Kreu Letërsi Shënime mbi libra Jennifer Wilson: Vëllezërit Grimm ishin të zymtë për një arsye

Jennifer Wilson: Vëllezërit Grimm ishin të zymtë për një arsye

The New Yorker

Na ishte njëherë një familje me mbiemrin Grimm, që bënte një jetë e cila ishte gjithçka tjetër, përveçse përrallë. Në shtetin gjerman të pyllëzuar të Hesenit, Filipi, një nëpunës qyteti, jetonte me gruan e tij, Dorotean, dhe fëmijët e tyre në një shtëpizë piktoreske. Pjesa e jashtme ishte një e kuqe e hapur tërheqëse dhe dyert ngjyrë kafe e çelët, si të ishin bërë prej biskote xhenxhefili. Dhoma e ndenjes ishte e veshur me letër muri me figura gjuetarësh, mbi fytyrat e të cilëve dy djemtë e mëdhenj, Jakobi dhe Vilhelmi (të lindur përkatësisht në 1785 dhe 1786), u vizatonin me pafajësi mjekra me laps. Shpejt, Filipi u gradua për të shërbyer si magjistrat i një qyteti aty pranë dhe familja Grimm u zhvendos në një shtëpi madhështore me shërbyese, kuzhinier dhe karrocier. Çdo Krishtlindje, familja zbukuronte një pemë me mollë, siç ishte zakoni gjerman. Në verë, fëmijët guxonin të futeshin në pyjet përreth për të mbledhur flutura dhe lule, të bindur se mund ta gjenin rrugën e kthimit për në shtëpi.

Pastaj, një ditë, u shfaq një re e zezë, sikur ta kishte thirrur një shtrigë xheloze për idilin e tyre familjar. Në vitin 1796, Filipi, vetëm dyzet e katër vjeç, iu dorëzua pneumonisë. Jakobi më vonë kujtonte se kishte parë trupin e babait të tij duke u matur për arkivol. Dorotea dhe fëmijët e saj u urdhëruan të lironin shtëpinë. Pa të ardhurat e Filipit, ata u detyruan për një kohë të banonin në një strehë të varfërish aty pranë—të mallkuar me pamjen e ish-shtëpisë së tyre dhe oborrit ku dikur luanin, të lumtur, deri në atë që pasoi më vonë.

Jakobi dhe Vilhelmi, Vëllezërit Grimm, përjetuan atë lloj përmbysjeje të fortë të fatit, karakteristike për zhanrin që u bë sinonim me emrin e tyre: përrallën. Një princ i shndërruar në bretkosë; një bijë e dashur e katandisur në shërbyese kuzhine. Aty ku versioni francez i “Hirushes”, nga Sharl Pero (Charles Perrault), hapet me Hirushen tashmë të veshur me lecka, duke punuar për njerkën e saj, versioni i vëllezërve Grimm, “Aschenputtel”, fillon me nënën e heroinës në shtratin e vdekjes. Ann Schmiesing, autorja e librit “Vëllezërit Grimm: Një Biografi” (Yale), vëren se ndryshimi e transformon një “histori ‘nga leckat në pasuri’ në ‘nga pasuria në lecka e sërish në pasuri’—një trajektore që, rastësisht, është paralele me përvojën e vetë vëllezërve Grimm”. Versioni i vëllezërve Grimm e “masakron” përrallën franceze edhe në mënyra të tjera. Kur princi shfaqet me këpucën fatlume, motrat e njerkës së Aschenputtel-it presin thembrat për t’i bërë këmbët të futen brenda. Secila arrin deri te portat e kështjellës para se princi të vërë re gjakun që vërshon gjithandej.

Fryma e errët e përrallave të vëllezërve Grimm është pothuajse një batutë në këtë pikë, dhe mbiemri i tyre, që do të thotë “i zymtë” ose “i zemëruar” në gjermanisht, nuk ka ndihmuar. Edhe gjatë jetës së tyre, vëllezërit ishin subjekt i lojërave të detyrueshme të fjalëve. Jakobi, një filolog i arrirë, falënderoi një mik që i rezistoi dëshirës për të bërë shakanë e dukshme pasi botoi librin e tij “Gramatika Gjermane”: “E vlerësoj shumë që nuk e keni qortuar ‘Gramatikën’ (Grammar) time si ‘Të Zymtën’ (Grimmer).”

