Kreu Letërsi Shënime mbi libra Josif Papagjoni: “Mbyllur për pushime” i Çapalikut një paradigmë deheroizuese

Josif Papagjoni: “Mbyllur për pushime” i Çapalikut një paradigmë deheroizuese

Stefan Çapaliku ka një personalitet letrar dhe artistik të shumëfishtë. Njihet më shumë si dramaturg me mbi 20 drama të vëna në skenë, në këtë lami edhe si regjisor. Por ai ka lëvruar edhe vargun, me disa vëllime poetike, epohet e tundohet nga studimet letrare e artistike duke botuar disa libra kësodore dhe, sakaq, pena e tij ka provuar disa romane, i suksesshëm me romanin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, që unë e çmoj si një nga më të mirët e kohëve të fundit, i profilit të satirës, sarkazmës dhe humorit. Ecejaket e tij monopateve letrare artistike, që duken si më vete e të ndara me “gardhe” gjinore nga njëri art tek tjetri, në fakt s’janë veçse peizazhi i të njëjtës mendje krijuese, përroska e rrjedha vrapacake që derdhen në ujanën e artit të tij sa të hapur aq dhe të thellë. Ndonjehërë të duket sikur Çapaliku i kap gjërat lehtë, sikur rri mbi syprinë e bën “humor” prej shkodrani pranë miqsh e një gote vere. Por ti ec pak më tej, or mik! Rrëmo pak më thellë syprinës, gërvishte cipëzën farfuritëse të “lehtësisë” dhe “kotësisë argëtuese” pa të keq dhe, besomë, do të shohësh poshtë këmbëve një plagë që gërric, një rremb gjaku e shpirt që dhemb, një përpëlimë që krijon thellomë në gjoks. Dhe, teksa ti do kridhesh pak më thellë, do të ndjesh dridhjen e një rrëmeti që po ndodh përtej kësaj shpotie e këtij humori; do të ndjesh, miku im, se dikush aty po qan në heshtje, i ngujuar në zgëqin e tij social, në dramën e tij, në hallin dhe mërzinë e tij; se dikush po ecën kuturu drejt një humbëtire ku shpresa tashmë ka vdekur. Pikërisht këtë dallgëzim të brendshëm të tragjedisë dhe të dramës në disa vepra të Çapalikut unë e kam ndjerë. Dhe kam ecur zgafelleve të ironisë së tij në reljevet brinjëdala të një Shqipërie çudane, groteske e paradoksale. Për një lexues të rëndomtë këto duken si ca marri njerëzish të mbetur periferive, gjysmë të budallallepsur e të harruar, hedhur nëpër gropat sociale të shpërfilljes, por janë më tej; janë njerëz që vuajnë dallditë e para dhe pas viteve ’90, lënë udhëve si jashtëqitje a plehërishte të një kohe kaotike, të rrumpallës, të një realiteti sa absurd, aq dhe mjeran.

E pra me këtë barrë dijesh mbi shpinë rreth artit të Çapalikut, veprat e të cilit i kam ndjekur vijimisht (edhe si mik e koleg i kahershëm), ja ku lexova të fundit krijim, romanin e tij “Mbyllur për pushime”. Stefani sa kishte mbaruar monografinë e shkurtër “Serafin Fanko – Felini i teatrit shqiptar”, që ende se kam lexuar dhe që duhet ta lexoj, si mirëfilli i kësaj lamie që jam. Por në një tjetër rast do të them do fjalë për atë regjisor-poet të teatrit tonë, artistin e imazhit, simbolikave dhe metaforave mizanskenike, e filigranave dhe ideve, që e ngritën teatrin e Shkodrës në nivelin e filozofisë. Romani “Mbyllur për pushime” është krejt tjetër nga romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Janë dy poetika të ndryshme, dy stile ligjërimi që unë i dalloj saora. Këtu ka më pak marrëzi, më pak humor dhe shpoti për qejf, thuajse aspak anekdotë e thagma, sepse ka më shumë dramë, më shumë lëngatë të fshehtë, më shumë trysni dhe një zymtim që zbrazet prej gotës së helmit dhe ti e pi atë gllënjkë pas gllënjke. Dhe ndjen sa dhimbje për personazhet, që mbahen si përpara një pasqyre (larg teje e si fantoma), aq dhe të përthyera nëpër gollet e tua, në nevojën për ta parë “ndryshe” atë që sikur ka qënë koren e përligjies historike. Andaj dhe ke qejf të përsiatesh ca, t’i lësh faqet në nyjat e heshtjeve të njëpasnjëshme të romanit për pakëz meditim dhe të kridhesh, siç thashë, pak më thellë, edhe më thellë, aty ku muret e lagështa të shpirtit kullojnë nga mërzitë, ankthet e fshehta, frikërat, mëritë, keqkuptimet, sikundër edhe nga idiotësitë e lapërdhitë.

