Kreu Arte pamore Luan Topçiu: Albreht Dürer dhe misteri i gravurës “Melankolia 1”

Luan Topçiu: Albreht Dürer dhe misteri i gravurës “Melankolia 1”

Gjatë reformës së hershme protestante, as një shkollë e pikturës në Europën veriore nuk ishte më e rëndësishme se ajo gjermane dhe as një piktor nuk ishte më i rëndësishëm se Albrecht Dürer (1471-1528).

Përpos arritjeve në pikturë, Durer ishte një mjeshtër i shquar i gravurës dhe i gdhendjes në dru. Si artist Dürer ngërthen konfliktet e kohës së tij. Albrecht Dürer mban në vetvete dy mosha dhe kontradiktat e përjetshme të artistëve të mëdhenj. Koha kur ka jetuar, është pika e takimit midis dy epokave, mbarimi i Mesjetës dhe fillimi i erës moderne. Asnjeri më tepër se Albrecht Dürer nuk ka qenë më i ndjeshëm  ndaj  veçorive  të sendit, ballë karakterit të formës,  ballë ndërlikimit të sendeve natyrale, ballë kaosit të gjerë dhe poetik të gjithësisë.

Lindi në Nuremberg në familjen e një argjendari, u mor me mësimet e mjeshtrëve të asaj kohe, kaloi disa kohë duke u endur nëpër atdhe pastaj u kthye në vendlindje.

Ky gdhendës gjethnajash belbitëse, ky kaligraf ornamentesh që merret me një labirint thurjesh dhe foliolesh ka dashur të ngrejë lart përfytyrimin e njeriut, të jetë shembulli dhe modeli i pjekurisë mendore, i arsyes dhe i gjykimit.

Ai mbetet një poet dhe një gjeometër, një teoricien dhe një i frymëzuar.

Si poet ai nuk ishte vetëm përfaqësuesi i dramave të mëdha njerëzore, rrëfimtar legjendash të kombinuara me alegori dhe mister. Nga çdo gjë që ai shihte dhe sodiste në botë kërkonte diçka më shumë prej tyre. Ai ishte në gjendje t’u japë gjërave pa shpirt një jetë enigmatike. Albrecht Dürer ka pasur si afrinë familjare dhe dashurinë e plotë njerëzore, dhuntinë për të gjetur kuptimin intim kudo. Si gjeometër, ai zhvishet prej çdo hollësie dhe thjeshton fytyrën e njeriut në kombinime boshtesh dhe masash përpjesëtimesh, studimet e tij të perspektivës dhe proporcioneve krahasohen për nga rëndësia me ato të italianëve.

Si piktor ka finesën e një mënyre të pikturuari me penelata të vogla, të realizuara me durim dhe dashuri. Brusha e tij, madje lënda, harmonia është e një rafinamenti të jashtëzakonshëm. Tabloja është për të një objekt arti dhe një send i çmueshëm njëherazi. Askush si ai  nuk ka pasur të zhvilluar ndjenjën e krijimit, nga detaje, në shfaqje të parë minjaturale, në forma monumentale.

Vepra e Albrecht Dürer-it shfaqet në një perëndim epoke, në kapërcyellin e drejtpeshimit, e cila dallohet për plot lulëzime dhe teke të harlisura, kjo epokë grumbulluese e një kulture të habitshme dhe të një mase kolosale sprovash të shumëllojshme. Pra, kjo epokë ka prirjen e pasionin që të ndërlikojë atë ç’ka është trashëguar nga e kaluara.

Çdo bimë shndërrohet në një pyll, çdo qenie shndërrohet në një botë, me topografinë e saj, me kreshta, relieve e zgavrime. Kur Albrecht Dürer zbulon Italinë e vitit 1495, italianët, me të dytin brez artistësh kishin 100 vjet përparim, që ndiheshin të çliruar si art dhe si artistë.

Gjenia e kërkuesit kureshtar në të gjitha degët e universit e afron me njerëzit universalë të Rilindjes Italiane e sidomos me Leonardo da Vinci-n, i barazvlefshmi i të cilit ishte Albrecht Dürer.

Dürer mbeti “argjendari i mrekullueshëm”, jo vetëm në kombinimet e tij të emblemave ornamentale, por edhe kur ka gdhendur formën e palëvizshme dhe forcën e një portreti. Duke përdorur daltat fine të grafistit, i  mbeti nëpër gishta si një unazë e magjishme, dhuntia e virtuozitetit te kujdesshëm që shkon deri në përsosjen e përkorjen e trajtave.

