Më 14 maj 2025 në Madrid u prezantua libri ¨E pabesueshme por e vërtetë¨ të përkthyer në gjuhën spanjolle. Në event ishte e pranishme edhe përkthyesja e librit, e cila bëri këtë vlerësim për librin.
Fati -ose më saktë një rastësi e papritur- e çon, gjatë vitit akademik 1955-1956 kur ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç, një student të shkëlqyer nga Korça, në shkollën prestigjioze dhe të pestën më të vjetër të kinemasë në botë, FAMU-n e Pragës, djepin e Valës së Re Çekosllovake dhe nënën shpirtërore të kineastëve si Jiří Menzel, Jaromír Šofr apo Miloš Forman. Por, prishja e marrëdhënieve të regjimit të Enver Hoxhës me Bashkimin Sovjetik dhe të ashtuquajturin “bllok socialist”, i dha fund, në korrik të vitit 1961, aventurës çekosllovake të Piro Milkanit, duke e detyruar të kthehet në atdhe, ku, pavarësisht gjithçkaje, do të bëhet një kineast i frytshëm dhe I dalluar, – si kameraman, skenarist dhe, mbi të gjitha, regjisor— i tridhjetë e gjashtë filmave artistikë. Pikërisht kësaj ëndrre të realizuar i përmbahet, në rrëfimin e tij jetësor të shkëlqyer, kineasti Piro Milkani, në librin e tij ¨E pabesueshme por e vërtetë¨,sepse, në udhëtimin e tij me fat, e pabesueshmja, në rastin e tij, përfundoi duke qenë e vërtetë.
Magjia që Praga e Artë, kryeqyteti i atëhershëm i Çekosllovakisë, ushtron mbi të riun korçar shpaloset në kapitujt që i kushtohen aventurave dhe shëtitjeve të tij studentore, të cilat, ndonëse nuk ishin aq të jashtëzakonshme në mjedisin universitar çek, e aq më pak në rrethet artistike të Pragës, do të kishin qenë objekt censure, në mos ndëshkimi të rreptë, në Shqipërinë zyrtare puritane. Nuk ka krahasim të mundshëm midis metropoleve si Praga apo Moska e asaj kohe dhe Tiranës provinciale e të zbehtë, ku siç rrëfen Kadare në ¨Mëngjeset në kafe Rostand¨: «… lajmi se gratë dhe vajzat e reja të kryeqytetit jo vetëm që uleshin pa ndrojtje nëpër kafenetë e Tiranës, por madje guxonin të porosisnin edhe një konjak, ndoshta do ta kishte alarmuar diktatorin po aq sa një zbarkim i trupave të NATO-s. Kështu, kronika e pakësimit të kafeneve pas vitit 1945, ishte pjesë e një drame të thellë».
Në të njëjtën dramë, si jetësore ashtu edhe dashurore, përfshihen të gjithë studentët universitarë që u detyruan të kthehen në Shqipëri në verën e vitit 1961.
Por, fatlumin Piro Milkani e caktojnë të punojë në kinoestudjon «Shqipëria e re», ku, pavarësisht «kontrolleve» të njëpasnjëshme, nëpërmjet tre filtrave, le të themi, teknikë, që çdo film duhej të kalonte në vetë studiot kinematografike, dhe tre të tjerë me natyrë ideologjiko-propagandistike, të kryera nga Ministria e Kulturës, komiteti rajonal i partisë dhe vetë Byroja Politike e Partisë së Punës së Shqipërisë… ai përfundon duke u bërë një kineast i njohur dhe duke merituar titullin Artist i Popullit.
Artist i Popullit… dhe pastaj? A do të thotë kjo se regjimi i Enver Hoxhës i jep atij, me këtë titull, lirinë krijuese, mundësinë për të anashkaluar parimet e ndryshueshme të asaj që regjimi e konsideronte, sipas kohës dhe rrethanave, si rregulla të pandryshueshme të realizmit socialist?
Enigma, nëse ka qenë ndonjëherë e tillë, zbulohet në kapitullin «Një klient i zakonshëm», ku kamarierja e kafenesë në Vlorë e vendos atë, ashtu si gjashtë filtrat që duhet të kalojnë filmat e tij, në vendin që i takon: «Pak durim, shoku! Si gjithë klientët e tjerë, duhet të presësh radhën».
