Kreu Letërsi Shënime mbi libra “Këngëtorja arbëreshe” e Santorit përballë “Këngës së këngëve” dhe “Canzoniere” të Petrarkës

“Këngëtorja arbëreshe” e Santorit përballë “Këngës së këngëve” dhe “Canzoniere” të Petrarkës

Nga Anton Nikë Berisha

Vepra e shkrimtarit arbëresh, Françesk Anton Santorit (1819), Il canzoniere albanese & Këngëtorja arbëreshe, jo vetëm është ndër më të rëndësishmet të hartuara nga ai, po njëherit të ballafaqon me dukuri të natyrës teorike, të tekstit të veçantë poetik dhe të shtjellimit të tij dhe është e hapur për qasje e interpretime nga më të ndryshmet. Gjithë kjo përligjet nga mënyra e thënies dhe e gërshetimit të formave shprehëse të tekstit, të vargjeve metrikisht të ndryshme dhe e mesazheve poetike.

Për hartimin e kësaj vepre të qenësishme poetike Santori pati parasysh tradita të ndryshme letrare dhe një varg veprash të shkrimtarëve të shquar, arbëreshë e të huaj, por duhet përmendur sidomos katër burime kryesore:

1) Poezinë gojore arbëreshe,

2) “Këngët e Milosaut” (1836) të Jeronim De Radës,

3) “Canzoniere” (Këngëtoren) të Françesko Petrarkës dhe

4) “Këngën e këngëve” të Besëlidhjes së Vjetër.

Pra, Santori shfrytëzoi përvojën e shkrimtarëve të mëdhenj e të shumtë para tij, përkatësisht vepra e tyre. Ai nuk u bë kopjues dhe imitues i tyre, po ato ishin nxitje, ishin vetëm pasurim i përvojës dhe i dijes së tij për artin e fjalës e për punën e hartimit të veprave letrare. Në krijesat e veta poetike Santori dëshmoi mëvetësinë si krijues; zbatoi mënyrën e vet në përftimin e tekstit – të strukturës gjuhësore poetike, konceptimin dhe shtjellimin e mëvetësishëm. Tek Santori ndodhi ajo që thotë Borhes, kur bën fjalë për ndikimin e shkrimtarëve në shkrimtarët e tjerë: “Sa janë ndikimet që mund të dallohen në këtë vëllim […] Në vend të parë shkrimtarët që pëlqej, kam veçuar tashmë Robert Browning; pastaj ata që kam i lexuar dhe rilexuar; pastaj ata që nuk i kam lexuar kurrë, por që janë brenda meje”.

Në të vërtetë, në “Këngëtoren arbëreshe” përligjet ajo që thoshte T. S. Eliot: “Asnjë poet, asnjë artist i cilitdo art, vetëm nuk e ka kuptimin e plotë. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij, është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur” dhe “Me kënaqësi flasim për hollësitë e ndryshimit të poetit nga paraardhësit e tij, veçmas nga ata menjëherë para tij; orvatemi të gjejmë diçka që mund të izolohet me qëllim që të kënaqemi me të. Ndërkaq, nëse i qasemi një poeti pa këtë paragjykim shpesh do të vërejmë se jo vetëm pjesët më të mira të veprës së tij, por edhe ato më individualet mund të jenë mu ato me të cilat poetët e vdekur, stërgjyshërit e tij, e kanë siguruar pavdekshmërinë e tyre në mënyrën më të fuqishme. Dhe nuk e kam fjalën për periudhën impresioniste të rinisë, por për atë të pjekurisë së plotë”.

Këtë përcaktim Santori e thekson në fillim të veprës “Këngëtorja arbëreshe”: dashurinë që e vështron në të nuk e përjetoi vetë, po lexoi dhe e mësoi nga librat:

Për dírë, për namurí shúmë vjershe shkrùajta,

Moj ndë ktë zemër namurí së ndìeta:

Ndë gjéllë sa mbeta ndonjë kopile së rùata,

e vetëm at[ë çë] dhjovasa anì rrefyeta.

(Për epsh, për dashuri shumë vjersha shkrova,

por në këtë zemër dashuri nuk ndjeva:

sa qeshë në jetë një vajzë s’e shikova

vetëm atë që lexova këtu e rrëfej).

