Kreu Letërsi Shënime mbi libra Kujtim M. Shala: Fundi i së vërtetës (Rasti i romanit “Lumi i...

Kujtim M. Shala: Fundi i së vërtetës (Rasti i romanit “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxës)

Lumi i vdekur i Jakov Xoxës përfaqëson rastin klasik, të qartë dhe të njohur të një vepre letrare gjinia e së cilës pranohet e nënkuptueshme: po lexoj romanin Lumi i vdekur. Romani i takon klasës së gjinive referenciale (mimetike) dhe reprezentative (sipas konceptit të Zhenet), veti që bëjnë të duket gjini e lidhur me të vërtetat përtej botës së tij të fiksionit. Por a ngjan kështu me Lumin e vdekur? Kjo përbën boshtin e çështjeve që do të trajtojmë në këtë tekst.

Veprat si Lumi i vdekur thurin traditën e tyre të komunikimit letrar dhe lakmojnë klasicitetin si status historik-letrar. Vërtet, termi vepër klasike, së pari, nënkupton status letrar me bazë strukturën e veprës, ndërsa vetë struktura e përcakton në shkallë të lartë dhe mënyrën e leximit të veprës. Në këta terma, klasiciteti nënkupton tipologji letrare atemporale, ndërsa vepra klasike një tipologji historike-letrare. Gjinia, siç e dëshmon tradita diskursive mbi të, lidhet me ontologjinë e veprës, madje përcaktohet nga ajo, kur ontologjia përfshin dhe tematikën letrare, si një rang thelbësor konstituiv kategorial (gjinor).

Po epistemat letrare ç’status kanë?

Po ideologjia?

Këto janë çështje thelbësore që dalin në pah kur trajtohen vepra si Lumi i vdekur, të lidhura me traditën e realizmit, romane të “realizmit të madh”, siç e përkufizon Rugova romanin e Xoxës, vepra me natyrë të fortë mimetike, poetika e të cilave përvijohet përmjet rrëfimit skrupuloz, “distancës epike” me ngjarjen e rrëfyer (Bahtin), epizmit letrar dhe mimezës, si mënyrë krijimi e veprës dhe si status ontologjik.

***

Lumi i vdekur, si një vepër mimetike, duket sikur shtron prej vetiu çështjen e raportit më të vërtetën e provueshme. Diskursi, i cili synon këtë soj të vërtete, shkon përtej epistemologjisë letrare, por ai ose rrëshqet në keqkuptime të thella ose kthehet duarbosh, meqë e vërteta e letërsisë nuk është një e vërtetë e vërtetë, e provueshme në mënyrë faktike. E vërteta e letërsisë buron nga gjasa (e mundshmja) dhe përherë mbetet e lidhur me të (Shala). Leximi që nuk e ka parasysh gjasën letrare, huq thelbin e veprës, natyrën e saj krejtësisht unike.

Atëherë, çfarë do të thotë vepër mimetike?

Cili është raporti i romanit Lumi i vdekur me të vërtetën?

Mimetika është fusha e gjerë e imitimit mbi bazën e gjasës, prandaj një fushë e trillimit apo e krijimit letrar. Kur një vepër e përcaktojmë si mimetike, vërtet, kemi të bëjmë me një tautologji. Por ka klasë veprash me natyrë më të fortë mimetike, vepra trillimtare që, në kahun tjetër, forcojnë iluzionin e reales. Në thelb, si trillimi letrar, ashtu dhe vepra referenciale efektet e reales synojnë.

Lumi i vdekur, si një vepër narrative, duhet të trajtohet pikërisht përmjet konceptit të trillimit. Por Lumi i vdekur është lexuar si një vepër e madhe realiste, madje si vepër socialiste, pa e kuptuar se në këtë mënyrë reduktohej letrarësia, ndërsa funksioni i veprës lidhej pazgjidhshëm me ideologjinë e kohës, e cila, në thelb, ishte ideologji e klasave, edhe pse, qoftë dhe në terma empirikë, kjo vepër rrëfente një kohë tjetër, prandaj thurte një ideologji tjetër.

