Kreu Intervista Janka Selimi Trifonova: Përkthimi është pasioni im, më ka mbajtur dhe më...

Janka Selimi Trifonova: Përkthimi është pasioni im, më ka mbajtur dhe më mban në jetë

Interivstë me znj. Janka Selimi për në gazetën “ExLibris”

1.Zonja Janka, mbiemri juaj i vajzërisë është Trifonova, ndërsa ai pas martese, Selimi. Keni lindur në Bullgari dhe jetën po e kaloni, prej dekadash tanimë, në Shqipëri. Si u gjendët në këtë vend dhe, a u ndjetë e mirëpritur?

Në Shqipëri më solli dashuria ime, Skënder Selimi.  Si studentë nga dy vende mike të Ballkanit, ne u takuam në Moskë, u dashuruam dhe u martuam atje. Skënderi mbaroi studimet dy vjet përpara meje dhe punonte si baletmaestër në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Kur  u ktheva pas diplomimit tim në Bullgari erdhi dhe Skënderi nga Shqipëria. Prindërit e mi nuk arritën të gëzohen, u mërzitën shumë. Nuk prisnin të largohesha kaq shpejt, i lëndova shumë. Nuk ishte i lehtë largimi  dhe ndarja nga vendi im dhe nga prindërit, por ne i kishim dhënë fjalën njëri- tjetrit, kishim vendosur se do të jetonim dhe do të punonim edhe në Shqipëri, edhe në Bullgari. Kështu u premtuam edhe prindërve të mi. Vendet tona bënin pjesë në kampin socialist atëherë, lëvizjet midis tyre ishin të lira, ishim vende vëllezër, prandaj ideja ishte e mundshme për t’u realizuar dhe e pranueshme për të dyja palët.  Me 24 gusht të vitit 1958 unë erdha në Tiranë bashkë me tim shoq, Skënderin për të jetuar dhe krijuar familjen tonë. Në fakt kjo ishte hera e dytë që vija në Tiranë. Për herë të parë, akoma studente, kisha qenë gjashtë muaj më parë, për festën e Vitit të Ri  dhe u prita si nuse në familje. Këtë herë po vija përgjithmonë dhe isha mjaft e trazuar mes mendimesh dhe emocionesh. Në Tiranë u prita shumë mirë në familje, farefis dhe shoqëri. Shumë shok e miq të dashur i njihja qëkur ishim studentë. Ata ishin një rreth i gjerë artistësh dhe njerëz të kulturës, miq e shok të bashkëshortit tim dhe më kishin pranuar edhe mua në mesin e tyre. Me disa kishim mbaruar të njëjtën shkollë si Shefqet Sela dhe e shoqja  Galja, me të tjerë u njoha në punë dhe kudo ndihesha mirë. Jetonim në Tiranën e Re, në Pallatet e “ 1 Majit”. Gjeta mikpritjen dhe mbështetjen edhe të fqinjëve mësueses Hatixhe Daci, mjekes pediatre bullgare Rashela Cikuli  dhe të Antigoni Lekës etj. Më vonë këto marrëdhënie miqësore dhe dashamirëse  u zgjeruan. Me kalimin e viteve fillova të ndjehem pjesë e kësaj shoqërie, më pak si e huaj, më shumë si shqiptare.          

 2. Në çastet e ngatërruara të historisë së 45 viteve komunizëm, kur dinamikat e marrëdhënieve me jashtë dëshmonin herë vëllazëri e herë armiqësi, si ishte gjendja e përgjithshme shoqërore ndaj jush?

