Kreu Letërsi Shënime mbi libra Luan Topçiu: “Vetmia” e prozës së Kutelit dhe nevoja e një qasjeje...

Luan Topçiu: “Vetmia” e prozës së Kutelit dhe nevoja e një qasjeje në letërsinë e krahasuar

Një kroki e letërsisë së krahasuar: Kuteli, Tolstoi, Galaction

Një kornizë teorike për leximin krahasimtar të prozës së Kutelit

Pohimi — i pranuar gjerësisht — se proza e Mitrush Kutelit, veçanërisht novela E madhe është gjëma e mëkatit, zë një vend të pangjashëm në letërsinë shqipe, na vendos përpara një ngërçi teorik: si ta pozicionojmë dhe interpretojmë këtë vepër brenda peizazhit letrar shqiptar, kur ajo duket se i tejkalon koordinatat e tij? Vendi i saj në historinë letrare nuk kuptohet plotësisht nëse analiza mbetet e mbyllur brenda kornizës kombëtare, e cila e lexon veprën kryesisht nëpërmjet ndikimeve, paraardhësve dhe pasardhësve të drejtpërdrejtë brenda saj. Novela krijon një univers ku ndërthuren rrëfimi popullor, fryma biblike, tragjikja morale dhe muzikaliteti i gjuhës; vlera e saj estetike ndriçohet pikërisht përmes një qasjeje krahasuese e kontrastive, që zbulon shtresëzimet e shumta të tekstit dhe e vendos atë në hartën më të gjerë të formave narrative të Europës Juglindore dhe të traditës shpirtërore lindore. E lexuar vetëm si tregim “kombëtar”, vepra humbet një pjesë thelbësore të ngarkesës së saj semantike; e vendosur, përkundrazi, në raport me një horizont më të gjerë kulturor, ajo tregon se bukuria e saj lind pikërisht nga ndërthurja e së veçantës kombëtare me trashëgiminë mbikombëtare të formave shpirtërore e narrative.

Këtu qëndron paradoksi metodologjik i leximit të Kutelit: sa më shumë përpiqemi ta sistemojmë vetëm brenda koordinatave të prozës shqipe moderne, aq më qartë shfaqet rezistenca e veprës ndaj çdo serializimi historiko-letrar. Kuteli mund të jetë plotësisht pjesë e letërsisë shqipe dhe, njëkohësisht, të mos shpjegohet dot shterueshëm vetëm nga brenda saj.

Ky është një nga rastet kur letërsia krahasuese bëhet jo thjesht metodë shtesë, por domosdoshmëri hermeneutike. Që nga formulimet klasike të René Wellek-ut dhe Austin Warren-it, është pranuar se vepra letrare nuk reduktohet brenda kufijve të ngushtë të një historie kombëtare, sidomos kur formësohet në kryqëzime traditash, gjuhësh dhe regjimesh simbolike që i tejkalojnë ato kufij. Në vijim të kësaj linje, Claudio Guillén ka theksuar se objekti i letërsisë krahasuese nuk është vetëm “ndikimi” në kuptimin pozitivist, por edhe format dhe konfigurimet estetike që qarkullojnë përtej literaturave të veçanta dhe marrin trajta të reja në tekste të caktuara. Për rastin e Kutelit, kjo do të thotë se pyetja vendimtare nuk është thjesht “nga na vjen” kjo prozë, por cilave matrica të gjera kulturore e poetike i përket, dhe si i transformon prozatori shqiptar në një idiomë thelbësisht origjinale.