Nëpërmjet tekstit të kësaj vepre Santori thekson dhe një dukuri të rëndësishme, qoftë për vetë aktin e krijimit në përgjithësi, qoftë për aktin e krijimit veprën së tij – “Këngëtorja arbëreshe”: vepra letrare në veçanti, përkatësisht teksti letrar nuk mund të shkruhet në çdo kohë dhe në çdo rrethanë; për hartimin e krijesës me vlera të mëdha poetike është i nevojshëm frymëzimi, përkatësisht fuqia shpirtërore, përqendrimi dhe përkushtimi i mirëfilltë. Krijimi i artit nuk është një veprim i rëndomtë; janë një varg përbërësish, herë – herë të pashpjegueshëm edhe nga vetë autori, që e kushtëzojnë lindjen e veprës poetike. Në këtë rrjedhë, sipas Santorit, rëndësi të veçantë ka hareja e krijimit. Këtu qëndron arsyen e asaj që ai thotë në fund të “Kangjelit të valles” (që vjen pas Vjershit IV): gjatë hartimit të kësaj vepre, në një çast, ndihej “i lodhur”, prandaj hartimin e saj do të vazhdonte një ditë tjetër, kur do ta ndjejë nevojën shpirtërore krijuese, përkatësisht harenë e krijimit: Po u lodha; e zëmë papá / Njetër ditë çë të kem gharé.

Sipas përcaktimit të këtillë vepra letrare artistike është fryt i përsiatjeve dhe i konceptimeve, i mëdyshjeve dhe i ballafaqimit, që (pastaj) marrin formë në tekstin përkatës, në veprën artistike përkatëse. Me fjalë të tjera, “Këngëtorja arbëreshe” e Santorit është krijesë e mendjes, e përvojës së tij (po ashtu e mësuar dhe nga librat), që, si e tillë, e shprehur përmes tekstit, mesazheve poetike, bëhet përsëri përvojë e njerëzve.

Në “Këngëtoren arbëreshe” dashuria vështrohet në mënyrë sa konkrete, aq simbolike e përfytyruese. Kjo mënyrë krijuese zbatohet pikërisht në vështrimin e dashurisë – si dukuri e qenësishme të jetës së njeriut, duke e ndërlidhi para së gjithash me lumturinë dhe me bukurinë. Thuhet me të drejtë se pikësynimi kryesor i botës dhe i shpirtit të njeriut është bukuria (e njësuar me lumturinë); ajo është nxitëse dhe ngushëlluese e veprimit dhe ngërthen në vete fshehtësi të jashtëzakonshme; vetë Hyji është triniteti i dashurisë dhe ekziston si plotní dhe marrëdhënie e dashurisë midis njerëzve. Pra, synimi i Santorit ishte që të përftonte një vepër letrare sa më cilësore, një himn, një mozaik poetik që do t’i përjetësonte qenësinë e dashurisë, të bukurisë dhe të lumturisë. Ai u mbështet në parimin e njohur me të cilin De Rada e hartoi veprën e vet “Këngët e Milosaut”: “[…] rendi artistik dhe harmonia e së tërës duhet kërkuar për secilin kuadër, mbasi në ta, patjetër, gjendet ngjasimi e fisnikëria e fabulës, e vërteta dhe idealiteti shërues i karaktereve dhe shqisa simbolike e sendeve”.

Santori e vështroi dashurinë nga fakti se ajo është më e fortë se vdekja; asgjë nuk shpreh më thellë dhe nuk lidhet më shumë me shpirtin e njeriut sa ajo: “Veç dashurisë asgjë s’të hyn në sy!” (Petrarka, CCV) dhe se “nuk e njeh turpin” (sipas Isakut nga Niniva).

“Këngëtorja arbëreshe” nuk është një poemë e mirëfilltë klasike, ku pjesët afrohen e njësohen në tërësi. Për këtë dëshmon edhe fakti se Santori e shkroi atë në kohë të ndryshme. Sipas datave të botimit origjinal të veprës, dy strofat e fillimit (ku tregohet objekti që trajtohet), ai i shkroi më 1845 (f. 4 – 5); “Odhí e I” më 1837 (f. 6- 11), “Këntëk e IV” (lexo: Kënga IV) më 1839 (f. 52), ndërsa “Vjershi XIII” më 1840 (f. 56). Mirëpo, edhe po të mos ishin këto data të ndryshme, pas leximit të vëmendshëm nuk është vështirë të vërehet se “Këngëtorja arbëreshe” është një tufë vjershash, që i njëson objekti artistik i trajtuar dhe sistemi shprehës poetik. Pra, duke e njësuar qenësinë e dashurisë, të bukurisë dhe të lumturisë në strukturën gjuhësore, Santori krijoi një realitet artistik sa të pasur aq të veçantë.

