Kreu Opinion Lekë Tasi: Abedin Preza, Islam Spahiu, Uran Kostreci

Lekë Tasi: Abedin Preza, Islam Spahiu, Uran Kostreci

Reagimi ndaj së sotmes vulgare merr fuqi brenda nesh sa herë e jashtmja merr intensitete edhe më të larta bezdie. Duke mos e ndryshuar dot, gjejmë freskim në kujtimin e disa personave që me jetën e punën e tyre kanë qenë e kundërta e vulgaritetit, sot të larguar nga jeta prej jo shumë kohësh. Ky mekanizëm rekuperues më erdhi nga Abedin Preza, shok shkolle i imi por që i a ndiejnë mungesën shumë bashkëqytetarë të tij. Abedini kishte dy veti që ia çmonte kushdo që e njihte. E para vullneti titanik për punë filologjike dhe letrare (ai qe autor i dy Fjalorëve voluminozë të Shqipes me Italishten – në dy drejtimet, dhe përkthyes i poezisë Italiane, i Ariostos (Rolandi i Çmendun version integral, Antologjia e poetëve shqiptarë në Italisht, sidhe përshtatja shqip i satiristit roman të shekullit XX, Trilussa ), dhe e dyta kurajo civile e tij, të cilën e shpalosi jo vetëm kur u lejua fjala e lirë po edhe më herët. Kauzat që e mobilizonin ishin zbatimi i një drejtësie sociale dhe rimëkëmbja e idesë nacionaliste në kuptimin modern të saj. Historike mbetet fjala e tij para një stadiumi ‘A.Rusi’ të mbushur plot, të filluar kështu: ‘’Sikur partia demokratike të ishte vërtet demokratike..’’ (vazhdimi kuptohet: zgjidhja e shpejtë e çështjes së pronës) dhe të pritur me një stuhi duartrokitjesh. Për punën filologjike tejpërtej Adriatikut ai natyrisht fitoi vlerësimin dhe admirimin e të huajve (iu dha titulli ‘Kavaljer i Republikës Italiane’) por edhe heshtjen e akademikëve tanë, që me disiplinë të hekurt nuk do të lejonin që dikush me mjetet e veta dhe pa asnjë rrogë, të bënte punë pa krahasim më të madhe kundrejt institucionit të tyre për dekada ; kurse për kauzën e demokratizimit të jetës me elementë bazë pronën  dhe përfshirjen në përfaqësim edhe të ish të përndjekurve, ai nuk pati sukses , siç dhe pritej në kushtet e këtij tranzicioni të konceptuar dhe zbatuar si kënetëzim i zgjidhjeve, të ndërprerë me stuhira në gotë klithmash kundër ‘armiqsh’ imagjinarë… Një tjetër shok që e kujtoj për seriozitetin e tij kundrejt banalitetit të piacës është Islam Spahiu, (nip i omonimit të tij I.S. që mbrojti Lumën nga ushtria serbe gjatë Luftës së Parë Botnore e mbas, dhe bir i mësuesit të parë të shqipes në atë krahinë, Riza Spahiut. Edhe Islami si Abedini qe aktiv në fushën e përkthimeve, me dy antologji të poezisë Europiane të botuara, (ku dallon vjersha simbol i heroit ‘Vdekja e ujkut’ e Alfred de Vigny), pastaj me romanin “Net të Bardha” të Dostojevskit, librin mbi abstraksionizmin të Vasilij Kandinskit, “Letra një miku gjerman’’ të Albert Camu, e mjaft të tjerave. Islami prej karakterit të tij vështirë, të papajtueshëm me kompromisin vuajti burg, internim dhe izolim gjatë tërë jetës. Burgosja e tij erdhi si pasojë e një mosdenoncimi të fjalës së një ushtari që mund t’i kushtonte atij të riu edhe jetën. Në gjyq e pranoi me zë të lartë që nuk e kishte kallzuar ushtarin. Salla e mbushur me njerëz të krahinës ku familja e tij kish qënë udhëheqëse në breza, mori mesazhin e duhur pa pyetur i pandehuri për pasojat.. Ai mbrojti po ashtu Fishtën të cilin e kish ngritur lart gjatë një bisede me dikë dhe nga “Lahuta” e të cilit