Proza kuteliane, pra, nuk shpjegohet vetëm me analogji të brendshme: as tematika, as ritmi i frazës, as organizimi i fabulës, as regjistri moral-metafizik nuk gjejnë përgjigje të plotë brenda prozës bashkëkohëse shqipe. (Novela u shkrua në 1947, por u botua për herë të parë vetëm në 1993.) Brenda traditës shqipe mund të dallohen, natyrisht, afërsi të pjesshme — me oralitetin popullor, me urtësinë proverbiale, me narracionin legjendar, madje me disa jehona të letërsisë së vjetër fetare — por këto afërsi mbeten fragmentare dhe nuk formojnë një “familje tekstesh” brenda së cilës Kuteli të vendoset natyrshëm. Pohimi se proza e tij “nuk ka simotër” në letërsinë shqipe duhet kuptuar jo si metaforë retorike, por si tezë metodologjike: vetmia e kësaj proze kërkon një zhvendosje të optikës kritike, nga modeli i historisë kombëtare drejt modelit të komuniteteve ndërletrare dhe afiniteteve tipologjike.

Këtu ndihmon veçanërisht koncepti i interliteraritetit i Dionýz Ďurišin-it, sipas të cilit shumë dukuri letrare as lindin, as kuptohen brenda një letërsie të vetme, por vetëm në kuadrin e formacioneve më të gjera kulturore, ku traditat kombëtare funksionojnë si nyje të një rrjeti marrëdhëniesh.

Në rastin e Europës Juglindore, kjo ide është veçanërisht e frytshme, sepse kemi të bëjmë me një hapësirë ku për shekuj kanë bashkëjetuar, janë mbivendosur dhe janë transformuar modele bizantine, osmane, ortodokse, folklorike dhe moderne. Kjo do të thotë se për ta kuptuar më saktë Kutelin, krahasimi duhet të shtrihet në një areal ballkanik dhe postbizantin, ku qarkullimi i motiveve, i figurave morale, i mënyrave të rrëfimit dhe i tonaliteteve shpirtërore ka qenë shumë më i dendur sesa lejon të shihet një histori letrare e mbyllur vetëm në kufij kombëtarë.

Pikërisht në këtë plan bëhet i rëndësishëm referimi te letërsia fetare lindore, jo në kuptimin e një varësie të drejtpërdrejtë tekstuale, por si afri tipologjike, retorike dhe imagjinare. Te Kuteli vërehen një sërë tiparesh që e afrojnë prozën e tij me universin e krishterimit lindor: ritmi solemn i fjalisë, përdorimi i përsëritjes me funksion intensifikues, organizimi i ngjarjes rreth nyjeve të mëkatit, fajit, ndëshkimit, pendesës dhe mëshirës, prania e një ligjërimi që shpesh tingëllon si ndërmjet rrëfimit artistik, parabolës morale dhe predikimit të brendshëm. Këto tipare nuk e bëjnë Kutelin një autor “fetar” në kuptimin e ngushtë, por dëshmojnë se proza e tij aktivizon kode të një imagjinareje morale dhe metafizike që i kapërcejnë kufijtë e realizmit, të etnografizmit dhe të psikologjisë së zakonshme narrative.

Nëse përdorim një aparat teorik më të nyjtuar, mund të thuhet se teksti kutelian funksionon si një palimpsest kulturor: në sipërfaqe kemi një rrëfim shqip, të mishëruar në frazeologjinë, ritmin dhe ngjyrimin e gjuhës popullore; në thellësi, megjithatë, veprojnë struktura më të vjetra simbolike e retorike, të afërta me ligjërimin biblik, me tekstualitetin haxhiografik, me skemat e exemplum-it moral dhe me përfytyrimin lindor të fatit njerëzor si dramë shpirtërore. Kjo mund të lexohet edhe në dritën e nocioneve të Gérard Genette-s për arkitekstin dhe palimpsestin, pra të marrëdhënies së një teksti me regjime më të gjera zhanrore e ligjërimore, jo domosdo të deklaruara hapazi. Në rastin e Kutelit, raporti me këtë sfond nuk është imitues; ai është transformues. Teksti nuk kopjon modele fetare lindore, por i estetizon, i shqipëron dhe i shndërron në një lëndë artistike moderne.