Trembëdhjetë pjesët me titull “Vjershi” (secila pjesë ka 8 vargje njëmbëdhjetërrokëshe, gjithsej 104 vargje) janë imazhe të ndryshme të dashurisë të konceptuara dhe të shtjelluara sipas një modeli të caktuar. Katër “këntëkët” (katër këngët me gjithsej 150 vargje) janë shtjelluar kryesisht me vargje tetërrokëshe të ndara në strofat katërshe e gjashtëshe.

Edhe gjuha dhe vargjet me të cilët janë krijuar “Odhí e I”, “Kangjel i valles”, “Të përpjekurit”, edhe pse nuk janë ndërtuar përherë me të njëjtin masë metrike, afrohen më shumë me stilin, me sistemin e të shprehurit të këntëkëve, po dhe e pjesëve të tjera.

Duke pasur parasysh mënyrën e perceptimit dhe të shtjellimit të tekstit, tablotë poetike dhe mesazhin shumësor që del prej strukturës së vargjeve masash të ndryshme metrike, mund të thuhet se vepra “Këngëtorja arbëreshe” e Santorit është fryt poetik i mendjes (Dekarti thoshte: Cogito, ergo sum – mendoj, pra jam) dhe i dijes së tij, për shumëçka e veçantë dhe e rëndësishme për letërsinë tonë.

Burim të rëndësishëm për hartimin e “Këngëtores arbëreshe” Santori pati dhe veprën e Françesko Petrarkës “Rerum vulgarium fragmenta” & Fragmente të shkruara në gjuhën popullore e njohur si “Canzoniere” (Këngëtorja), nga e cila shfrytëzoi titullin, tematikën e dashurisë dhe pjesërisht çështje të shtjellimit. Këtë ndikim vepra e Petrarkës e bëri dhe në shumë breza poetësh botërorë, duke u bërë kështu “përmbledhja lirike më e imituar në gjuhën italiane”.

 “Këngëtorja” e Petrarkës nuk është poemë tërësore, por një përmbledhje e lirikave të dashurisë, ku këndohen dhe për çështje të moralit e të fesë. Edhe pse në të, siç thekson Alberto Chiari (Kiari), ngjarja nuk zhvillohet sipas një vijimësie të mirëfilltë e të qartë, nga struktura e soneteve dhe e poezive formash të tjera – të gjitha të krijuara me vargje metrike, rrezaton një shumësi mendimesh, ku ndërlidhen dashuria trupore, shpirtërore dhe hyjnore. E Dashura e Poetit, Laura, është vajzë që ka shkaktuar shqetësim dhe tronditje në shpirtin e tij:

Ju që dëgjoni vargjesh zërin tim,

Ato psherëtima q’ushqyen zemrën time (I)

E imja shpresë e tretur po lëngonte

Si një qiri që dridhet, flakërin,

Si ëndërr e fikur që sillte veç trishtim. (XXXIII)

Vajza e bukur është frymëzimi, liria dhe robëria e Poetit, gëzimi dhe fatkeqësia, shpresa dhe dyshimi i tij:

Dhe vargje shkruaj për ty shum’ e më shumë

dhe dor’ e penë, e frym’, e mend

përpjekje bëjnë të japin shpirtin tënd. (XX)

Petrarka e percepton dhe e shqipton dashurinë në një degëzim të gjerë kuptimi; ajo është sa e domosdoshme e ngushëlluese, po aq shkakton dhembje dhe vuajtje, të cilat bashkëjetojnë brenda saj.

Me tjetër varg po qaj me pikëllim

Të shuhet shpresa, dhimbje e kotësi

Që i njeh mirë, kush ra në dashuri,

Të falur s’dua, po vetëm përdëllim. (I)

Shkak i gjithë asaj që ndodh në veprën e Petrarkës është bukuria e jashtëzakonshme e Laurës; janë sytë e saj sa vrastar, aq dhe të ëmbël që ë bëjnë natën ditë e ditën errësirë dhe nga helmi e thithin ëmbëlsirën:

O sy të bukur që vrisni dhe pastaj

S’e mbyllni plagën, e lini të kullojë,

S’ka mirësi, as bar që ta shërojë,

As det me valë të thotë: po u ndaj! (LXXV)

E syt’ e saj të bëjnë vetë çudinë:

Ta bëjnë drit’ natën e ditën errësirë

Dhe në farmak të thithësh ëmbëlsirë. (CCXV)

