Kreu Letërsi Shënime mbi libra Josif Papagjoni: Një Gjirokastër sa politike aq dhe antropologjike

Josif Papagjoni: Një Gjirokastër sa politike aq dhe antropologjike

Romani “Gjumi në shtëpinë e pritjes” i Thanas Dinos

Më mirë se kushdo, dhe në një formë origjinale, dy shkrimtarë e kanë sjellë Gjirokastrën në gjithë veçansinë e saj: Ismail Kadare dhe Thanas Dino. I pari shqiptar, i dyti grek, lindur e rritur të dy në këtë qytet habish, dhe të dy pranë e pranë me shtëpi, histori urbane dhe dashuri gjer në përgjërim për kalldrëmet, shtëpitë e qytetit, çatitë me dërrasa guri, historitë çudane që gëlonin nëpër barqet e tyre si dhe respektin e dashurinë për njëri-tjetrin. Thanas Dino ka një rrëfim krejt të veçantë, të “tijin”, të papërsëritshëm. Një rrëfim i ngjeshur, dëng me ndodhi e bëma të habitshme, shpesh të marrëzishme. Narrativën e tij nuk mund ta lexosh shpejt, por duke e bluar ngadalë. Veç kështu mund të shijohet. Romane me një tragjizëm të thellë, tronditës, sa dhe me njerëz të paparë për nga bëmat dhe karakteri. Dhe një grotesk që vizllon përmbi këto tragjedi, karaktere e bëma si ai syri i qelqtë i Luciferrit mbi vdekëtarët. Çka të mbreson më tutje, po njësoj si fjala një vesh i stërvitur letrar dallon mes këtyre dy prerjeve edhe ndoca pentagrame orfeane të dashurive të jashtëzakonshme, fatale, ku i shkreti njeri kridhet në ferrin e pambarimtë për të nxjerrë prej andej Euridiçen e vet, pra dhe shpirtin e bërë copë e çikë, që për dreq e më keq mbetet përherë pengu i saj. Profesioni Thanasit si gazetar e ka ndihmuar Dinon si shkrimtar për të qenë një rrëmues e njohës i thellë gërmadhave të historisë së habitshme të Gjirokastrës. Këtë lexuesi e sheh në gjithë romanet e tij, dhe unë do të kujtoja mes tyre “Shenja e shenjtë”, “Mesi, 2016”, “Fshati i prerë”, “Mbi tokën e ngushtë”, “Ciklopi i Glinës” etj.

Edhe romani i fundit i tij “Gjumi në shtëpinë e pritjes” ecejaket këtyre monopateve. Një roman tablor si një mozaik, ku e zeza dhe e bardha kërleshen dhe krijojnë koreografitë e përgjakura politike e sociale të viteve të Luftës II Botërore e pas saj. Lentja e shkrimtarit qëndron, më së shumti, në këto vite gjaku. Por për t’i ardhur në ndihmë shpjegimit të ngjarjeve dhe sjelljes së karaktereve të saj, ajo shkon edhe më thellë, në histori e bëma të vjetra ku myshqet zakonore, antropologjike dhe historike flasin më mirë për vetë qytetin dhe njerëzit e saj. Kështu ngjet, bie fjala, me familjen e një hebreu të konvertuar në mysliman, ardhur nga Selaniku dhe ngulur në Gjirokastër, Kambo Zeko, që kapi hajdutin Mero Lamçe me 43 hajdutë të tij, u preu kokat, ua nguli në hunj dhe i la si tmerr e lemeri në Kalanë e Gjirokastrës për gjithë ata që do të guxonin paskëtaj të vidhnin familjet gjirokastrite. Ndërsa kokën e kryehajdutit, Mero Lamçes, e kriposi dhe ia çoi padishahut në Stamboll. Por kohët kishin ndryshuar sakaq. Një luftë e re ish mahisur mes të kuqve dhe ballistëve. E kjo luftë ishte jo vetëm e dyfekut, por edhe e ideve, e frymës që vinte qysh nga Rusia e Stalinit, e cila e kishte dehur si opium djalërinë e gënjyer nga iluzionet dhe farfuritë. Në këtë luftë idesh e pushteti hyjnë e dalin personazhe historikë si Ali Bej Këlcyra e Bedri Spahiu, Hasan Dosti, Bahri Omari e Mit’hat Frashëri, Babametot dhe Kokalarët, Hadërajt dhe Shahinajt, më pas Enver Hoxha e Haki Toska. Koha u përmbys. U thyen norma e kanune, djem e vajza të njerëzve me “oxhak” shkonin në radhët partizane duke gëlltitur aty ideologjinë e vëllavrasjes, kur djali duhet të vriste babanë a xhaxhanë e vet për “botën e re”, kur tjetri duhej të urrente e të bënte hasha rrënjën nga kish dalë, siç ngjet me Mumtazin dhe Alemin. Po njësoj ngjet edhe me ballistët, dekalogu i të cilëve ishte shmangia e vëllavrasjes, por që ajo u kthye në ligj të pashkruar. Udhëheqësia e familjeve të mëdha, të kamura, tradicionale, njerëzit e ditur, për pushtet e hakmarrje pranuan në rradhët e tyre shpesh herë hajdutë që plaçkisin shtëpitë, kriminelë dhe fshatarë të pagdhendur e të mbushur me urrejtje fshatrash e krerësh.

