Kreu In memoriam Ina Kosturi: Nderi i violinës shqiptare, virtuozi Pandush Gjezi

Ina Kosturi: Nderi i violinës shqiptare, virtuozi Pandush Gjezi

Mes personazheve të librit me artikuj kritikë “31 Capriccio artistike”, mes violinistëve të huaj, shqiptarë, të njohur e të rastësishëm, portretet muzikorë të të cilëve i kisha fiksuar  në shkrime, mendova se mungonte figura e violinistit solist e pedagogut  Pandush Gjezi . Kisha hezituar të shkruaja për faktin se kisha ndoshta shumë informacion për aktivitetin artistik, se ishte profesori im i violinës në Akademinë e Arteve, e shumë më parë që fëmijë.  Disa koncerte i kisha ndjekur nga salla, të tjera histori i kisha dëgjuar, ndërsa  ideja se artikulli nuk do ishte i plotë më kish bërë të heshtja.

 Trishtuar, papritmas Pandush Gjezi mungon tashmë fizikisht për familjen, të afërmit, miqtë, violinën e artin shqiptar. Shkrimet shpesh  më ngjajnë me skenën, e ai që shkruan  duhet të qëndrojë larg emocioneve, personales. Teksa shkruaj, në sfond, një incizim historik, interpretim premierë, tingujt e qetë të kohës së parë të Sonatës së Çesk Zadesë, interpretuar prej tij më çojnë në vite të largëta të suksesit si violinist, solist, drejt interpretimit të muzikës premierë shqiptare për violinë dhe pjesës më të rëndësishme të literaturës violinistike botërore. Pas tingujve të Sonatës qëndron skena, aty ku violinisti ishte jo vetëm virtuoz dhe i talentuar, po sigurisht trim dhe i guximshëm, pasionant, këmbëngulës dhe i suksesshëm. Qëllimi i instrumentistit është realizimi i koncerteve në skenë, e kur kjo skenë pushtohet me veprat më në zë e premiera të literaturës botërore violinistike e shqiptare, veçse virtuozizëm është dhe trimëri, dhe përkushtim, dhe aftësi. Si një nga violinistët shqiptarë më të njohur e duartrokitur,  karrierën violinistike e filloi në periudhën e studimeve. Janë vite të rëndësishme për krijimtarinë muzikore shqiptare, repertorin dhe interpretimin, përparimin e konsolidimin e shkollës violinistike shqiptare, është koha kur violina do shënojë sukseset në rrugën e saj, edhe pse në Shqipërië e izoluar. Tirana ish qëndra e suksesit, duke lënë pas qytetin  e tij të fëmjërisë, Durrësin, aty ku kish nisur historia e violinës me dy vëllezërit Pandush e Pirro Gjezi, që do të shënonin faqe të lavdishme në historinë e suksesit të violinës shqiptare. Ish kohë e vështirë e një vendi të izoluar, ndërsa “Dekadat e Majit”, aktivitete të rëndësishme për atë kohë do shënonin në vitin 1974 suksesin e 21 vjeçarit Pandush Gjezi. Fitorja  e çmimit të parë në këtë aktivitet, me interpretimin e pjesëve premierë, do shënonte dhe fillimin e një rruge të gjatë plot suksese. Veprat premierë të interpretuara aty do shndërroheshin në pjesë të  rëndësishme të repertorit violinistik shqiptar,  ndërsa marrja e këtij çmimi do krijonte mundësinë për të tjera debutime, aktivitete e suksese.  Interpretimi si solist i koncertit të Beethoven-it me orkestrën e Institutit të Lartë të Arteve  në periudhën kur ishte student, do ndikonte në reputacionin e mëtejshëm si violinist, për të tjera perspektiva, angazhime, emocione, suksese e duartrokitje. Vitet në vazhdim pasurojnë dhe intensifikojnë këtë panoramë skenike, duke fuqizuar aktivitetin solistik, repertorin tejet impenjativ, gërshetuar me plane të tjera si atë të mësimdhënies,  aktivitetin si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, pjesëmarrjen në formacionet e muzikës së dhomës. Roli si koncertmaester i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar do hapte perspektiva të reja, jo vetëm si personalitet i orkestrës, po dhe mundësive për