Në të vërtetë, ka një ashpërsi pothuajse komike në përrallat e tyre, ndër to “Si luanin disa fëmijë duke therur”, në të cilën një palë vëllezër e motra, pasi kishin parë babanë e tyre të therte një derr, provojnë ta bëjnë këtë akt te njëri-tjetri. Në “Trëndafili i Egër”, versioni i vëllezërve Grimm për “Bukuroshen e Fjetur”, krushqit që përpiqen të arrijnë vashën e fjetur ngecin në gardhin me gjemba që rrethon kështjellën e saj, duke vdekur “në mjerim”.

Këto histori përbëjnë një përmbushje dëshire për njerëzit që duan të besojnë stereotipet rreth ashpërsisë gjermane, gjë që mund të jetë një masë e suksesit të vëllezërve Grimm. Qëllimi i tyre në mbledhjen e folklorit të tillë—krahas përrallave, vëllezërit Grimm botuan legjenda, këngë, mite—ishte të krijonin një identitet kombëtar koheziv për gjermanofolësit. Kjo është arsyeja pse vëllezërit, veçanërisht Jakobi, shkruan gjithashtu libra mbi filologjinë gjermane dhe nisën atë që synohej të ishte fjalori më gjithëpërfshirës i gjuhës gjermane, Deutsches Wörterbuch. (Duke punuar rëndë deri në vitet e fundit të jetës, ata arritën deri te fjala frucht, frut).

Vëllezërit Grimm ishin gjermanistë para se të kishte një Gjermani. Kur ata lindën, “Gjermania” përmbante atë që historiani Perry Anderson e përshkruan si një “labirint principatash xhuxhe”, dhe ata vdiqën jo shumë kohë përpara bashkimit të vendit, në vitin 1871. Në periudhën ndërmjet, kufijtë e atdheut të tyre ndryshuan herë pas here, me pushtimin napoleonik të Hesenit në vitin 1806, Kongresin e Vjenës dhe ndarjet pas-napoleonike të Evropës, dhe, përfundimisht, me ngritjen e Otto von Bismarck-ut. Mes një çoroditjeje të tillë gjeografike, vëllezërit Grimm besonin se gjuha dhe traditat e përbashkëta kulturore mund të ishin filli lidhës i një populli, i popullit të tyre. Mjaftonte vetëm që të vinte dikush, ose dy veta, me një çark për t’i tjerrë.

Edhe pse historia i ka bashkuar, Jakobi dhe Vilhelmi ishin dy burra mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri. Vilhelmi ishte bon vivant-i, përballë natyrës introverte të Jakobit. Vëllai i madh ishte studiuesi më i arrirë. Kërkimet e Jakobit në fonetikë themeluan atë që sot në gjuhësi njihet ende si Ligji i Grimit. (Ai kishte vënë re modele sipas të cilave bashkëtingëlloret nga gjuhët e tjera indo-evropiane ndryshonin ndërsa hynin në gjermanisht.) Kur, rreth të pesëdhjetave, vëllezërit pranuan emërime në Universitetin e Berlinit, Jakobi refuzoi çdo nderim apo pozitë të shquar që do ta largonte nga tryeza e tij e punës. “Me gëzim do të vishja një rrobë shtëpie të punuar me materialin më të ashpër dhe nuk do të përpiqesha për asgjë tjetër veç kësaj,” i tha ai me shaka një miku. Ndërkohë, ditari i Vilhelmit nga ajo periudhë e tregon atë duke parë një shfaqje të “Ëndrrës së një nate vere”, duke shëtitur në kopshtet botanike dhe duke vizituar Kabinetin e Artit, ku ishte ekspozuar kapela e Napoleonit. Një “ditë e rrallë pa asnjë vizitë,” shënonte ai në një fragment.

