Kreu Intervista Kur letërsia shqipe përfiton nga “përkthyesi i padukshëm” –Bisedë e gazetares...

Kur letërsia shqipe përfiton nga “përkthyesi i padukshëm” –Bisedë e gazetares Mimoza Hasani Pllana me autoren skoceze Morelle Smith

E nderuar Morelle Smith, ju jeni shumë i interesuar për letërsinë e popujve të ndryshëm, çfarë ju motivoi për letërsinë dhe gjuhën e popullit shqiptar? Çfarë është e veçantë për këtë letërsi dhe gjuhë krahasuar me gjuhët e tjera në Ballkan dhe Evropë?

Shqipërinë fillova ta njoh përmes jetesës dhe punës aty gjatë vitit 2000. Njerëzit, mënyra e jetesës, peizazhi, të gjitha këto më magjepsën. Si shkrimtare mbaja revista të kohës time në Shqipëri, dhe disa nga vëzhgimet e mia i ktheva në shkrimin fiksion dhe jofiksion për këtë vend. Mua më intereson letërsia e vendeve tjera, sidomos vendeve evropiane, por veçanërisht të një vendi që ishte bërë aq i afërt me zemrën time. Letërsia e një vendi tregon shumë për atë vend dhe njerëzit që jetojnë aty, duke pasqyruar në mënyrë të pashmangshme historinë. Historia e Shqipërisë është e pasur, komplekse dhe e larmishme, me temën, stilin dhe gjuhën e përdorur. Lexova letërsi në gjuhën shqipe aq shumë sa kisha mundësi të përktheja në gjuhën angleze dhe frënge.

M.: Si i mbani kontaktet me vendet ku flitet gjuha shqipe (Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi? Cili është burimi kryesor i angazhimit tuaj për të ruajtur njohuritë e gjuhës shqipe?

M.S.: Unë mbaj kontakte me miq shqiptarë, si me ata që jetojnë ose kanë jetuar në vende tjera, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ata që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Shqipërinë e vizitoj rregullisht dhe gjithmonë kjo është një kënaqësi e imja e madhe. Gjithashtu, kam pasur fatin të jem e ftuar si folëse në konferencat letrare në Tiranë dhe Prizren (Kosovë). Që nga vizita ime e parë në Shqipëri më ka bërë shumë përshtypje aftësia e njerëzve për të folur gjuhë të huaja, (greqisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht etj.), dhe që të përkthejnë nga gjuha e tyre amtare në këto gjuhë. Përkthimi në përgjithësi do të thotë shumë për mua, unë e di që letërsia do të lulëzojë dhe do të përfitojë nga përkthimi, që shkrimtarët në gjuhë më pak të njohura do të fitojnë nga leximi i gjerë, dhe qasja në letërsinë e këtyre gjuhëve në përgjithësi është e dobishme. Qasja në art promovon mirëkuptimin, tolerancën dhe harmoninë e popujve; është më i lehtë komunikimi me forma arti joverbale të tilla si: piktura dhe muzika, por letërsia kërkon këtë përpjekje shtesë përmes përkthimit.

M.: 2. Gjuha shqipe është unike dhe nuk është e lehtë për t`u mësuar për të folur dhe për të shkruar. Është vlerësuar si e vështirë edhe në procesin e përkthimit. Sigurisht, që në këtë pikë, tanimë ju keni përvojën tuaj, kryesisht në redaktim, meqë keni redaktuar vepra të poetëve e prozatorëve të njohur shqiptarë, si e vlerësoni këtë proces? A është e vështirë të redaktosh poezinë shqipe në gjuhën angleze dhe cila është metodologjia juaj?