Në këtë kuadër, krahasimi duhet të jetë njëherazi tipologjik dhe kontrastiv. Tipologjik, sepse synon të evidentojë afritë strukturore me tradita të tjera: me rrëfimin biblik, me haxhiografinë lindore, me homiletikën ortodokse, me narrativën morale të arealit ballkanik, madje edhe me disa forma të prozës rumune, greke, sllave apo ruse, që mbartin të njëjtën ndjeshmëri shpirtërore dhe të njëjtin ritëm ceremonial të ligjërimit. Kontrastiv, sepse vetëm përballja me këto tradita e nxjerr në pah dallimin krijues të Kutelit: ai nuk mbetet brenda ligjërimit fetar, nuk e ruan funksionin didaktik të pastër të tekstit devocional, por e zhvendos këtë trashëgimi në një plan artistik, ku fjala fiton dendësi estetike, personazhi fiton tragjizëm të brendshme dhe rrëfimi shndërrohet në përsatje mbi shortin, fajin dhe qenien.

Në këtë pikë, një rol qendror ka edhe nocioni i figuralitetit, në kuptimin auerbachian: ngjarja konkrete te Kuteli nuk lexohet vetëm si ngjarje e mbyllur në vetvete, por si bartëse e një kuptimi më të thellë moral dhe ekzistencial. Po ashtu, në perspektivën e Bakhtin-it, mund të vërehet se kronotopi kutelian shpesh nuk është thjesht realist; ai fiton përmasë rituale dhe arkaike, ndërsa zëri rrëfimtar del përtej neutralitetit modern dhe merr nuanca autoritare, gati ceremoniale. Këto janë pikërisht tipare që legjitimojnë zgjerimin e krahasimit: jo për të gjetur domosdoshmërisht “burimet”, por për të identifikuar rrjetet e afërta të kuptimësisë, të cilat ndihmojnë të kuptojmë më mirë mënyrën se si vepron teksti.

Prandaj, nevoja për ta shtrirë krahasimin në treva të tjera letrare e kulturore nuk është një zgjedhje aksidentale, por një pasojë e natyrës së vetë objektit. Kuteli është një autor shqiptar, por poetika e tij është formuar në një hapësirë përvoje dhe kujtese që nuk është vetëm shqiptare. Ajo prek arealin ortodoks-ballkanik, rezonon me format e letërsisë fetare lindore, ndërmjetësohet nga oraliteti popullor dhe rimodelohet përmes vetëdijes së shkrimtarit modern. Pikërisht për këtë arsye, një studim krahasues dhe kontrastiv nuk ia zbeh origjinalitetin; përkundrazi, hedh dritë dhe e bën më të qartë mekanizmin e krijimit. Sa më gjerë të shtrihet harta e krahasimit, aq më i dallueshëm bëhet “vetmia” e novelës kuteliane në gjuhën shqipe.

Mëkati, shenjtëria dhe drama e shpirtit në universin e krishterimit lindor: Kuteli, Tolstoi dhe Gala Galaction

