Kreu Arte pamore Lucia Nadin: Personifikimi i Shkodrës në Pallatin Dukal të Venedikut

Lucia Nadin: Personifikimi i Shkodrës në Pallatin Dukal të Venedikut

Gjendemi në Venedik, “në zemër” të Pallatit Dukal, në Sallën e Këshillit të Lartë, aty ku mblidheshin magjistratura më e lartë venedikase, prej së cilës i përkiste e drejta për të hartuar ligje dhe për të caktuar gjithë detyrat më të rëndësishme të Shtetit.

Foto 01

Në tavanin hijerëndë, i veshur i gjithi në ar dhe stolisje, mbizotërojnë, në pjesën qendrore dhe në ato anësore, imazhe të Venedikut Mbretëror, Venedikut Sovran, Venedikut Triumfues, Venedikut Hyjnor: një përkujtim që iu besua, midis 1578-s dhe 1585-s, piktorëve më në zë të kohës, së cilëve u ishte lënë për detyrë t’i rikthenin shkëlqimin një vendi që ishte shkatërruar prej një zjarri shkatërrimtar që ndodhi në dhjetor të 1577-s, ku humbën vepra tejet të çmuara të mjeshtrave të mëdhenj të artit venedikas. Ikonografët që iu dha detyra të gatisnin planin kompozicional, ishin Giromalo de’ Bardi dhe Francesco Sansovino. [1] (foto 01)

Pikërisht në të dyja anët e poshtme të “Apoteoza e Venedikut”, në të majtë e në të djathtë, janë piktuar nga Paolo Veronese dy ngjarje thelbësore në historinë e betejave shumëshekullore midis Serenissima-s dhe Turqve: sulmi i udhëhequr nga Pietro Mocenigo për zotërimin e Smirne-s më 1471-in në Egje dhe mbrojtja e Shkodrës në veri të Shqipërisë e ushëhequr nga Antonio Loredan më 1474-n: këto dy momente beteje për të përparuar kundrejt ottomanëve në jug-lindje të Evropës ishin përkujtim i dy betejave të cilat historia që u shkrua më pas, siç edhe dihet, nuk i njohu, kjo për shkak të humbjes së të dyja fortesave; por në aparatin madhështor frymonte miti i të qenit të pavdekshëm, e kësisoj duheshin ndjellë vetëm aksionet heroike dhe fitimtare. Kështu ndodhi me rastin e Shkodrës nën protektoratin venedikas prej 1396-s: në rrethimin e parë, të sprapsuar, vazhdoi një katër-vjeçar i dytë dhe po aq legjendare ishte qëndresa e një grushti burrash të udhëhequr nga Antonio da Lezze kundër një lumi sulmesh: por udhëheqja e kapedanit venedikas nuk i përngjau asaj të Loredan-it, tashmë dihej se Venediku donte t’i jepte fund një lufte sfilitëse që cenonte interesat e saj tregtare dhe të arrinte një marrëveshje paqeje me Turqit, një paqe që çonte në dorëzimin e qytetit: i cili ndodhi në fillimet e 1479-s. Për udhëheqjen e Da Lezze-s së fundmi rëndonin rezerva dhe akuza të vërteta, aq sa iu bë një  gjyq në Venedik dhe iu ndalua hyrja në tokat në Istria dhe më vonë në Padovano. [2]

Pra, duhet të ketë qenë rrethimi i parë i Shkodrës, ai i 1474-s, dhe jo i dyti i 1478-s që u shtua në horizontet mitike të lavdive venedikase dhe që gjeti vend në emfazën ringjallëse të pikturave në Pallatin Dukal dhe faqja përkujtuese që e thënë të mbetej emblematike në shekujt pasues, aq sa të rimerrej sërish në shek. XIX, në prag të Dyzet e tetës, në pikturën historike të njëfarë  Vincenzo Giacomelli, ku metafora e Venedikut dhe Shqipërisë kundër Turqve do të hijesojë Venedikun, i cili donte të shkëputej nga sundimi austriak.  

