Kreu Çmime Kadare në listën e finalistëve për çmimin ndërkombëtar letrar Neustadt për vitin...

Kadare në listën e finalistëve për çmimin ndërkombëtar letrar Neustadt për vitin 2020

Nëntë shkrimtarë të shquar nga e gjithë bota janë zgjedhur si finalistë të Çmimit Ndërkombëtar Letrar Neustadt për vitin 2020. Çmimi, i cili ka një vlerë prej $50.000, është cilësuar si “American Nobel” dhe akordohet nga World Literature Today, e cila është revista e Universitetit të Oklahamas për letërsinë dhe kulturën ndërkombëtare.
Të nominuarit janë: romancieri dhe eseisti shqiptar Ismail Kadare (Broken April, The General of the Dead Army); romancieri francez Emmanuel Carrère (The Adversary, Class Trip); poeti amerikan Jorie Graham (Fast, The Dream of the Unified Field); romancierja dhe dramaturgia filipinase Jessica Hagedorn (Dogeaters, Mango Tango); romancieri guatemalas Eduardo Halfón (Mourning, La pirueta); romancieri palestinez Sahar Khalifeh (Wild Thorns, Of Noble Origins); poeti maroken Abdellatif Laâbi (Beyond the Barbed Wire, The World’s Embrace: Selected Poems); poeti dhe romancieri kanadez Lee Maracle (Celia’s Song, Ravensong); poeti vietnamezo-amerikan Hoa Nguyen (Red Juice, As Long as Trees Last).
Juria prej nëntë vetash, të gjithë shkrimtarë, do të takohet për të zgjedhur fituesin në festivalin “2019 Neustadt Lit Fest”, i programuar për 15-17 nëntor, organizuar nga revista World Literature Today dhe Universiteti i Oklahamas. Fituesi do të shpallet më 16 tetor.
“Është emocionuese të kemi një grup kaq të vlerësuar shkrimtarësh që konkurrojnë për Çmimin Neustadt”, – thotë Robert Con Davis-Undiano, drejtori ekzekutiv i revistës letrare World Literature Today, i cili është edhe sponsori i këtij çmimi. – “Letërsia është një zë i fuqishëm që na mëson për botën përtej vetes sonë. Ky grup vërtet ndërkombëtar finalistësh na tregon edhe një herë se letërsia e shkëlqyer nuk njeh kufij”.

Çmimi Neustadt është i pari çmim ndërkombëtar për letërsinë i kësaj kategorie, që e ka origjinën në Shtetet e Bashkuara dhe është një nga të paktat çmime ndërkombëtare për të cilat kanë të drejtë të konkurrojnë njëkohësisht poetë, romancierë, skenaristë dhe dramaturgë. Që prej vitit 2003, duke u alternuar me Çmimin NSK, ky çmim i është dhënë çdo dy vjet një shkrimtari të gjallë, si vlerësim për një vepër të rëndësishme. Fitues të kaluar janë edhe laureatët e Çmimit Nobel, si Czesław Miłosz, Gabriel García Márquez dhe Tomas Tranströmer. Fituesi i Çmimit Neustadt për vitin 2018 ishte shkrimtari amerikan me origjinë nga Haiti, Edwidge Danticat. Fituesi i Neustadt Prize shpërblehet me $50.000, një pupël shqiponje prej argjendi, certifikatën e çmimit dhe një festival në nder të tyre. Një financim bujar nga familja Neustadt mbështet çmimin.

Exit mobile version