Krahas sjelljes së këtyre relieveve politike të periudhës së Luftës II Botërore dhe luftës për pushtet midis komunistëve dhe ballistëve, optria e shkrimtarit, edhe pse i këqyr gjësendet në mënyrën më të paanshme të mundshme, duket e ftohtë si ata bardët e hershëm të tragjedive apo lahutarët që e shkundin degën nga gjethet e tepërta. Pak dhe sakt. Mynxyrat e të dyja palëve nuk përligjen, as tepritë kriminale të tyre, përkundrazi denoncohen. Ne shikojmë se si njeriu egërsohet kur bëhet rob apo viktimë e një ideje fikse, qoftë e transportuar nga dikah (komunistët shqiptarë nga rusët), qoftë e rrënjëzuar në traditat antropologjike prej kaçakësh, hajdutësh dhe hakmarrësish (nacionalistët, me vdjerrjen e aspiratave humane fillestare). Kësodore prej këtyre ideve fikse dhe të manipuluara politikisht, zë fill më pas dasia, përçarja, mishngrënia, vëllavrasja.

Përtej krijimit të tablosë spektrale, nga ana tjetër romani krijon një linjë të dytë, tashmë me fatin e një njeriu, Hulo Toskës, e cila ravijëzohet dhe merr atributet e mesazhit kryesor të shprehur te vetë titulli i tij “Gjumi në shtëpinë e pritjes”. Por cili “gjumë”?! Fjala është për ankthin që vjen prej krimeve, për makthet që njerëzit e pushtetit të ri përjetojnë nga vrasjet pas shpine, në gjumë, me një plumb në tëmth, prej vetë udhëheqësit të tyre paranojak, Enver Hoxhës. Këtë makth përjeton edhe Hulo Toska,  një nga udhëheqësit “bujk” të komunistëve të luftës e pasluftës (që të kujton Haki Toskën). Përmes përjetimeve të tij romancieri bën një kirurgji politike të mprehtë mbi vetë sistemin komunist, se si mbillej paniku dhe frika te kasta e lartë politike, bazuar në krim. Teksa rreket të flejë në vilën e Partisë, pronë e dikurshme e një gjirokastriti të pasur, Hulo Toskës i prishet gjaku nga jermi. Fantazmat e vdekjes vijnë si mjegulla të brymta gjumit të tij të shqyer, tëhollohen e bëhen skelete akulli. Është makthi i gjithë udhëheqësve komunistë, si në një shportë karavidhesh a xhungël bishash të egra; janë vrasjet politike të kthyera në sistem. Pikërisht fantomat e vrasjeve që ata kanë bërë ngrihen nga varret dhe u shfaqen nëpër ëndrra të tmerrshme si prelude makbethiane e gjasa ndëshkimesh të tmerrshme, sepse krimi i djeshëm bën “konak” te kinse paqja e sotme, ndërsa vetë “paqja” shndërrohet në paranojën e krimit të pritshëm. Prandaj dhe për komoditetin e tyre ngritur mbi gjakun e të tjerëve, falë shkatërrimit të një klase të kamurish dhe zëvendësimit të saj me një tjetër klasë, tashmë e pasuruar nga hajnitë doktrinore të kastës së kuqe përmes shpronësimeve, konfiskimeve, zhvatjeve me “ligj”, nuk mund të ketë kurrë qetësi por vetëm makth, frikë, pasiguri, thika pas shpine.

“Nuk zgjati shumë kur iu duk se u hap dera e dhomës dhe hyri  një mjegull e vogël, – shkruan në fletët e fundit Thanas Dino. – Ç’është kjo, u mundua të gjente shpjegim, kur mjegulla u shpërbë dhe prej saj doli një skelet njeriu. Ai u drodh. Kush je ti që më vjen paftuar, tha. Skeleti nuk i hapte dot nofullat. Fol të them, gjegjmu! I paftuar je ti që ke zënë krevatin e botës, Hulo. Ma ditke emrin ë; nuk është i botës, është i yni. Të zotin e shtëpisë ne e kemi dërguar me kohë. Vila është bërë Shtëpi e Pritjes, është shtëpi e Partisë. Kur e ndërtoi partia këtë vilë, si e gjeti? Të gjitha tonat janë tani, juve ju kemi dërguar. Na keni dërguar po ja ku ju vijmë. Nuk je ti, je skeleti i tij, ku e ke mishin e gjakun? Aty ku me keni shtrirë 30 vjet më parë, në Dërrasë të Gjimnazit, tha hija dhe bëri të shkojë… Hulo Toskut i shkoi një mardh i fortë, bëri të mbështillej, po rreth nuk kish as çarçafë, as mjegull. Ndjeu frikë mos e ndiq ankthi i tyre, plumbi në tëmth…”

Exit mobile version