Kjo ngjarje historike u bë pjesë e legjendares që në fillim, e rimarrë prej një letërsie “popullore” këngësh në rima tetëshe, për më tepër anonime, të cilat rrëfenin dhe komentonin bëmat luftarake e Shtetit Detar, për më tepër kur ata ishin në marshim dhe ku Shkodra u lartësua, si mburojë e çdo të krishteri, si shpatë madhështore/ prej kraharorit të grua beqare/ tek e cila mishërohet Rezina detare. [3] Madhështore ishin në Venedik kremtimet në përfundim të rrethimit të 1474-s dhe, në kujtim të asj ngjarjeje të paharrueshme, qe porositur të thurej një flamur kërmëz me armën e Komunitetit. [4]

Në pikturën e Pallatit Dukal, tërthorazi, duheshin lartësuar edhe ndërrmarrje fisnike të një familjeje patricësh, atë të familjes Loredan, e cila përgjatë Katërqindës kish nxjerrë prej degëve të saj anëtarë që kanë mbuluar detyra më shumë rëndësi në qytetit e Shtetit Detar dhe kanë marrë pjesë në luftra kundër Turqve, [5] dhe në Pesëqindën panë të ngrihej në detyrën më të lartë të shtetit Leonardo dhe Pietro: i pari pasoi si dogj Agostino Barbarigo-n, i dha fund një konflikti dhjetëvjeçar me turqit duke nënshkruar paqen ne 1504-n, një paqe e paracaktuar t’i jepte një frymë shkëmbimeve tregtare midis Venedikut dhe Portës së madhe; i dyti kishte qenë dogj nga 1567-a deri më 1570-n, pikërisht në vitet e acarimit të shkëmbimeve mes të dyja palëve për shkak të dëshirës së Selimit II për të patur Qipron, dhe kjo në vitet që bien pranë me pikturat përkujtimore të Pallatit Dukal.

Ja tek dhamë një sfond të asaj tabloje në tavanin e Sallës së Këshillit të Lartë: Paolo Veronese-s iu dha detyra të jepte në pikturë të gjitha ngjarjet e 1474-s: ja pra në sfond, lart në të majtë, tek gjendet kështjella e Shkodrës aneqark së cilës ka nisur sulmi armik: në majë valëvitet një flamur i kuq me figuracione në ngjyrë ari, të padeshifrueshme, por që me gjasë lidhen me Shkodrën (mos ndoshta shqiponja e artë në sfondin e kuq?), ku mbizotëron stema e familjes Loredan. Më poshtë vihet re një kompleks urban, në të cilin shfaqen nga njëra anë një ndërtesë, me kolonadë uniforme që na shfaq një aparat monumental  dhe nga tjetra një kompleks me ndërtesa fetare. Janë të një rëndësie të veçantë ato me të cilat kërkon të karakterizohet Shkodra: qytet me origjinë antike, qytet madhështie dhe fuqie ku shfaqen ato pjesë urbane në të cilat duken se shquhet edhe një kolonadë; qytet me besim të fortë fetar katolik të cilin e dëshmon kambana e madhe që nxjerr krye mbi kompleksin me struktura fetare. Në rrafshinën poshtë shquhen fushime turke me gjysmë hënën mbi tenda. Në qendër, në plan të parë, skena kyçe: një figurë fisnike femërore, që ka pas shpatullave një njeri fetar, në një akt rrëmbimi, dhe një personazh autoritar mbi kal, me një shpatë të madhe dhe me përkrenare të stolisur në pjesën e parme me një diamant të çmuar, i tërhequr në akt sulmi kundrejt atij që ka zënë gruan. Mustaqet që të bien në sy, duket se mbartin një konotacion turk. Krejt në të djathtë kuajt e vënë me shpinë në dyluftim me kuajt turq, të shaluar prej ushtarësh të cilët kapelat me kindin e gjatë nga pas, me sa duket i përcakton të jenë jeniçerë. Në rrafsh të tablosë gjenden trupa në dyluftim, trupa lakuriq e të ngatërruar me njëri-tjetrin. Fusha qendrore e tablosë zotërohet prej një lisi hijerëndë. (foto 02)

Foto 02

Tabloja synonte të përfaqësonte kësisoj rrethimin që kishte zënë ngushtë Shkodrën më 1474-n dhe dhunën e sulmuesve mbi një grua shkodrane; asokohe thuhej kapedan ishte Antonio Loredan-i, saje veprimeve të së cilit shumëfishohet roli i Serenissima-s në mbrojtje të tokave dhe qyteteve që ishin pjesë e commonwealth-it të tij. Sipër tablosë, shkrimi i Giuseppe Gradenigo-s sintetizon faktin:

Scodra bellico omni apparatu diu vehementerque a Turcis oppugnata, acerrima propugnatione retinetur.

