Përktheu Vladimir Bica
Nga autori i njohur për romanet kriminalistike dhe artisti i vlerësuar, Jonathan Santlofer, vjen një rrëfim magjepsës mbi vjedhjen e Mona Lizës në vitin 1911 nga Luvri, falsifikimet që pasuan dhe të fshehtat e botës së sotme të artit.
Gusht, 1911: Mona Lisa është vjedhur nga Vincent Peruggia. Saktësisht çfarë ndodh në dy vitet përpara rikthimit të saj mbetet një mister. Ekzistojnë shumë kopje të Mona Lizës, dhe shumë historianë pyesin veten nëse piktura që është kthyer në Luvër është e vërtetë apo falsifikim, ndërruar në vitin 1911.
Ditët e sotme: Profesori i artit, Luce Perrone, kërkon të zbulojë të vërtetën për paraardhësin e tij të famshëm, Peruggia. Kërkimi i tij tërheq një detektiv të Interpol-it me një mision për të përmbushur dhe një grua të panjohur, por që ofron ndihmë në mënyrë të çuditshme. Shpejt, Luce zhytet në botën e artit dhe të falsifikimeve, një terren i obsesionit dhe rrezikut.
Si dëgjuat për herë të parë mbi vjedhjen e Mona Lizës nga Vincent Peruggia?
Po lexoja një pamflet lidhur me historinë e muzeut të Luvrit dhe aty, në një fjali, ishte përmendur, por mbeti brenda meje dhe më mbërtheu imagjinatën: ideja se dikush kishte vjedhur Mona Lizën pikërisht nga brenda muzeut!
A mendoni se interpretimi juaj i ngjarjeve mund të jetë i vërtetë?
U bazova aq sa munda në faktet, artikujt e gazetave mbi vjedhjen dhe historianët e artit që kishin teori të ndryshme, por kur vjen puna te romani, ajo që më pëlqen më shumë është të shpik histori dhe skenarë që mund të kenë ndodhur.
Luke dhe Smith-i kanë një partneritet jo të zakonshëm. A kishte diçka të veçantë që frymëzoi besimin e kujdesshëm dhe sigurinë midis tyre?
Së pari, marrëdhëniet e tyre bazohen në nevojë; ata nuk mund të arrijnë të vetëm atë që duan. Pas një farë kohe ata fillojnë të respektojnë inteligjencën dhe përkushtimin e njëri-tjetrit. Kam menduar shumë mbi këta dy burra, se si ata erdhën nga mjedise të ashpra dhe duhej të krijonin vetveten, të bëheshin njerëz të rinj, një diçka që shumë prej nesh e bëjmë që të ecim përpara, disa herë edhe për të mbijetuar. E pashë këtë si një lidhje të mundshme midis tyre sepse ata shihnin diçka nga vetja në personin tjetër. Për mua kjo është një nga cilësitë më të rëndësishme të qenies njerëzore: aftësia për t’u simpatizuar me të tjerët.
Ju vetë jeni artist dhe replikator. Si ndikoi kjo përvojë në dhënien formë të këtij libri?
Duke qenë se kam shkuar në shkollë arti dhe vërtetë jam piktor, kjo më ndihmoi që të kuptoja Luke-n dhe dëshirat e tij, po ashtu edhe ato të falsifikuesit të artit në këtë libër, Yves Chaudron.
Kam vizatuar kopje të veprave të njohura artistike për koleksionues të artit, për më shumë se dy dekada. Megjithatë unë nuk jam përpjekur kurrë që t’i kaloj ato si origjinale ose të spekuloj me to. Unë bëj ç’është e mundur që të krijoj kopje të sakta të tyre ndërkohë që u qëndroj strikt rregullave ligjore lidhur me kopjimin e veprave të artit: unë ndryshoj madhësinë apo mjedisin, përdor mjete artistike bashkëkohore që mund të zbulohen nga një shqyrtim i imët shkencor dhe, së fundi, unë gjithnjë nënshkruaj emrin TIM nga mbrapa. Duke prodhuar vepra “të rreme” kjo më ka dhënë një pasqyrë të jashtëzakonshme mbi botën e brendshme të falsifikimit të artit, se si, në një farë mënyre ti futesh nën lëkurën e artistit punën e të cilit ti po kopjon dhe sa emocionuese është që ta kesh këtë pikturë të mbaruar që duket plotësisht si ajo e të famshmit Picasso apo Manet, por që e ke bërë ti.
Kur vajza ime ishte rreth dhjetë vjeçe, ajo më pyeti pse nuk i shisja riprodhimet e mia si origjinale. Unë i shpjegova pse ishte e jashtëligjshme të kopjoje veprat e artit të të tjerëve dhe t’i shisje ato si veprat e tua. Ajo e kuptoi por akoma mendonte se unë duhej të përpiqesha të shisja kopjet e mia si vepra origjinale.
Cilat janë keqkuptimet e zakonshme lidhur me falsifikimin dhe kopjimin e kryeveprave të artit?