E megjithatë, një biografi e përbashkët është e vetmja që duket e përshtatshme; ndarja e njërit vëlla nga tjetri pas vdekjes duket e barabartë me dhunimin e një kufome, sepse Jakobi dhe Vilhelmi ishin tmerrësisht të pandashëm. Kur, gjatë viteve të studimeve, Jakobi punoi për pak kohë jashtë vendit për një nga profesorët e tyre, Vilhelmi i shkroi: “Kur u largove, mendova se zemra do më ndahej më dysh. Nuk mund ta duroja dot. Ti sigurisht nuk e di se sa shumë të dua.” Jakobi u zotua se kjo nuk do të ndodhte më kurrë dhe skicoi se si shpresonte të ishte jeta e tyre pasi të përfundonin studimet: “Me gjasë do të jetojmë mjaft të tërhequr dhe të izoluar, sepse nuk do të kemi shumë miq dhe mua nuk më pëlqejnë të njohurit. Do të duam të punojmë me njëri-tjetrin mjaft ngushtë dhe t’i ndërpresim të gjitha punët e tjera.” Kur Vilhelmi u martua, Jakobi jetoi me vëllanë dhe kunatën e re. Një mik dikur iu drejtua vëllezërve në një letër si “Të dashurit e mi grepa të dyfishtë!”

Lidhja e tyre u farkëtua përmes historisë së përbashkët të humbjes dhe izolimit shoqëror. Pas vdekjes së Filipit, Jakobi dhe Vilhelmi nuk gëzonin më statusin që vinte nga të qenit djemtë e një magjistrati. Kur u regjistruan në Universitetin e Marburgut, në fund të adoleshencës, atyre iu desh t’i paguanin vetë shpenzimet; bursat zakonisht rezervoheshin për djemtë e aristokratëve dhe pronarëve të tokave. Jakobi e shihte situatën e tij në Marburg të ngjashme me përbuzjet që populli gjerman—të cilit i mungonin avantazhet politike dhe ekonomike që vinin nga të qenit pjesë e një shtet-kombi—vuante në skenën evropiane. Ai shkroi në autobiografinë e tij: “Skamja e nxit njeriun drejt zellit dhe punës, e mban larg nga shumë shpërqendrime dhe i injekton një krenari fisnike që e mban të vetëdijshëm për arritjet vetjake, në kontrast me atë që ofron shtresa shoqërore dhe pasuria… Një pjesë e madhe e asaj që gjermanët kanë arritur në përgjithësi duhet t’i atribuohet faktit se ata nuk janë një popull i pasur.”

Ndërsa ishin në universitet, vëllezërit ranë nën ndikimin e Friedrich Carl von Savigny, një profesor i ri i drejtësisë, i cili mbronte idenë se ligjet nuk duhet t’i imponohen një populli, por, përkundrazi, duhet të burojnë prej tij. Një ligjvënës, pra, duhet të jetë një lloj historiani, ose, akoma më mirë, një filolog, i vëmendshëm ndaj dëshirave të një populli siç shprehen në gjuhën dhe rrëfimet e tij. Në një studim mbi vëllezërit Grimm dhe nacionalizmin gjerman, studiuesi Jakob Norberg argumenton se, nëse Platoni parashikonte një “mbret filozof” për të sunduar qytet-shtetin, Grimit përfytyronin një “mbret filolog” për të udhëhequr shtet-kombin.

Ishte gjithashtu në Marburg, dhe përmes Savigny-t, që Grimit u njohën me Achim von Arnim dhe Clemens Brentano, dy shkrimtarë fisnikë që kishin filluar të mblidhnin këngë popullore gjermane, duke synuar të kapnin Volksseele-n—shpirtin e popullit—që i paraprinte Iluminizmit Evropian dhe neoklasicizmit francez. Arnim dhe Brentano ishin anëtarë themelues të asaj që u bë e njohur si Romantizmi i Heidelbergut. Nëse Romantizmi i hershëm gjerman, i cili lulëzoi në Jena në vitet 1790, vlerësonte “botëkuptimin individual, subjektiv,” shkruan Schmiesing, “Romantikët e Heidelbergut festonin letërsinë popullore dhe heroike sepse shihnin në të përvojën kolektive të një populli.”