Albrecht Dürer mbetet njeriu i Rilindjes, më pak modern se Leonardo da Vinci, i cili e tejkalon në fuqinë e tij sintetizuese, me fuqinë e formulimit të ligjeve të përgjithshme, që udhëheqin dukuritë natyrore dhe estetike.

Albrecht Dürer ruan trajtat gotike, me parimet e tij për natyrën dhe hapësirën. Natyra për të nuk është një rregullshmëri e shpërndarë, por një bllok, një tërësi kompakte ku përfundon njëra fillon tjetra, shpesh herë bima ka kthetra, tentakula. Peizazhi i tij shënon në letrën e bardhë një përzierje çudirash, fragmente rrënjësh, copash shkëmbi, gjethesh, insektet që zvarriten të amalgamuara në të gjitha, sidomos tek (Kalorësi, vdekja dhe djalli), (Shën Eustace).

Albrecht Dürer ka një kërshëri të madhe prej vëzhguesi, vështron jetën me vëmendje analitike, me këmbëngulësi dhe, njëherazi, refuzon shikimin rastësor. Jo vetëm se është kompakt, se lidhet, por është si një organizëm i vizatuar, çelësi i të cilave duhet të kërkohet tek vëzhguesi i ndihmuar prej një mprehtësie të të parit të jashtëzakonshëm, i cili asimilon largësinë dhe afërsinë dhe i mbivendos. Dürer ka kureshtje për çdo gjë që është e gjallë, për bimë, guaska, zvarranikë, kafshë të rralla, për kuaj që i ka paraqitur me aq forcë, dhe më në fund për njeriun, gjymtyrët lakuriqe të të cilëve janë të ngopura me relieve, të përshkuara nga dridhjet muskulore dhe prapë aq të qëndrueshme.

Ai ka mësuar prej italianeve që t’i dojë të gjitha këto, me ndikimin e Giorgione-s ka kërkuar e ka gjetur kanonin o harmonishëm, përsosmërinë dhe mjeshtri në planshenë aq të bukur “Adam dhe Eva”, “Herkuli Nemesis” këto kanë vetitë e tyre lëvizëse, kanë energjinë e karakterit , veçori që të jep vetëm natyra.

Kureshtja analitike, studimi i njeriut , shija për jetën, trajta që e lidhin Albrecht Dürern me studimin italian dhe që e afrojnë me Leonardon. Ashtu si Leonardo, ai konsideron që të gjitha gjërat e ndara janë fshehtësisht të bashkuara. Nuk ka vetëm opsionin e së tërës dhe të njëkohësisë, por dhe shqetësimin e sistemit. Gjuha që të lejon dhe të ndihmon që të kapë lidhjen midis pjesëve, në një të tërë është gjuha universale, është gjeometria dhe ai mbërrin në konkluzionin “La pitura e cosa mentale”, dhe se logjika e formave organike është një logjikë matematike. Masa dhe llogaritja mendoheshin prej Albrecht Dürer-it si themeli i arsyeshëm i krijimit, një kriter i domosdoshëm objektiv i së vërtetës …. “ N.q.s.. dikush mbështet punimin e vet mbi një demonstrim gjeometrik dhe vërteton të vërteta themelore besohet prej të gjithëve” – shkruan Albrecht Dürer, duke kujtuar Leonardo-n për të cilin “ …. as një shkencë nuk është e denjë për këtë emër po qe se nuk vërtetohet matematikisht”. Në dallim nga italianët, të cilët kishin formuluar një teori matematike të së bukurës, duke përkufizuar karakterin shkencor të një arti të bazuar mbi anatominë dhe perspektivën për Albrecht Dürer-in ka qenë në përgjithësi një përshtatje për qëllime praktike të çastit. Atje ky Albrecht Dürer në sajë te shpirtit të tij korrekt dhe të disiplinuar ka qenë me gjithë mend origjinal duke zhvilluar në mënyrë krijuese idetë e paraardhësve, ka qenë studimi i proporcioneve. Si bashkëkohësit e vet, Albrecht Dürer nuk dyshon se arti imiton natyrën, por e konsideron të bukurën të shpërndarë në sende e në mënyrë të tillë që … “ Duhet të pikturosh- shumë njerëz dhe të nxjerrësh prej secilit atë që duket më e bukur, t’i marrësh e t’i fusësh ato në një imazh të vetëm. Studimi i proporcioneve e ka shqetësuar Albrecht Dürer-in për 27 vjet dhe nën ndikimin e artistëve dhe teoricienëve të Rilindjes Italiane.

“Melankoli I” e  Albrecht Dürer-it.