 Te udhërrëfyesi klasic Guida di Venezia i Giulio Lorenzetti-t lexojmë, si titull të tablosë: Antonio Loredan-i mbron dhe çliron Shkodrën nga sulmi i Mehmetit II (1474). Një titull edhe i dykuptimtë, edhe që të shpie në rrugë të gabuar, sepse na shtyn të identifikojmë te personazhi autoritar i mësipërm Loredan-in, me përkrenare dhe mustaqe që bien në sy, dhe jo një kapedan turk.    

Për leximin e tablosë na vijnë në ndihmë edhe skicat parapërgatitëse të Paolo Veronese-n, në një vizatim të ruajtur në Ashmolean të Oxford-it, tek i cili deduktohet projektimi: Veronese ka studiuar faqe të ndryshme të shtypura mbi episodin dhe në veçanti pozicionin e figurës femërore midis një lëmshi kuajsh dhe trupash në dyluftim. (fig. 03)

Fig 03

Në këtë mënyrë, duke analizuar tablonë, duhet t’i kushtojmë vëmendje figurës femërore të vendosur në qendër për të marrë mbi vete një vlerë më të thellë alegorike dhe për të mbërritur te një pohim që jo vetëm duhej paraqitur një grua e çfarëdoshme shkodrane, me gjasë një skllave e re e armikut, por që gruaja fisnike me rroba plot finesë është personifikimi i vetë qytetit të Shkodrës, duke kujtuar madje se në disa salla të Pallatit Dukal, pranë një Venediku ‘opima domina’  në pozat më të larmishme, ishin paraqitur për kohën vasha më pak të kolme, por gjithnjë me linjat “fine dhe fisnike”, të cilat ishin pikërisht personifikime të qytetit dhe të zotërimeve të tij.

Personifikimi i qyteteve është një instrument retorik antik, i cili i kapërcen shekuj kulture perëndimore (por edhe orientale), nga oratoria greke te letërsia agustiane dhe e antikitetit të vonë, për të mbërritur te Mesjeta dhe kultura humaniste, nga fusha e shkrimit tek ajo e arteve dhe e traditës ikonografike: përdorimi i propozopesë pati mijëra aspekte, me përdorim në fusha kulturore nga më të ndryshmet, ka sunduar në përshkrime antropomorfe qytetesh dhe visesh, i ka dhënë zë përdorimit patetik apo ideologjik të viseve dhe qyteteve dhe, kësisoj, për të cekur vetëm ndonjë shembull mes një mostre të shfarosur, janë lumenjtë ata që paraqiten me konotacione mashkullore tejet pjellorë’ ose janë Korinti dhe Athina dy sytë e bregdetit që Asdrubale dëshiron të pushtojë, ashtu siç janë Modoni dhe Koroni për Serenissima-s sytë në Gjirin “e saj” të Adriatikut; ose Europa që është pjesë e mitit alegorik si një vashë e rrëmbyer nga Zeusi; ose është gjithnjë Europa in forma Virginis te kartografia e Heinrich Bunting-ut. Dhe ende mund të ekzistojë një vis ku kemi mveshur ndjenjat njerëzore: kështu që Mëmëdheu duhet ngushëlluar për shkatërrimin që pëson si të ishte njeri: contabescit urbs (po rrënohet qyteti); ose qan dhe ankohet për rrënimin e tij, ashtu si Roma e grabitur më 1527-n; ose është një pellg i Carso-s, te Ungaretti, që dien molisje.[6]

 Këtu na interesojnë qytetet të paraqitura përgjatë shekujve në tiparet femërore e për të cilat po japim disa shembuj.

