Vitet e fundit, libraritë, mësuesit, prindërit dhe botuesit në Shqipëri kanë vënë në dukje një prirje gjithnjë e më të fortë: një pjesë e të rinjve, veçanërisht adoleshentët, parapëlqejnë t’i blejnë dhe t’i lexojnë librat në anglisht, madje edhe kur ekziston përkthimi i tyre në shqip.
Këtë e vumë re edhe gjatë anketimit tonë mbi zakonet e leximit të fëmijëve dhe të rinjve. Megjithëse pyetësori nuk përmbante një pyetje të drejtpërdrejtë për gjuhën në të cilën lexonin, përgjigjet e nxënësve e sollën vetvetiu në vëmendje. Pyetjes sa libra kishin lexuar gjatë muajit apo vitit dhe cilët ishin titujt, disa i janë përgjigjur: “Kam lexuar X libra, por në anglisht”, ose i kanë shkruar titujt e librave në anglisht.
Anketimi konfirmoi edhe një dukuri tjetër, më shqetësuese: ftohjen, largimin e adoleshentëve nga libri. Gati 60% e të anketuarve deklarojnë se lexojnë mesatarisht vetëm tri-katër libra në vit. Disa përgjigje ishin më të drejtpërdrejta: “Nuk lexoj as librat e shkollës”, “S’kam kohë”, “Pse, ç’më duhen?”, “Ta shpifin”, “Shoh Tik-tok”. Doemos, ka adoleshentë që vazhdojnë të lexojnë rreth 10-12 libra në vit që është një shifër e mirë. Mes tyre, janë aq të shumtë ata që lexojnë në anglisht, sa të krijohet përshtypja se bëhet fjalë për një lloj “mode”.
Sidoqoftë, përvoja e librarive të Tiranës e konfirmon këtë prirje. Sipas përfaqësuesit të njërës prej tyre, libri në shqip për fëmijë për grupmosha 6-10 vjeç shitet rreth tri herë më shumë se libri në gjuhë të huaj, kurse për adoleshentët, situata ndryshon. Ata kërkojnë shpesh botimet në anglisht (e dinë shumë mirë anglishten), sidomos titujt e rinj ende të papërkthyer. Por librari në fjalë, sjell si shembuj edhe disa autorë, librat e të cilëve blihen në anglisht jo vetëm përpara përkthimit, por edhe pas daljes së botimeve shqip.
Një tjetër librar vlerëson se rreth një e treta e adoleshentëve i parapëlqejnë librat në anglisht, nëse i gjejnë në shitje.
Edhe botuesit e vërejnë rënien e interesit për librin pas moshës 12-vjeçare. “Grupmoshat më të interesuara janë moshat e vogla, nga 1 deri në 12 vjeç. Pas kësaj moshe interesimi bie thuajse në 50%”, shprehet një botuese, duke vënë në dukje se përjashtim bëjnë kryesisht titujt me njohje dhe promovim të fortë ndërkombëtar”.
Një tjetër botues, vëren se “tirazhet janë ulur mesatarisht 20-30% për grupmoshën 6-10 vjeç, por gjatë dy-tri viteve të fundit, ndërsa për grupmoshën 11-16 vjeç rënia në disa raste ka kaluar mbi 50%”.
Këto dëshmi nuk mjaftojnë për të përcaktuar përmasat e fenomenit në gjithë vendin, por tregojnë se tregu i librit për adoleshentë po përballet njëkohësisht me rënien e leximit dhe konkurrencën e botimeve në anglisht.
Pse të rinjtë zgjedhin anglishten?
Kjo prirje nuk është karakteristike vetëm për Shqipërinë. Ajo vërehet edhe në vende të tjera evropiane ku njohja e anglishtes është e përhapur dhe tregu kombëtar i librit është relativisht i kufizuar. Holanda është një shembull domethënës. Sipas të dhënave të vitit 2023, rreth një e treta e të rinjve holandezë të moshës 16-25 vjeç deklarojnë se parapëlqejnë të lexojnë në anglisht. Ndër arsyet kryesore përmenden dëshira për ta lexuar librin në origjinal (39%), përmirësimi i anglishtes (32%), pakënaqësia me cilësinë ose natyrshmërinë e disa përkthimeve në holandisht (32%) dhe oferta më e gjerë e librave në gjuhë të huaj (29%).