Romani, ndonëse jo vëllimor, i ngjan një afresku në cakun kohor shtator 1943, kur Italia fashiste kapitulloi dhe i la ushtarët rrugëve të fatit dhe 28 nëntor 1944, kur pushteti kaloi në duart e komunistëve të Enver Hoxhës, këtij terroristi që buzëqeshte dhe vishej shik e plot sqimë. Romani ka një strukturë të “copëzuar” në formën e një mozaiku, të cilat rrinë më vete, zhvillohen më vete dhe të tubuara së toku na japin gjithë reljevin sociokulturor e politik të Shqipërisë. Pena ecejaket nga gjasat e drojtura e delikate të artit te krimi, lufta, përgjakja, përçarja, ankthi i vëllavrasjes, te kurthet e situatave ndërkombëtare, te përpëlitja për të gjetur shtigje daljeje nga tragjedia, gjer te zdërhalljet, idiotësitë, budallallëku. Gjithsesi ai është një gërshet me fatet e tri çifteve të dashuruar, në një hallakamë psikike, kombëtare e mbarëbotërore, në zgripin e ditë-natës dhe jetë-vdekjes.

…Një djalosh seminarist, Shiroka, që teksa përgatitej të dorëzohej prift, i bujt dashuria, e cila ia trazon shpirtin, dëgjon “najadat” e saj dhe martohet, krijon familje; një oficer i lartë gjerman, Herman Janas, i dërguari i Ribentropit dhe i plotfuqishmi i Ballkanit për të krijuar qeverinë e Regjencës në Shqipëri, duke i garantuar shqiptarët të qeverisnin vetë dhe se gjermanët nuk do ta pushtonin dheun e tyre, por do kërkonin veçse sigurinë e rrugëve të kthimit të divizioneve që vinin nga Greqia; pranë jetës së tij një vajzë serbe, Milica, mes dy mëtimesh mashkullore, që ndjehej e përdorur, rrjedhimisht e shkatërruar shpirtërisht; një djalosh i dashuruar me një italiankë të bukur gjatë studimeve, por falë një rrengu alla harrakatësh u rikthye në Shqipëri, zemërthyer, mbetur me nënën e vet, në ajrinë´ e një dashurie të kthyer në makth; një familje tiranase ardhur nga puntoria (usta Mihali) me djalin e vetëm të pushkatuar, që gjen mirëkuptim e solidaritet te një tjetër familje prej intelektualësh, ku hallet, tragjeditë dhe zemrat ndër shqiptarë përherë bashkohen; gjer edhe fati i një lidhjeje martesore nga “halli dhe e keqja” mes dy personazheve anekdotikë, Osmanit dhe italianes Sonia, dy bjeranë, me diferencë 30 vjet, që gjejnë në fund një shtrat martesor. Dhe të gjitha këto linja kanë si sfond Shqipërinë e Luftës II Botërore, ankthin dhe trazimet e saj, përplasjet e nënkuptuara politike e kulturore, ndoca iluzione që projektoheshin prej farfurive të Perëndimit por që thyheshin copë e grimë nga vrazhdësia dhe huqet e Lindjes: komunistët që vinin si jakobinë me giotinat, diferencimet, pushkatimet dhe kastat kulturore e politike nacionaliste që merrnin arratinë, në një tjetër picir e kalvar. Dhe si për habi, një prift katolik, eminent i dijes dhe shpirtit të dëlirë, edhe pse avioni i vjen apostafat që ta shpëtojë nga vdekja e sigurt, nuk i ikën fatit të vet, por i rri si një Krisht, mendjeftohtë, me vetimin e kamzhikut shpinës dhe plumbin që fluturonte drejt ballit të tij nga skuadra e pushkatimit nesër.