Vitet e para në Shqipëri kaluan shumë mirë në situatën e miqësisë dhe atmosferën e përgjithshme që ngjasonte shumë në të dy vendet tona. Ne ishim rritur dhe edukuar në kushtet e socializmit, besonim në miqësinë midis popujve kështu që nuk kishte shumë ndryshime sa i përket jetës sociale, apo politike në të dy vendet tona. Çdo vit unë shkoja për vizitë në Bullgari pa pengesa. Me prishjen e marrëdhënieve gjithçka ndryshoi. Në shtator të vitit 1961 isha për vizitë në Bullgari kur im shoq më njoftoi se duhet të kthehem urgjent. Isha me djalin, ai pa mbushur 2 vitet. Babi im më paralajmëroi, ai më tha: “Mendohu mirë, kufijtë do të mbyllen”. Kësaj radhe unë nuk mendova për dashurinë time, por për atë të tim biri dhe babait të tij, nuk mund t’ua privoja. Dhe u ktheva në Tiranë bashkë me djalin për të vazhduar këtu jetën e familjes sonë në kushtet e izolimit. Ndryshoi opinioni ndaj grave të huaja. Disa u larguan shumë shpejt. Filluan dyshimet dhe ndjekje, u ngushtua rrethi i miqësisë dhe i shoqërisë. Filloi i ashtuquajturi qarkullim , pastaj  arrestime dhe burgosje. Shumë familja me gra të huaja u përfshinë në këto lëvizje.  Në vitin 1976 burrin tim, Skënder Selimin, e dërguan në Koplik, në shtëpinë e kulturës, ku punoi plot 6 vite. Unë vazhdova në Radio-Tirana. Isha një përkthyese e vetme në emisionin e bullgarishtes. Puna u shtua, shumë herë pa pushime javore, madje u hap dhe dega e gjuhëve të vogla tek Filologjiku dhe u caktova pedagoge e jashtme edhe atje.  Ishin vite shumë të vështira, tronditjet vinin njëra pas tjetrës, përjetova strese dhe frikëra të papërshkruara pas arrestimit dhe burgosjes së grave ruse, mes të cilave shoqja ime e ngushtë Inga Tarasova, pedagogia e rusishtes në Universitetin e Tiranës. Në rrethin e miqve po ashtu plot burgosje dhe internime. Dhe vet s’e di ku gjeta forcën të mbijetoja. Unë, e huaj, në shtëpi me vjehrrën e sëmurë, djali në gjimnaz, vajza në fillore, bashkëshorti vinte të shtunave në darkë, herë me kamion, herë me tren, i lodhur, përpiqeshim të mbajmë frymën e gëzimit dhe dashurisë në familje. U përqendrova te puna dhe kujdesi për fëmijët. Lufta kundër shfaqjeve të huaja, edhe në këtë drejtim ishim në shënjestër. Me nënë te huaj dhe babë kosovar patjetër që një ditë e pësuam. Një ditë djali kishte kërcyer nga dritarja e klasës në katin e parë. Organizata e rinisë erdhi në shtëpi me paralajmërim, për kaq pak, pothuajse asgjë e rëndë. Kalamajtë e lagjes i thanë vajzës “revizioniste”. Për rastin e djalit sigurisht e pranova dhe e qortova. Sa për nofkën e vajzës u revoltova dhe u ankova tek prindërit e fëmijës, por shyqyr pa pasoja. Ç’ të them, e tillë ishte koha!  

Përpara dy vitesh, mos gaboj, Milena më lexoi një material që gjendet në dosjet e sigurimit të shtetit për Janka Selimin. Diçka e tillë “Janka Trifonova Selimi, e datëlindjes 1935, lindur në Bullgari, me kombësi bullgare e shtetësi shqiptare, e martuar me …, e padënuar, e paorganizuar, me punë në Radio-Tirana, përkthyese. Ka frekuentuar ambasadën bullgare. Burri i saj S.S është me qëndrim të keq politik”. Di të them se shkoja në punë me frikën se mund të mos ktheheshe jo vetëm aty, por as në shtëpinë tënde. Kam ndier ndjekjen në vitet ’74-’76, vite kur im shoq Skënder Selimi u transferua në Koplik. Atë kohë, punoja si përkthyese e bullgarishtes në Radio-Tirana. Dy miq të afërt të familjes sonë u arrestuan dhe kur shkoja në punë me biçikletë, ndieja se më shoqëronte një xhip, që e dinim se ishte makina e Sigurimit, sepse të tilla ishin makinat e Sigurimit të Shtetit. Nuk dua ta di kush janë spiunët, ata kanë punuar me mua, dosja ka plot pseudonime, por nuk e kam lexuar dhe nuk më intereson, ajo kohë i shpërfytyroi njerëzit. Unë mbijetova falë punës, dashurisë dhe familjes.

3. Patët ndonjë moment kur ju kërkuan të iknit? Po ndonjë moment kur menduar vetë ta bënit këtë?

Jo nuk kam patur moment të tillë, unë nuk kam menduar asnjëherë të largohem.

4. Si e kujtoni bashkëshortin tuaj që, fatkeqësisht, ndërroi jetë shumë shpejt, koreografin e parë, Skënder Selimin? Çfarë ndikimi pati tek ju fama, jeta dhe gjithë aktiviteti i tij artistik? Po te familja?