dinte përmendësh fragmente të gjata. Akuzës së prokurorit që e bënte fajtor për këtë vlerësim të tij, ai iu përgjigj me fjalët e Historisë zyrtare që e pranon artin e fuqishëm të poetit pavarësisht brendisë nacionaliste. “Kam folur për Fishtën poet, jo për Fishtën politikan” i tha gjykatësit duke i mbyllur gojën prokurorit. Islami kishte studiuar pikturë (dhe ekzistojnë punime të tij cilësore), por ai e gjente veten më fort në sferën e letërsisë. Admirues i Niçes dhe Dostojevskit, ai përktheu nga gjermanishtja esenë e S. Zweigut “Tre Mjeshtra -Balzac Dickens Dostojevski”. Ai jetonte virtualisht në këtë sferë kolosësh, ndaj dhe më se e natyrshme që me të marrë këstet e burgut ai u nis për Rusi, ku mbi të gjitha do të vizitonte apartamentin dhe varrin e shkrimtarit të adhuruar, ndërkohë që më herët disa vjet i pati kaluar në Gjermani, me përvetësim të gjuhës në moshë gjashtëdhjetëvjeçare, dhe me një udhëtim në Paris, gjithmonë i papajtuar dhe virulent me të rinjtë  pranë tij, atje dhe këtu, të vendosur t’ia njollosnin gëzimin dhe imazhin e shqiptarit në sy të vendësve atje, dhe të rinisë këtu respektivisht. Vdiq pak ditë para se të dilte libri i tij “Karuseli i Totalitarizmit” të ndarë në tri pjesë (I: portrete, II Refleksione, III intervista). Të burgosurit e njohur në burg ose kaush, Islami na i përshkruan gati si një rast fatlum të tijin, që e largonte nga mjerimi moral i të tremburve në jetën e lirë për të gjetur vlera njerëzore tek ata që s’kishin çfarë të humbnin më. Bëjnë pjesë në këtë galeri dom Mikel Koliqi, vëlla me novelistin e shquar Ernest Koliqin, ai vet kompozitor dhe më pas kardinal, dom Lec Sahatçia, i cilësuar dhe nga bashkëvuajtës të tjerë si më engjëllori i priftave dhe stoik i përvuajtur, kapiteni Zef Ashta, që edhe pse jo i përmendur nga historia, i kishte pritur me pushkë pushtuesit fashistë në Vlorë, aty i nënshtruar me dinjitet urisë sepse pa asnjë ndihmë, i vdekur dhe i varrosur me nderime prej të gjithëve, pa mundur komanda të bënte asgjë kundra, e me radhë Muharrem Bajraktari, kolonel i panjollë e megjithatë i luftuar nga komunistët dhe historia zyrtare, Xhelal Koprencka, që edhe pse i sfilitur prej burgut të gjatë, ia përplasi akuzës bajate “Në emër të popullit je i arrestuar…”: “Cilit popull mor? Në emër të armiqve të popullit!”. Duhet thënë se një njeri si Islami, me lëkurë delikate ndaj zhurmave të vulgaritetit dhe të cinizmit antiqytetërues, i pikturon me rezonim të brendshëm këta të moshuar që e kishin kaluar jetën me sprova të fituara morale në luftë me mungesat më ekstreme. Në krye të tyre qëndron njëzetekatërvjeçarja Marie Shllaku, e pushkatuar në Prizren më 1946 së bashku me At Bernard Llupin, Kolë Parubin dhe Gjergj Martinin. Gjyqin e kësaj studente për filozofi në Romë, të akuzuar si luftëtare për Kosovën. Islami e ka hedhur në libër sepse ai kishte asistuar në të kur 15vjeçar vazhdonte gjimnazin e Prizrenit. Gjurmimi i këtyre vlerave (më vonë edhe rastin e Zai Fundos) kudo që historia jonë i përmban, dhe historia zyrtare i injoron, ngjan një tipar i tij i shndërruar në pasion. Qe ky tipar që e çoi detyrimisht në një sjellje të tërhequr, madje edhe aty ku vetë Europa e ëndrrave tona prej kohësh i ka lëshuar pe liberalizmit në revan. Kështu që në momentin e riatdhesimit strehuesit