Një vepër si Lumi i vdekur iluzionin e reales e ka të fortë, meqë gjasën letrare e konstituon apo e shoqëron me disa fakte. Si çdo vepër me status të tillë dhe si i gjithë diskursi letrar, Lumi i vdekur shkon përtej fakteve apo dhe shmang fakte, për të ecur drejt një ekspresionizmi që nxin jetën empirike dhe pamjen ashtu të nxirë do ta japë si një dëshmi. Kjo nuk është një ideologji letrare, ideologji që buron nga struktura e veprës, por një konstruksion ideologjik. Raporti me të vërtetën në rastet si ky i Lumit të vdekur është si raporti një karikature me pamjen (si te novela Dr. Gjëlpëra… e Konicës), apo i shoqërisë së rrëfyer në terma fatalë dhe ekspresionistë (si te Migjeni). Kujtoni sesi përshkruhet një qehaja apo dhe vetë beu te ky roman, bashkë me priftin e fshatit, për të prekur natyrën ekspresioniste të rrëfimit që nuk ka të bëjë me një formacion letrar, që nuk ka të bëjë me poetikën, por me gjithë letërsinë e shkruar me tezë. Kështu arrijmë te përcaktimi se Lumi i vdekur është një vepër e shkruar me tezë, veti që atë e bën një vepër të mbyllur, të lexueshme, por jo të shkrueshme, sipas pikëpamjes së Bartit.

E vërteta e një vepre të lexueshme konstituohet nga faktet e fiksionit, fakte që konstatohen dhe që nuk interpretohen. Lumi i vdekur është një vepër që nuk flet tjetër për tjetër, një vepër që përfaqëson metonimi, referencialitet të gjasmuar, prandaj dhe e vërteta e saj është e gjasmuar. Referencialiteti i kësaj vepre nuk është një argument për një të vërtetë të marrë nga “jashtë”. Ajo është e vërteta e veprës dhe e Jakov Xoxës si autorit-model, siç e përcakton Eko këtë kategori të autorit. Që të jenë të bësueshme dhe të jetojnë në universalitetin njerëzor, të vërtetat duhet burojnë nga universaliteti letrar.

Kështu, romanin Lumi i vdekur, si gjithë letërsinë, duhet ta lexojmë të lidhur me të vërtetën e mundshme, lexim që atë e çliron nga synimi për të qenë një dëshmi dhe e fut në fushën e gjerë të universalitet letrar, që nuk njeh as kohë dhe as vende, qoftë dhe në rastet kur veprat lidhen me kohë dhe me vende të caktuara, si ky roman. Xoxa ka rrëfyer të vërtetën e mundshme, të imagjinuar. Aty ku fillon rrëfimi letrar, qoftë dhe me referenca, marrin fund faktet dhe e vërteta e faktuar, e cila nuk mund të kërkohet nga Lumi i vdekur dhe nuk mund t’i përshkruhet kësaj vepre, meqë e vërteta e mundshme nuk ka të bëjë me faktet, por me thelbin universal të dukurive.

***

Sikur titulli ta ketë kthyer në një metonimi dhe vetë veprën, Lumi i vdekur, në dekadat e leximit, është shoqëruar nga reduktimi dhe nga varfërimi kuptimor. Kemi mendimin se romani më i njohur i Jakov Xoxës është më pak i njohuri, për shkak të keqkuptimit, qoftë ky dhe keqkuptim i qëllimshëm, përmjet absolutizimit të mimetikës së tij, madje përmjet shpërdorimit ideologjik. Reduktimi shtrihet gjerësisht në rrafshin tematik të veprës dhe rrjetin e temave e kthen në rrëfim për “problemin fshatar” (Velça), “dramën e fshatarit shqiptar” (Qosja), të varfër, “të shfytëzuar” nga të pasurit që “ua pinë gjakun” të varfërve dhe për “urrejtjen për bejlerët” (Bihiku). Kjo ka varfëruar vetë Lumin e vdekur, pikërisht kur pretendoheshin të vërtetat e Xoxës, sikur të mos mjaftonin reduktimet që burojnë nga vetë struktura e romanit. Vëmë re se, përmjet reduktimit në emër të kërkimit të së vërtetës, është huqur e vërteta letrare, e motivuar nga fabula, si dhe është shmangur në tërësi e vërteta letrare, krejtësisht unike, e lidhur me fiksionin dhe me rrëfimin letrar.