Parimi i Savigny-t e vendoste vullnetin kombëtar në zemrat, ose, më saktë, në gjuhët e njerëzve të thjeshtë. Ndonëse Grimit e nisën duke ndihmuar Arnimin dhe Brentanon, ata arritën ta shihnin veten si veçanërisht të aftë për këtë, si për shkak të varfërimit të familjes së tyre, ashtu edhe për shkak të gojëdhënave që rrethonin shtetin e tyre të lindjes, Hesenin. Ata do të mblidhnin shumë nga përrallat e tyre atje, të bindur se izolimi relativ i rajonit nga rrugët tregtare kishte ruajtur karakterin e tij autentik gjerman.

Edhe Heseni kishte një tis mitik. Toka ishte populluar në lashtësi nga populli Kati (Chatti), i përshkruar nga historiani romak Taciti si më i bëshëm se fiset e tjera gjermanike. Meqenëse pjesa më e madhe e terrenit të thyer ishte pengesë për bujqësinë, mercenarët u bënë eksporti kryesor. Njëzet e pesë për qind e forcave tokësore britanike në Luftën Revolucionare Amerikane ishin nga Heseni. (Kalorësi pa kokë i Uashington Irving-ut përflitej se ishte fantazma e një ushtari nga Heseni.) Filozofi Johan Gotlib Fihte (Johann Gottlieb Fichte), një baba i nacionalizmit gjerman, madje i akuzoi evropianët se po i mbanin qëllimisht të copëtuara trojet gjermane—për ta shfrytëzuar më lehtë trimërinë gjermane për pushtimet e tyre. Pikërisht në këtë peizazh të trazuar, vëllezërit Grimm iu përveshën punës për të thurur një trashëgimi kulturore që mund ta ngrinin lart si flamur.

Kishte dalë në skenë një armik shekullor. Pushtimi i trojeve gjermanike nga Napoleoni ishte një moment kthese për Romantizmin gjerman. “Shpejt gjithçka ndryshoi nga rrënjët,” kujtonte Vilhelmi, lidhur me trupat franceze që pushtuan qytetin e tij të lindjes, Kaselin, në vitin 1806. “Njerëz të huaj, zakone të huaja, dhe në rrugë e shëtitje një gjuhë e huaj, e folur me zë të lartë.” Heseni u përfshi në Mbretërinë e Vestfalisë, të udhëhequr nga Zherom Bonaparti (Jérôme Bonaparte), vëllai fatkeq i Napoleonit, i cili mezi kishte mësuar më shumë se tri fjalë gjermanisht: ato për “nesër”, “përsëri” dhe “gazmor”. (Kjo i dha atij nofkën Mbreti Gazmor.) Përflitej se Zheromi lahej në verë të kuqe, gjë që, shkruan Schmiesing, “nëvizonte huajzimin e tij në një rajon të mësuar me verë të bardhë”.

Në fakt, Jakobi shërbeu si bibliotekari personal i Zheromit, por thirrja e tij e vërtetë ishte si një lloj ushtari këmbësorie i folklorit në mes të Luftërave Napoleonike. Më vonë, ai mblodhi një grup folkloristësh që bënë betimin për të “nderuar atdheun” përmes “shpëtimit të letërsisë sonë popullore”. Përrallat që mblodhën ishin thërrimet e bukës që do ta udhëhiqnin popullin gjerman drejt shtëpisë së tij kulturore.

Vëllimi i parë i “Përrallave për Fëmijë dhe Familje” të vëllezërve Grimm u botua në dhjetor të vitit 1812. Ai përmbante tetëdhjetë e gjashtë histori, duke përfshirë klasikë si “Rapunzela”, “Hansel dhe Gretel”, “Borëbardha”, “Rumpelstiltskin”, “Trëndafili i Egër” (Bukuroshja e Fjetur) dhe “Kësulëkuqja”, së bashku me shënime të gjata shpjeguese. Kritikët nuk ishin të sigurt se çfarë të mendonin për një përmbledhje “përrallash për fëmijë” që vinte me shtojca studimore dhe kafshë epshore. “Zonja Dhelpër”, ku një dhelpër me nëntë bishta, të cilët perceptohen si simbole falike prej gëzofi, vë në provë besnikërinë e gruas së tij, nuk ishte lloji i përrallës para gjumit që prindërit kishin në mendje. E njëjta gjë vlente edhe për “Rapunzelën”, në të cilën zana (jo shtriga) kupton se e burgosura e saj flokëgjatë ka marrë vizita nga princi kur, një ditë, Rapunzela pyet: “Pse po më ngushtohen rrobat?”

