Kreu Ligjëratë “Lexime europiane” në Paris – “Valsi i lumturisë” i Aliçkës nxitës për...

“Lexime europiane” në Paris – “Valsi i lumturisë” i Aliçkës nxitës për debatin mbi emigrimin

Cikli i konferencave “Lexime europiane” që organizohet në Shtëpinë e Europës në Paris, këtë herë pati të ftuar shkrimtarin shqiptar Ylljet Aliçka. Romani i tij “Valsi i lumturisë” ishte nxitja për të pasur në një panel edhe zërin shqiptar. Ky takim-debat u drejtua nga ish-Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës dhe njëkohësisht ish-ministre e Kulturës së Francës, Katerinë Lalymiere, marrë shkas nga botimi në Francë i romanit “Valsi i lumturisë” të shkrimtarit Ylljet Aliçka, me temë “Emigracioni politik në Europë”.

Katerinë Lalymiere, Ylljet Aliçka dhe profesori i Universitetit “Science Po”, filozofi Yannick Prost, debatuan në prani të mediave dhe të ftuarve nga mjediset akademike franceze.

Lalymiere bëri një analizë të romanit duke evokuar me këtë rast sfidat e emigracionit në Francë dhe bëri një historik të shkurtër të Shqipërisë mbështetur në kujtimet e vizitave të saj në Shqipëri si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Europës.

Sipas Yanick Prost, këshilltar pranë kryeministrit francez dhe profesor i Universitetit “Science Po”, Franca dhe Europa kanë nevojë të rimendojnë aksionin e tyre, sidomos kontratën e tyre sociale, pasi kriza e madhe e emigracionit dhe demagogjitë politike ekstremiste rrezikojnë demokracinë dhe përgatisin terrenin për ardhjen e “Mbretërisë së Atilës”, fenomene këto mjaft mirë të trajtuara në romanin e Aliçkës.

Këshilltari i kryeministrit francez theksoi se artistikisht ky roman ka zbuluar edhe thelbin e emigracionit. Sipas tij, emigrantët ndiejnë mungesë të dyfishtë, si në vendin e pritjes dhe në atë të origjinës. Për këtë ai mori shembullin e familjes Popa te romani.

Shkrimtari dhe ish-diplomati Aliçka në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se “ky moment ishte ngjarje me rëndësi dhe nuk qe thjesht promovimi te lexuesi, por ajo çka provokoi. Pra, romani im u bë shkas për ngritjen e një debati në instancat e larta që merren me problemin aktual të emigracionit. Botimi në Francë i këtij romani mbi aspektet shpirtërore e psikologjike të emigracionit u mor si model analize për të provokuar një debat më të gjerë mbi sfidat e emigracionit në përgjithësi”.

Me nostalgji Katerinë Lalymiere risolli në vëmendje tri vizita në momentet kyçe në historinë e Shqipërisë. Ajo kujtoi vizitat më 1991, 1997 dhe 1999. Ajo e cilësoi “Valsin e Lumturisë” një roman politik nga më të spikaturit i cili, sipas saj, u bë burim i këtij debati.

Aktiviteti u ndoq live nga kanali kryesor “Franceinfo”, kanal i parë i radios në shtetin francez.

Romani “Valsi i lumturisë” mbështetet në një ngjarje të vërtetë. Në dhjetor të 1985-s gjashtë anëtarët e familjes Popa hynë ilegalisht në ambasadën italiane në Tiranë. Rasti i tyre bëhet çështje ndërkombëtare për Shqipërinë e vogël e të izoluar. Familja Popa, një familje e thjeshtë nga Durrësi, hyri në ambasadën italiane duke u hequr si turistë dhe aty kërkuan menjëherë strehim politik. Shteti totalitar i kohës pësoi një tronditje të madhe nga ky gjest. I quan shtetasit e vet “kriminelë”. Cilido që kishte guxuar ta bënte më parë një gjë të tillë, ishte pushkatuar. Ngjarja që erdhi nga këta njerëz të thjeshtë, mori përmasa të paparashikueshme ndërkombëtare. Gjashtë anëtarët e familjes Popa, nga frika e dënimit, deklaruan se do të vetëvriteshin, nëse ambasadori italian i dorëzonte në duart e Sigurimit të Shtetit. Ata u mbrojtën për rreth 5 vjet në ambasadën italiane, veprim që u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por edhe shkak për kthimin vëmendjes nga Shqipëria të ndërkombëtarëve. Ambasada italiane rrethohet me mbi 600 policë. Përtej brigjeve, televizioni italian transmetonte ngjarjen reale nga Tirana. Romani “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka është botuar së fundmi në Francë nga shtëpia botuese “L’esprit du temps”, përkthyer nga Michel Aubry (Mishel Obri).

Në parathënien e këtij botimi në gjuhën frënge, shkrimtari Ismail Kadare shkruan, ndër të tjera: “Një roman i shkruar me art dhe dinjitet.” Ndërsa botuesi francez shkruan për këtë libër: “Një rrëfim jashtëzakonisht ironik dhe absurd, i frymëzuar nga një histori e rrallë, ku zbulohen dy botë, gjë e rrallë kjo për romanin tradicional. Është kjo qasje që e bën letërsinë e Aliçkës origjinale dhe njerëzore.” I shkruar para disa vjetësh, ky roman është fitues i çmimit kombëtar “Pena e argjendtë” për 2012-ën që ndan Ministria e Kulturës.

Shkrimtari Ylljet Aliçka përfaqësoi letërsinë shqipe në “Netët e letërsisë europiane 2012-2014”. Ai ishte përzgjedhur në projektin “10 shkrimtarë bashkëkohorë që prezantohen mes arritjeve të letërsisë së sotme europiane”. Ky është një projekt ndërkombëtar, partneritet i Bashkimit Europian me qytetet Brno, Bukuresht, Dublin, Lisbonë, Vilnius, Pragë dhe Wroclaw.

Exit mobile version