Antiockia (çift roman statujash helenistike që u janë njohur si të tilla skulptorit Eutidik)  (foto 04)

Kostandinopoja kurorëzon Konstandinin (xhevahir i Shek. IV p.K.) (foto 05)

Foto 05

Roma si vashë e kurorëzuar, e ulur në fron te Tabula Peutingeriana: kopje mesjetare e një harte rrugore të Shek. IV p.K.  (foto 06)

Foto 06

Afrika me një bukuri trallisëse në një mozaik te Villa del Casale në Piazza Armerina, Sicili, fillimshek. IV sec. p.K. (foto 07)

Foto 07

Për sa i përket Venedikut, prozopopea me qëllime ideologjike ka njohur në kohë realizime nga më të larmirshmet, nga ato mesjetare deri tek ato të Rilindjes dhe të Shtatëqindës: edhe për këtë rast, vetëm nga një shembull.    

Venediku në fron midis dy kryeengjëjsh: Jacobello del Fiore, Gallerie dell’Accademia di Venezia, fillimshek. XIV (foto 08)

Foto 08

Venediku pranon nderimet e Neptunit (Giambattista Tiepolo, 1740-45 afërsisht, Pallati Dukal, Salla e katër portave, detaj) (foto 09)

Foto 09

 Në të njëjtin tavan të Sallës së Këshillit të Lartë mjafton imazhi i Apoteoza e Venedikut, te vezakja poshtë së cilës gjendet ndarja që lidhet me Shkodrën, nga Paolo Caliari i quajtur ndryshe Veronese (foto 010).

Foto 010

Në Sallën e Senatit, Jacopo Palma I Riu, portretizon dogjin Francesco Venier tek i paraqet Venedikut qytetet subjekte (foto 011).

Në sallën Scrutinio, Gregorio Lazzarini na shfaq Morenë si një vashë me këmbët në Venedik (foto 012).

Foto 012

Në Padova, sot në hyrje të Pallatit Bashkiak, gjendet qyteti i Padova-s, Provinca “më e hershe” e Venedikut që është paraqitur në skulpturën e Giambattista Albanese.  [7] (foto 013)

Kthehemi te Rrethimi i Shkodrës në tablonë e Paolo Veronese-s: është e dukshme, për sa është argumentuar gjer më tani, që tabloja nuk flet për një grua të zakonshme shkodrane, por për vetë personifikimin e qytetit të Shkodrës dhe të familjes së dogjëve Loredan, arma e të cilëve është vendosur në gur, e cila “ndërvepron” me një “provincë”/Shqipëria e cila ishte një çelës për interesat e Shtetit Detar gejr në mësymjen osmane (interesa të cilat, megjithatë, vazhduan përgjatë gjithë kohës që ekzistoi Serenissima).

Ja tek kemi pozicionin e gruas/qytetit/Shkodrës në mbrojtje dhe mohim ndaj të huajit (gjesti i dorës e shpërfaq mjaft mirë këtë refuzim), veshja e saj që mbaron me kushmash të qëndrisur me ar është e kushtueshme , një stolisje kjo që rimerret te kapela me qindin që bie përgjatë qafës; është e mbushur me perla te byrzylyku, te gjerdani, te vathët; postura e saj është fisnike dhe fine. Flokët e mbledhur janë atributi tradicional i matronës: dhe matronatus, dihet, bëhet njësh me antiquitas  madje edhe me sapientia. (foto  0 14 , 0 14 a, 0 14 b)

Në shpatullat e sulmuesit nëpërduket profili i një njeriu të fesë, jo pa shkak i veshur me një lis të madh (015 shih foto 0 2)

Foto 016

Lisi, simbol i shenjtërisë në përfaqësimet artistike të çdo kohe, zotëron sfondin qendror të tablosë.. [8] (016 shih foto 0 2 )

Imazhi i Shkodrës “mbrojtës i Krishterimit” ka një referim të dytë: te pema në qendër të skenës dhe te kompleksi fetar i qytetit, i cili gjendet përballë Kështjellës.  (foto 0 17, detaj) 

Foto 017

Kësisoj prozopopea e Shkodrës është maturuar në laboratorin imponues mitografik që Venediku krijoi si shkak i vetëkremtimit të Shtetit të vet dhe të Qeverisjes së Mirë; tabloja e Paolo Veronese-s duhej të jepte një imazh të prestigjit të qytetit shqiptar bashkëfolës i Venedikut me Mesjetën e mesme dhe të vonë, dhe i vensoste kësisoj bëmat e veta heroike në grupin e faqeve të famshme që rrëfejnë artin perëndimor.

