Kreu Letërsi Shënime mbi libra Jorge Luis Borges: Kafka dhe Pararendësit e tij

Jorge Luis Borges: Kafka dhe Pararendësit e tij

Flet një dishepull i Kafkës, një dishepull i vonuar i Kafkës, por që vazhdon ta ndiejë dhe ta falënderojë për sa shumë ai i ka dhënë dhe sa pak ka mundur të bëjë ky me atë dhuratë të shkëlqyer të veprës së tij.

Unë kam paramenduar ndonjëherë një shqyrtim të pararendësve të Kafkës. Në fillim këtë e kam menduar aq të veçantë, sa feniksi i lëvdatave retorike; por, pasi i jam drejtuar shpesh, kam njohur zërin e tij apo zakonet e tij, në tekste të ndryshme letërsie dhe në kohë të ndryshme. Do të shënoj këtu disa nga këto, sipas një rendi kronologjik.

I pari është paradoksi i Zenonit kundër lëvizjes. Një trup i lëvizshëm që ndodhet në pikën A (pohon Aristoteli) nuk mund të arrijë në pikën B, sepse më parë do t’i duhej të përshkojë gjysmën e rrugës midis dy pikave, por më përpara gjysmën e gjysmës, dhe akoma më parë, gjysmën e gjysmës, e kështu deri në fund; forma e kësaj çështjeje të madhe është, saktësisht, ajo e romanit Kështjella (1926)të Kafkës, ku trupi i lëvizshëm, shigjeta dhe Akili janë personazhet e parë kafkianë letërsisë.

Në tekstin e dytë që fati i librave më vuri përpara, afërsia nuk qëndron te forma, por te toni. Është fjala për një apolog të Han Zhu-së, prozator i shekullit IX, dhe ndodhet në Anthologie raisonée de la littérature chinoise (1948), vepër e admirueshme e Margouliès. Ja paragrafi që shënova, misterioz dhe i qetë: 

   “Përgjithësisht pranohet se brivetmi është një qenie e mbinatyrshme dhe me ogur të mirë; kështu thonë për të odet, analet, biografitë e burrave të shquar dhe tekste të tjera, autoriteti i të cilave është i padiskutueshëm. Deri edhe fëmijët dhe gratë e fshatit e dinë që brivetmi përbën një shenjë mbarësie. Por, kjo kafshë nuk figuron midis kafshëve shtëpiake, prandaj nuk është aq e lehtë që ta gjesh, nuk bën pjesë në ndonjë klasifikim. Nuk është si kali apo si demi, si ujku apo si dreri. Në këto kushte, mund të gjendemi përballë një brivetmi dhe mund të mos ta marrim vesh me siguri se është ai. Dimë që një kafshë e tillë me jele është kalë dhe po një kafshë e tillë me brirë është dem. Por nuk dimë si është brivetmi[1].

Teksti i tretë vjen nga një burim më i parashikueshëm: nga shkrimet e Kierkegaard[2]-it. Synimi intelektual i të dy këtyre shkrimtarëve është gjë që e pranojnë të gjithë; ajo që ende nuk ka dalë në pah, mesa di unë, është fakti që Kierkegaard-i, ashtu si Kafka, ka me tepri parabola fetare me temë bashkëkohore dhe borgjeze. Autori Walter Lowrie, te libri i tij Kierkegaard (Oxford University Press, 1938), na jep dy. Njëra është historia e një falsifikatori, i cili, në vëzhgim të pandërprerë, kontrollon kartëmonedhat e Bankës së Anglisë; Zoti, në të njëjtën mënyrë, do të dyshonte për Kierkegaardin dhe do t’i kishte besuar një mision atij, pikërisht se mësonte të keqen.