Për vëllezërit Grimm, kishte rëndësi që të ishin autentikë, jo të përshtatshëm, dhe përrallat, në shumë tradita letrare, nuk ishin gjithmonë të destinuara për fëmijët. Sipas studiueses Maria Tatar, këto ishin rrëfenja popullore që ndaheshin mes të rriturve orëve të vona, ndërsa fëmijët ishin në gjumë. Ajo citon një version francez të “Kësulëkuqes”, në të cilin ujku i madh e i keq ka ndaj vajzës së vogël synime që nuk janë gastronomike. Në atë version, ajo bën diçka të barabartë me një striptizë, duke hequr rrobat ndërsa ujku i maskuar e vështron nga shtrati, duke i dhënë një kontekst më të freskët frazës “Sa duar të mëdha që ke!”

Pastaj, ishte çështja e gjuhës së vëllezërve Grimm—e kursyer, e vrullshme, instinktive, e pafiltruar. Në parathënie, vëllezërit mburreshin për besnikërinë e përmbledhjes ndaj burimeve të tyre: “Asnjë rrethanë nuk është poetizuar, zbukuruar apo tjetërsuar.” Epo, kjo ishte e qartë, ankohej miku i vjetër i vëllezërve Grimm, Klemens Brentano (Clemens Brentano), i cili mendonte se e kishin tepruar. “Nëse doni të ekspozoni rroba fëmijësh,” shkruante Brentano, “mund ta bëni këtë me besnikëri pa nxjerrë në pah një veshje që i ka të gjithë kopsat të shkulura, të përlyer me baltë dhe me këmishën që varet jashtë pantallonave.” Por vëllezërit Grimm donin të ruanin kulturën e njerëzve të thjeshtë, jo ta bënin popullin të tingëllonte i kulturuar.

Biografia e Schmiesing për vëllezërit Grimm është e para madhore në gjuhën angleze pas disa dekadash. Mund të jetë e ngjeshur me detaje, por kur lexova “Shtigje nëpër Pyll” (1971) të Murray B. Peppard, një biografi më e qasshme e vëllezërve Grimm, e kapa veten duke ndjerë mungesën e shkurreve më të egra të burokratëve prusianë dhe devijimeve të gjata mbi gramatikën gjermane që ofron Schmiesing. Vepra e saj është një ushqim i bollshëm gjerman. Ajo gjithashtu paraqet gjetje që ndërlikojnë imazhin e vëllezërve si puristë etnografikë.

Perceptimi popullor se si vëllezërit Grimm i mblodhën përrallat e tyre u pasqyrua në një ilustrim që u shfaq në një revistë gjermane të viteve nëntëdhjetë të shekullit të nëntëmbëdhjetë: Jakobi dhe Vilhelmi shfaqen duke vizituar një kasolle modeste, duke dëgjuar një fshatare të moshuar. “Kjo skenë baritore nuk ndodhi në të vërtetë,” shkruan Schmiesing. Informatorët e Grimëve prireshin të ishin gra të arsimuara mirë nga familje të pasura, të cilat mblidhnin histori nga fshatarët dhe shërbëtorët që punonin për to. Gruaja në ilustrim, Dorothea Viehmann, ishte vërtet një nga informatorët më të varfër të Grimmëve, por përrallat e saj nuk ishin aq “vërtet nga Heseni” sa i përshkruan dikur vëllezërit. Ajo ishte me origjinë hugenote nga ana e babait, gjë që shpjegon, siç kanë spekuluar studiuesit, ndikimin francez në disa nga historitë e saj.

Schmiesing i rikthehet gjithashtu studimeve mbi ndryshimin e politikës editoriale të Vilhelmit. Ndoshta si përgjigje ndaj kritikave mosmiratuese, ai e përditësoi versionin e dytë të “Përrallave për Fëmijë dhe Familje” për të kënaqur normat gjinore të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në botimin e parë, historia e Hanselit dhe Gretelit fillon me nënën e tyre që i thotë babait t’i braktisë fëmijët në pyll. Në botimin e dytë, gruaja e babait—njerka e keqe arketipale—jep urdhrin, sepse ishte e pahijshme të sugjerohej se një nënë biologjike do t’i hiqte qafe fëmijët e saj kaq ftohtë. (Ndërsa babai që pranon gjithçka—është krejt në rregull!)

