Kreu Letërsi Shënime mbi libra Kornizë dashurie për autoportretin e Ervini Hatibit

Kornizë dashurie për autoportretin e Ervini Hatibit

nga Virion Graçi

Kam qenë student në vitin e parë te Filologjiku kur u botua libri i parë i Ervin Hatibit, Përditë shoh qiellin, poezi, Botimet Naim Frashëri, 1989. Ai vetë ishte nxënës në shkollën e mesme, 14-15 vjeç, më duket. Libri menjëherë  bëri emër, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. I vetmi ent botues në Shqipëri për librat artistikë atëherë ishte “Naim Frashëri”; I vetmi mjet me të cilin shqiptarët mund të mbushnin/trazonin veten shpirtërisht çdo orë të ditës, çdo ditë të javës ishte libri; e libri, siç e dimë, aso kohe qarkullonte në tirazhe mijëra kopjesh në çdo qendër të banuar të vendit sepse kudo kishte librari e lexues, kudo, në çdo shkollë e njësi banimi kishte biblioteka publike me libra për çdo moshë; libri Përditë shoh qiellin bëri histori pa dalë ende në librari- ishte shoqëruar me parathënie nga Ismail Kadare, çka do të thoshte shumë për publikun, premtim i madh, krahas moshës fare të re të autorit. Të jem i sinqertë, ende nuk e kam lexuar atë libër, atë botim. E humba mundësinë ta lexoja në kohë reale, me të tjerët, pastaj, peng i një zakoni tim të pandreqshëm, kur nuk e bëj dot diçka në kohën e duhur, nuk i kthehem kurrë më vonë. Por në mendjen time vërtitej herë pas here emri i autorit dhe nuk u dredhoja bisedave kureshtare e fjalëve premtuese që thureshin rreth tij. Ishte për t’u pasur parasysh me kërshëri pozitive fenomeni Hatibi, mendoja qysh atëherë. Sepse ishte adoleshent kryeqyteti, i kulturuar e nga familje me kulturë, nuk ishte i detyruar të bënte poezi për t’u ngjitur më lart në shoqëri, për llogari pragmatike, për t’u zyrtarizuar, për të bërë karrierë e për rrjedhim – rehati familjare afatgjatë në kryeqytet, në ndonjë zyrë shtypi a botimesh; E. Hatibi, adoleshenti i talentuar e përnjëherësh i njohur, i famshëm, meritonte respekt e vëmendje sepse nuk ishte nga zbulimet me dorë në  zemër e mallëngjim në sy që burokratët kryesorë të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të kohës bënin nëpër qyteza e katunde gjatë turneve të tyre kulturorë-gastronomikë a në kuadër të qëndrimit gju më gju me popullin, sipas modelit të vetëm të epokës totalitare. Nuk vonoi, dëshira ime për ta njohur njeriun Ervin u përmbush; erdhi student në degën tonë, kishte miqësi me shok të kursit që rrinin konvikteve; vinte përherë, sillte për të gjithë libra të ndaluar dhe atmosferë hareje, gazmendi; takimi ynë ndodhi ashtu si e kishim dashur të dy, rastësisht, mes miqve të përbashkët, duke shmangur bisedat didaktike-teorizuese për letërsinë, për poezinë, për procesin krijues e të tjera nga këto. Gjëja e parë që i kam thënë ishte: “Vino, nuk e kam lexuar ende librin tënd, atë me qiell”. Ai sikur u çlirua nga një bezdi e madhe dhe kjo e bëri më të çlirët marrëdhënien tonë.