Në vijim të filozofisë së  Dürer-it, të paraqitur më sipër,  në gravurën më të njohur të tij: “Melancolia I” ka grupuar pranë ëngjëllit me flatra shqiponje të gjitha instrumentet e matjes dhe të gjitha mjetet teknike. Është shkalla e muratorit, drejtkëndëshi, sharra e zdrukthtarit, nga muret e një stilobati varet klepsidra, një peshore, një numratore, poshtë ndodhet një sferë dhe një polieder shumë i madh guri. Ëngjëlli mban në dorë një kompast, ndalon llogaritjet dhe shikon në qiell me ankth…. A ka ndonjë element që të mos na kujtojë matematikën dhe të mos jetë llogaritur me masa llogaritëse!

Pak kompozime si ky nga gjithë krijimtaria e Albrecht Dürer-t janë kaq të fuqishme e të plota, të studjuara me perimtësi. Këtu të gjitha sendet janë të paraqitura tepër konkrete dhe tepër të pranishme, sendet kanë rëndesë, peshojnë me autoritetin e vëllimit me cilësinë e saktë të detajit: shohim dhe sikur prekim dhe gjithçka është trajtuar me rreptësi, të gjitha paraqiten me të njëjtin-interes. Të gjitha janë të studjuara në mënyrë të habitshme.

E konsideruar si një nga kryeveprat e artit pamor botëror, gravura me gdhëndje në bakër e gjeniut të madh gjerman, Albrecht Dürer, u ekspozua në vitin 1514. Qysh nga ajo datë dhe deri në ditët e sotme nuk kanë ndalur interpretimet për të. Artisti gjerman, përmes gravurës,  përpos mesazheve të pastra estetike, na ofron kompleksitetin e të kuptuarit të melankolisë.

Melankolia, sipas artistit gjerman, personifikohet nga një figurë femërore/ëngjëll/hermafrodit (fytyra e këtij engjëlli, ka më shumë trajtat e fytyrës së një hermafroditi, por interpretues së gravurës e shohin atë edhe si një autoportret të vetë Albreht Dürer-it.) Me flatra, e ndodhur në mes të objekteve të çuditshme, që i shtojnë misterin dhe thellësinë, me kokën të mbështetur në dorën e majtë. Ndërsa ajo shfaqet mes objektesh të çuditshme përreth, pas murit, pamja hapet në anën e majtë drejt largësisë së detit. Dielli perëndon, duke lënë rrezen e fundit të depërtojë mes resh. Ylberi dhe rrezja e diellit-atje endet dhe një lakuriq nate, në krahë të të cilit shkruhet “Melankolia I” – duket si një sy i madh kozmik, që lëshon dritë, që ndriçon në mënyrë të mistershme, drita kozmike lidhet në mënyrë të çuditshme me syrin e majtë të Melankolisë.

Një engjëll (femër/hemafrodit/autoportret) me flatra të stërmëdha vështron në boshllëk. Sipas mendimit tonë, ndonëse në dorë mban një kompas, simbol i matjes, personazhi i artistit gjerman, nuk duket i interesuar të kryejë matje, instrumenti i matjes, kësisoj është i pamjaftueshëm, sepse, sipas gjasash, nuk mund të ekzistojnë instrumente që mund të masin të pamatshmen. Përpos instrumenteve matëse ndodhet dhe një katror magjik, i konsideruar sjellës lumturie përmes dominimit të pafundësisë së numrave. Ndodhet, gjithashtu, një shkallëz. Erosi qëndron kruspull, pa shprehje, i nemitur. Në këmbët e engjëllit, po kruspull, qengji, simboli i besimit. Lart, një kometë – metafora e zhdukjes së botës njerëzore – humbet në humnerën kozmike, duke tejkaluar rrethin e Saturnit, planetit të melankolisë.

Ndonëse engjëlli është i pajisur me flatra, shpirti kupton se fluturimi njerëzor është i pamundur të kapërcejë kufijtë e dhënë, të ekzistencës. Flatrat e stërmëdha janë vetëm në gjendje qetësie, prehjeje, të rënda, të lodhura. As çelësat që i varen engjëllit nuk mund të çelin misterin kozmik, mister që nuk i jep dot përgjigje as shkenca më e saktë si matematika, as dashuria, as besimi. Qenia mbetet në pamundësinë e shpjegimeve të ekzistencës, e plandosur në mes objekteve të njohjes, në mes të instrumenteve ndihmëse për të njohur botën. Dürer, me fjalë të tjera, rreshton të gjitha çelësat që mund ta nxjerrin nga gjendja e melankolisë, si për të nënvizuar, në fakt, idenë e pamundësisë së daljes nga kjo gjendje.