Skënderin e kujtoj me shumë mall. Çdo ditë, orë e çast ! Më mungon. Jetuam plot 60 vjet bashkë. Ai ishte një bashkëshort dhe prind i veçantë, artist dhe personalitet i jashtëzakonshëm. Për të të duash do të thoshte të duash jetën! Ai e donte me shpirt familjen, natyrën, njerëzit, Shqipërinë, Kosovën! Jetoi i përkushtuar dy dashurive me të mëdha të jetës së tij , familjes dhe artit! Ne u bëmë prindër të lumtur, rritëm, edukuam dhe nxorrëm në jetë dy fëmijët tanë, djalin Adrian Selimin dhe vajzën Milena Selimi. Ai ishte i palodhur si babë dhe bëri çmos që ata të realizonin dëshirat e tyre. Akoma më i palodhur dhe i apasionuar Skënderi ishte si baletmaestër shumë i talentuar, pedagog, profesor dhe doktor i shkencave, me baletet që ka vënë në skenë në Teatrin e  Operas dhe Baletit, me kërkimet dhe veprat teorike dhe studimore në fushën e koreografisë, me pedagogjinë, programet dhe tekstet për katedrën e koreografisë që ai themeloi në Akademinë e Arteve, (Universiteti i Arteve sot) ku sot punojnë si profesorë dhe pedagogë ish -studentë tij. Jeta e një artisti të tillë, fama e tij patën një ndikim shumë pozitiv tek unë, unë isha bashkudhëtarja e tij, ne ndanim ide dhe parime të përbashkëta për jetën, kulturën dhe artin, kemi jetuar bashkë çaste lumturie edhe hidhërime,  ngritje dhe ulje të hasura jo veç një herë. Mbi të gjitha kishim një familje të mrekullueshme. Djali dhe vajza ishin lumturia dhe krenaria jonë. Por në vigjile të ndryshimeve të mëdha historike ne humbëm djalin tonë. Na u desh të mblidhnim veten, të vazhdojmë të jemi prindër, me detyrat dhe dashurinë. Punuam. Skënderi vazhdoi si profesor,  vuri në skenë edhe njëherë baletin “ Sheherazada” në vitin 2006, në moshën 73-vjeçare, ku së bashku me mikun e tij të jetës artistike, skenografin e kostumografin Agim Zajmi, treguan se pasioni për artin ishte më e madhe se vetë mosha e tyre. Ëndërronte të tjera, por u largua shpejt.  

5. Kur e filluat karrierën si përkthyese, zonja Janka? Cilat kujtoni të kenë qenë detyrat tuaja të para?

Unë punoja si bibliografe në Bibliotekën Shkencore të Universitetit. E doja shumë punën me librin dhe isha miqësuar me punonjëset e bibliotekës. Drejtor kishim Mihal Hanxharin, inteligjent dhe njohës i letërsisë dhe kulturës botërore, poet. Në vitin 1966  na qarkulluan me Skënderin në Korçë. Pas 4 muajsh  nuk gjetën punë për baletmaestrin Skënder Selimi në Korçë. U ktheva në Bibliotekë. Por nuk qe e thënë të vazhdoja atje. Duhet të paraqitesha  në Radion e Jashtme të Radio-Tiranës.  U shqetësova,  por refuzimi qe i pamundur. Dhe fillova punë si përkthyese – redaktore në emisionin e gjuhës bullgare. Përkthenim lajme, komente, rubrika dhe materiale vendi për dy emisione në ditë dhe disa transmetime. Unë isha përkthyese dhe folëse. Gjuha ishte politike, anti-revizioniste, propagandistike dhe demagogjike. Kam përkthyer  veprat e të madhit, diktatorit dhe shefja ime më thoshte “ Ta kesh për nder “. Dhe mund të them se  falë asaj pune 27- vjeçare në Radio-Tirana, megjithë tensionin dhe ngarkesën psikike, kërkesave dhe përgjegjësisë jetike për sa i përket saktësisë së përkthimit erdha dhe u bëra një përkthyese e mirë. Dhe madje e dalluar, me urdhrin “Naim Frashëri” shkalla e tretë. Me mbylljen e emisionit në vitin 1993 fillova me përkthimin e letërsisë artistike. Fillova me tregime të autorëve bashkëkohorë dhe klasikë bullgarë. Kam përkthyer romane nga gjuha bullgare, kroate, serbe, maqedonase, malazeze si dhe nga shqip në bullgarisht të autorëve Georgi Gospodinov, Stefan Canev, Jordan Jovkov, Bllaga Dimitrova, Renato Baretiç, Ivo Andriç. Ognen Spahiç, Jovan Nikolaidis , Arian Leka etj. Libri dhe letërsia janë bashkudhëtarët e mi të pandarë. 