Çështja do parë në terma letrarë, por pa harruar shtresëzimin e fortë ideologjik-letrar të kësaj vepre, madje dhe konstruksionet ideologjike që zbulojnë pikëpamjet ideologjike të autorit, të cilat nuk i motivon fabula e veprës, por që veprës i shtohen nga ana e autorit. Një gjë është ideologjia letrare e veprës dhe plotësisht e ndryshme është vepra ideologjike, e shkruar për të kryer shërbime përtej rrafshit të estetikës. Por cilës prej këtyre dyja kategorive i takon Lumi i vdekur? Kemi mendimin se u takon të dy kategorive, meqë, kur ndiqet fabula, vepra thur ideologjinë letrare; ndërsa, kur autori ligjëron përvojën e jetës apo bindjet ideologjike, si autor-empirik (Eko), vepra bëhet ideologjike, sepse autori artikulon ideologji. Vepra ideologjike e redukton qeniesinë estetike (Rugova), bashkë me refuzimin estetik të jashtësisë (Rugova), si kushte për forcimin e estetikes dhe për objektivimin letrar. E vërteta objektivohet, d.m.th. imitohet dhe përbrendësohet, jo në trajtën e “një vizioni të gjerë për jetën” (Qosja) apo të një “pasqyre të vëretë dhe të gjerë” (Brahimi), por me statusin e një përbërësi të botës së gjasmuar. I gjithë përftimi letrar universal është i gjasmuar. Kur natyra e gjasmuar e rrëfimit ngatërrohet me faktet, huqet natyra e letërsisë, ontologjia e veçantë e saj dhe jeta projektohet në vepër sikur vepra ta kishte dhënë të gjallë jetën. Në këtë nyjë, vëmë re dhe një lidhje të ideologjisë me epistemat letrare, qoftë kjo dhe një lidhje e projektuar nga kritika letrare, prandaj do hapur ideologjia e Lumit të vdekur, për të provuar natyrën e lidhjes së tillë, raportin e ideologjisë me të vërtetën, duke patur parasysh se ky raport përftohet në një strukturë narrative letrare.

***

Lumi i vdekur ka tre libra: Te Hani i Bishtanakes, Përmbytja dhe Në hijen e Pyllit Mbret, të ngjashëm për nga stili dhe struktura narrative, si dhe të lidhur tematikisht. Libri i parë thur ideologjinë letrare të jetës dhe të vdekjes, të përballjes së tyre, të jetës që vazhdon dhe kur vdekja të merr më të dashurit. Ky libër përbën pjesën më estetike të romanit Lumi i vdekur. Libri i dytë, në shembullin e Kutelit, te Lumi i Madh, por në strukturë narrative shumë më të zgjeruar dhe në gjininë e romanit, tematizon hakmarrjen e natyrës ndaj veprimeve të dorës së njeriut; një temë që vihet në zemrën e ideologjisë së veprës dhe që pavërejtur e konteston pikërisht atë ideologji. Në këtë mënyrë, Përmbytja, pjesa më ideologjike e Lumit të vdekur, shënjon çlirimin më të madh nga ideologjia, pikërisht përmjet tematikës. Natyra hakmerret, vepra e saj është e përjetshme, qoftë dhe kur vetëtransformohet, prandaj njeriu duhet të jetojë në një lloj ekuilibri me të; po u prish ekuilibri, e pëson njeriu. Duket si një religjion i natyrës, një raport me natyrën i thurur në shtigje të tjera nga rëndom gjurmon ekokritika. Sikur Lumi i vdekur ngjallet e përmbyt, ashtu merr në mbrojtje natyra në Pyllin Mbret. Këtu rrëfimi për raportin e njeriut me natyrën bëhet krejtësisht etik, meqë natyra merr në mbrojtje vetëm njerëzit e drejtë.