Zgjedhja e anglishtes, pra, nuk nënkupton domosdoshmërisht refuzimin e gjuhës amtare. Ajo lidhet me njohjen e gjuhës, disponueshmërinë e titujve dhe dëshirën për të marrë pjesë në të njëjtin diskutim kulturor me bashkëmoshatarët në vende të tjera. Një rol me shumë peshë luajnë rrjetet sociale, veçanërisht BookTok-u dhe Instagram-i. Në shkollat e përfshira në anketimin tonë, rreth 25% e të rinjve shprehen se i ndjekin rekomandimet e librave në këto platforma. Ndërkaq, një element nuk duhet nënvlerësuar: lexuesit janë të kënaqur që e zbulojnë dhe e zgjedhin vetë librin, jo si detyrë nga shkolla apo si kërkesë e prindërve. Në adoleshencë, kur dëshira për pavarësi bëhet më e fortë, kjo mënyrë e zgjedhjes mund të jetë vendimtare për ruajtjen e interesit ndaj leximit. Një nxënës, duke folur për një titull të rekomanduar nga shkolla, u shpreh: “Këtë libër e lexova me qejf, megjithëse ma kishte dhënë për lexim mësuesja e letërsisë”. Fjala “megjithëse” në këtë përgjigje, është mjaft domethënëse.
Të lexosh një libër në gjuhën në të cilën është shkruar është një përvojë e veçantë. Lexuesi ka mundësi të ndiejë drejtpërdrejt ritmin e fjalisë, ironinë, lojën gjuhësore, atë që zakonisht e quajmë “zëri” i shkrimtarit. Por diskutimit “A është më mirë të lexojmë në origjinal apo në përkthim?” mund t’i përgjigjemi me një diskutim më të vlefshëm: në cilën gjuhë jemi vërtet në gjendje ta lexojmë letërsinë? Të njohësh mirë një gjuhë nuk do të thotë domosdoshmërisht të zotërosh të gjitha regjistrat e saj letrarë. Mund të flasësh anglisht rrjedhshëm, të shohësh filma pa titra dhe përsëri të mos kapësh të gjitha nënkuptimet, referencat kulturore apo ngarkesat emocionale të një teksti.
Ne, si botues, ndeshemi jo rrallë me njerëz që janë të bindur se mund të përkthejnë letërsi vetëm sepse e njohin mirë një gjuhë të huaj. Por përkthimi letrar kërkon shumë më tepër: ndjeshmëri ndaj stilit, njohje të kulturës, aftësi për të dalluar ironinë, dialektin dhe kuptimet e shumëfishta të fjalëve. Kjo vlen edhe për lexuesin. Një adoleshent mund ta kuptojë rrjedhën e një romani në anglisht, të ndjekë ngjarjet, të kuptojë dialogun, por jo domosdoshmërisht të gjitha shtresat kuptimore të gjuhës.
Ekziston edhe një dallim që shpesh anashkalohet. Kur një i ri shqiptar lexon një shkrimtar britanik ose amerikan në anglisht, fjala vjen Jk Rowling, Sally Rooney etj. (megjithëse ia vlen të themi se janë përkthyer më së miri në shqip), ai është duke lexuar origjinalin. Por kur lexon Murakamin, Kunderën, Dostojevskin apo Elena Ferranten në anglisht, në fakt, po lexon një përkthim në vend të një përkthimi tjetër.
Në këtë rast, çështja nuk është më besnikëria ndaj origjinalit (përkthehet keq, e kuptoj më mirë në anglisht), por pse përkthimi në anglisht perceptohet si më prestigjioz ose më i dëshirueshëm se përkthimi në shqip.