M.S.: Letërsia i detyrohet shumë përkthyesve. Shkrimtari i madh austriak Stefan Zweig ka shkruar për rëndësinë e përkthimit, jo vetëm për sa i përket qasjes që u jep lexuesve, por edhe për vetë shkrimtarët. Përmes sfidës së përkthimit të frazave më idiomatike të një gjuhe tjetër, në gjuhën tuaj të parë, ai thotë se jep një kuptim më të thellë, më krijues të frymës së gjuhës amtare të tij/saj. Po, përkthimi na paraqitet me shumë sfida. Një mik i imi përkthyes më tha se qëllimi i përkthyesit është të bëhet i padukshëm, me fjalë tjera përkthimet më të mira lexohen si origjinale në vetvete. Këto ditë kam kënaqësinë të them se përkthyesit po fitojnë më shumë merita për atë që bëjnë, sepse ata po krijojnë një vepër tjetër arti në vetvete dhe disa çmime letrare për vepra të përkthyera ndahen njësoj midis shkrimtarit origjinal dhe përkthyesit. Sfida kryesore është gjetja e fjalëve ose frazave më të mira, më të përshtatshme në gjuhën që përktheni, të cilat veprojnë më së miri nëse ajo gjuhë është gjuha juaj amtare. Atëherë ju e dini nëse një fjalë është e përshtatshme ose jo, ju i njihni nuancat e fjalëve të ndryshme dhe kur përdorimi i një fjale mund të çojë në paqartësi. Por, një përkthim i mirë kërkon më shumë se rrjedhshmëri në gjuhën tuaj amtare. Gjithashtu, është e nevojshme të kuptuarit e rregullave të gramatikës, strukturës së fjalisë dhe origjinës së fjalës (për shembull shumë fjalë në anglisht kanë origjinë greke ose latine). Folësit në gjuhën amtare angleze i bëjnë disa gabime të zakonshme, të cilat lindin sepse rregullat e gramatikës nuk janë kuptuar dhe ndryshimet në drejtshkrimin e homonimeve nuk janë mësuar. Si mësimdhënës i anglishtes si gjuhë e dytë, unë zbuloj se nxënësit e avancuar të gjuhës angleze mund të kuptojnë më mirë gramatikën angleze sesa disa folës vendas, sepse atyre u janë mësuar rregullat. Por, përveç rregullave gramatikore, përkthyesi ka nevojë të njohë përdorimet idiomatike dhe frazat e gjuhës në të cilën përkthejnë, çka tingëllon mirë, çka është le mot juste (fjala e duhur), çka rrjedhë mirë, pse të shmangni përsëritjet dhe fjalitë e ngathëta ose të avancuara. Leximi i përkthimit tuaj me zë të lartë është gjithashtu një mënyrë e mirë për të përcaktuar nëse ka kuptim dhe rrjedhë normalisht. Përkthimi i poezisë është më i vështirë sesa i prozës, sepse ashtu si për kuptimin e fjalës– dhe nganjëherë mund të ketë më shumë se sa një interpretim – duhet të keni parasysh përdorimet e rimës, ritmit dhe të tingullit, dhe nganjëherë luajtjen e kuptimeve dhe tingujve të fjalëve, dhe asociacioneve të ndryshme. Këtu përkthyesi është më i lirë të përshtatë sipas të kuptuarit të tyre dhe të asaj që nënkupton shkrimtari origjinal, dhe kështu përkthimet e poezisë nganjëherë quhen versione më shumë sesa përkthime të sakta, pasi mund të ketë mundësi të shumta. Por, me redaktimin e poezisë së shkrimtarëve shqiptarë në tekstet e përkthyera tashmë në anglisht, përpiqem të mbajë stilin, siç janë ritmi, gjatësia e rreshtit, përdorimi i shenjave të pikësimit, etj. të të shkruarit. Mua më duhet që të zbuloj se çfarë nënkuptohet me fjalët (mund të ketë më shumë se një kuptim) brenda kontekstit të poezisë dhe nganjëherë duhet të zgjedh fjalë krejt të ndryshme dhe disa shprehje idiomatike angleze, për ta përcjellë më mirë kuptimin, ashtu si e kuptoj.

M.: Sipas jush, sa është e njohur letërsia shqipe në Britaninë e Madhe?