M

egjithëse të shkruara në kontekste të ndryshme historike dhe kulturore, novela “E madhe është gjëma e mëkatit” (1947) e Mitrush Kutelit, “At Sergi” (1898) e Lev Tolstoit dhe “De la noi la Cladova/ Nga ne në Cladova”[1] (1914) i shkrimtarit rumun Gala Galaction-it mund të lexohen si pjesë të së njëjtës traditë shpirtërore dhe estetike, e rrënjosur thellë në universin e krishterimit lindor. Vendosja e novelës së Kutelit në dialog të drejpërdrejtë me këto dy referenca — njërin nga tradita ruse, tjetrin nga ajo rumune (ortodokse ballkanike) — nuk përbën një procedurë të thjeshtë krahasimi, por çel sine qua non për arritjen e një interpretimi adekuat: vetëm duke konsideruar prozën e Kutelit brenda këtij areali më të gjerë se ai kombëtar, ku konvergojnë rrymat e ortodoksisë lindore, misticizmi slavoballkanik dhe haxhiografia e krishterë, bëhet i mundur qartësimi i tërë potencialit të saj metafizik dhe estetik. Pa këtë hapësirë krahasuese të zgjeruar, vepra e Kutelit rrezikon të reduktohet në një «rezultat» vetëm vendor, i mbyllur brenda koordinatave të ngushta të letërsisë shqipe, ndërsa ajo, në të vëtetet, është një provë e rrallë e një modeli narrativ paneuropian. Ato nuk bashkohen nga një ngjashmëri tematike sipërfaqësore, por nga një mënyrë e përbashkët e konceptimit të njeriut, mëkatit, fajit dhe shpëtimit. Në të tri veprat, drama e vërtetë nuk zhvillohet në planin social, por në hapësirën e brendshme të ndërgjegjes, aty ku njeriu përballet me kufijtë e vet moralë dhe me praninë ose mungesën e hyjnores. Në hartën e letërsisë shqipe, novela E madhe është gjëma e mëkatit e Mitrush Kutelit zë një vend pothuaj unik, sespe artikulohet një vizion metafizik, ku koha subjektive shndërrohet në instrument dënimi dhe mëkati në mallkim ekzistencial. Po të shihen datat e botimeve, shkrimtari ynë ka njohur të dyja veprat e huaja, nga lëçitja e drejtpërdrejtë e tyre, si njohës i rumanishtes dhe rusishtes. Studiuesit rumunë kanë nxjerrë në pah ndikimet në veprën e Galacion-it nga tradita ortodokse ruse dhe veçanërisht nga modelet tolstojane. Megjithatë, në bërthamën e saj rreh një konflikt universal i traditës ortodokse lindore, i cili e vendos këtë vepër në një dialog të drejtpërdrejtë me dy kryevepra të letërsisë botërore: Otec Sergij (At Sergi) të Lev Tolstoit dhe De la noi la Cladova (Nga ne në Cladova) të prozatorit dhe priftit rumun Gala Galactioni. Lidhja thelbësore midis tyre qëndron te figura e klerikut, njeriut të shuguruar – qoftë ai prifti Tat Tanushi, murgu Sergi apo Tat Toneas i Galactionit – i kapur në luhatjen tragjike midis thirrjes hyjnore dhe epshit tokësor. Është pikërisht kjo krisje ontologjike, kjo prishje e drejtpeshimit delikat midis shenjtërisë dhe dëshirave të mishit, midis detyrës ndaj Zotit dhe gjakimit njerëzor, që përbën boshtin tematik të përbashkët të tri veprave, duke i transformuar ato në tre meditime të fuqishme mbi kufirin e stërhollë ku besimi takon mëkatin.

Në traditën e krishterimit lindor, prifti nuk është vetëm përfaqësues i institucionit fetar, por ndërmjetës midis botës njerëzore dhe asaj hyjnore, ruajtës i sistemit të vlerave dhe i kujtesës shpirtërore të bashkësisë. Megjithatë, te Tolstoi, Gala Galaction dhe Kuteli, kjo figurë çmitizohet pjesërisht dhe paraqitet në gjithë kompleksitetin e saj njerëzor. Prifti nuk qëndron mbi mëkatin, por brenda tij; ai nuk është dëshmitar i jashtëm i dramës morale, por subjekti kryesor i saj.

At Sergi, prifti i Galaction-it dhe figurat e ngjashme që qarkullojnë në universin kutelian përfaqësojnë njerëz të thirrur për t’i shërbyer Zotit, por që mbeten të ekspozuar ndaj dobësive të natyrës njerëzore. Tek ata përplasen dy forca kundërshtare: dëshira për shenjtëri dhe tërheqja ndaj jetës tokësore dhe pasioneve fizike, besimi dhe tundimi, hiri dhe rënia. Pikërisht ky konflikt i vazhdueshëm e bën figurën e priftit qendrën dramatike të këtyre rrëfimeve. Ai shndërrohet në hapësirën ku ndeshen më qartë ideali i krishterë dhe kushti tragjik i njeriut.