Sigurisht që nga këndvështrimi i Shkodrës, historia ishte krejt ndryshe dhe shqiponja e praruar në flamurin e vet (e paraqitur edhe te kundër-porta te Statutet e Shkodrës) tregonte për lidhjet e saj me Bizantin, pa harruar bëmat më të hershme të Maqedonisë dhe të Epirit, të Olimpiadës, të Aleksandrit të Madh, të Molosit.  Fatkeqësisht, asgjë nuk ka mbetur nga tradita artistike e Shkodrës para-osmane: do më pëlqente të mendoja se, e bërë pjesë siç edhe ishte në shtratin e kulturës evropiane dhe mesdhetare, edhe tek ajo mund të kenë qenë të pranishme konfigurime të qytetit , siç ishte e plotë me një histori të famshme, të pasur, – po aq, – me tradita figurative pikërisht prej Perëndimit të krishterë.    Nëse personifikimet përfshinë tërësisht imazhe simbolike jo vetëm si ato të Venedikut, – Drejtësia ose Venediku, – Luani Marshues, por edhe imazhe fetare si ajo e Venedikut – Virgjëra Mari, është e ligjshme të hamendësojmë se edhe në Shkodër pranë simboleve të pushtetit që ndjellin perandorinë Bizantine po aq sa Shkodra – Shqiponja e praruar mund të ishte një simbol fetar me të cilin qyteti lidhej.

Hamendësime dhe magjepsje, padyshim, që sot uk janë të dokumentuara.

Të mos harrojmë ama se e gjithë rripi detar i Shqipërisë ishte përgjatë Mesjetës pjesë e një deti ku u zhvillua një hapësirë kulturore dhe artistike me një qarkullim njerëzish, idesh, stilemash arti të një periudhe të vonë gotike, të cilat e prunë në stinën e Rilindjes. Këtë na e ka mësuar piktura e njëfarë  Michele Greco nga Vlora me shkëmbimet midis bregut shqiptar dhe bregut të Abruzzo-s; na e mësoi skulptura e njëfarë Nicolò dell’Arca prej tokave puljeze; na e mësoi fluturimi legjendar i Mërisë Shenjtë nga Shkodra në Genazzano, një Mëri që na kumton modele dhe forma stilistike të adriatikut dhe na e pohon bashkëndarjen e modeleve të zakonshme figurative.[9]

Simboli i vetëm i Shkodrës mesjetare është sjellë në imazhin që paraprin dorëshkrimin e Statuteve të saj (kopje e 1504 afërsisht). [10] Nuk ka mbijetuar asgjë tjetër. (foto 0 18)

Foto 018

Imazhi i Shkodrës/Grua me pamje fine dhe me xhevahire na sjell ndër mend edhe ata kapituj të Statuteve të Shkodrës nga ku del në pah roli i femrës në shoqëritë qytetare që i kishin krijuar, në vazhdimësi me strukturat evropiane të Shek. XIV: kapituj në të cilët të gjitha gratë e fisnikërisë në veçanti qenë të mbikëqyrura prej dhunës, abuzimeve e gjer edhe ofendimeve verbale.[11]

Për ta përmbyllur: tabloja me paraqitjen e Shkodrës në tavanin e Sallës së Këshillit të Lartë në Pallatin Dukal ka qenë pa dushim funksionale në kremtimet e Venedikut zotërues, por kjo nuk ia heq meritën se ishte arti venedikas ai që përjetësoi një stinë të mesjetës së vonë të Shkodrës; duke e pranëvënë me pikturën e madhe të Rilindjes, e përfshinte Shkodrën dhe Shqipërinë në djepin e traditës figurative të perëndimit evropian

Do të shkruante historiani shkodran Marin Barleti: perandoritë e Greqisë dhe të Romës do të bien ngadalë, ndryshe Epirotica fortuna con la gloria tutta cadde dalla cima quasi in un momento[12], ( përkthyer nga latinishtja) do të bjerë menjëherë, dukë e nemur Qytetin me harresë kundrejtë madhështisë që ka pasur.