«Durim, durim, shokë!, sepse krijuesit rebelë, apo ata që e teprojnë, akuzohen për propagandë subversive dhe përfundojnë ose në burg, ose iu mbyllet goja dhe dënohen me izolim.».
«Pak durim, Milkani!», më shumë se një çerek shekulli, për të qenë të saktë. Dhe kjo, sepse kineasti ynë i guximshëm sapo vjen, siç shkruannë atë kapitull, nga xhirimet —as më pak e as më shumë— të një stërvitjeje të përbashkët detare sovjeto-shqiptare! me nëndetëse, anije luftarake, ngarkesa në thellësi, avionë reaktivë dhe gjuajtës të vërtetë, nën asistencën e oficerëve të shtabit të përgjithshëm të flotës detare dhe asaj ajrore, që regjimi vuri në dispozicion të bashkëregjizorëve Milkani dhe Çashku për të xhiruar, në vitin 1979, filmin Ballë për ballë, me skenar të Ismail Kadaresë, bazuar në romanin e tij ¨Dimri i madh¨, mbi dramën e ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike.
Pas xhirimeve, Piro mbërrin në kafenenë e Vlorës, i entuziazmuar, duke u ndier si një pasardhës i Napoleonit, por përplaset me realitetin e ashpër: «Pak durim, shoku!»; po ai durimi që iu desh të tregonte edhe skenaristi dhe autori i romanit, Ismail Kadare. Botimi i parë, në vitin 1973, iu nënshtrua një shqyrtimi të pamëshirshëm dhe rebelimi krijues i Kadaresë për pak sa nuk i kushtoi shtrenjtë, aq sa deri në vitin 1977 nuk doli nga shtypi një botim i dytë, i shoqëruar nga një paralajmërim i vetë autorit, ku ai siguronte se romani, tashmë me titullin më të shkurtuar ¨Dimri i madh¨, ishte ripunuar duke marrë parasysh sugjerimet e lexuesve (dhe jo, sigurisht, censurën e regjimit dhe të vetë Byrosë Politike).
Janë një mori mundimesh të kësaj natyre që i fshehin krijuesit më të njohur shqiptar, në prapaskenë, por megjithatë, Piro Milkani, në vend që t’i bashkohet korit të krijuesve që sot rrëfehen si kundërshtarë të zjarrtë të regjimit enverist, kur disidenca e tyre hipotetike nuk ka ekzistuar kurrë (vetë Kadare, përkundër pohimeve perëndimore, është lodhur duke përsëritur qindra herë se ai kurrë nuk ka qenë disident)… në vend të kësaj, Piro Milkani preferon të tregojë mirënjohje për fatin e tij të mirë, për pasionin e tij për kinemanë dhe për përjetimet e tij personale, epiqendra e të cilave sillet, si në ikjen e tij (në shkollën e filmit), ashtu edhe në kthimin e tij (si ambasador i Shqipërisë), rreth Pragës së Artë.
Në këtë rast, përkthyesja përballet me një fakt paradigmatik, pasi vështirësia nuk qëndron në atë që thotë teksti shqip (përkthyesja pohon se, zakonisht, shqipja përkthehet mirë në spanjisht), sepse, siç thuhet në hyrje, talenti rrëfimtar i Milkanit e lehtëson përkthimin; vështirësia e vërtetë qëndron në atë që nuk thuhet në tekstin shqip, në atë që fshihet pas çdo aventure, në ato çelësa që lexuesi shqiptar dhe, me shumë gjasë, ai i vendeve të ish-«kampit socialist» i deshifrojnë me lehtësi, por që për botën perëndimore mbeten të padukshme, për shkak të formave të ndryshme shtypëse që kanë ndjekur «diktaturat tona», edhe pse qëllimi dhe rezultati përfundimtar kanë qenë të njëjtë. Të padukshme verbërisht (përsëritja është e qëllimshme), aq sa të mos shihet se, për shembull, një mori filmash amerikanë (perëndimorë, të Luftës së Dytë Botërore, të gjyqeve apo të të drejtave qytetare) përputhen për mrekulli me normat e realizmit socialist.
Prandaj, përkthyesja, në këtë rast (jo më kot ka jetuar dy diktatura, atë frankiste dhe atë enveriste), sheh përtej tekstit (çka ilustrohet më sipër me rastin e Dimrit të madh të Kadaresë), sheh në prapaskenë dhe merr pjesë në shfaqjen e një rrëfimi filmik të pamundur për t’u xhiruar në Kinostudjon «Shqipëria e re».