Narrativa e romanit në pamje ndjek modelin e të paangazhuarës, e të tjetërsuarës, diçka që rrëfehet si në një kronikë, pa marrë pjesë shpirtërisht në veprimin, te sjelljet dhe përjetimet e personazheve. Kjo lloj “ftohtësie” në dukje midis treguesit dhe të treguarës, ky drejtpeshim dhe “sy i thatë” mbi një gjësend që djeg a mbi një lëng që vlon, më duket se është gjetje inteligjente e ligjërimit romanor. Duket sikur autori të qe në një balancë farmaceutike dhe të na hidhte aty pluhurin e kininës, aq sa duhet dhe atje ku duhet: diku për të shëruar një shpirt, për ta marrë për dore e për të na i paraqitur si në një skenë a sfilatë fytyrash tragjikomike e diku gjetkë për të na lënë të vetëm, si përballë një portreti te një galeri arti, kredhur në mendimin dhe në ndjenjat tona, paçka se praninë e shkrimtarit, diku aty bri, ne e ndjejmë. Syri i tij nuk na ikën. Është tok me syrin tonë. Ai nuk flet, por e hedh vështrimin pikërisht aty ku plaga është më e thellë dhe çmenduria vizllon në zgrip. E kam ndjerë këtë pikërisht te fati i serbes Milica, e dashura e një hierarku nazist, por që, e gjora, ka mbetur nën afshin erotik të një shqiptari krenar dhe prandaj, e trullosur dhe jashtëmendjes, si ajo fantoma e Migjenit rrugëve të Shkodrës, del mesnatave e dehur, ndofta dhe e keqpërdorur si femër lokalesh, dhe zhgaravit vargje dashurie mureve të rrugës “Skadralia” në Beograd, me mendjen e shthurur që s’ka për t’iu mbledhur më. Çfarë humbelle ka këtu?! Sikur të hapet poshtë këmbëve një gropë e madhe, një abis dhe ti sheh shprishjen me tërësej të një jete të brishtë. Sa keq! Një situatë e pikturuar bukur, pa shumë përshkrime, thuajse hiç fare, veç ca penelata, si në pikturat e një Degaje. Ia thashë edhe Stefanit se të tilla zgjidhje e kanë çuar vrik narrativën sipër; na lënë ta mendojmë vetë atë që ka ngjarë sakaq. Konkurrente me këtë është edhe nyja kur hierarku nazist duhet të shkojë e të mblidhet te gruaja dhe djali i vet të lënë pas dore. Dhe për të dhënë tmerrin e ndodhur, autori asocion përmes një situate thuajse apokaliptike nga një poemë e njohur e Gëtes, “Erlkonig”, ku nënkuptohet se djali i Hermanit duhet të ketë vdekur njësoj si edhe fëmija në poemë. Madje vdekja shkon edhe më tej, sepse edhe ai, ndofta, do të vdes nga bombardimet e aviacionit anglez teksa rreket të kthehet në shtëpi, ose do të ndëshkohet nga një Nyremberg i mëpasëm.