Duke kënduar dashurinë, poeti Petrarka e grish Laurën t’i përgjigjet dashurisë së tij në të njëjtën mënyrë (siç ndodh, fjala vjen, në Këntëk e II të “Këngëtores arbëreshe”: Po me gjithë se [më] jep ti mua / Këto vllepe, s’u harrua / Nga ti shpirti e të luton), po ka pak shpresë se kjo do të ndodhë. Vajza dëshmohet shpesh zemërashpër, gjë që e bën atë të ndjehet i pafat dhe i mjerë. Megjithatë, Poeti e ndjen thellësisht dashurinë për Laurën, e cila është bërë pjesë e mendimeve të tij dhe e drejton kah Qielli, me ç’rast dashuria merr përmasë hyjnore. Pra, ai jeton vetëm për të përftuar e kënduar poezi në shenjë të lavdërimit të bukurisë së të dashurës.

Një pjesë e madhe e soneteve dhe e lirikave të “Këngëtores” së Petrarkës shqiptojnë zërin dëshpërues për vdekjen e Laurës. Mirëpo, siç theksojnë njohësit e kësaj vepre, shenja e përhershme e qartë e kësaj krijese poetike të Petrarkës, është edhe dashuria për poezinë, që i mundëson Petrarkës të tejkalojë realitetin konkret.

4) Një burimi tjetër, mbase më i rëndësishmi, ku u mbështet Santori për hartimin e “Këngëtores arbëreshe”, është “Kënga e këngëve” e Besëlidhjes së Vjetër. Kjo krijesë poetike është nga më të veçantat e më të ndërliqshmet që njeh arti letrar i mbarë njerëzimit. Vështirë është të gjendet edhe një vepër tjetër poetike që ka zgjuar qasje e interpretime kaq të shumta e të ndryshme, qoftë për ta përligjur përfshirjen e saj në Shkrimin e Shenjtë, Biblën, pra si vepër e përshpirtshme, qoftë si kryevepër e artit të fjalës.

Njohësi dhe studiuesi i shquar i saj, A. Chouraqui, vë në dukje se “Vepra (Kënga e këngëve – v. ime) nuk duhet të futet në rrafshin e një rrëfimi, e një drame, as të një krijese letrare apo poetike të zakonshme. Ajo, para së gjithash, është e ndjeshme ndaj ndryshimeve të së qenmes (ekzistencës), aq më tepër ndaj përparimeve të saj; frymton një shndërrim (metamorfozë) kaq absolute të dashurisë që mund të vendoset në fillesën (pragun) e një shëlbimi, të një shpëtimi. Për këtë (arsye) ajo shtron një domosdoshmëri: t’i mbesë krejtësisht besnike absolutes së dashurisë dhe, në këtë kontemplim marrëzor, të shkohet deri në fund në një marrëzi që përmbushet në shekull”.

“Këngën e këngëve” e bën të këtillë gjuha sa e veçantë dhe e pasur si dhe mënyra e shtjellimit të pjesëve poetike dhe të tekstit në tërësi; një tekst i gjallë, që shpaloset në rrafshe e në format më të shumëllojshme jo vetëm për breza të kohëve të ndryshme, po edhe për të njëjtin lexues ose receptues, interpretues të saj: “Edhe përballë kuptimeve të saj përkthyesi, komentuesi ndjehet i paaftë. Është një tekst i gjallë; të kufizosh (tekstin) nëpërmjet shënimeve dhe referimeve a nuk do të thotë ta vrasësh? Fjalët në të janë si zogj të zjarrtë. A është e mundur t’i vësh në kafaz? Çdo shpjegim i mundshëm rrezikon të përjashtojë një përthellësi më të sakët, më të vërtetë, më të madhe nga ajo që është parathënë. Çfarëdo vendimi që të merret, dashuria, që për natyrën e saj është liri, burgoset në një rrjet të koncepteve të pamjaftueshme (të kufizuara), si prapa shpatëzave të një kafazi”.

Në qenësinë e saj “Kënga e këngëve” është një përzgjedhje e këngëve të martesës, përkatësisht “himn i martesës” në gjuhën hebraike me elemente të ndjeshme të aramishtes e me ndikim të persishtes, që trajton dashurinë fizike, shpirtërore dhe hyjnore, të njësuara midis tyre dhe shprehin jetën e njeriut dhe kuptimin e saj.