6. Ndjesë, pasi kaluam shumë, pa u ndalur në njëçast kyç të jetës suaj: Shkollimin në Rusi. Përtej metodikës filologjike që, patjetër, e keni mësuar atje, cilat ishin ato tipare njerëzore që mendoni se u skalitën në ju gjatë atyre viteve?

Unë i përkas brezit i cili u rrit dhe u shkollua në kohën e socializmit ‘ngadhnjimtar’ dhe  marrëdhënieve me Rusinë e athershme. Ne mësonim rusisht në shkollë dhe unë isha njohur me të gjitha veprat e autorëve rusë klasikë dhe bashkohorë si Pushkini, Lermontovi, Lev Tolstoj, Sholohov, Turgenjev, Gorki, Çehov etj. Gjatë studimeve listës iu shtuan plot emra të tjerë. Personazhet e veprave të këtyre autorëve i kisha si idhuj, ato kishin lënë gjurma të thella në formimin tim. Përveç kësaj organizata e komsomolit po ashtu kishte ndikimin e saj në formimin tim. Unë shkova në Rusi me një frymëzim dhe entusiazëm të madh, karakteristikë për rininë e kohës sime. Realiteti ishte i qetë, rinia shumë miqësore, e gatshme për të mbështetur në çdo drejtim, organizata e komsomolit ekzistonte, organizonte jetën kulturore artistike  etj. Krahas mësimeve unë kam patur interes për historinë, kulturën dhe artin. Me shoqen time polake Eva Tumidajska blinim abone mujore për në teatër, vizitonim  ekspozita, muze, bibloteka deri te ato më kryesoret, si në Moskë dhe në Shën Petersburg, Bolshoj, Tretjakovka, etj. Ato ishin një universitet tjetër për historinë, kulturën dhe artin . Kam parë ekspozita të artit botëror  siç ishte ajo e Galerisë së Drezdenit, të Pikasos etj. Kam qenë në Ermitazh në muzetë dhe Operën e Baletit të Shën Petersburgut.  Në një ekskursion  në muzen Arhangelskoe jashtë Moskës u takuam dhe me Skënderin. Pastaj të dy bashkë nuk lamë  teatër dhe muze pa shkelur. Kam qenë në Jasnaja Poljana, në shtëpinë muze të Tolstoit, ku është dhe varri  i thjeshtë të tij. Kudo takoja njerëz të kulturuar dhe shumë të lexuar. Një herë kam qenë për 8 marsin në shtëpinë e një shoqeje të grupit. I ati i saj ishte gjeneral. E gjetëm me përparëse, kishte shtruar tavolinën për ne, vajzat dhe gruan e tij dhe na shërbente i buzëqeshur dhe plot respekt. Barazia dhe respekti në familje ishin të dukshme. Pyetjes tuaj sa u përket tipareve njerëzore them se unë isha dhe mbeta e sinqertë , e besueshme dhe shumë dashamirëse. Dola e sigurt nga studimet e mia, optimiste dhe e vendosur të jetoj dhe punoj në të mirën e njeriut.   

7. Nga ’58 kur u zhvendosët në Shqipëri, deri në ’90, e vizituat ndonjëherë vendin tuaj? Familjarët në Bullgari, si e shihnin zhvendosjen tuaj në Shqipëri?

 Në 3 vitet e para shkoja çdo vit për vizitë të prindërit në Bullgari.  Madje në 1959 linda dhe djalin në Bullgari. Im shoq shkoi në Moskë për mbrojtjen e diplomës pas vënies në skenë të baletit

“Zhurale”,  baleti i parë vënë në skenë nga një baletmaestër shqiptar. Siç thashë më lart, në vitin 1961 ishte hera e fundit që kalova pushimet në vendin tim. Pastaj shkova pas 12 vjetësh. Shkova me vajzën, 3 vjeçe. Djalin, që kishte lindur në Bullgari, nuk e lejuan. Ai u mërzit shumë. Kështu që gjatë 28 viteve shkova gjithsej tri herë. Nuk shkova dot për vdekjen e babait. Nuk më dhanë vizë megjithë paraqitjen e telegramit. Nuk e besuan. Madje më thanë se është gënjeshtër. I kam lënduar shumë prindërit, kjo gjë më ka ndjekur gjithë jetën, por në letrat e tyre, që i mbaj akoma,  nuk do gjesh asnjë fjalë se sa vuajnë, apo qajnë,  nuk kanë dashur kurrë të më lëndojnë, vetëm fjalë dashurie, këshilla dhe shumë kurajo e optimizëm. Ata erdhën vetëm një herë në Shqipëri, dhe ikën me fjalët: “Tani që e  pamë me sytë tanë ku jeton, po ikim të qetë”.  