Flokët e engjëllit/melankolisë derdhen dhe janë të zbukuruara me një kurorë me gjethe, ndërsa fustani i gjatë deri në majën e këpucëve flet për rangun dhe rëndësinë e personit. Personazhi i interpretuar në të gjitha qasjet e mundshme, që simbolizon tek e fundit, qenien njerëzore, merret me gjeometri dhe zejtari, apo madje me arte magjike apo ezoteri? Melankolia, sipas gjeniut të Rilindjes gjermane, shpjegohet me dekodifikime ezoterikë? Çelësat e dekodifikimit të Melankolisë, sipas Dürer-it, janë ezoterikë.

Kompasi gati i bie nga dora, objektet rreth e përqark bëhen të huaja dhe nuk zgjojnë më interes, sepse vështrimi tretet tejet, sikur atje larg gjenden të gjitha përgjigjet e të gjitha pyetjeve. Vështrimi i saj fizik, ai i syrit, nuk përkon me atë që do të shohë femra e kredhur në gjendje të zymtë.  Është një kërkim për një ankorim të ri, për një liman të saj mendor/imagjinativ, një refugjim nga bota e sendeve që e rrethon, nga të gjitha ato objekte të dobishme përqark, apo kemi të bëjmë me kthimin e vështrimit të saj nga bota e brendshme?

Ekziston një lidhje midis shfaqjes kozmike në qiell dhe syrit të Melankolisë! Ky sy ëndërrimtar nuk vështron në afërsinë e saj, por larg apo askund, apo drejt dhe mu në vetë shpirtin e saj.

Një nga çelësat interpretues të gravurës së famshme mund të jetë se bota e Melankolisë, lidhja me soditjen, me brendinë e njeriut, mund të realizohet vetëm duke hequr dorë nga çdo aktivitet i jashtëm! Peshorja dhe kambana, që përfaqësojnë atë që mund të matet, peshën, kohën, mbeten pas shpinës së Melankolisë, po pas shpine mbeten dhe klepsidra, që nuk na kujton kalimin e kohës, por na kujton diçka më radikale dhe e të fundme siç është vdekja. Zdrukthi, një thikë, sfera, gozhdë të shpërndara, vegla ndërtimi të lënë rastësisht dhe jashtë vëmendjes së Melankolisë. Madje dhe fusha e sahatit magjik, katrori magjik-shifra e të cilit ka si rezultat gjithmonë 34, mbetet në sfond. Nuk mund të mendohet se krejt rastësisht Dürer ka krijuar veprën „Melankolia I”. Ngarkesa simbolike e veprës, vendosja e objekteve, që mbartin vetvetiu një ngarkesë simbolike, marrëdhënia e figurës njerëzore me peisazhin, i cili është krejt konvencional dhe me objektet rreth e qark që të gjitha emetuese të simboleve të qarta, e bëjnë veprën të lëshojë më shumë izotope njëkohësisht, shumë syresh të veshura me mister dhe të panjohura deri në ditën e sotme. Vepra, në tërësinë e saj, me ndërlikimin e kumteve që përcjell, është një ilustrim dhe pasqyrim besnik i vetë kompleksitetit të melankolisë.

Albrecht Dürer, është artisti të cilin Heidegger do ta çmojë në librin e  tij “Origjina e veprës së artit” (1936) si “një gjeni intuitiv, i shqetësuar për të zbuluar thelbin e artit „ të fshehur në natyrë“. Ai do ta quajë „të parin artist modern të Perëndimit”.

Përpos filozofit gjerman Heidegger, shumë filozofë e studiues të artit janë përçapur të interpretojnë dhe të zbulojnë kuptimet e thella të gravurës së Dürer-it, madje dhe janë bërë trajtime fenomenologjie nga Husserl, i ndjekur nga ekzistencialisti Jean Paul Sartre e shumë të tjerë. Një nga librat studimorë që ka ofruar çelësa të rinj interpretues është Erwin Panofsky, “Jeta dhe arti i Albrecht Dürer-it”, München 1977.

Gravura e Dürer-it ka mbetur një nga etalonët e paraqitjes së melankolisë. Ndjeshmëria e  artistit dhe e epokës së tij materializoi përgjithmonë tre përmasa të arkitekturës së melankolisë. Artisti gjerman sheh përtej një gjendjeje psikologjike të caktuar, ai pasqyron ndërveprimin e shpirtit tonë me qiellin dhe tokën – dhe që çon në një shkrirje të brendshme pas një ligji universal të tërheqjes dhe shkrirjes.