Kështu pra, po flasim për një kineast, për një kineast shqiptar për më tepër, dhe meqë një imazh filmik, e aq më tepër një sekuencë, vlen më shumë se një mijë fjalë, më lejoni të lexoj rrëfimin e përmendur të Milkanit ndërsa shfaqim sekuencën e stërvitjeve detare nga filmi ¨Ballë për ballë¨:
¨Për xhirimet e ¨Ballë për ballë¨ na u vu në dispozicion i gjithë arsenali ushtarak i mundshëm dhe dy këshilltarë ushtarakë¨, tregon Milkami.. Episodi më i rëndësishëm dhe pa dyshim më i vështiri ishte ai i «Stërvitjeve të përbashkëta». Pasi u siguruam që të gjitha mjetet detare kishin mbërritur në bazën e Pasha Limanit nga bazat e Shëngjinit dhe Durrësit, vendosëm të fillonim xhirimet të nesërmen, në orën dy të mëngjesit.
Shkuam të gjithë në portin e Vlorës dhe hipëm në një anije që na çoi në ishullin e Sazanit. Kishim me vete edhe dy kamera shtesë. E ndamë punën. Kujtim Çashku, bashkëregjizor, do të qëndronte poshtë, në det, me dy kameramanë, ndërsa unë duhej të ngjitesha në majë të kodrës së Sazanit për të filmuar nga lart manovrat e pafundme të anijeve ushtarake — katër dragamina, të quajtura ndryshe silurë.
Rreth orës dhjetë filluan xhirimet e sekuencës së parë, pasi urdhërat e dhëna me radio kishin arritur të vendosnin në pozicion të gjitha mjetet detare; lëvizje anijesh, shpërthime në thellësi që ngrinin kolona uji, perde tymi dhe ndryshim i shpejtë drejtimi i katër silurëve.
Duhej të qëndroja në majë të kodrës, i rrethuar nga oficerë të shtabeve të përgjithshme të flotës detare dhe të aviacionit. Ndryshe nga ata, unë komandoja kamerën që ndodhej disa metra më tej dhe për këtë arsye më duhej të bërtisja me sa fuqi kisha. Pak më vonë, një oficer i Shtabit të Përgjithshëm të aviacionit më pyeti:
—Shoku regjisor, a t’u japim urdhër të ngrihen avionët reaktivë nga Qyteti Stalin?
—Sa kohë u duhet të mbërrijnë këtu? — i thashë.
—Vetëm një çerek ore.
Shikova orën në dorë dhe iu përgjigja:
—Le të presim edhe pak!
Në atë çast më erdhi ndër mend beteja e Vaterlosë dhe i thashë vetes:
«Ç’është Napoleoni në Vaterlo, krahasuar me ne?! Kam nën komandën time më shumë anije dhe avionë se ai!»
U fryva si një gjel deti, ndonëse e mbajta veten.
Pas katër a pesë orësh xhirimesh, kishim filmuar skenat më të mira për filmin e ardhshëm. Zbritëm dhe u kthyem të lumtur në Vlorë. Nga lodhja dhe emocionet e xhirimeve, nuk më shkoi as ndër mend të haja gjë, por një kafe do të më qetësonte. Në kafenenë e madhe të hotelit të ri “Turizmi”, e mbushur plot me klientë, gjeta një tryezë bosh. Kisha mbetur pa zë nga të bërtiturat. Një kamariere kaloi shpejt pranë tryezës sime dhe i kërkova një kafe. Më bëri me shenjë se më kishte dëgjuar. Pak më vonë kaloi me një tabaka plot me filxhanë kafeje. Por jo për mua. Kur kaloi për herë të tretë, mendova se më kishte harruar.
—Pak durim, shoku! Si gjithë klientët e tjerë, duhet të presësh radhën.
Në atë çast e kuptova. Nuk isha Napoleoni, por një klient i zakonshëm.
Premiera e filmit ishte me të vërtetë një ngjarje e rrallë. Gjysma e spektatorëve që donin të merrnin pjesë në premierë mbetën jashtë Pallatit të Kulturës, ndërsa Kadareja na tha mua dhe Kujtim Çashkut:
—Filmi shkëlqen si një diamant mbi sfondin e kadifesë së zezë.
Një vit më vonë, në Festivalin e Tetë të Filmit Shqiptar, fitoi kupën e festivalit¨.
Soto de Agues, 9 maj 2025