyllet jo vetëm me ndalimin e motorristit, por dhe me një përfundim krejt të papritur.

Edhe tregimi “Ndërmjet dashurive” e ngre perden e skenës në një park tjetër, por tashmë pak më tutje, në Selanik. Personazhi kryesor, një nuse e re takon Jorgon, një zotëri i mbajtur, por i rënë nga vakti i një dashurie të kahershme e shumë interesante, karakter kaubojsi dhe ca sarahosh. Tregimi mbahet pikërisht në rrëfimin e gjatë të Jorgos, të bukur e të ndërlikuar të kësaj historie të veçantë dashurie.

Pothuaj i gjithë ky libër me tregime është i përshkuar nga drama të forta, përplasje karakteresh dhe interesash, keqkuptime, kapërthime ndjesishë, densitet energjishë njerëzore që shpërfaqen në ndodhi të mprehta dhe të rrezikshme. Në këto proza ka shumë ngjarje të ngjeshura, që përbëjnë dhe nuklin e mundësisë që këto tregime më vonë të zgjerohen, për të na dhënë vepra më të gjëra, më gjithëpërfshirëse, më imponuese me historitë e tyre interesante. Ndoshta proza “Jeto kohën Tea” është një mundësi befasuese dhe fatlume për tu trajtuar në të ardhmen edhe si një novelë më e zgjeruar, mbasi në subjektin e saj ka shumë energji, skena sugjestive, përsonazhe impenjativ, ritëm ndodhishë dhe dinamikë ndjesishë. I gjithë tregimi është odisea, kalvari dhe aventura e jetës së kësaj vajze të brishtë e të pafajshme, që merret peng nga ingranazhet e ashpër të një shoqërie të vrazhdë e maskiliste. Ngjarjet nisin me detajet e një dashurie dhe mbyllen me situata shumë të papritura.

Megjithëse  Zoica Gjolla Popi duket se ka në letërsinë e këtij libri tema që janë të familjarizuara me lexuesin, por kjo autore përdor magjinë e të shkruarit dhe trajtimin krejt ndryshe të subjekteve, ka një stil tjetër nga çfarë jemi mësuar të lexojmë zakonisht, fut në përdorim psikologjinë e përsonazheve, përdor me shumë sukses filozofinë e gjërave dhe ngjarjeve, ndërton profile interesante karakteriale të përsonazheve.

Dhe çka është më e bukura për lexuesin e këtij libri, mbasi ai rri i gozhduar nga ngjarjet dhe mbanë frymën pezull se si po përfundojnë situatat, zgjidhjen fantastike ia jep kjo prozatore tashmë e maturuar. Të gjithë tregimet kanë një  Happy End, (fund të lumtur), sepse Zoica Gjolla Popi është një njeri shumë dashamirëse dhe pozitivitetin e saj ndjehet që e ka patologji, që pa tjetër ndikon shumë dhe në letërsinë që ajo shkruan.

Exit mobile version