Edhe pse trashëgimia e tyre mund të jetë si “Nëna Pata” gjermane (figura tregimtare e përrallave), vëllezërit i konsideronin vëllimet e përrallave si një projekt mes shumë të tjerëve, dhe zor se më i rëndësishmi. Në vitin 1829, vëllezërit Grimm, atëherë në të dyzetat, morën punë si bibliotekarë në Universitetin e Gëtingenin (Göttingen), në mbretërinë e Hanoverit. Atje, Jakobi botoi “Mitologjia Gjermane” (1835). Ai besonte se, ashtu si etimologët mund të identifikonin tiparet e gjuhëve të lashta përmes pasardhësve modernë, ai mund të përafrohej me mitologjinë e lashtë gjermane përmes folklorit. Ai hulumtoi me imtësi balada, përralla dhe legjenda për referenca ndaj heronjve, grave të mençura, xhuxhëve, gjigantëve, fantazmave, kurave, magjisë e të tjera.

Ndryshe nga “Përrallat për Fëmijë dhe Familje”, “Mitologjia Gjermane” ishte një sensacion kombëtar dhe nacionalist. Libri e rinoi plotësisht kompozitorin Richard Wagner. Në autobiografinë e tij, “Jeta Ime”, Wagner shkroi për takimin me “Mitologjinë Gjermane”: “Para syrit të mendjes sime, shpejt u ndërtua një botë figurash, të cilat nga ana e tyre u zbuluan në një formë kaq të papritur skulpturore dhe kaq fillimisht të njohura saqë, kur i pashë qartë para meje dhe dëgjova të folurën e tyre brenda meje, më në fund nuk mund ta kuptoja se nga vinte ky familjaritet pothuajse i prekshëm dhe siguria e sjelljes së tyre. Nuk mund ta përshkruaj efektin e kësaj në gjendjen e shpirtit tim ndryshe veçse si një rilindje të plotë.”

Me “Mitologjinë Gjermane”, Jakobi kishte shpresuar të mbronte paraardhësit e tij—popujt gjermanikë që pushtuan Perandorinë Romake—kundër akuzave për barbarizëm. Është një mbrojtje që, shkruan Schmiesing, “nganjëherë ishte haptazi me ngjyrime racore”. Megjithëse Vilhelmi vlerësonte përrallat e Sierra Leones, Jakobi shkroi një herë një artikull ku e quante fetishizmin “një rënie në topitje dhe vrazhdësi, si ajo që sundon zezakun e egër”, dhe këmbëngulte se kjo ishte “thelbësisht e huaj për një popull si paraardhësit tanë, i cili sapo shfaqet në histori, vepron denjësisht dhe lirisht dhe flet një gjuhë të punuar imët që lidhet ngushtë me atë të popujve më fisnikë të antikitetit.”

Jetët profesionale të Grimmëve ishin aq të paqëndrueshme sa kufijtë e Perandorisë së Shenjtë Romake. Në vitin 1837, një monark i ri shpërndau asambletë legjislative të Hanoverit dhe hodhi poshtë kushtetutën e tij. Jakobi dhe Vilhelmi, duke iu bashkuar pesë kolegëve të tyre, nënshkruan një deklaratë proteste. Disidentët—të cilët u urdhëruan të largoheshin nga Hanoveri brenda tri ditësh—u bënë të njohur si Të Shtatët e Gëtingenit, dhe akti i tyre i sfidës u skalit më vonë në historinë gjermane si një moment simbolik në rrugën e kombit drejt demokracisë. Vilhelmi madje rishikoi një përrallë duke pasur këtë episod në mendje. Në një version të mëparshëm të një historie të titulluar “Drita Blu”, një burrë largohet nga ushtria sepse është shumë i vjetër për të luftuar. Në versionin e ri, protagonisti është një ushtar i plagosur që lirohet nga sovrani i tij me fjalët: “Mund të shkosh në shtëpi tani. Nuk më duhesh më dhe nuk do të marrësh më para nga unë. Unë u jap rrogë vetëm atyre që mund të më shërbejnë.”

