Kreu Opinion Marius Dobrescu: Për shume vjet, Maestro!

Marius Dobrescu: Për shume vjet, Maestro!

Takimi im me veprën e Ismailit është një histori e gjatë. Pasi erdha në Bukuresht si student i Fakultetit të Historisë – isha pra në vitin e parë, na thirrën te Ministria e Punëve të Jashtme, mua dhe Filip Teodoreskun (i cili ka qenë dhe ambasador i Rumanisë në Tiranë në fund të viteve ‘90), për të na dërguar në Tiranë, ku të vazhdojmë studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe. Në atë kohë MPJ kishte nevojë për specialistë në disa gjuhë të huaja, shqipja duke qenë njëra prej tyre. Kam pasur kolegë të fakultetit të cilët në të njëjtin vit kanë vajtur shumë larg në Azi: në Vietnam, Korene e Veriut, Mongoli, ose më afër, në Bullgari. Ne të dy patëm fat: Shqipëria ishte, nga ana gjeografike, një vend europian, megjithëse pushteti komunist nuk ishte larg diktaturave aziatike. Në qershor të vitit 1971, duke zbritur nga avioni në aeroportin e Rinasit, para nesh hapej një botë e panjohur dhe mjaft misterioze. Ishte bota shqiptare. Ashtu që vazhdova në Tiranë, për katër vjet, Fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku, midis të tjerëve, patëm si profesor Ismail Kadarenë, i cili jepte mësime mbi letërsinë perëndimore bashkëkohore. Duke e njohur personalisht dhe duke i studiuar librat e periudhës së parë, ata të viteve ‘70, u dashurova me krijimtarinë e tij, ashtu që në fund të studimeve tema e diplomes sime – me profesor Ali Xhikun – ishte mbi rezistencën e popullit shqiptar gjatë shekujve të pasqyruar në romanet e Kadaresë. Pasi i dhashë të gjitha provimet u ktheva në Rumani me një valixhe të mbushur me libra. Këtu vazhdova leximin e romaneve të tij dhe pata korrespondencë me të, ashtu që pas 12 vjetësh e mora përsipër ta përkthej romanin e parë, “Kronikë në gur” (1983), i cili u prit me entuziazëm nga publiku rumun. Ishte romani i dytë i Ismailit në gjuhën rumune, pas “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, varianti i Foqion Miçaços, qe doli në vitin 1973. Që nga viti 1983, kur doli nga shtypi libri im i parë, kam përkthyer në gjuhen rumune gati 30 vellime të Ismailit, me mbi 50 vepra te ndryshme, pa përmendur vjershat dhe dramatizimet pas romaneve të tij. Dihet se ai nuk është një shkrimtar komercial. Se vepra e tij i drejtohet një lexuesi të kulturuar, ndaj edhe nuk ka një numër shumë të madh lexuesish. Por keta janë njerëz specialë, te kulturuar, pasi vetëm ata mund ta kuptojnë metaforikën dhe filozofinë e tij.

Puna në ambientin e letërsise shqipe më është bërë një natyrë e dytë, ashtu që përveç Kadaresë jam marrë me veprat e shkrimtarëve të tjerë. Por Kadare është patjeter shkrimtari përfaqësues i letërsisë shqipe. Ambasadori më i mirë i kësaj letërsie, me siguri ambasadori më i mirë i Shqipërisë në botë. Dhe unë krenohem me veprën dhe miqësinë e tij. E di se pas Shqipërisë dhe Francës, Rumania është në vend të tretë të botimeve të këtij shkrimtari.

Për të konkluduar, mund të them se puna ime në lëmin e letërsisë shqipe, kryesisht me veprën e Ismail Kadaresë, më solli shumë kënaqesi. Shpirtërisht ne radhë të parë. Jam krenar të them, pra, se kënaqesia ime më e madhe është ajo e vitit 2012, kur prezidenti shqiptar Bujar Nishani më ofroi Medalien e Mirënjohjes, e cila kurorëzon një karrierë prej 38 vitesh pune të kushtuar letërsisë dhe kulturës shqiptare në Rumani.

Në këtë fillim të vitit 2021 mund t’i them mikut tim Ismail Kadare vetem disa fjale: Për shumë vjet, Maestro, me shëndet dhe fuqi krijuese! 

Exit mobile version