Ishte i zhvilluar para kohe, jo vetëm fizikisht; kulturalisht, me interesa në muzikë, në poezinë botërore, në pikturë; por shenjën më të pëlqyeshme të pjekurisë së tij të parakohshme e vëreja te largësia higjienike që mbante me ngjarjet e kohës, me masat, me turmat, me autoritetet, me grupimet e rrethet e organizuara, të strukturuara, qëllimore. Spontaniteti ishte virtyti dhe shpëtimi shenjtërues i atij shpirti aq të dëlirë e shpërthyes. Ishte nga kërthiza e vendit, tiranas nga familje tradicionale, ishte kozmopolit për nga formimi e shijet sepse kishte ndjekur e asimiluar gradulisht thuajse çdo gjë të mirë e me vlerë që kishte kapur në fshehtësi; ishte fizikisht pranë të ngjarjeve që po shkundnin vendin, establishmetin, autoritetet dhe institucionet e sistemit politik-shtetëror; kishte njohje direkte, të mëherëshme e të natyrshme me gati çdo njeri të brezit të tij që po bëhej protagonist shkëlqimplotë në ngjarjet e vrullshme të atyre muajve/stinëve/viteve; mund të ishte në krahun e gjithkujt si i barabartë, pa mbetur në hije, pa mbetur në plan të dytë, por zgjodhi të mos trazohej me tribunat e as me turmat me të cilat deheshin tribunat, në kuptimin e plotë të fjalës. Me sa kam kuptuar, kishte vënë bast me veten e tij për gjërat që i kishte të brendshme, të çmuara, të dashura, dhe ato vetë i kishte lënë të rriteshin e të kristalizoheshin ngadalë, me radhë, si t’u vinte ora. Nga ana tjetër, bashkë me letrarë e aktivistë të tjerë të moshës së tij si Rudi Erebara, Rudian Zekthi, Agron Rexha, me përkujdesje për letrarë të tjerë që nuk kishin njohje e botime të mëparëshme, qëmtonin dorëshkrime e fletore shokësh për krijime të vlefshme, për ta pasur një vëllazëri letrare, për ta pasur një forum të ri,  një gazetë, për të mos u falur në kishë të vjetër, për t’u ndarë nga institucionet hijerënda të kulturës e të editorisë së kohës, shtetëroret e privatet, tashmë. U bë botuesi e promovuesi ynë, ndonëse një 5 vjeçar më i ri se ne në moshë. Aventura e Ervin Hatibit prej redaktori botues u kurorëzua me krijimin e gazetës letrare-kulturore “E PËR-7-SHME” në faqet e së cilës gjetën vend punimet/krijmet e spikatura të mjaft poetëve dhe eseistëve rishtarë. Si ç’do ëndërr e bukur, as ajo nuk zgjati mjaft, por, gjithsesi, gazeta meteorike e Ervinit, Rudianit, Rudit ishte një dritë, një llampë e ndezur në kaosin dhe rrëmujën e kohës rreth së cilës u mblodhëm si flutura, pa na u djegur krahët, na mundësoi të njihemi e të miqësohemi me të tjerë vëllezër të penës e të fateve të ngjashme.

Për fat, udhëtimi artistik i Ervin Hatibit vazhdoi me libra poetikë. Në 1994 botoi 6 Maç, (poezi); Pasqyra e lëndës, poezi, 2004; Republick of Albanania, publicistikë, 2005, etj. Natyra e poezive të E. Hatibit është gjerësisht e njohur; miq e dashamirës të tij shpesh shpërndajnë poezi e poema të tij, në raste të ndryshme. Përkufizimi i saj është i lehtë, sikurse është e lehtë të gjesh fjalët e duhura përcaktuese për vepra me fizionomi të qartë artistike, me origjinalitet të spikatur, me formë e ligjërim poetik krejt origjinal, pa një pararendës a model të përafërt, të paktën në traditën tonë poetike. Prandaj mjaftohemi duke thënë se poezia e E.Hatibit është poezi e një revolucioni estetik, ajo rrëfen në kufijtë e një proze poetike; ajo parodizon në kufijtë e një tregimi satirik; ajo demistifikon mite, ambiente, ideale kallpe me të njëjtën energji e vrull me të cilat braktis format tradicionale, të afërta e të largëta të poezisë shqipe, të leksikut poetik, të sintaksës. Vetëm një shpirt i pastër fëminor si ai i Ervinit mund të shkaktonte kaq rrëmujë e goditje antikonformiste në letërsinë e në shoqërinë shqiptare të kohës dhe, paradoksalisht t’i gëzonte të gjithë, njëkohësisht, pa shkaktuar dhimbje, fyerje, irritim. Askush, publikisht a privatisht, sa di unë, nuk e anatemoi poezinë e tij të pas viteve ’90, ndonëse ajo na fshikullonte të gjithëve nga pak. Sa për kujtesë po sjellim vetëm njërën:

Ç’BËJNË PIJANECËT

e pra ç’bëjnë
pijanecët
gjatë kohës
së lirë
e cila nuk është
edhe aq e lirë
por në kohë robërie
vëlla…
e pra ç’bëjnë
pijanecët
në këtë
kontradiksion
brenda kohës së lirë
e cila shtrenjtë
është ndryrë
brenda kohës së robëruar

pijancët
gjatë kohës
së lirë
shkruajnë poezi
e gjeta
këta janë poetët
një, dy, tre
dy e nga dy
tre e nga tre
një, dy, tre
një e nga një
ata plotësojnë
antologjinë
e poezisë
shqipe.
(përjashtohen nga kjo poezi
ata që e bëjnë me qëllim)
                                   1994