Në këtë kuptim, prifti në këto vepra nuk është vetëm personazh letrar, por simbol i vetë gjendjes njerëzore. Sa më pranë Zotit përpiqet të ngjitet, aq më i vetëdijshëm bëhet për praninë e mëkatit brenda vetes. Kjo është arsyeja pse drama e tij fiton përmasa universale: ajo nuk flet vetëm për krizën e një kleriku, por për dramën e çdo njeriu që jeton ndërmjet thirrjes së besimit dhe kufizimeve të natyrës së vet. Në këtë pikë, Tolstoi, Galaction dhe Kuteli takohen në një vizion të përbashkët antropologjik të krishterimit lindor, sipas të cilit shenjtëria nuk është mungesë e mëkatit, por luftë e pandërprerë me të.

Në traditën e krishterimit lindor, mëkati nuk është thjesht shkelje e ligjit moral; ai është një çrregullim ontologjik, një plagë e qenies. Pikërisht këtë kuptim e gjejmë te Kuteli. Tek “E madhe është gjëma e mëkatit”, mëkati nuk mbetet akt vetjak, por shndërrohet në një energji të errët që pushton tërë universin narrativ. Personazhet jetojnë nën peshën e një faji që i tejkalon, sikur të ishin pjesë e një rendi metafizik ku çdo veprim lë gjurmë në strukturën morale të botës. Kjo e afron veprën me ndjeshmërinë biblike dhe me traditën e rrëfimeve haxhiografike lindore, ku faji nuk kufizohet te individi, por prek komunitetin dhe kozmosin.

Një konceptim i ngjashëm shfaqet te Gala Galaction. Në “De la noi la Cladova”, mëkati dhe dashuria vendosen në një marrëdhënie dramatike, ku personazhet nuk janë thjesht qenie psikologjike, por qenie që vuajnë shpirtërisht. Edhe këtu, si te Kuteli, ekziston bindja se njeriu nuk mund të çlirohet nga pasojat morale të veprimeve të tij. Atmosfera e novelës është e mbushur me ndjenjën e fajit, të pendesës dhe të kërkimit të një forme pajtimi me vetveten dhe me Zotin. Galaction-i, si prift ortodoks dhe shkrimtar, e ndërton botën e tij narrative mbi tensionin ndërmjet erosit dhe shpëtimit, ndërmjet dashurisë tokësore dhe gjakimit për transcendencë.

Pikërisht ky tension bëhet thelbi i novelës së Tolstoit. “At Sergi” është ndoshta analiza më e hollë psikologjike e konfliktit ndërmjet dëshirës mishore dhe idealit të shenjtërisë. Ndryshe nga personazhet e Kutelit, që përballen me pasojat e mëkatit, Sergi përpiqet të shmangë vetë mëkatin. Ai largohet nga bota, heq dorë nga dashuria, karriera dhe prestigji, për t’iu kushtuar Zotit. Megjithatë, Tolstoi tregon se as izolimi asketik nuk e zhduk natyrën njerëzore. Dëshira mbetet e gjallë, ndërsa krenaria shpirtërore rezulton edhe më e rrezikshme se tundimi erotik. Në këtë kuptim, Sergi nuk është larg personazheve të Kutelit apo Galaction-it; ai thjesht ndodhet në anën tjetër të së njëjtës dramë. Në vend që të niset nga mëkati drejt pendesës, ai niset nga gjakimi për shenjtëri dhe përfundon duke zbuluar mëkatin e fshehur brenda vetes.