e tij gjermanë patën një moment habie e nderimi për një zotni që nuk përfiton nga një praktikë që atje ka zënë vend por që atij s’i përket. Ngjan që personazhet e rrëfimeve të tij, e angazhojnë personalisht të mbajë një qëndrim serioz si e vetmja mënyrë që ato personazhe të kenë kuptim shoqëror, pra të mos jetë shkrimi i tij për ta thjesht ujë trëndafili mbi një përleshje gjërash të çastit, pa asnjë sfond filozofik. Se sa kuptim të vërtetë i jepte Islami jetës e dëshmon dhe dashuria e tij për kafshët, një dukuri unike në dekadat që ka mbajtur miqësia ime me të, dhe që më mbetet frymëzuese. Dy munguesit që përkujtuam me mall i përkasin individëve që vetmohen vetvetiu për hir të këtij distancimi nga masa që synon kënaqësira të kollajshme. Uran Kostreci është një tjetër prej tyre. Barbaria që përdori enverizmi pa fije dhembshurie me rininë e deklasuar e ndau më dysh jetën e Uranit. Gjallëria rinore e tij u shndërrua  mbas njëzet vjet burgu në ëndërrim poetik, dhe falë tiparit të lartpërmendur ai pranoi vetminë, e cila shpesh u vlen natyrave të tilla, dhe e duruar me dinjitet. Si rrallë raste në letërsinë tonë, ai kultivoi sonetin e vështirë si formë (me pararendës Mjedën klasik, po aq të distancuar nga bota me motiv devocionin, sidhe Arshi Pipën). Urani na ka lënë copa të përkryera që dallohen për figuracion dhe gjuhë të zgjedhur. Ndjeshmëria e pa kompromis e tij ishte provuar në një moment sfide gjatë dënimit të gjatë kur ai eci me hap të vendosur drejt karakollit. Ai vdiq nga plumbi dhe literalisht falë një mrekullie mbijetoi! Kur e kujtojmë Uranin me sjelljen e tij përherë prej zotnie, duhet të besojmë se ka mes nesh njerëz (ka patur dhe s’ka pse të mos ketë akoma) që fshehin një tragjizëm tërësisht në skajin e kundërt me reklamën kaq të përhapur të deklaratave mbi veten; ai e mënjanonte veten në publik. Se ç’elegancë fshihte kjo shmangie, doli në pah në një rreth të ngushtë kur një gjyqtare amerikane e pyeti Uranin si dëshmitar të thirrur për një çështje të këtushme por me vazhdim atje. Motivi i shokut që e donte dëshminë e tij në atë gjyq kishte të bënte me tmerret e komunizmit shqiptar, për të cilat Urani ishte më se i përshtatshëm e me dokumenta në dorë . Gjyqtarja  mori nga Urani si përgjigje një varg nga Fantazma tek ‘Hamleti’: “Nuk i shkon të gjallëve të dijnë gjëra nga bota e të vdekurve”. Gjyqtarja u habit dhe e vështroi e heshtur me përqendrim (këtë fakt e di nga të tretë prezentë në seancë dhe pastaj ma shpjegoi Urani) duke e dhënë në çast vendimin në mbështetje të një dëshmie të tillë.

Fjala dhe akti në kohën e duhur, koincidojnë tek disa, me heshtjen në momente të tjera, kur përfshirja e vetes gjykohet e pa vend për seriozitetin e rastit. Shumë nga miqtë tanë të vuajtur në burgje, qendra pune, lagje e gjithfarë gjyqesh me britma e sharje, dhe që s’janë më mes nesh, veçohen në kujtesën tonë për këtë tipar. Dhe fakti që ata i kanë rezistuar së keqes degraduese në kulmin e ashpërsisë, jep shpresë që shakllabënëria e sotme banale dhe dëshpëruese nuk do të fitojë pa afat edhe në pjacë. Ka akoma shumë për të thënë rreth kësaj teme, për të tjerë protagonistë të vetmuar; për heshtjen e tyre që bota nuk e vë re ose e harron, duke ua lënë kujtimin e tyre të gjallë vetëm një pakice.  

Exit mobile version