Detaji i pagave të mbajtura dëshmonte për vështirësitë financiare në të cilat ndodheshin tashmë Jakobi dhe Vilhelmi. Në vitin 1840, e veja e Arnimit i përgjërohej princit prusian, Frederik Vilhelmit IV, që të gjente poste për dy nga miqtë e saj, të cilët nuk i përmendi me emër. Pasi bëri disa kërkime, Princi mësoi identitetin e tyre dhe ktheu përgjigje: “Fryti i kërkimit tim të zymtë ishin — dy Grimmë studiues!” Aleksandër fon Humboldti, gjeografi dhe natyralisti i famshëm, bëri të mundur që vëllezërit të vazhdonin studimet e tyre në Berlin me një rrogë të përbashkët prej tre mijë talerësh, për t’u ndarë si të dëshironin, “pasi ata jetojnë si burrë e grua”.

Dy vjet më vonë, Humboldti i shkoi Jakobit me një pyetje. Oborri prusian po shpallte një nderim të ri për arritjet në arte dhe shkenca. A mund ta këshillonte Jakobi se si duhej shkruar një fjalë specifike në statut? Kjo fjalë ishte: deutsch (gjermanisht).

Projekti që do t’i angazhonte vëllezërit Grimm për pjesën e mbetur të jetës së tyre ishte Deutsches Wörterbuch—Fjalori Gjerman. Një shtëpi botuese në Lajpcig u kishte propozuar idenë në vitin 1838, por Jakobi hezitoi. Ai kishte shqetësime rreth sistematizimit të gjuhës dhe rreth orëve të gjuhës gjermane në shkolla—ai çmonte idenë që gjuha amtare të mësohej nga vetë nënat. Megjithatë, vëllezërit Grimm kishin modele për një lloj tjetër leksiku. Fjalori i Gjuhës Angleze i Samuel Xhonsonit (Samuel Johnson), nga mesi i shekullit të tetëmbëdhjetë, kishte qenë pjesë e një lëvizjeje për t’u larguar nga tekstet e ngurta gjuhësore. Zërat e fjalorit përmbanin tekste të nxjerra nga periudha të ndryshme, duke dhënë një ndjesi se si ndryshonte gjuha me kalimin e kohës. Xhonsoni dhe të tjerët besonin se fjalorët mund të regjistronin, dhe jo thjesht të diktonin, shprehjet e një populli, në një version të asaj që Savinji, profesori i vjetër i Grimëve në Marburg, kishte predikuar për ligjin.

Ashtu siç kishin punuar me informatorë për përrallat e tyre, vëllezërit Grimm kërkuan zëra fjalori nga më shumë se tetëdhjetë bashkëpunëtorë, përfshirë profesorë, filologë dhe predikues. Rezultatet mund të ishin magjepsëse. Zëri i parë ishte për shkronjën “A”:

A, më fisnikja dhe më zanafillorja e çdo tingulli, që kumbon me plotësi nga gjoksi dhe fyti, tingulli i parë dhe më i lehtë që një fëmijë do të mësojë të prodhojë, dhe të cilin alfabetet e shumicës së gjuhëve me të drejtë e vendosin në fillim.

Burrat punonin dymbëdhjetë orë në ditë për të kapur afatet e botimit, por ia dilnin të fusnin fshehurazi pak argëtim. Në vëllimin e parë të plotë, që u shfaq në vitin 1854, vëllezërit Grimm përfshinë nofkën e përzemërt të Vilhelmit për gruan e tij, bierlümmel (gdhe birre). Atyre iu deshën gjashtëmbëdhjetë vjet për të përfunduar atë seksion të parë—i cili përfundonte me zërin biermolke (hirrë birre)—por ankesat vërshuan pothuajse menjëherë. Katolikët u ankuan për mbizotërimin e shembujve të përdorimit të fjalëve nga Martin Luteri dhe për tonin e disa zërave. Ai për ablass (indulgjencë) thoshte: “Kryesisht falja kishtare e mëkatit për para… kundër së cilës Reformimi u lëshua fitimtar”. Jakobi besonte se shkrimi me shkronjë të madhe i emrave të përgjithshëm ishte një import inorganik dhe e hoqi atë, një zgjedhje që frymëzoi parodi në shtypin gjerman.