E përbërë prej himneve të dashurisë me paralele në Lindjen e lashtë, “Kënga e këngëve” dëshmon vlerë të mirëfilltë poetike dhe përmasën e thellë njerëzore. Në të vërtetë, ajo i “kushtohet gëzimit të vijueshëm të jetës” dhe është ballafaqim shpirtëror e mendor i të dashuruarve, dëshmi e dashurisë së çiltër e të pastër për njëri – tjetrin, ashtu si thuhet në Ungjillin e Gjonit: “S’ka dashuri më të madhe sesa të japësh jetën për personin që e do”.

Mënyrat e ndryshme të shqiptimit të dashurisë në “Këngën e këngëve”, po dhe në “Këngëtoren arbëreshe”, dëshmojnë se “Dashuria nuk është krejtësisht një fenomen ‘privat’, një histori e thjeshtë e dy ‘zemrave’ që dashurohen, po ngërthen në vete një ‘parim të ndërlidhjes’ së çmueshme për kolektivitetin” (A. M. Kollontaj) dhe se “Çdo akt i dashurisë, i përkujdesjes, i përdëllimit është një ringjallje” (Erich Fromm).

Monologët e të dashuruarve në “Këngën e këngëve” ballafaqohen e përplotësohen midis tyre, siç ndodh dhe në “Këngëtoren arbëreshe” midis Vashës dhe Trimit, veçmas në “Këntëkët” (këngët) dhe në “Të përpjekurit”. Në “Këngën e këngëve” e Dashura dhe i Dashuri janë të njësuar: Unë jam i të Dashurit tim / i Dashuri im është i imi… (KK 6, 3). Vasha e dashuruar me bukuri të jashtëzakonshme është sa konkrete aq dhe hyjnore:

E panë vashat dhe i thanë e lumtur,

mbretëreshat dhe shemrat e mbuluan me lavde:

Cila është ajo që shfaqet si agimi

e bukur si hëna, e shndritshme si dielli

e mahnitshme si ushtri flamujsh shpalosur .

(KK 6, 9-10)

ose

[…] dashuria jote më e ëmbël se vera,

parfumi yt që del nga ti më i mirë se çdo erësim.

Buzët e tua nektar kjasojnë, oj nuse,

nën gjuhën tënde rrjedh mjaltë e qumësht.

(KK 4, 10 – 11)

Pra, Santori u mbështet në “Këngën e këngëve”, qoftë për tematikën e dashurisë, qoftë për llojshmëri imazheve poetike kushtuar dashurisë dhe martesës. Vajza e bukur në veprën e Santorit dhe vajza e bukur e “Këngës së këngëve” afrohen për disa tipare, që vërehen edhe nga një lexim i zakonshëm i teksteve të tyre. Arbëreshja ka bukurinë e yjeve, dritën e Hënës dhe ngrohtësinë e Diellit, me çka përligjet koncepti i përjetësimit poetik të së Bukurës si ideal jetësor:

O! via, prír ballin e bárdhë

Çë shëron zëmrat sëmurë.

Leshtë e arëm, çë si grúrë

[i] márr nga era dridhet, ardhë

Nëng u pá nga rrasu dhé,

Ndo si jotja jetër hjé

O ndë gjéllë çë shkoi vo qe. (Odhí e I)

(O! Ma trego ballin e bardhë

që i shëron zemrat e sëmura.

Flokët e arta sikur grurin

që e tund era asnjë grua

nuk i ka mbi dhé si ti,

as s’e patën hirin tënd

dhe në kohët e kaluara.)

Ftyrë-dritëm e gavnare

Si e ré monosare. (Këntek e II)

(Fytyrë ndritur dhe e hareshme

si një manushaqe e re.)

Bállët [t]ënd ylet gëzon,

Fton hënën të të shóhë,

Dielli vjen më ndën të njóhë

Bukurínë çë të larton. (Odhí e I)

(Balli yt yjet i gëzon

e grish hënën që ta shohë

dielli zbret që ta njohë

bukurinë që të lartëson.)

Edhe si sasi këto dy krijesa poetike, “Kënga e këngëve” dhe “Këngëtoren arbëreshe”, përngjajnë.

Afritë, ngjasimet dhe përkimet e “Këngëtores arbëreshe” të Santorit dhe të “Këngëtores” së Petrarkës dhe të “Këngës së këngëve” të Besëlidhjes së Vjetër dëshmojnë rëndësinë e shumëfishtë të kësaj vepre poetike të poetit tonë Santorit.

Exit mobile version