8. Po mirë, ndonëse jeni 90 vjeç sot, si ka mundësi që vazhdoni të përktheni, duke ripunuar e risjellë për lexuesin tash së voni “Roman Natyral” të Gospodinovit? Çfarë do të thotë për ju puna, të punuarit?

 Në jetë të mban dashuria, kureshtja dhe puna! Në qoftë se zgjohesh dhe, nuk di se si do ta kalosh ditën, fillon dhe i zvarrit orët, çfarë kuptimi ka se je gjallë.  Edhe pse në moshë do të punosh, aq më tepër kur mendjen e ke akoma të kthjellët, ke duar  dhe sy dhe mbi të gjitha, ke dashurinë e fëmijëve. U gëzova shumë me ribotimin e “Romanit Natyral” të Gospodinovit. Ishte si një terapi shumë efikase për mua. Mbajtja e lidhjeve, mosshkëputja nga e përditshmja, nga informacioni  për ngjarjet në vend dhe në botë, është si të mos lëshosh fijet që të mbajnë në jetë. Dritare ka shumë. Telefoni, televizori, interneti. Me t’u zgjuar hap dritaren, hyn drita, ajri i freskët, marr frymë thellë, hedh sytë jashtë, shikoj qiellin, dëgjoj zëra, zëra fëmijësh, njerëz, makina. E gjithë kjo më jep një shtytje për  ditën, jetën.  

9. Përkthyesit përherë lidhin dy gjuhë, dy kultura, dy realitete… E aq më tepër rasti juaj, një njeri me jetën, fatin dhe historinë e ndarë mes këtyre dy gjuhëve, kulturave e realiteteve: shqipes dhe bullgarishtes. Ka qenë përkthimi një mënyrë për ruajtjen e identitetit kombëtar tek ju?

Identitetin tim kombëtar e kam ruajtur në sajë të gjuhës amtare. Në familje flisja me fëmijët, lexonim përralla dhe këndonim këngë  bullgare. Kështu arrita ta mbaj gjallë dhe t’ua përcjell këtë frymë edhe atyre.  Unë punoja në bibliotekë. Atje e mësova mirë gjuhën shqipe. Lexova shumë autorë te njohur shqiptarë:  Kol Jakova, Jakov Xoxe, Migjeni, Fatos Arapi, njoha nga afër, nga puna në bibliotekë gjuhëtarët e famshëm shqiptarë Aleksandër Xhuvani, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi etj.  dhe  gjuha shqipe u bë shumë e dashur për mua. Përkthimi është pasioni im, më ka mbajtur dhe më mban në jetë. Nëpërmjet përkthimeve unë kam dhënë kontributin tim modest për urën që  lidh dy kulturat tona. Jam e lumtur dhe ndiej një sadisfaksion të madh se këtë rrugë e ka përqafuar dhe e vazhdon me dinjitet vajza ime, përkthyesja e gjuhës bullgare, Milena Selimi. 

10. Dhe, në fund, sot një tjetër përkthyese shumë e mirë nga bullgarishtja është bija juaj, Milena. Sa e ka ndikuar prania juaj këtë? Dhe, si gjatë formimit të saj, ashtu edhe punës, keni qenë në rolin e mbikqyrëses dashamirëse apo kritikes gjakftohtë?

Milena ështe thesari im. Mësoi gjuhën e nënës që e vogël, me këngët dhe vjershat e para, pastaj me abetaren, filloi t’i shkruante letra gjyshes dhe diplomën në universitet e mbrojti me temën e poezisë bullgare. Filloi punë si gazetare në Radio-Tirana, sektori i bullgarishtes, në shtyp dhe revista. Përkthimet e para lidhen pikërisht me urën midis vendeve ballkanike nëpërmjet letërsisë. Përktheu pjesë nga vepra dhe tregime shkrimtarësh ballkanikë nga gjuha bullgare. Mua më pëlqeu shumë se ajo i hyri kësaj pune me shumë interes dhe seriozitet. Patjetër se isha e gatshme për ta ndihmuar, përveç të tjerësh isha si një fjalor i gjuhës bullgare, që s’ ishte e nevojshme ta shfletosh dhe të kërkosh një fjalë, idiomë apo shprehje. Milena është përfekte. Ajo është shumë kërkuese dhe nuk lodhet pa e gjetur si thuhet në shqip, qoftë edhe emrin e një luleje. Por kritikat dhe vërejtjet e mia mbeten. Përkthyesi e do gjuhën e pastër, të përsosur. Milena e do edhe gjuhën e Atdheut edhe të Mëmëdheut, siç thotë vetë.

Exit mobile version