Shqipe Malushi, “Udhëtim në mesnatë”, poezi, Buzuku, 2025
Vëllimi poetik “Udhëtim në mesnatë”, që po sheh dritën e botimit, ndryshon jo pak nga shumë prej atyre që na bien në duar me përjetime dashurie, lirika plot ëndrra, përqafime, dehje dhe endje drejt kaltërsive, të cilat përsëriten nga një libër në tjetrin.
Ky vëllim poetik i Shqipe Malushit është një “underground” i vërtetë që na kujton kameran e dikurshme të Cassavets, është një udhëtim i dhimbshëm dhe tronditës në atë çka ndodh në botën e një gruaje, të cilën fati e ka hedhur në një vend të ashpër. Ku sundon bota e burrit të dhunshëm e makiavelik e ku shoqëria përreth kthen kokën për të mos e vështruar, duke e lënë të klithë nën zë e të pranojë fatin e mjerë duke pritur fundin e saj tragjik ku
Vdekja vallëzon në qerpikët e tij
Si një erë e furishme…
Është gjithnjë gruaja e zhgënjyer që ka dashuruar shumë, që ka shpresuar shumë dhe ëndërruar shumë dhe që papritur gjithçka i shembet në këtë botë. E ajo e sheh veten mes rrënimesh që shndrisin nën dritën e ftohtë të hënës, vezullime këto që i kujtojnë poetes vetveten dhe të tjerat, i kujtojnë rrugë, dritare, shtretër, përgjërime të ëmbla dhe një mijë gënjeshtra duke e bërë të presë në portën e asaj shtëpie ku s’do të jetonte askush, ku do të frynin erëra dhe ku hijet e të dashurve shkojnë me nxitim…
Shqipe Malushi e ka vargun të drejtpërdrejtë, të fortë, të vrazhdë, shkatërrues të emocioneve që lindin, sepse vetëm kështu mund të krijojë poetikisht figurën artistike, atë të jetës që ka parë drejtpërdrejt atje, pa i kthyer sytë, atje në “underground”, larg avenyve të shndritshme dhe zonjave të stolisura si askush. Ajo i ka parë aty në gjysmerrësirë ku gjithçka mund të ndodh nga çasti në çast, ku tutje luhatet në mure hija e vdekjes e ku askush nuk ndalet të pyesë se çka ndodh. Ëndrrat e personazheve janë ëndrra të thyera, siç shkruan ajo në një poezi me këtë titull:
Ai e bleu nusen
(…)
Dhe e prezantoi para të gjithëve
Si ornament
I varur
Në pemë Krishtlindjesh…
Një nga personazhet e saj në libër quhet jo më kot Mary Varreza që më së fundi
Ajo iku
Me njeriun e parë
Që e bëri të ndihej
E gjallë.
Është gjithnjë gruaja me buzëqeshjen e ngrirë, pasi poetja e sheh veten në të gjitha ato gra që ka ndeshur në “underground”-in e jetës, gra që më së fundi, të zhgënjyera, të poshtëruara, me njëqind plagë shpirti, ngrihen dhe vrasin dhunuesit e tyre. E pra poetja guxon t’i shohë dhe si vrasëse për të fituar lirinë e tyre, dinjitetin, të drejtën për të vazhduar jetën:
Ajo ishte e droguar
Gjithnjë në hënën e plotë,
Dhe ishte e dehur
Të shumtën e muajit.
Ndonjëherë lexonte
Novela romantike,
Pastaj qante
Për të gjithë dashnorët tragjikë.
Apo ajo britmë shpirti jehona e së cilës përplaset në anën tjetër të botës:
Më duhesh i vdekur!
Që të mund të ndihem mirë
Për veten time.
Më duhesh i vdekur!
Që të mund të vajtoj,
Se të kam dashur.
Më duhesh i vdekur!
O Zot!
Më duhesh ende dhe tani.
Pa dyshim që në poezi është diçka e guximshme të tentosh të udhëtosh në udhë të tilla, në një “underground” të tillë dhe njëkohësish të krijosh poezi aty mes gjysmerrësirës ku gjithçka ka emrin e frikës, mashtrimit, gënjeshtrës, mosbesimit.
Është zona ku nuk bie dielli, mjedise këto të tablove bodleriane ku njeriu s’ka më fuqi të klithë nga plagët e mëdha që ka marrë në këtë jetë duke u dergjur në delir. Por në vargun e saj poetja nuk i lë personazhet në letargjinë e tyre.
Më së fundi ato ngrihen për të treguar vetveten, dëshirën e fshehur që shfaqet papritur si lavë, ndoshta për herë të fundit, për të goditur të keqen. Janë “lulet e së keqes”, pasi brenda shpirtit të tyre ka shumë dashuri, vezullime, mirazhe që drithërohen në erë. Ato kanë dashuruar shumë edhe pse të mashtruara, ato kanë shpresuar gjithnjë.
…ajo nuk ishte kurvë
Gjersa kërkonte dashurinë
thotë poetja në një nga poezitë.
Jam në shërbimin tënd
Zoti im
Unë jam në shërbimin tënd!
Lypsarja
Valltarja
Mëkatarja
E dashuruara!
Unë jam në zemrën tënde.
Kur buzët e tua
Të ftohta si errësira
Ndonjëherë më kërkojnë një puthje…
Maria Magdalena, nuk është larg!
Sigurisht brenda këtij vëllimi ka dhe poezi të paqta siç është “Puthja”, ku autorja shkruan:
Lumenjtë u takuan
Lumenjtë u ndalën
Lumenjtë u ndanë
Afër detit
Larg detit
Vetëm për një çast.
Na duhej kjo puthje për ta parë botën kësaj rradhe nga ana e diellit…