Kreu Letërsi Shënime mbi libra Kosta Nake: Një trazim i legjendave, kanunit dhe mafies në një romantizëm...

Kosta Nake: Një trazim i legjendave, kanunit dhe mafies në një romantizëm tragjik

Romani “Lulet e skajbotës” i Namik Dokles, Toena 2017

Njerëz të jashtëzakonshëm në rrethana të jashtëzakonshme, edhe pse jemi dy shekuj më pas shkëlqimit të romantizmit europian. Mirëpo jemi në realitetin shqiptar të tranzicionit që si një minierë e braktisur, vazhdon të trondisë shoqërinë dhe të zgjasë kërkimin e dritës në fund të tunelit. E jashtëzakonshmja ngre siparin e veprës kur arkivoli i mbyllur me trupin e emigrantit, ngrihet për t’u përcjellë në banesën e fundit, por Jetmira, e motra, këmbëngul që të hapet kapaku që ta shohë për herë të fundit dhe, nga nishani që duhej të kishte në qafë, njëlloj si ajo, deklaron se kufoma është e dikujt tjetër. Në atë trevë ishin tre djem me të njëjtin emër: Petrit Kallabaku.

Petriti kishte vite që kishte emigruar, ishte i pafat dhe kishte mbetur rrugëve të Europës pa mundur të kthehej në vendlindje. Atëherë niset motra në kërkim të vëllait në Greqi e Itali dhe bie në grackën e trafikantëve të seksit. Petriti mëson për fatin e keq të së motrës dhe vihet në kërkim të bandës për t’u hakmarrë, por është i vetëm përballë të shtatëve që e drogojnë dhe e futin në dhomën e errët ku ishte e motra. Atje prek shenjën që kishte në qafë e motra dhe e kuptoi se e kishin hedhur në një fushë të minuar. Kthehet në vendlindje me peshën e një akti të rëndë sa mali.

Autori sjell një rast ekstrem të fatit të emigrantëve, jo aq për të sharë botën sesa për të treguar atë dukuri tronditëse kombëtare të braktisjes dhe zbrazjes së fshatrave që kulmon me gjëmën e ferrave që pushtojnë oborret e shtëpive dhe mësyjnë dritaret për t’u futur brenda shtëpive. “Na ka hyrë braktisja në kockë e nën lëkurë.” (f.151) Shkaqet janë komplekse dhe shpesh mjegullohen nga lufta politike që Perëndimin e bën herë engjëll dhe herë djall sipas peshores elektorale. Sigurisht, faktori ekonomik është përcaktues, por jo i vetmi. Autori fton Mirjetin, një nga karakteret e veprës, posaçërisht për të studiuar shpërnguljet në një hapësirë të gjerë kohore që shkon edhe para krijimit të shtetit shqiptar, i beson atij detyrën e staticienit. Prapa njoftimeve pjesërisht të vërteta, siç janë nevojat e tregut gjerman për forca pune, lehtësirat që krijohen duke huazuar identitet kosovar ose akoma më keq afrikan, fshihet edhe një emigracion i sponsorizuar nga forca të caktuara për të cilat nuk flet askush. Mirjet Xhiritlia shton tek shkaqet zbulon edhe klimën e pasigurisë që krijon ndërhyrja e pakontrolluar si te rasti varrezave, apo zhvlerësimi i atyre rrathëve të figurshëm prej çeliku që mbajnë bjerrjen e maleve. Një shpërthim i pashpjegueshëm shtyn përpara ngjarjet dhe nxjerr në skenë Çopur Çabrakun, biznesmenin e shitjes së zhavorrit që dëmton edhe varrezat e fshatit. Gropa e hapur nga shpërthimi quhet “gropa e vdekjes, gropa e frikës, rrethi i vdekjes, djepi i ankthit, obruç, gaverrna e jetavdekjes.” (f.112) Bashkëpunëtor i Çopurit është ish-kapter Kurtishi që është bërë pronar i restorantit “Terraca” ku vijnë “ministra e drejtorë për allishverishë tenderash, deputetë që kërkojnë sponsorizime, analistë televizionesh dhe kontrabandistë gjithfarësh.” (f.94) Autori ka arritur të tregojë rritjen e njerëzve të paskrupuj nga hiçi deri në kontrollin e jetës krahinore, përdorimin e kulaçit e kërbaçit, organizimin mafioz për orientimin e votës dhe opinioneve duke shoqëruar hedhjen e parasë së madhe me kërcënime si te rasti i drejtorit të shkollës, rrahje, vrasje, madje edhe me zhvarrime, siç ndodh me Jallman Xhimshitin, i cili përdhunoi të bijën, kur kundërshtoi të shitej si nuse duke thënë se nuk ishte e virgjër. Kur Jallmani provoi ta përsëritë, Hasimja dhe Hana e vranë dhe e groposën te Përroi i Qenit dhe Çopuri që e ka ditur të vërtetën, e shfrytëzon për të goditur në çastin e duhur.