Përkthyesi dhe shkrimtari Edmond Tupja ka shprehur prej kohësh shqetësimin për varfërimin e shqipes, humbjen e fjalëve dhe ndikimin e pakontrolluar të gjuhëve të huaja në ligjërimin publik. Ai nuk i referohet posaçërisht leximit të romaneve në anglisht. Megjithatë, shqetësimi i tij na çon te një pyetje: çfarë ndodh me një gjuhë që ka pak folës, krahasuar me gjuhë të tjera, kur brezat e rinj fillojnë të lexojnë gjithnjë e më shumë në një gjuhë tjetër?
Studimet nuk provojnë se ekspozimi ndaj anglishtes shkakton automatikisht dobësimin e gjuhës amtare. Kërkimet në Islandë, p.sh., ku anglishtja është tejet e pranishme në jetën e të rinjve, nuk kanë vërejtur një përkeqësim të përgjithshëm të islandishtes, si rrjedhojë e kontaktit me anglishten.
Por studiuesit tërheqin vëmendjen ndaj një fenomeni tjetër, të njohur në sociolinguistikë si domain loss, ose humbje e fushave të përdorimit. Një gjuhë mund të vazhdojë të flitet në familje dhe në jetën e përditshme, por gradualisht të humbasë terren në shkencë, teknologji, universitet, argëtim dhe kulturë. Leximi është një nga këto fusha. Përmes letërsisë njohim mënyra të ndryshme për të shprehur ndjenjat, mendimet abstrakte, ironinë, humorin dhe marrëdhëniet njerëzore. Nëse një pjesë gjithnjë e më e madhe e kësaj përvoje zhvillohet vetëm në anglisht, ekziston mundësia që një i ri të zotërojë disa regjistra të gjuhës dhe disa koncepte më mirë në anglisht sesa në shqip.
Kjo nuk do të thotë se shqipja rrezikon të zhduket. Por rreziku, i padukshëm në sipërfaqe, është i thellë dhe lidhet mengushtimin e përdorimeve të saj si gjuhë e leximit, e dijes, e punës në institucione, e imagjinatës, ndërsa mbetet e gjallë në komunikimin e përditshëm. Duket sikur brezat e rinj, që në shkollë të mesme, kanë një synim të qartë: të përgatiten për një treg tjetër pune, jashtë vendit.
Leximi në anglisht ka edhe pasoja të mundshme ekonomike. Një shtëpi botuese blen të drejtat e një romani, paguan përkthimin, redaktimin, shtypjen dhe promovimin. Por nëse libri është bërë ndërkohë i njohur në BookTok, një pjesë e lexuesve të tij të mundshëm mund ta ketë blerë tashmë botimin në anglisht dhe botuesi të tërhiqet. Kështu krijohet një rreth vicioz: më pak shitje të përkthimeve mund të sjellin më pak mundësi për botime të reja, një ofertë më të kufizuar në shqip dhe, si pasojë, një orientim edhe më të madh të lexuesve drejt anglishtes.
Ky mekanizëm duhet verifikuar me të dhëna konkrete për tregun shqiptar, por nuk mund të shpërfillet. Ka edhe një pasojë tjetër kulturore. Nëse zgjedhjet e të rinjve ndikohen pothuajse vetëm nga titujt që bëhen viralë në tregun anglo-amerikan, mund të zvogëlohet kontakti me letërsinë franceze, italiane, gjermane, polake, holandeze, nordike, ballkanike dhe me tradita të tjera letrare. Kështu, mbizotërimi i anglishtes mund të ndikojë jo vetëm mbi gjuhën në të cilën lexojmë, por edhe mbi shumëllojshmërinë e letërsisë që njohim.
Folëm kryesisht për zgjedhjet e lexuesve. Por përgjegjësia nuk mund t’u lihet vetëm atyre. Nuk mund t’i kërkojmë një pesëmbëdhjetëvjeçari të lexojë shqip, thjesht sepse duhet të mbrojë gjuhën amtare. Ai do të zgjedhë librin që i zgjon kureshtjen, që e emocionon dhe që flet për botën e tij. Prandaj duhet të pyesim: çfarë i ofrojmë ne atij në shqip?
