Kreu Intervista Kristos Armandos Gezos: Çdo krijim, dashje pa dashje, është një protestë kundër...

Kristos Armandos Gezos: Çdo krijim, dashje pa dashje, është një protestë kundër zvetënimit

Bisedoi Liridon Mulaj

Romani “Balta” është vepra e parë e juaja e ardhur në shqip nga përkthyesja Eleana Zhako. Ju shkruani në greqisht ndërkohë romani vjen në gjuhën e vendlindjes suaj.  Çfarë do të thotë kjo për ju Kristo? 

Është një ndjenjë shumë e bukur. U largova i vogël nga Shqipëria dhe në shtëpi flisnim greqisht, ndaj dhe shqipen nuk arrita ta mësoj mirë. Jam përpjekur vitet e fundit të mësoj vetë shqip, që të kem mundësi të lexoj e të përkthej nga shqipja, por edhe të komunikoj me njerëzit. “Balta” është romani im i parë dhe lidhet në mënyrë direkte me Shqipërinë, ndaj dhe për këto arsye, botimi në shqip ka një rëndësi të veçantë për mua.

Ka një kaos social të mjedisit që pasqyrohet në kaosin e brendshëm të personazhit. Një mjegullnajë përjetimesh që përçapet të sistemojë pikëvështrimet.  Ekzistencializmi është sot ende burimi i reflektimit dhe i pasojave. Ngjan sikur romani juaj është një protestë ndaj një degradimi socio-moral. Këtë bën letërsia gjithmonë? 

Çdo krijim, dashje pa dashje, është një protestë kundër zvetënimit. Gjithçka që përmban lëvizje, do të thosha. Por, më konkretisht, që të përsiatesh mbi zbrazëtinë që na pret të gjithëve dhe të pyesësh veten se si mund ta ngadalësosh apo të përballesh me të, i shërben këtij drejtimi krijues, akoma më shumë.

Emigracioni, të qenit i huaj në aspektin gjeografik dhe kulturor. Diku mes rreshtash në romanin tuaj lexoj këtë fjali: “Një xhaxha me mustaqe të verdha e kërrabë, që ecën si lavjerrës përgjatë shëtitjes së tij drejt kafenesë dhe harxhon panevojshmërisht dhe idiotësisht fuqinë e tij kur cyt një fëmijë, hajde ik të luash në atdheun tënd, çfarë bën këtu qelbanik”

Diçka ka ndryshuar në breza përsa i përket racizimit, apo edhe ky problem është kamufluar mes mijëra problemeve të një bote globaliste që nuk gjen qetësi?

Emigrimi është fenomen diakronik në historinë njerëzore. Njeriu ikën gjithmonë nga vuajtjet dhe është në kërkim të vendeve, ku mund të ketë një jetë më të mirë – dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me vende, por edhe me gjendje shpirtërore. Bota bëhet përherë e më hapur dhe e kupton këtë nevojë, është më tolerante. Ndërkaq, emigrimi vazhdon dhe do të vazhdojë të përbëjë sfidë, sepse trazon ekuilibrat shoqërorë. 

Në romanin “Balta” ironizohet rendi i rregullt i etapave të jetës. Fëmijëria, festat, stërmundimet për provimet në fakultet  diploma, dëfrimet më pas të cilat përligjen për shkak të mbingarkesës nga periudha e gjatë e studimeve. Aspiratat për karrierë, rendja drejt saj etj.  Një lloj cirku qënësor por deri diku dhe banal.  Edhe pse të përkohshme, a janë pikërisht këto etapa që i japin njëfarë kuptimi jetës dhe barrikadojnë shkarjen drejt një nihilizmi? 

Po, ky është këndvështrimi i protagonistit, për të cilin çdo gjë që nuk ka të bëjë me thelbin ekzistencial të jetës, është e rreme dhe e përkohshme, inferiore. Natyrisht, që kjo lidhet edhe me faktin që nuk ka arritur t’i gëzojë jetës në realitet, duke pasur si rezultat, që në shumë çështje, të ketë një gjykim të deformuar.

Nga një keqkuptim lind një dramë e thellë njerëzore. Shkaktare e një qerthulli mendor pa rrugëdalje.  Personazhi mendon se ka vrarë babanë dhe e mbart këtë brengë brenda vetes për shumë kohë. A jemi ne pre e një kurthi universal, që shkojmë drejt tij dhe pse e dimë që na pret  në grackë që është vdekja. A është ky keqkuptim analogjia e jetës? 

Vdekja është një temë e fuqishme në gjithë krijimtarinë time. Prezenca e saj është e vazhdueshme, qoftë si realitet, qoftë si përfytyrim apo vegim, madje edhe si përçlirim, si paqtim. Por, në realitet vdekja e bën jetën shumë të rëndësishme për heronjtë e mi, ndaj dhe ata trishtohen e rebelohen. 

Kriza ekonomike e 2008 sikur e përkuli deri diku krenarinë greke. Sikur ekonomia prevaloi mbi historinë e madhe. A e ndryshoi kjo krizë përfundimisht  perceptimin e individit grek për veten e tij? 

E vërtetë. Fatkeqësisht, për disa dekada, grekët ishin rehatuar dhe kur përgjithësisht njeriu nuk vështirësohet, nuk maturohet. Shoqëria greke, është ende një shoqëri jo e pjekur, që gradualisht përballet me një realitet të ashpër, por që në terma afatgjatë, do t’i bëjë mirë. Mendoni, p.sh., diçka shumë të thjeshtë: tani me krizën (ose krizat, më mirë)  dhe shtrenjtësinë, të gjithë mendohen mirë para se të shkojnë në supermarket dhe e kuptojnë sesa e ashpër dhe e dhunshme është kjo për njeriun. Por unë (dhe sigurisht edhe shumë të tjerë), kështu u rrita si fëmijë, për dekada të tëra ky ishte realiteti im i vetëm.

Ismail Kadare pohon se: “Për të shkruar një mbyllje të mirë të romanit duhet të jesh poet”. Ju si poet dhe prozator njëkohësisht sa mendoni se ndikon poezia te proza. 

Libri i parë që botova, qe me poezi. Por para botimit të tyre, pata shkruar një numër të madh tregimesh dhe një roman, të cilin zgjodha mos ta botoj. Dua të them se që në fillimet e mia, të dyja këto prirje bashkekzistonin brenda meje. Poeti ndikon në mënyrën si shkruaj prozë dhe prozatori, në mënyrën si shkruaj poezi. Kjo është shumë e vlefshme nga ana krijuese, sepse të ofron një gamë veglash shkrimtarie, por edhe shpirtërisht, sepse përmbush një shumëllojshmëri kërkesash sentimentale.

Ju ndjell ideja e bashkekzistencës së identiteve tuaja letrare, më tepër në kuptimin e afirmimit  dhe jo të kuptimit identitar per se. A do të donit të konsideroheshit tashmë edhe shkrimtari ynë përveçse i Greqisë? Ju miklon kjo gjë apo nuk e mendoni? 

Pyetje e bukur. Mendoj se, që nga çasti që shkruaj në greqisht, nga ana teknike, jam në radhë të parë një shkrimtar grek. Përtej kësaj, në një nivel më të thellë sentimental, uroj që libri im t’u pëlqejë kaq shumë lexuesve shqiptarë, sa që do duan të më konsiderojnë të tyrin. Për më tepër, synimi i epërm i çdokujt që shkruan, është të jetë i përbotshëm dhe t’u interesojë të gjithëve. 

Exit mobile version