Një nga kyçet politike të romanit, tejet i mprehtë dhe ndofta i diskutueshëm, është fati i pater Andreas (Anton Harapit) si anëtar i Regjencës. Pata një tundim të fortë se si do ta trajtonte shkrimtari këtë figurë të njohur historike, e anatemuar nga politika komuniste si kuisling, tradhtar, shitës i interesave kombëtare dhe shërbyes te pushtuesit gjermanë. Pater Harapi nuk ishte dosido. Ishte një njeri i ditur, me kulturë gjermanike, një prift i iluminuar dhe tejet i dashur, i ëmbël. Gati një poet. Nuk ishte thjesht një “tradhtar” i kombit, i pushkatuar nga gjyqet komuniste, por qe njeriu që bash për atë komb, të gjendur fatalisht në zgrip, ishte gati të therorizohej. Ai e dinte se legjionet jakobine të komunistëve po vinin, e dinte se ata do të masakronin elitat kulturore me zor të ngritura në Shqipërinë monarkike duke institucionalizuar “kopetë e nesërme sociale” ku vezullimi, sqima dhe individi do të shkeleshin e shqyheshin, ku tempujt e Zotit do të përdhoseshin e do të nxirreshin jashtë ligjit. Por a gaboi ky prelat i kishës në raport me lirinë dhe të drejtën? Shkrimtari i bishtnon kësaj pyetje. Ai nuk është historian. Ai shkruan letërsi, dhe letërsia merret me fate e marrëdhënie njerëzore. Letërsia asocion me filozofinë e historisë, me shpirtin e saj, jo me dokumentin apo gjyqin e fitimtarëve. Prandaj Çapaliku e sheh fatin e pater Andreas nga dritarja e humbësit. Ishte konteksti historik i kohës që e çoi atë në zgjedhjen e një rruge, politikisht të gabuar, por e paraqitur në vetëdijen e tij si një domosdoshmëri, si shans për ta shpëtuar vendin nga shkatërrimi i papërballueshëm i një ushtrie të hekurt siç qe ushtria gjermane, sikurse edhe si një blatim për të shmangur vëllavrasjen mes shqiptarësh. Motivet nuk shpallen dhe nuk “argumentohen” historikisht si të tillat, ato veçse nënkuptohen. Ne e ndjekim këtë personazh dhe nuk shohim kurrgjë të keqe veçse një shpirt të bardhë, gati poetik e nostalgjik. Është qingji që sakrifikohet, flija dhe kurbani që shqyhet nga shpata dhe verbëria. Autori e ka marrë në mbrojtje patër Harapin jo me fjalë, por me dhembshuri dhe një respekt që kullon gjithandej narrativës së tij. I ka hedhur sipër një pelerinë jo aq prej tempullari sesa prej meshtari, i cili nuk mund ta linte grigjën e vet të çartej nga ujqërit e kohërave të gjakut, mizorive, utopive vrastare, dasive, përjashtimeve dhe therorive. Jo aq antikomunisti se sa dijetari, shpirtbukuri dhe prifti i grigjës së hutuar është pater Andrea (Anton Harapi)… Më erdhi mirë në mendje e zemër kjo figurë, ashtu e butë, e paqme, dinjitoze, sido që ky Pater i shquar i kishës mbeti pengu i një orientimi a logaritmi të gabuar politik. Epo ja që fatet e historisë janë ndoca monopate të shtrembra, që një dreq e di se si përfundojnë dhe ku përfundojnë. Nisesh për mirë dhe shkon për keq. Ashtu siç shumë nga ata njerëz që bënë luftën, përfunduan më pas burgjeve, internimeve dhe skuadrave të pushkatimit.

Romani “Mbyllur për pushime” është i paradigmave deheroizuese. Narrativa është lakonike, e thukët. Lexohet shpejt. Pa lodhje. Një strukturë, do të thoshja, atletike. Thuajse të gjithë personazhet janë një tubë humbësish a, thënë më drejt, dështakë në një rrethanë “anti”, desakralizuese, që poezinë, besimin dhe ëndrrën e tyre i katandis diku në do recka-pecka, diku në martirizime të vetvetes e diku gjetkë në zhgënjime dramatike, dëshpërim e çmendje.

Exit mobile version