Hamleti i Shekspirit është një personazh i pazakontë në një shekull veprimi, si njeri i dilemave dhe i dyshimit.
Ka kritikë si Bielinski që e shohin si njeri të mendimit, të paaftë për të vepruar.
Të tjerë si Noli ynë e shohin përkundrazi si njeri të matur që i zotëron pasionet dhe synon të përpunojë një strategji sa më të efektshme për të vepruar, për të vendosur drejtësi.
Në të vërtetë figura e tij është kontradiktore, ai është njeri i lindur për të mishëruar virtytet e Rinashimentos, ka mençurinë, përgatitjen, guximin, humanizmin, do të mund të ishte një mbret që do të mbronte kulturën dhe artet dhe do të kontribuonte në lulëzimin ekonomik të vendit të vet, po rrethanat e shndërrojnë në një hakmarrës që vërtet vë në vend drejtësinë e cenuar, po shkakton në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë vdekjen e njerëzve të pafajshëm si Polloni, Ofelia, njerëzve të dobët dhe jo aq fajtorë si Laerti dhe dy të rinjtë në shërbim të Klaudit.
Pra, ky njeri tepër human kur i drejtohet dhunës kalon caqet.
Figura e tij jep rast për lexime të ndryshme. Shekulli i shtatëmbëdhjetë dhe shekulli i tetëmbëdhjetë s’do ta kuptojnë sa duhet këtë figurë. Iluministi Volter e quan barbar Shekspirin për guximin e tij në pikturimin e jetës, të pasioneve njerëzore të skajshme.
Shekulli XIX ishte më i aftë për ta kuptuar Hamletin si figurën e një intelektuali të munduar nga problemet ekzistenciale të jetës dhe të vdekjes, domosdoshmërisë dhe lirisë.
Hamleti i shekullit XX mund të ishte një intelektual që do të donte të reformonte botën në mënyrë revolucionare, po do të ngurronte para dhunës.
Si do të ishte Hamleti i shekullit XXI kur idealet e majta të revolucioneve nga një anë dhe ideali i progresit teknologjik që do të sillte lumturinë dhe begatinë e njerëzimit nga ana tjetër kanë rënë?
Ky hero do të mundohej nga dyshimet dhe dilemat shumë më tepër se Hamleti i Shekspirit; do ta mundonte paaftësia e vet për ta rindërtuar botën, po do të ishte nga ana tjetër i çorientuar nga mungesa e ndonjë ideali të qartë dhe nga kaosi i vlerave ku është vështirë të dallohet e mira nga e keqja. Ndonjë ideal i mundshëm do të ishte ideali i solidaritetit njerëzor para rreziqeve të shumta që e kërcënojnë planetin, ideali i zhdukjes së luftërave shkatërrimtare dhe i përdorimit të shkencës dhe teknologjisë në dobi të njerëzimit.
Ekzistenca e armëve të tmerrshme bërthamore dëshmon për faktin se një luftë e re botërore do të ishte vetëvrasje e sigurtë për njerëzimin.
Pra, një Hamlet modern nuk do të kënaqej me vetëgjyqësi për padrejtësitë që mund t’i ishin bërë atij individualisht, po do të synonte të bashkohej si ushtar i thjeshtë apo si udhëheqës në një përpjekje të bashkuar të njerëzimit për të zhdukur luftërat dhe për të shpëtuar planetin.
Kjo do të ishte e vetmja zgjidhje për të kapërcyer dilemat dhe dyshimet.