Kur nisa të lexoj romanin “E kuqja e demave”[1] të Mira Meksit, ribotuar rishtazi nga Shtëpia Botuese Onufri, përveç stilit të lartë letrar, botës së pasur imagjinare dhe trajtimit të ngjarjeve, ajo që më mahniti që në faqet e para të librit, si në të gjithë krijimtarinë e saj, është mjeshtëria e përdorimit të gjuhës.
Mira Meksi është një mjeshtre e shqipes, e cila ka dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin dhe skalitjen e gjuhës, gjë që ka rënë gjithmonë në sy të studiuesve dhe kritikëve që janë marrë me veprën e saj. Madje, Floresha Dado e quan edhe “arkeologe” gjuhësore, e cila “kërkon në libra e dokumente të hershme, në tekste origjinale apo të përkthyera, të hershme gjithashtu, vitalitetin dhe pasurinë e shqipes”.[2]
Shkrimtarja është shuguruar edhe si shërbestare e gjuhës shqipe[3] (siç është shprehur vetë), të cilën e konsideron të shenjtë. Si një njohëse e patëdytë e shqipes dhe e historisë së saj, për të krijuar universin e vet letrar të mbushur me simbole, ikona, elemente fetare, mitike dhe magjike, Mira Meksit jo rrallë i është dashur të nxjerrë nga fondi i pluhurosur i shqipes fjalë të vjetruara, shpesh të harruara. Po ashtu, ajo gjurmon edhe në dialekte, që gjithmonë kanë shërbyer si një gurrë e pashtershme për ta pasuruar dhe për ta pastruar gjuhën tonë të bukur nga huazimet e huaja të panevojshme. Ngulmuese ndaj këtij “dëlirësimi” të dobishëm, autorja e pasuron gjuhën duke e veshur pasurinë leksikore me ngjyrime të reja emocionale, duke zgjeruar strukturën kuptimore për të krijuar kuptime të figurshme, duke i veshur fjalët me koloritin e përshtatshëm historik dhe më kryesorja, me anë të neologjizmave, gjë që vihet re edhe në përkthimet e saj brilante.
Përvoja e gjatë përkthimore me korifenjtë e letërsisë botërore, si Gabriel García Márquez, Ernesto Sabato, Federico García Lorca, Milan Kundera, Jorge Luis Borges etj., ka bërë që ajo të fusë në gjuhën shqipe një sërë fjalësh të reja, siç është hamaku. Gjithashtu, duke përkthyer autorë të këtij niveli, që i kanë pasuruar gjuhët në të cilat kanë shkruar me fjalë dhe koncepte të reja, për t’i sjellë në shqip me të gjithë magjinë dhe ngarkesën leksikore, asaj i është dashur jo vetëm të ngulmojë për të gjetur variantin e duhur, të gjurmojë për fjalë pak të përdorura ose që kanë dalë nga përdorimi, por edhe të krijojë fjalë të reja, gjë që ka qenë e mundur edhe falë elasticitetit që shpërfaq gjuha shqipe si në rrafshin gramatikor edhe në atë stilistik.
Shqipja shfaqet si një lëndë e përsosur me kapacitete të mëdha fjalëformuese që, ndryshe nga shumë gjuhë të tjera indoeuropiane, na lejon të formojmë pambarimisht fjalë të reja, duke qenë se tek ajo janë të pranishme dhe prodhimtare pothuajse të gjitha mënyrat e fjalëformimit.
Nisur nga këto veçori, ky studim synon të analizojë proceset e fjalëformimit të neologjizmave në romanin “E kuqja e demave”, duke evidentuar mënyrat e krijimit të tyre, funksionin stilistik dhe kontributin që japin në pasurimin e leksikut të shqipes. Përmes kësaj analize synohet të vlerësohet jo vetëm individualiteti gjuhësor i Mira Meksit, por edhe roli i saj si një nga krijueset që kanë shfrytëzuar në mënyrë të ndërgjegjshme potencialin fjalëformues të gjuhës shqipe.
Mënyrat më të njohura të fjalëformimit (në gjuhën shqipe) janë prejardhja, kompozimi dhe përzierja.[4] Edhe Mira Meksi në romanin “E kuqja e demave” shfrytëzon këto mënyra fjalëformimi të shqipes për të krijuar fjalë të reja, të cilat po i ilustrojmë me disa shembuj: diamantin (shumëfaqëshit diamantin); leprozike (poshtë galerisë leprozike); opiumike (fanitjes opiumike); hijerake (sajonin lojëra çmendurake dhe hijerake); këtillësinë (shpaloset në tërë këtillësinë e saj); pasëndrre (si çdo mëngjes pasëndrre); jetëvdekje (të kapërceje kufirin e jetëvdekjes); mendjepërhitur (mendjepërhitur nga mjegullimet e verës) etj.