Arti, përtej qëllimit që ka për të shenjuar, veçanërisht prej këndvështrimit të Venedikut, është edhe burim i zhdëmtimit të asaj zbrazëtire, shkrimi i dukshëm i Paolo Caliari-i, i quajtur ndryshe Veronese, kompenson në kohë kujtesën e një historie të shkatërruar në materialen e saj.

Mbërrin stina romantike evropiane, mbërrin një pasazh konceptual i “Varret” të Ugo Foscolo-s: bindja se harmonia e artit i mposht heshtjet që mbjell historia.

Trashëgimia e Epirit brenda një çasti e zhdukur, ashtu siç e gjen zërin te besimi i humanistit Marin Barleti dhe ndaj saj mëton të ngrejë një monument me shkrimet e tij, e ndërkohë rigjen jetë në përkujtimet pikturale të Rilindjes Venedikase.  

——

Falënderoj profesoreshë Maddalena Bassani (IUAV Venezia)  për të dhënat në lidhje me artin antik, dhe dr. Fabio Tantimonaco, ekspert në fushën e ikonografisë.

Përktheu nga italishtja Rigel Rizaj


[1]  Kamaldonezi Girolamo de’ Bardi shënoi të gjitha subjektet që iu parashtruan piktorëve te “Deklaratë për të gjitha rrëfenjat që përmbajnë tablonë e vendosura së fundmi në sallën Scrutinio dhe të Këshilli i Lartë i Pallatit Dukal tëSerenissima Repubblica di Vinegia’, i cili ka dijeni të plotë mbi fitoret më shenjuese të arritura në kombe të ndryshme të botës prej Venedikasve, Venedik 1581. Francesco Sansovino, si historian, u thirr veçanërisht për sa u përket betejave midis Serenissima-s dhe Osmanëve: më 1564-n u shtyp nga Rampazzetto libri i tij Historia universale e origjinës së perandorisë Turke. Të mos harrojmë se bëhet fjalë për vitet post Lepanto.

[2]  Qëndresa e Shkodrës në rrethimin e dytë ishte rrëfyer hollësisht nga Marin Barleti në veprën “Rrethimi i Shkodrës”, e botuar në Venedik më 1504-n në shtypshkronjën e Bernardino Vitali-t dhe qe referim në shekujt e mëpasshëm për një letërsi evropiane shumë të pasur (historiografi, teatër, prozë, muzikë), bashkarisht me veprën tjetër të tij “Mbi jetën dhe bëmat e Skënderbeut, princ i Epirit” të botuar në Romë më 1508, gjithnjë në shtypshkronjën e Bernardino Vitali-t, mbi bëmat e Gjergj Kastriotit, emblemë e kohës si Atlet i Krishtit, mbrojtës i Evropës kundër Osmanëve.

Për këtë argument, biografia ka qenë shteruese, ndaj të shihet edhe Aurel Plasari, Skënderbeu, Një histori politike, Tiranë, 2010.

[3]  L. Nadin, 1474, epopea e të rrethuarve: Shkodra dhe Roncisvalle, Shkodra dhe Paladinët e Karlit të madh, te

Edhe 100 ! Studime në nderim të Prof. Francesco Altimarit me rastin e 60-vjetorit të lindjes (Studi in onore del Prof. Francesco Altimari in occasione del 60° compleanno), a cura di Bardhyl Demiraj, Matteo Mandalà, Shaban Sinani, Tiranë, Albpaper, 2015. Për rimarrjen e temës në shek. XIX krhs. Eadem, Per la lettura di una tela: Antonio Loredan assediato a Scutari di Vincenzo Giacomelli, te <<Attività § Ricerche Bollettino dei Musei e degli Istituti della Cultura della città di Treviso>>, 2. 2021, pp. 77-93.

[4]  Domenico Malipiero, Vjetarët

[5]  Zulian-i është regjistruar si kapedan në Drivasto, Giacomo në Dulcigno, Jacopo në Negroponte, Bernardo Duca në Salonicco, Benedetto në Malvasia; Piero luftoi kundër turqve në Gallipoli, Alvise ishte Kapedan i Përgjithshëm në Lidhje kundër turqve, i promovuar nga Eugenio IV .