Melankolia është një trishtim meditativ, mërzi që prodhon mendim, ashtu e shikon dhe Albrecht Dürer: mendimin me flatra me të cilat ngjitet gjeniu. Në arte, krahas gravurës në bakër të gjeniut gjerman, ku melankolia paraqitet si hidhërim meditativ, mund të kujtojmë dhe Rembrandt-i në tablonë “Betsabeea në banjë”. Vepra e Dürer-it mund të pranëvendosjet personazhit melankolik par exellence Hamletit të Shakespeare-it apo Rubairave të Omar Khayyam-it, kalorësit të fytyrës së vrerosur të Cervantes-it në kryeveprën e tij Don Kishoti i Mançes. Ai që intrigon sot e gjithë ditën është padyshim vepra e Cervantes-it, një parabolë e ekzistencës, një dëshmi pasionale e melankolisë njerëzore, një mit i dyfishtë i impaktit që kanë iluzionet ndaj realitetit. Me siguri Cervantes ka dashur të rrëfejë aventurat e një shpirti melankolik, por gjenialiteti i tij prej shkrimtari ia mbërriti të pikturojë një nga personazhet më piktoreskë të historisë së artit dhe letërsisë, arriti të vizatojë një personazh të përbuzur, të tallur, të rrahur, por që arrin të imponohet para syve tanë me heroizmin emocionues, me këmbënguljen gati absurde dhe kryeneçësinë e tij, duke na bërë të lotojmë në kulmin e të qeshurave, të qeshim bash në mes të pikëllimit.

Mjeshtëria e Shakespeare-it në pasqyrimin e melankolisë në personazhin e Hamletit, ka bërë që melankolia të kuptohet ndryshe. Askush nuk e ka përshkruar në mënyrë aq sugjestive dhe komplekse, nuk ka pleksur gazmimin dhe trishtimin, inteligjencën njerëzore dhe çmendurinë, dinakërinë dhe hakmarrjen, krimin dhe ndjenjën e vetëvrasjes, se Shakespeare-i në pikturimin e personazhit epokal, Hamletit.

Shpirt, duke shtuar Kozmosin dhe Erosin, Melankolia lartësohet dhe zhytet në këto tre akse, ndërsa ligjërimi për të do të bëjë pjesë në psikologji, kozmologji dhe erotikë.

Ashtu si dhe artistët e tjerë të Rilindjes Europiane, Dürer, ishte i përfshirë në shprehjen dhe shpalosjen e një epoke të re, plot shpresë dhe siguri që i jepte qenies njerëzore një rol të ri, në qendër të botës, dhe që i njihte asaj gjithë aftësinë e saj për të zotëruar botën. Gravurat e vizatuara nga një dorë që nuk dridhej para asgjëje në natyrë apo në fantazinë e tij, u jepte objekteve nga natyra një magji, një forcë, dhe pushtet, gjë që bën që gravurat e tij  të mos ishin vetëm ilustrime të ideve të tij rilindase dhe humaniste apo interesave të tij shkencore dhe enciklopedike apo vetëm si transmetues i mesazheve ezoterike, por kryevepra të artit figurativ dhe pika kulmore në gjithë artin botëror.

Çdo gjë është e drejtë, e hijshme dhe e bukur në këtë imazh të botës dhe të njeriut dhe çdo gjë është e ngurosur. Këtu Albrecht Dürer ndahet nga da Vinci. Të dy janë hulumtues universalë, kërshëria e tyre synon drejt çdo gjëje, kanë pasur të dy ndjenjat e mrekullimit para natyrës si dhe aftësinë e tyre për të reflektuar në lidhjet matematike. Italiani, përpos të tjerash, realizon një poetikë të hapësirës, të dritës dhe të kalimeve të ëmbla, ai mundohet të fshehë etapat e t’i paraqesë si nuanca njëkohëshme gërshetimet që iu bën qoftë elementave të pikturës të cilat kanë karakterin jo të një zgjidhjeje ose të një mbylljeje, por të një zbulimi.

Por sa e fuqishme, sa e shtrirë, sa e mirë ndërtuar, sa e rreptë bota ku na fut Albrecht Dürer! Madje edhe në përallat e tij legjendare në alegoritë kalorsiake, në dredhat e ornamentit, në zoologjinë e përbindshave, ai shkëlqen me ndeshmërinë e mjeshtrit.

Asgjë nuk i shpëton mrehtësisë të kësaj lente, tensionit të lartë të këtij stili kategorik. Ai e ruajti dhe e mirëmbajti pavarësinë e stilit të tij gjatë gjithë jetës.

Albrecht Dürer mbetet një nga figurat e mëdha të Rilindjes europiane, si humanist i shquar, si piktor, si studiues i madh i natyrës, si matematikant, shkencëtar dhe mendimtar.

Exit mobile version