Pavarësisht kritikëve të tyre, vëllezërit Grimm vazhduan. Në duart e tyre, fjalori ishte një formë ligjërimi politik, i vetmi lloj që u kishte funksionuar ndonjëherë. Në vitin 1848, mes valës së revolucioneve nacionaliste nëpër Evropë, Jakobi u ftua të shërbente si përfaqësues në Asamblenë Kombëtare të Frankfurtit, një organ i mbledhur në përpjekje për të krijuar një shtet të bashkuar gjerman. Por takimi degradoi në fraksionizëm ndërsa interesat konkurruese klasore dhe gjeografike zbuluan se vendi ishte shumë më i përçarë nga sa kishte fantazuar Jakobi. Vëllezërit u tërhoqën në dhomën e tyre të studimit për të punuar me fjalorin. Çdo shkronjë ishte një hap drejt qëllimit—nëse jo një Gjermani e bashkuar, atëherë të paktën një popull gjerman i bashkuar, i lidhur nga fjalët dhe nga grindjet familjare për kuptimin e tyre.

Më 16 dhjetor 1859, Vilhelmi vdiq, në moshën shtatëdhjetë e tre vjeçare, pas komplikimeve nga një operacion në shpinë. Jakobi qëndroi pranë shtratit të tij dhe numëroi secilën nga frymëmarrjet e fundit të vëllait të tij. Katër vjet më vonë, Jakobi e pasoi. I goditur nga një inflamacion i mëlçisë dhe më pas nga një goditje në tru, ai dergjej në shtrat i vetëdijshëm, por i paaftë për të folur. Ai zgjati dorën për një fotografi të Vilhelmit dhe e afroi te fytyra, dhe vdiq jo shumë kohë më pas. Të dy janë varrosur në Berlin ashtu siç jetuan, krah për krah.

 Në vitin 1871, Kajzer Vilhelmi u ngjit në fronin e një Gjermanie të sapobashkuar. Në Goslar, një qytet verior në Malet Harc, një pallat perandorak u rinovua për të përfshirë një afresk të “Trëndafilit të Egër” (Bukuroshes së Fjetur), duke simbolizuar një identitet gjerman që kishte fjetur prej kohësh dhe më në fund ishte zgjuar. Ishte fundi prej përralle që kishin ëndërruar vëllezërit Grimm dhe, si në shumë nga historitë e tyre, nuk pati “lumturi përgjithmonë”.

Historitë e vëllezërve Grimm, me premtimin e tyre për të mishëruar një shpirt autentik teuton, ishin aq të kërkuara gjatë viteve naziste, saqë forcat pushtuese Aleate i ndaluan përkohësisht pas luftës. Studiuesit kanë theksuar që atëherë se nacionalizmi i tyre i kishte rrënjët në një trashëgimi të përbashkët kulturore dhe gjuhësore, dhe jo te “gjaku dhe toka”. Megjithatë, detyra e rrëfimit të jetës së Jakobit dhe Vilhelmit mbetet po aq e mbushur me gjemba sa gardhi që zinte në kurth krushqit e Trëndafilit të Egër. Siç shkruan Schmiesing,  kjo “nënkupton manovrimin mes paraqitjes me tepër naivitet ose me tepër gjykime të konstrukteve të shekullit të nëntëmbëdhjetë për Gjermaninë dhe qenien gjerman (Germanness), në të cilat ata kontribuan.”

Në të vërtetë, kjo ambivalencë ekzistonte edhe për Jakobin, i cili shqetësohej se standardizimi i gjermanishtes në shkolla mund t’i zhvlerësonte dialektet dhe vetë të folurën popullore, kapjes së të cilës u ishte kushtuar jeta e tyre. Vëllezërit e dinin më mirë se kushdo se çdo histori magjepsjeje është gjithashtu një histori çmagjepsjeje, dhe kauza e tyre jetësore nuk bënte përjashtim. Kombi është dëshmuar të jetë përralla më e çmuar e njerëzimit, dhe më e zymta.

Exit mobile version