Përkthimi cilësor i letërsisë botërore është i domosdoshëm. Ai sjell në gjuhën tonë vepra, koncepte dhe përvoja kulturore që e pasurojnë shqipen. Por një kulturë letrare e shëndetshme ka nevojë edhe për letërsi origjinale të fortë.
Në Shqipëri, pas një periudhe të gjatë kur krijimtaria bashkëkohore për fëmijë ishte pak a shumë e kufizuar, vitet e fundit vërehet një interes më i madh për këtë fushë. Autorë të rinj po i drejtohen letërsisë për fëmijë, po i kushtojnë më shumë vëmendje ilustrimit dhe disa botues po investojnë në krijimtarinë e autorëve vendas. Ky është një zhvillim inkurajues. Një libër i shkruar në shqip mund t’i ofrojë fëmijës personazhe, mjedise dhe marrëdhënie që burojnë natyrshëm nga realiteti i tij. Fëmija nuk ka nevojë vetëm ta zbulojë botën përmes librave; ka nevojë që, herë pas here, ta gjejë edhe veten brenda tyre. Por nëse për fëmijët e vegjël oferta po pasurohet, letërsia origjinale shqiptare për adoleshentë mbetet shumë më pak e lëvruar.
Një adoleshent që kërkon një roman për miqësinë, dashurinë e parë, konfliktet familjare, shkollën, vetminë, ankthin, identitetin apo teknologjinë, nëse nuk gjen libra të mirë për këto tema në shqip, është e natyrshme që t’i kërkojë në një gjuhë tjetër. Nuk është “fajtore” anglishtja që zë hapësirën bosh. Hapësirën ia lëmë ne.
***
Nëse një vend dëshiron ta ruajë dhe ta zhvillojë gjuhën e vet, politikat gjuhësore nuk mund të kufizohen vetëm te drejtshkrimi, shkolla dhe përdorimi zyrtar i gjuhës, sado që edhe këto janë lënë në mëshirë të fatit. Ajo duhet të jetë edhe politikë e librit dhe e leximit.
Vendet e Europës, të vogla e të mëdha, sjellin modele të mira. Institucionet e tyre nuk synojnë thjesht mbrojtjen formale të gjuhës. Ndërtojnë një mjedis kulturor që krijon libra dhe lexues në atë gjuhë. Edhe në Shqipëri nevojiten politika të qëndrueshme: mbështetje për krijimtarinë origjinale për fëmijë dhe adoleshentë (jo 2-3 grante modeste në vit) , konkurse serioze dorëshkrimesh, mbështetje për autorët dhe ilustruesit, financim për redaktimin profesional, blerje të organizuara të librave cilësorë për bibliotekat shkollore dhe publike, festivale letrare dhe takime të autorëve me lexuesit.
Por nuk mjafton të subvencionosh një libër vetëm sepse është shkruar në shqip, ai duhet të jetë cilësor, të ketë një paraqitje tërheqëse dhe të komunikojë me lexuesin e sotëm. Një gjuhë me pak folës nuk mund të konkurrojë me anglishten në numrin e titujve që prodhon. Por mund të konkurrojë në cilësi, në afërsi kulturore dhe në aftësinë për t’u ofruar fëmijëve e të rinjve histori që flasin për jetën e tyre.
Prandaj, është e udhës të diskutojmë nëse të rinjve po u japim mjaftueshëm arsye për të lexuar në shqip? Përgjigjja varet nga cilësia e librave që botojmë, nga letërsia që krijojmë dhe nga vendi që i japim leximit në jetën kulturore të vendit. Anglishtja nuk ka pse të jetë kundërshtarja e shqipes. Por shqipja duhet të ketë forcën kulturore për të qëndruar përkrah saj.