Subjekti i tjetrës janë ekspeditat në Polin e Veriut. Famullitarët do të kishin deklaruar që nga katedrat e tyre se pjesëmarrja në të tilla ekspedita i bën mirë shëndetit të amshuar të shpirtit. Megjithatë, do ta kishin pranuar se të mbërrish në Pol është e vështirë e, ndoshta, e pamundur dhe se jo kushdo do t’i hynte kësaj aventure. Më në fund, do të thoshin se çdo udhëtim – nga Danimarka në Londër, le të themi me vaporin e radhës -, ose një shëtitje e së dielës me taksi, të para këto me sy të mirë, janë ekspedita të vërteta në Pol të Veriut. Shëmbëllimin e katërt e kam gjetur te poema e Browningut, Fears and Scruples, botuar në 1876. Një njeri ka, ose beson se ka, një mik të famshëm. Veç, kurrë nuk e ka takuar dhe e vërteta është se, deri sot, ky mik nuk ka mundur ta ndihmojë, por tregohen gjeste shumë fisnike për të dhe qarkullojnë letra autentike. Ka nga ata që i venë në dyshim gjestet dhe grafologët afirmojnë falsitetin e letrave. Njeriu, në vargun e fundit pyet:

“Po sikur ky mik të ishte Zoti?”.

Shënimet e mia regjistrojnë gjithashtu edhe dy tregime. Njëri i përket Historive të pacipa Leon Bloit dhe i referohet pikërisht rastit të disa personave që gjenden me shumicë në globet tokësore, në atlase, në udhërrëfyesit e hekurudhave dhe në bagazhe, dhe që vdesin pa arritur të dalin dot nga fshati i tyre i lindjes. Tjetri titullohet Karkasona dhe është vepër e Lord Dunsanit. Një ushtri e pathyeshme luftëtarësh niset nga një kështjellë gjigante, vë nën zotërim mbretëri të tëra, shikon përbindësha dhe shkrumbon shkretëtirat dhe malet, por kurrë nuk mbërrin dot në Karkasonë, edhe pse nganjëherë arrijnë ta shquajnë nga larg. (Ky tregim, siç vihet re me lehtësi, është e kundërta e të mëparshmit; tek i pari nuk dilet kurrë nga qyteti, kurse tek i dyti, nuk arrihet kurrë në qytet).

Në mos gaboj, pjesët heterogjene që ju parashtrova i ngjajnë Kafkës; nëse nuk gabohem, jo të gjitha ngjajnë me njëra-tjetrën. Ky fakti i fundit është edhe më kuptimploti. Në secilin nga këta tekste gjendet idiosinkrazia (karakteri i veçantë) e Kafkës, në shkallë më të lartë apo më të ulët, ama, nëse Kafka nuk do të kishte shkruar, nuk do ta kishim vënë re; duhet thënë: nuk do të ekzistonte. Poema Fears and Scruples e Browning-ut profetizon veprën e Kafkës, por leximi ynë i Kafkës përkryen dhe devijon ndjeshëm leximin e poemës në fjalë. Browning-u nuk e lexonte, siç e lexojmë ne tani.

Në fjalorin kritik, fjala pararendës (prekursor) është e domosdoshme, por do të duhej ta pastroje nga çdo ngjyrim polemike dhe rivaliteti. Fakti është se çdo shkrimtar krijon perkursorët e vet. Puna e tij modifikon konceptin tonë të së kaluarës, siç do ta modifikojë këtë i ardhshmi[3]. Në këtë bashkëlidhje nuk ka fare rëndësi identiteti apo shumësia e njerëzve. Kafka i parë, i tregimit Betrachtung, është më pak pararendës i Kafkës së miteve të errëta dhe i institucioneve barbare se Browningu apo Lord Dunsany.

   Buenos Aires 1951

Përktheu Bajram Karabolli


[1]  Mosnjohja e kafshës së shenjtë dhe vdekja e saj e turpshme apo e rastësishme në duart e turmës janë tema tradicionale të letërsisë kineze. Shiko kapitullin e fundit të Psychologie und Alchemie (Zürich, 1914), të Jungut, që mbyll dy ilustrime interesante. (Shënim i autorit).

[2] Søren Kierkegraad (1813 – 1855) – filozof dhe teolog danez. Konsiderohet si babai i ekzistencializmit dhe i filozofisë së Vuajtjes e i Ankthit, tema që do t’i rimerrnin Martin Heidegger dhe të tjerë filozofë të shekullit XX.

[3] Shiko T. S. Eliot: Points of View (1941), faqet 25 dhe 26. (Shënim i autorit).

Exit mobile version