Në të tri veprat shfaqet një ide thelbësore e antropologjisë ortodokse: njeriu është një qenie e ndarë ndërmjet mishit dhe shpirtit. Kjo nuk duhet kuptuar si një dualizëm i thjeshtë ndërmjet trupit dhe shpirtit, por si një konflikt i vazhdueshëm ndërmjet dobësive njerëzore që të çojnë drejt rënies dhe thirrjes drejt përsosjes. Personazhet e Kutelit, Galaction-it dhe Tolstoit nuk janë heronj triumfues; ata janë qenie të plagosura, që ecin në kufirin e brishtë ndërmjet dritës dhe errësirës.

Një tjetër afërsi e rëndësishme lidhet me konceptin e shenjtërisë. Në letërsinë perëndimore, veçanërisht në traditën katolike, shenjti shpesh paraqitet si model i virtytit. Në këto tri vepra të Lindjes së krishterë, shenjtëria paraqitet si proces, si luftë e pandërprerë dhe si vetëdije e thellë për papërsosmërinë njerëzore. Sergi shkon më afër Zotit pasi bie nga piedestali i shenjtit; personazhet e Galaction-it afrohen me të vërtetën përmes vuajtjes; ndërsa universi i Kutelit sugjeron se vetëm përmes pranimit të peshës së mëkatit mund të lindë mundësia e shpëtimit.

Edhe estetikisht, tri veprat ndajnë tipare të përbashkëta. Ato mbështeten në një imagjinatë të ushqyer nga Bibla, nga tradita liturgjike dhe nga kultura popullore ortodokse. Te Kuteli kjo shfaqet në gjuhën profetike dhe në atmosferën legjendare; te Galaction-i në simbolikën biblike dhe ndjeshmërinë mistike; te Tolstoi në reflektimin moral dhe në analizën e ndërgjegjes. Në secilin rast, rrëfimi realist tejkalohet nga një dimension metafizik që e vendos njeriun përballë pyetjeve ekzistenciale.

Prandaj, këto tri vepra mund të lexohen si tri variante të të njëjtit meditim të madh lindor mbi shortin e njeriut. Kuteli eksploron tragjedinë e mëkatit; Galaction-i tragjedinë e dashurisë së përzier me fajin; Tolstoi tragjedinë e krenarisë shpirtërore. Por në thelb, të tre autorët mbërrijnë te e njëjta e vërtetë: njeriu nuk shpëtohet as nga forca e vullnetit, as nga asketizmi, as nga pafajësia e pretenduar, por nga njohja e kufijve të tij dhe nga përballja e sinqertë me misterin e mëkatit dhe të hirit hyjnor. Pikërisht në këtë pikë, veprat e tyre shndërrohen në shprehje të veçanta artistike të një vizioni të përbashkët të krishterimit lindor, ku drama e shpirtit njerëzor mbetet qendra e çdo kërkimi estetik dhe metafizik. Duhet të theksohet dhe fakti se Galactioni dhe Kuteli ndajnë afinitete të thella: të dy përdorin oralitetin si teknikë narrative, të dy trajtojnë konfliktin midis shpirtit dhe mishit në mjedise rurale ortodokse, dhe të dy përdorin gjuhën fetare si nënshtrat stilistik. Por ndërsa tek Galactioni koha është “sakramentale” – një medium për të arritur përtej – tek Kuteli koha shndërrohet në “instrument dënimi”. Fshati i Galactionit jeton në një “të tashme” të përhershëme liturgjike, ndërsa Bubutima e Kutelit (dhe Apollonia), apo shpellat buzë Liqerit të Ohrit, bëhen skena ku koha historike (shekujt që kalojnë) përplaset me kohën e pezulluar të mëkatarit.

Në të tri veprat, prifti ortodoks shfaqet si një figurë që ndodhet në zgrip, e vendosur në kufirin ndërmjet qiellit dhe tokës, ndërmjet hirit dhe rënies, duke u bërë kështu vendi ku drama teologjike e mëkatit dhe e shpëtimit merr trajtë artistike.