Një fushë tjetër në të cilën u shqua E. Hatibi ishte publicistika, edhe ajo nën shenjën e ironisë, groteskut, në kufijtë e skicës humoristike a të satirës politike, jo rrallë. Ishte koha kur gazetat dhe mediat e reja, private, të pa varura u përmbytën me kujtime e dosjerë nga historia taze e diktaturës, nga blloku udhëheqës komunist, nga gjithëfarë profanësh për të cilët nuk kishte temë a dukuri për të cilën nuk mund të shpreheshin, ashtu, në mënyrë profane, në mënyrë të vrazhdë, pa thellësinë e përgatitjen e duhur diturake e shkrimore. Ervini ishte ndër ata pak zëra që iu kundërvunë haptas kësaj balte mediatike, gjithologe, mercenarë të maskuar e egocentristë të etur për pagesa e për skupe mediatike. Dy qasje ka pasur E. Hatibi ndaj tyre, e para, nëpërmjet shembullit të vet shkrimor, krejt i kundërt për nga cilësia e standardet me shkrimet e gjithologëve, së dyti, duke polemizuar direkt me ta për çështje të ndjeshmërisë historike, fetare, kulturore… 

   Nga shembujt më tipikë të rrëfimit autobiografik-eseistik po sjellim shënimin e mëposhtmë, Ervini fëmijë, nga familje me ‘biografi te keqe’, si “pionier i Enverit” në takimin e udhëheqjes me pionierët e dalluar gjendet në shkrimin me titullin: Ju rrëfej takimin tim me Nexhmie Hoxhën: “…një errupsion fëmijësh rrethoi hyrjen e Ramiz Alisë. Një pionier nga veriu, i veshur me kostumin tipik “bardhë-zi-kuq”, qeleshe përfshirë, kishte recituar një strofë të posaçme në dialekt për xhaxhi Ramizin dhe pastaj “hopa” iu lëshua xhaxhi Ramizit si kamikaze në një përqafim violent fluturimthi. Xhaxhi Ramiz gati sa nuk u thye në mes. Dy-tre shoqërues rendën ta shkëpusnin si midhjen nga guacka fëmijën-malësor që nuk shkulej nga xhaxhi Ramiz dhe dikur ia arritën kësaj. Filloi shpërndarja e buqetave me lule: targeti ishte përsëri xhaxhi Ramiz por dhe udhëheqësit përreth që i ngjanin nga pamja e sigurisht nga veshja.    Kisha mbetur si i hutuar me lule në duar kur mes tallazisë shquaj nga larg konturet e një gruaje të veshur me të zeza, mbetur ca më larg grumbullimit. Ishte Nexhmie Hoxha, një grua të cilës atë vit sapo i kishte vdekur burri. Nuk e pata vështirë ta lejoj magnetizimin të më transportojë drejt saj dhe t’i dhuroj tufën time me lule, të vetmen. Ajo i mori lulet dhe tha zëulët diçka që duhet të ishte falenderim. U ndjeva i realizuar. I mirë. Vërtetë, gratë sidomos, ma kanë këputur përherë shpirtin. (“Republick of Albanania”. f.23.)

Ervini-poet iu përkushtua jo pak luftës ndaj banalitetit, falsitetit kolektiv e individual, heronjve pa krena, qytetit pa qytetari, metropolit pa fizionomi qytetare, provincializmit, modeleve të reja të jetesës gjasme boheme, gjasme moderne; ai i stigmatizoi ato duke i bërë lëndë të parë në ligjërimin e tij poetik-rrëfimtar e parodizues. Të njëjtën mungesë delikatese  e mëshire, të njëjtin ton e të njëjtat linja baroke përdor edhe kur portretizon vetven në mes të shoqërisë. Në shkrimin Poeti pesëmbëdhjetë vjeçar E. Hatibi ka bërë një autoportret, atipik në llojin e autoportreteve, në fakt, ka shpërbërë e refuzuar atë aureolë nderimi e lavdie të parakohëshme që gëzonte qysh adoleshent si poet, si talent i rrallë i letërsië shqipe, sipas dokumentarit të kinostudios “Shqipëria e re”: “Pas më se një dekade të shohësh përsëri një film vetëm me një personazh. Ballë për ballë. Ky personazh isha unë gjatë verës së vitit ’90. Pra unë pesëmbëdhjetë vjeçar. Fytyra ime arkeologjike, si një kartpostale e zhubrosur në xhepat e viktimave, zbuluar nga poshtë rrënojave ngjyra-ngjyra të gjithë atyre viteve; janë në fakt edhe puçrrat e mirënjohura të pubertetit që rrotullohen rreth portretit, jo vetëm sklepat e skelerozës kormatike të filmit gjermanolindor. Ky fëmijë është ai që ka humbur; kush ta gjejë ta vendosë te befotrofi I sendeve të humbura që dhembin. Trishtim apo turp? Ke vënë kujën, kujë që e ndjejnë vetëm lexuesit e përndjekur të poezisë shqipe, ke venë kujen për ikjen e fëminisë, e ja ku ta sjellin përpara syve e ti s’di ku të futesh. Fëmija i Rai uno-s dhe Kronikës në gur, dhe fëmija i ponçit të portokallit dhe agjitacionit e propagandës, fëmija i fletores ambulante me përkthime nga Remboja, pantallonat e tij prej doku bojëqiell dhe zëri i zvargur si prej halle beqare; ma hiqni sysh bastardin. Jo, jo sille kokën bir, më jep lot të qaj, etj, etj. Por ama dhoma e fëmijës ka në mure një portret të ujdisur në formë zemre: është portreti i Karl Marksit (“…një portret i Karl Marksit i varur në mur/babën e pyes a u lodhe he burr…”-rok-grup Minatori). Pastaj fëmijën e zgjedhur e pyesin intervistuesit pas kamerës së dokumentarit të kinostudios, e njëjta që ka xhiruar me hollësi të turpshme barinj, dele, torno e piramida kufiri, e pyesin për poezinë dhe ai thotë: Naimi, në çdo shtëpi duhet ta kishim një portret me Naim. Kur u rrita edhe pak e kuptova se do të më shqyente kjo dashuri: këtej Marksi e andej Krishti. Historia ime e viteve nëntëdhjetë është historia e Alzasë-Lorenës…. (“Republicka of Albanania”, f.239-240)