M.S.: Britania në përgjithësi nuk ka regjistrime të mira, me vetëm një përqindje shumë të vogël të librave të botuara që janë vepra të përkthyera. Vendet tjera Evropiane, veçanërisht Franca, botojnë një numër shumë të madh të librave të përkthyera. Por, në vitet e fundit, disa botues të vegjël të pavarur kanë dalë në Mbretërinë e Bashkuar, të përkushtuar për botimin e librave të përkthyer, përfshirë disa autorë shqiptarë. Ismail Kadare është i njohur, por në anglisht ne nuk kemi libra nga Fatos Lubonja, Elvira Dones, Fatos Kongoli, Pajtim Statovci etj. Kam lexuar libra në gjuhën frënge nga Besnik Mustafaj, Bessa Myftiu, dhe Ornela Vorpsi, por kemi kaq pak përkthyes nga gjuha shqipe në gjuhën angleze dhe shumë shkrimtarë të mirë mbeten të panjohur në Mbretërinë e Bashkuar. I ndjeri Robert Elsie i vetëm bëri një punë të mrekullueshme të përkthimit të shkrimtarëve shqiptarë dhe të shkrimit për historinë e Shqipërisë. Për më shumë se dy dekada Dr. Bejtullah Destani ka punuar pa u lodhur, për të sjellë popullin, letërsinë dhe historinë e Shqipërisë në publikun anglishtfolës. Ai më porositi të përktheja Gratë në Lindje (Les Femmes en Orient) të Dora d’Istria’s në anglisht dhe përmes hulumtimeve të tij në arkiva të ndryshme, ka redaktuar dhe prodhuar disa libra të lidhur me Shqipërinë dhe historinë e saj si Edward Lear në Shqipëri: Albania: Zhurnali e një piktori të peizazhit, (Journals of a Landscape Painter), Scanderbeu i Harry Hodgkinson, Letrat shqipe të Arthur Evans, (Albanian Letters), Shqipëria dhe shqiptarët të  Edith Durham “Shqipëria dhe shqiptarët” (Albania and the Albanians), letrat e Margaret Hasluck etj.

 A besoni se konferencat, seminaret dhe tryezat e rrumbullakëta të organizuara në Kosovë dhe Shqipëri janë të domosdoshme dhe se ato ndihmojnë në përkthimin dhe prezantimin e shqipes, letërsisë dhe kulturës në gjuhë të ndryshme botërore?

  Konferencat për letërsi dhe tryezat e rrumbullakëta janë të paçmueshme për të bërë letërsinë shqipe më të njohur për një botë më të gjerë dhe formojnë një mjet të domosdoshëm që shkrimtarët e kombësive të ndryshme të bashkohen për të njohur më mirë punën e njëri-tjetrit. Përmes takimeve të tilla bëhen lidhje, formohen lidhje dhe miqësi që qëndrojnë në kohë. Takimet publike janë jetike, për vet shkrimtarët (të shkruarit është një profesion aq i vetmuar) dhe për të ndarë mendimet dhe punën e tyre, gjë që do të çojë në bashkëpunim midis tyre, në publicitet dhe në vepra të përkthyera dhe të botuara.

 A mund të flasim për projektet tuaja aktuale që ndërlidhen me letërsinë shqipe?

 Aktualisht jam duke punuar në përkthimin /redaktimin e një teksti tjetër nga Dora d’Istria, transkriptimin dhe redaktimin e më shumë letrave të Edith Durham, dhe transkriptimin dhe redaktimin e eseve nga Harry Hodgkinson (në M Edith Durham, dhe udhëtimet i saj në 1936 përgjatë bregdetit Adriatik në Shqipëri).

Morelle Smith ka botuar disa libra me poezi, prozë, ese. Ajo ka punuar në Ballkan si mësimdhënëse e gjuhës angleze, organizata humanitare. Ajo ka fituar disa çmime si “The Audience Award” në Terra Poetica Festival në Ukraine, 2014), the Autumn Voices Competition (2017), dhe ka qenë nominuar për Pushcart Prize (2018).  dhe vepra e saj është përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, shqip, rumanisht, kroatisht, si edhe në bullgarisht.

Në gjuhën shqipe Morelle Smith është e njohur vetëm me librin e saj me tregime “Rrugët e Tiranës prag pranvere”, botuar nga shtëpia botuese “Ora”, Tiranë, 2004.

Exit mobile version