[6]  Rita Pierini, Qytetet e personifikuara në Romën republikane: fenomenologjia e një motivi letrar, në Akte të kuvendit Persona ficta.  Personifikimi alegorik i kulturës antike mes letërsisë, retorikës dhe ikonografisë, nën kujdesin e Gabriella Moretti dhe Alice Bonandini, Trento 2017. Giovanni Belardelli (nën kujdesin e), Italia imaggjinare. Ikonografia e një kombi,  Marsilio Nodi, Venezia, 2020.

Shihen personifikimet e grave në Evropë, Azi, Afrikë, Amerikë te Cesare Ripa, Ikonoligjia ose Përshkrimi i imazheve universale të nxjerra nga antikiteti dhe prej visesh të tjera, Romë, Eredi Gigliotti, 1593 . dhe ende mendohet për Marianne-n e vonë, e cila është personifikimi alegorik i Republikës Franceze dhe mbi personifikimet femërore në pikturën historiko-patriotike të Tetëqindës.

[7]  Pikërisht imazhi i një gruaje të pjekur, merr atributet e  matronatus romano: antiquitas, matronalitas, sapientia. Mbi kokë ka kullën e një kështjelle. Në rrotullën që mban në dorë lexohet: senectus libertate virescit. Është vepër e skulptorit Giambattista Albanese, pjesëtar i një familjeje të famshme artistësh të Rilindjes, familje me origjinë shqiptare e vendosur në Venedik.

[8]  Jo rastësisht portreti i famshëm i Skënderbeut, Atleta di Cristo, i cili shoqëron Historinë e shkruar nga Marin Barleti, veshja luksoze me të cilën është përfaqësuar shfaq qartësisht në vizatimet e kumashit të qëndisura me ar dy fruta që lidhen me simbologjinë e shenjtë: shegën dhe lënden.

Krhs. L. Nadin,  Veshja venedikase e Skënderbeut, Princ i Epirit te Historia e Barletit. Ose kur gjuha ikonike është në shërbim të politikës. “Shêjzat Pleiades”, 3-4 2019, fq.99-117.

[9]  Krhs. Kontributet e studiuesve të ndryshëm në lëndë dhe përmbajtje që gjendet përkatësisht te: Il Rinascimento danzante Michele Greco da Valona e gli artisti dell’Adriatico tra Abruzzo e Molise , nën kurimin e Lucia Arbace dhe Daniele Ferrara, Torino 2011;  Scultura del Rinascimento in Puglia, a cura di C. Gelao, Bari 2004; Dom Nikë Ukgjini et alii,  Zoja e Shkoders Drita e Shqypniës, Konferencë Shkencore Ndërkombetare, (Shkodër 22-25 aprile 2017), Lezhë 2017.

[10]  Ky përfaqësim në kundër-portë ete Statutet është një mbrojtëse e aleancës, aleancë midis Venedikur dhe Shkodrës në këtë rast: është një mbrojtës i cunguar, në pjesën e epërme të së kaltrës shqiponja dykrenare e praruar me të dy krerët të veshur me kurorë; në pjesën e poshtme të artë, tri trëndafilë të stilizuar me ngjyrë të kaltër, secila me nga pesë petale me pulla në qendër dhe pa kërcell.

[11]    Statutet e Shkodrës në gjysmen e parë te shekullit XIV me shtesat deri më 1469. Statuti di Scutari della prima metà del secolo XIV con le addizioni fino al 1469, përkthyer nga Pëllumb dhe Vjollca Lisi, redaktimi nga Ferdinand Leka, Università Ëisdom, Tiranë, Onufri, 2010; Statutet e Shkodrës nga gjysma e parë e shk. XIV, me shtesat deri më 1469, Botim anastatik, Me parathenie nga Lucia Nadin dhe Pëllumb Xhufi, Tiranë, ed. IDK, 2017.

[12]  Trashegimia e Epirit me të gjithë madhështinë ra prej majës pothuaj brenda një çast.

Exit mobile version