Ngjarje e dhimbshme është rrëmbimi i Njomzës së vogël dhe romani mbyllet me një monstër që nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë. Mjediseve të ndërtuara nga autori, si njeri i angazhuar gjatë viteve të para të tranzicionit, u shtohen edhe fakte të vërteta të përdorura si karrem elektoral siç është rasti i 120 mijë qengjave që do të bliheshin nga Arabia Saudite. Nuk është e pamundur që një sozi i Çopur Çabrakut përtej faqes së fundit të romanit të vërë kandidaturën për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ashtu siç ndodh edhe me Arsen Mjaltin te romani i Fatos Kongolit “Stinë pandemie.”

Mbushja e tretë shkatërruese e paqes sociale në Gorë realizohet me rijetësimin e Kanunit, keqpërdorimin e tij në funksion të zbrazjes së hapësirave ku vepron ai dhe fshehjes së natyrës komerciale që  e ushqen. Kjo strukturë ka heroin e vet tragjik, Andrin Skuraj, të cilin orteku i Kanunit e zë përfundi. Është një instrumentist i talentuar që është ngjitur edhe në skenat e famshme të Europës, por e braktis Tiranën dhe kthehet të ngujohet në vendlindje sepse është kthyer në objekt gjakmarrjeje. Ai merr përmasa legjendare kur zhvarros nga oborri gjyshin dhe merr në duar kafkën e tij si një Hamlet shqiptar.

Në këtë realitet të ashpër që nganjëherë i ngjan një xhungle, thyen bisqe dhe shkelen pa mëshirë lule dashurie duke i gjymtuar shpirtërisht. Si një regëtimë drite mbi këtë terr vjen dashuria e pamundur Petrit – Drena. Drena është një ka viktimat e genocidit serb në Kosovë, me po ata parametra të fatit të keq të Petritit në zhbërjen e ëndrrës europiane.

Skeleti tranzicionist i kësaj treve me një komunitet që ka dhe gjuhën  vet gorançe, një komunitet me shpirt artisti që mendimet i shpreh bukur me rima, mbushet me legjenda dhe episode që bëhet përcjellëse të mesazheve të caktuara. Pjesa legjendare vjen me ndërtimin e urës e cila nuk përfundon deri sa arrihet një pakt midis mjeshtrit të ndërtimit dhe Djallit. Veçanësia e trevës vjen me bajrakun e dhëndrit, një stafetë tragjike e vdekjes në pragun apo gjatë dasmës dhe përballë saj ndrit sofra e druvarëve që mbledhi shoqërisht drutë që nevojiten për gatesat e dasmës. Një vështrim më i thellë në të kaluarën vjen nëpërmjet miqësisë së Olloman Amerikës me doktorin çifut Zhiko.

Ç’është socializmi? “Puno si kali, ha si miu, ik si lepuri.” (f.191) Socializmi vjen përmes figurës së Hasime Xhimshitit, ish-partizanes që jo vetëm nuk pati forcë të mbrojë shoqen e vet të akuzuar për prishje të moralit, por ia hoqi kapelen dhe i çoi bukën e fundit para pushkatimit. Si shpërblim për këtë bindje të verbër, vjen shkëlqimi i pasluftës që ka si detaj xhaketën e mbushur me dekorata. Tranzicioni e bën të tërhiqet si bashkëvuajtëse, pastaj ujërat trazohen kur publikohen emrat e spiunëve. Socializmi pasurohet me ateizmin shqiptar si shfronësim i ndikimit të religjionit duke përdorur slogane të ngjashme me njeriun e ri, idealin e Partisë, ndërgjegjen komuniste, etj. (f.165)

Ky trazim i legjendave, kanunit dhe mafias vjen në finalen filozofike të veprës: “Rrënojat e Trojës qëndrojnë në çdo djep tonin, në këtë botë që lind nga gjaku dhe vdes e përgjakur. Dhe ne të gjithë na spërkat vdekja.” (f.184)

Por ka dhe një deklarim të drejtpërdrejtë që vjen nëpërmjet figurës së plakut të urtë Ismen Kallabaku, pasi bëhet krahasimi midis dy kohëve: “Kjo kohë është vrasëse e dashurisë. Vret çdo dashuri njerëzore: të fëmijëve për nënën, të motrës për vëllanë, të vajzës për djalë e të babës për vajzë, të burrit për grua e të vëllait për vëlla.” (f.195) Ka dhe vrastarë të identifikuar: “Uria…Batakçinjtë dhe kodoshët… Mashtruesit e pashkollë të parlamentit… Gënjeshtarët e gazetave… Vagabondët që na shesin vajzat. Maskarenjtë që u thajnë gjakun djemve tanë.” (f.196)

Bilisht, 6 shkurt 2024

Exit mobile version