Besoj se shumica e njerëzve mendojnë se falsifikimet e veprave të artit mund të zbulohen lehtë, por kjo nuk është e vërtetë. Shumë falsifikues i shpëtojnë zbulimit për dekada të tëra duke mashtruar muzetë, shtëpitë e ankandit dhe ekspertët. Përfundimisht ata bëjnë një gabim (si kur përdorin aksidentalisht një pigment që nuk ishte zbuluar disa vite pasi ishte prodhuar piktura që po falsifikojnë), dhe kjo është e gjitha — ata kapen. Por ka plot falsifikime në koleksionet e mirënjohura të artit dhe në muze kudo në botë që presin të zbulohen.
Si i ndërtoni personazhet e juaja? A ka ndonjë nga shokët apo të njohurit tuaj që kanë përfunduar në faqet e librave që shkruani?
Për mua, personazhet vijnë në jetë në faqet e librit. E kam një ide lidhur me personazhet por akoma nuk e di realisht se cilët janë ata derisa filloj të shkruaj për ta. Pas kësaj më duhet të mendoj se si ata duken, si flasin, çfarë i motivon ata, etj.. Dhe ata ndryshojnë vazhdimisht. Unë gjithnjë rilexoj dhe mendoj për ta. Kështu pra nuk do ta thosha kurrë këtë. Disa nga shokët e mi, me atributet e tyre, futen fshehurazi , por në shumicën e herëve, personazhet e mi bëhen vetvetja e tyre dhe unë prirem të mendoj mbi ta si njerëz të vërtetë, që ekzistojnë vërtetë. Ndoshta ndonjëri ka ndonjë copëz prej meje meqenëse unë jam ai që i krijon.
Me cilin nga personazhet jeni më i lidhur? A keni ndonjë prej tyre më të parapëlqyer, për të cilin shkruani?
Në këtë libër, më i afërt jam me Luke-n. Ai është më i ri, më i gjatë, më i hijshëm, më i zgjuar dhe më i talentuar se mua. Megjithatë, për cilindo që shkruaj, në atë moment ai është më i parapëlqyeri. Mua më pëlqen të shkruaj edhe për djemtë e këqij dhe psikopatët, sepse unë gjithnjë përpiqem të shoh se ç’i bën ata të shpërthejnë. Njerëzit e tmerrshëm janë kaq argëtues në libër sa edhe të tmerrshëm në jetën reale!
Smith-i i përshkruan koleksionuesit privat si hajdutë që e mbajnë artin larg nga pjesa tjetër e botës. A jeni dakord me të?
Jo. Kjo kishte kuptim për personazhin e një punonjësi të INTERPOL-it, që të mendonte kështu, por shumica e koleksionistëve të artit që njoh unë janë njerëz që e dashurojnë artin dhe duan ta mbushin jetën e tyre me të. Nëse do të kisha mundësi do të bëja të njëjtën gjë.
Si mund të shpërndahet arti në mënyrë më të drejtë?
Muzetë janë vendi më i mirë, po ashtu magazinat publike që kujdesen për kryeveprat e vogla e të mëdha. Unë sapo isha në Metropolitan Museum of Art të Nju Jorkut dhe ky është një nga vendet më të bukura të botës. Ti mund të harxhosh ditë të tëra duke imagjinuar vetveten veshur me një armaturë të lashtë ose të ecësh rrotull Tempullit Egjiptian të Dendurit ose të shohësh pikturat e impresionistëve — çfarëdolloj arti që ty të pëlqen është atje.
Por ka gjithfarë “artesh”. Ti mund të kornizosh një bllok me pulla (ashtu siç bëra unë me pullën e fundit të Marvin Gaye), ta vendosësh në mur dhe do të duket mjaft bukur, me koston e vetëm pullave.
Vëzhgimet e shumta e bëjnë komplotin nervozues dhe sidomos kur kërkimet e Luke-s marrin kohë në vazhdimësinë e tyre. Si e balanconi befasinë, suspansën me padurimin në ritmin tuaj?
Padurimi i një personazhi nuk ka të bëjë me ritmin e librit, i cili është një gjë e veçantë që ti, autori, e kontrollon. Lexuesi mendon, Nxito Luke, sepse ai është para tij dhe i shqetësuar, dhe kjo është që unë dua sepse kjo e rrit padurimin.
A keni ndonjë këshillë për shkrimtarët që aspirojnë, veçanërisht për ata që janë të interesuar në histori dhe thriller?
Unë them gjithnjë, lexo. Gjërat të vijnë kur ti lexon dhe nuk ka si ndodhë ndryshe. Plus, ti mëson nga shkrimtarët e tjerë. Nëse do të shkruash një thriller lexo sa më shumë prej tyre dhe zbërthe disa që të shohësh se si autori e ka konstruktuar një komplot. E njëjta gjë me romanet historike. Inspirimi im fillestar për të shkruar këtë libër erdhi nga dy romane, Possession dhe The French Lieutenant’s Woman. Natyrisht që unë lexoj kaq shumë romane me krime sa që një pjesë e trurit tim vazhdimisht mendon, Ku është misteri? Dhe në cilindo libër mundohem të mësoj: Cili është “motori” që lëviz këtë histori?