Në pikat e takimit të novelës kuteljane, do të ndërkallim dhe një autor të katërt. Në këtë paralele të drejtpërdrejtë, sjellim në vemendje prozën “Endacaku i magjepsur” i Nikolai Leskov-it, sidomos në trajtimin e pavdekësisë si ndëshkim ontologjik. Te novela e Kutelit, koha pëson një shtrembërim rrënjësor: ndërsa pjesa e parë e rrëfimit rrjedh në mënyrë konvencionale, pjesa e dytë shënon një ngjeshje të skajshme (“ditët u bënë javë”, “vitët u mblodhën e u bënë shekuj”). Kjo e shtyn përshkallëzimin drejt një metamorfoze të natyrës, ku subjekti e përjeton fatin si pasojë të një rendi moral të pashlyeshëm: ndëshkimi nuk shpaloset si ngjarje e jashtme, por si mënyrë ekzistenciale. Në këtë kornizë, Tat Tanushi nuk vdes—por mbetet i ngrirë, “i ngujuar”, mbetet brenda një kohe të mpirë, siç e shpërfaq dialektika e mallkimit që e mban pezull.

Gjendja funksionon si antitezë e ringjalljes së krishterë: në vend të dhuratës hyjnore, pavdekësia shndërrohet në mallkim, jashtë rendit hyjnor. Në dialogun ndërtekstual me Tolstoin, ndërsa ky i fundit kërkon shpëtimin përmes pendimit dhe përmes logjikës së brendshme të drejtpeshimit; te Galacioni, Kuteli—në vijim të Leskovit—pohon se dënimi suprem lidhet me thyerjen e lidhjes me komunitetin dhe me prishjen e harmonisë me botën. Prandaj, proza kuteliane tejkalon dikotominë estetike lindje–perëndim, duke sugjeruar se shpëtimi nuk qëndron te “uni” i izoluar, as në kohën e ngurosur, por në rikthimin te komuniteti dhe te natyra.

Përtej letërsisë kombëtare, Kuteli zbulon përkatësinë e vet tipologjike vetëm duke u vënë në dialog me Tolstoin, Galactionin dhe Leskovin. Të katër i përkasin një matrice të përbashkët kulturore — ortodokse, popullore e biblike — ku mëkati dhe faji strukturojnë rrëfimin. Çlirimi i Kutelit nga izolimi kombëtar e bën të qartë se vlera e tij nuk qëndron në “vetminë” e tij në kuadër të letërsisë shqipe, por në transformimin e këtyre kodeve në një idiomë shqipe.


[1]  Novela rrëfen dramën e brendshme të Tat Toneas, një prift i cili jeton në konflikt midis detyrës së tij të shenjtë, besimit në Zot dhe dashurisë fizike. Jeta e tij tronditet me ardhjen e mikut të tij të vjetër, Jupan Traico, i shoqëruar nga një grua e re dhe joshëse, Borivoja.

Nga takimi i parë në kishë deri te darka e përbashkët, midis priftit dhe Borivojes lind “një dashuri e çmendur”. Megjithë përpjekjet për t’i rezistuar tundimit dhe ruajtjes së rregullave kishtare, pasioni bëhet i pashmangshëm kur Borivoje i dërgon mesazhe të fshehta dashurie.

Kulmi i veprës (dhe thyerja e madhe morale) ndodh kur prifti, i thirrur urgjentisht për të shkuar tek një i sëmurë për t’u rrëfyer dhe për t’i dhënë Kungimin, bie në mëkat. Nën presionin e situatës dhe të varkatarëve, ai merr me vete Të Shenjtat (Kungimin) gjatë udhëtimit me barkë për të shkuar tek Borivoja, duke shkelur kështu ligjet më të rrepta të kishës. Udhëtimi fizik “nga ne te Cladova” shndërrohet kështu në një udhëtim shpirtëror drejt rënies morale, drejt mëkatit, ku hapësira gjeografike pasqyron zbaticën e mëkatit në shpirtin e protagonistit.

Exit mobile version