Në termat e mësipërm, ideologjia e Lumit të vdekur i takon më parë etikës sesa që prodhon politiken, prandaj leximi i tij si diskurs ideologjik apo që paralajmëronte ideologji, siç e lexonte kritika marksiste, mbulon shtrirjen dhe hapjen ideologjike të veprës, rrjetin e ideve, moralitetin dhe mësimin e saj etik. Edhe sot një lexim ideologjik vetëm sa e redukton rrjetin e ideve të këtij romani dhe i përshkruan detyra konkrete, që ai nuk mund t’i përmbushë asnjëherë. Idetë janë thelbi i tematikës letrare, ndërsa idetë e lidhura përbëjnë ideologjinë e saj; ky është parimi të cilin Lumi i vdekur e kalon vetëm atëherë kur ngjall konstruksionet ideologjike të autorit, krejtësisht të ndërshtëna dhe kryesisht arbitrare. Duket se këto dhe konstruksione kanë bërë që kritika të kërkojë të vërtetat e veprës, lidhjen e saj me dëshminë dhe me dokumentin, madje ta njohë veprën si një burim historiografik. Ideologjia letrare e provon se burim e ka vetë strukturën e veprës dhe se ajo është nje element i strukturës. Kemi parasysh se konceptimi i tillë është tepër larg përcaktimit që i bënte vetë Xoxa ideologjisë kur (i kërkohej të) shpjegonte raportin e artit me ideologjinë: “Me pak fjalë, arti, meqë shpreh idetë e njerëzve mbi botën, është ‘ideologji’”, ndërsa ideologjia, nisur nga etimologjia, është “dituri mbi idetë”, përfundimisht arti është “një lloj i ideologjisë”; të gjitha këto të lidhura me natyrën përgjithësuese të artit dhe të letërsisë së përcaktuar si ideologji. Në këtë frymë, letërsia do të ishte dituri mbi idetë, përcaktim që letërsinë e njeh si një epistemologji. Por në këtë mënyrë huqet natyra krijuese, trillimtare e letërsisë, bashkë me raportin që vë ajo me të vërtetën, meqë e vërteta e thurur në fiksion, e vërteta e fiksionit shënon fundin e të vërtetave ideologjike apo dhe epistemologjike. Prandaj kur merr fund e vërteta e faktuar, çlirohet rrëfimi letrar. Por rrëfimi letrar ka të vërtetën e tij, të pangjashme me asnjë tjetër, kështu që asnjë lexim faktesh nuk e zëvendëson atë. Këtë përfton dhe Lumi i vdekur, edhe pse metoda e krjimit e Xoxës teorizohej përmjet shpjegimesh për letërsinë si diskurs që faktet, prandaj dhe të vërtetat i jep në trajtë të bukur, duke harruar se ato nuk janë objektive dhe të faktueshme, ato mund vetëm të objektivohen në trajtë qeniesimi estetik.

Prishtinë, qershor 2023

Referencat:

Jakov Xoxa: Lumi i vdekur, Prishtinë, 1989; Rexhep Qosja: Kritika letrare, Prishtinë, 1969; Hyrje në shkencën e letërsisë, përgatitur nga J. Xoxa, Prishtinë, 1970; Kudret Velça: Romani “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, në Vëzhgime kritike, Prishtinë, 1978; Razi Brahimi: Pasqyrë e vërtetë dhe e gjerë, në Artikuj dhe studime mbi romanin, Tiranë, 1980; Koço Bihiku: Sukses i ri i letërsisë sonë (Romani “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës), në Artikuj dhe studime mbi romanin, Tiranë, 1980; Mihail Bahtin: Epi dhe romani, në Çështje të romanit, Prishtinë, 1980; Rugova: Strategjia e kuptimit, Prishtinë, 1982; Zherar Zhenet: Figura, Prishtinë, 1985; Rugova: Refuzimi estetik, Prishtinë, 1987; Umberto Eko: Gjashtë udhëtime nëpër pyjet narrative, Shkup, 1997; Roland Barthes: Aventura semiologjike, Pejë, 2008; Kujtim M. Shala: Epistemologia e dytë, Prishtinë, 2016

Exit mobile version