Qëndrimi i tij realist, modest, esëll përballë multiplifikimeve të kritikës a historianëve letrarë merr një vlerë të madhe kur kthen në normalitet ndodhitë dhe pandehmat për zhvillime letrare avanguardiste e post-moderniste të fillimeve të viteve ’90, ku ai vetë, në fakt, do të ishte ndër përfituesit kryesorë si poet i dalluar dhe protagonist i vijës së parë, me cikle poezish, me libra, me gazetën “E PËR-7-SHME”. E. Hatibi, me argumenta teoriko-letrarë iu shkon ndesh teprive, i jep vetes (dhe kolegëve e vëllezërve të tij të lirës poetike) vetëm atë që është e Cezarit, dmth, më pak nga çfarë rëndom na atribuohet edhe në mjedise shkencore, universitare. Veçojmë: “Duke kaluar përmes surrealizmit, dadaizmit, agjitpropit, simpative për jogën e rock-un agresiv, “E PËR-7-SHME” konturoi fytyrën e saj prej fetishi e pastaj vdiq për mungesë fondesh. Siç ndodh në të tilla raste. Ky ishte dhe mesazhi më i fortë, ky ishte numri vijues i saj. (Vijon edhe sot). Arti është akt vetësakrifikimi e vetdenoncimi, etj, etj. Me pak fjalë është krenari dhe qëllim në vetvete: të humbësh. E “PËR-7-SHME” nuk ishte gazetë por mbase një dekor teatral i një drame a një letër dashurie në prag të parandjenjës së keqe.” (“Repubicka of Albanania”, f.209)

Ngado që ta shikosh sjelljen dhe prurjet e deri tashme të Ervin Hatibit në letërsinë dhe shoqërinë shqiptare, do të gjesh veç vlera të rralla, humanizëm, origjinalitet, sinqeritet. Për poezi të shokëve që i pëlqenin më shumë shprehej: “e kemi të bukur këtë poezi.” Nuk e kam hasur gjetkë, përveçse te Ervin Hatibi një mirësi e gëzim të tillë të dëlirë ndaj asaj që nuk të përket si autorësi, por të prek në shpirt si lexues.

“Kujtimet janë shtresa jo prodhimtare, në përgjithësi, ndaj shoqëria, ashtu si pleqtë në azile, i ka mbyllur në ndonjë datë të kalendarit,” shkruan diku Ervini. Natyrisht, e ka fjalën për kujtimet e ndihmës së shpejtë me të cilat përpiqemi të gjallërohemi sentimentalisht, të ridimensionojmë të shkuarën në përpjekje për të madhëruar veten në krahasim me të vërtetën, në mos në mënyrë heroike, të paktën si alibi, si sfumim i dekoreve e aktorëve të tjerë bashkëkohës që mund të na nxjerrin në plan të dytë. Shfletimi rilexues i krijimtarisë së deritashme të Ervin Hatibit është endje estetike, gjallërim i mendimit, gjetje e hallkave të këputura të kujtesës nëpër zhurmat jo produktive të kohës- e sigurt kjo, sikurse është e sigurt parandjenja jonë dëshirore se Ervini do të rikthehet në letërsi së shpejti, me poezi dhe në prozë duke bërë të tjera poezi e poemtha, skica, polemika, portrete e autoportrete për të na shpëtuar e lehtësuar sado pak nga patetizmi, nga protagonizmi monologues, shterpë, nga iluzionet letrare dhe nga mirazhet e shkretëtirës sonë urbane.

Exit mobile version