Megjithatë, është e ditur tashmë se “kompozimi (përbërja) në gjuhën shqipe është një mënyrë formimi mjaft produktive dhe me prirje në rritje, sepse përmes tij emërtohen nocione komplekse dhe mjaft nocione të reja”.[5] Edhe në romanin “E kuqja e demave” pjesa më e madhe e neologjizmave janë formuar me anë të përbërjes. Për këtë arsye do t’i paraqesim më poshtë bashkë me nënndarjet, duke i ilustruar edhe me shembuj nga romani:
Kompozita emërore:
E+E (emër + emër) = rrëzëkofshë (përshkon rrëzëkofshën); idengulitje (në një lloj idengulitjeje); fundpranverë (atë fundpranverë qyteti ish mbërthyer); zemërdhembje (sa shumë zemërdhembje); fundditë (dritën e fundditës, disa rreze dielli të fundditës); perëndimdiell (lëndës së kuqëluar të perëndimdiellit, përflakja e perëndimdiellit, me qiell të përflakur nga perëndimdielli); pragmagji (të një pragmagjie); fillbisedë (fillbiseda u zu te simboli i rubinit); ëndërrzhgjëndërr (m’u shfaq në një ëndërrzhgjëndërr); jetëvdekje (të kapërceje kufirin e jetëvdekjes); fillimthinje (si prej një fillimthinjeje e beftë) etj.
N+E (ndajfolje + emër) = brendaëndërr (labirinteve të brendaëndrrës); përtejdashuri (në përtejdashuri nuk janë të njëjtat rregulla si në dashuri) etj.
P+E (përemër + emër) = gjithëkohë (në universin tonë dhe në gjithëkohë); gjithëprani (duke e mbushur me gjithëpraninë e tij) etj.
Kompozita mbiemërore:
E+M (emër + mbiemër) = kohëgjatë (me soditjen kohëgjatë); mjegullzezë (qindra mendime mjegullzeza); zemërçjerrës (i njëjti fat zemërçjerrës); çapshtruar (të shëtiste çapshtruar); takalartë (këpucë sateni të zeza takalarta); zajebardhë (rruginat zajebardha); syzgjuar (për shpirtin syzgjuar); hekurgjembta (me bedena të thepëta e hekurgjembta) etj.
E+E (emër + emër) = fijeari (me të njëjtat motive fijeari); syzjarr (vegullinë e një gruaje syzjarr); vegullimbërës (tymrat vegullimbërëse të opiumit) etj.
Kompozita ndajfoljore:
E+M (emër + mbiemër) = mendjepërhitur (mendjepërhitur nga mjegullimet e verës); zemërshkallmuar (zemërshkallmuar nga emocionet); mendjeqëruar (mendjeqëruar nga tymi i opiumit); syfikur (syfikur dhe si i thyer më dysh); trupçlirët (qëndronim trupçlirët në shtratin e papafingos) etj.
Kompozita foljore:
E+F (emër + folje) = jetëndizem (jetëndizeshin dhe ktheheshin sërish në sublime) etj.
Si përfundim, duke u mbështetur në shembujt e analizuar më sipër, mund të themi se në romanin “E kuqja e demave” Mira Meksi shfrytëzon disa mënyra fjalëformimi për krijimin e neologjizmave, por mbizotërojnë fjalët e përbëra, veçanërisht kompozitat emërore dhe mbiemërore, gjë që dëshmon edhe një herë aftësinë e autores për të shfrytëzuar potencialin fjalëformues të shqipes në funksion të pasurimit të leksikut dhe të individualizimit të gjuhës së veprës.
Literaturë:
Mira Meksi, “E kuqja e demave”, Onufri, 2026.
Floresha Dado, “Thellësitë e strukturës në prozën e Mira Meksit”, Onufri, 2025.
Mira Meksi, “Jam shërbestare e gjuhës shqipe, të cilën e konsideroj të shenjtë”, ExLibris, nr. 58, 21 dhjetor 2019.
Rami Memushaj, “Hyrje në gjuhësi”, Toena, Tiranë, 2006.
Ethem Likaj, Maklena Çabej, “Morfologji e shqipes standarde”, Juvlin, Tiranë, 2010.
[1] Mira Meksi, “E kuqja e demave”, Onufri, 2026.
[2] Floresha Dado, “Thellësitë e strukturës në prozën e Mira Meksit”, Onufri, 2025.
[3] Mira Meksi, “Jam shërbestare e gjuhës shqipe, të cilën e konsideroj të shenjtë”, ExLibris, nr. 58, 21 dhjetor 2019.
[4] Rami Memushaj, “Hyrje në gjuhësi”, Toena, Tiranë, 2006, fq. 233.
[5] Ethem Likaj, Maklena Çabej, “Morfologji e shqipes standarde”, Juvlin, Tiranë, 2010, fq. 25.