të qënë në skenë si solist, me veprat më në zë siç janë interpretimi i veprave madhore të repertorit violinistik, koncertet me orkestër. Ky rol i dikurshëm i violinistit spalë e njëkohësisht solist, ngjan me funksionimin e orkestrave simfonike sot në botë, ku spalat janë personalitete dhe realizojnë periodikisht me orkestrën debutime të veprave të mëdha,  siç janë koncertet për violinë e orkestër, aty ku violinisti shfaq mjeshtërinë e nivelin e lartë të interpretimit. Interpretimi i një numri shumë të madh koncertesh si solist me orkestrën e RTSH do e rendiste jo vetëm tek violinistët më të mirë, po do e veçonte dhe shquante për  rolin e tij të madh si solist, me një repertor impenjativ, me numrin maksimal të debutimit të veprave të mëdha,duke qënë unik në përballimin e pothuajse gjithë koncerteve për violinë, duove, sonatave, bravurave. Nën drejtimin e dirigjentëve më të njohur, me orkestrat  e RTSH dhe TOB, violinisti Pandush Gjezi interpretoi në skenën shqiptare koncertin e Beethoven-it, Tchaikovsk-it, Brahms-it, Bruch-ut, Saint- Seans-it, Lalo-së( Simfoni Spanjolle), Dubël Koncertin e Brahms-it për violinë e violonçel, koncertin e Paganini-t në re maggior, premierat e koncerteve të Khacaturian, Hindemith,  koncertin nr 1 të Bela Barok, etj si një sfidë e padiskutueshme suksesi . Këtyre veprave, që përbëjnë dhe veprat kryesore të literaturës violinistike ju bashkuan koncertet shqiptare premiera për violinë, si koncerti i  Lejla Agollit, koncerti i David Tukiçit, krahas  recitaleve, duove me piano, sonatave e bravurave. Këto interpretime realizime vendosin një standard të ri të violinistit solist, spalë e pedagog, i cili repertorin violinistik e njeh thellësisht, sepse e ka interpretuar në skenë. Është skena tempulli i shenjtë, është skena ajo që do e distanconte nga të tjerë violinistë, në një kohë konkurrence, përpjekjesh, studimi . Është skena dhe debutimi në të, eksperienca më e suksesshme që do e bënte unik si pedagog duke interpretuar çdo vepër, duke dhënë në çdo orë mësimore bashkë me pasionin, përkushtimin, eksperiencën si diçka reale, të jetuar. Kjo njohje e gjithë repertorit violinistik nëpërmjet premierave, recitaleve, energjisë, vitalitetit e natyrës optimiste do e shndërronin në një pedagog tejet të besueshëm. Është bukur kur pedagogu në klasë rrëmben violinën e interpreton repertorin, është ajo që ndodh në botë me pedagogët që janë dhe solistët më në zë. Është besueshëm, fat kur veprat violinistike shpjegohen jo nga teoria, por nga eksperienca në skenë. Secila vepër është një histori e jetuar që përçohet në mënyrën e duhur. Talenti, eksperienca do bashkoheshin me kulturën e gjerë, me pasionet për historinë, letërsinë, gjuhët, librin e filmin. Të suksesshme janë bashkëpunimet e duot me artistët Gjergj Antoniu, Nora Çashku, recitale që spikatën pwr repertorin dhe interpretimin. Repertori dhe bashkëpunimet do pasuronin panoramën e suksesit në një vend të vogël e të izoluar. Koha solli ndryshimet në Shqipëri dhe si avanguardë jo vetëm e interpretimit të veprave muzikore, bota e ëndërruar jashtë do bëhej skenë për suksesin e mëtejshëm . Fillimisht Greqia e më pas Spanja u bë stacioni i tij i suksesit, në një botë të madhe ku arti kish triumfuar prej shekujsh. Në Spanjë qëndroi gjatë, duke debutuar denjësisht si solist në sallat madhështore në Barcelonës e Madridit,  dhe si orkestrant në mjediset e rëndësishme artistike muzikore . Me dashurinë për vendin e lindjes, të cilin e vizitonte shpesh për koncerte e pushime, Ambasada Spanjolle në Tiranë do e sillte si virtuoz me interpretimin e muzikës spanjolle, ndërsa suksesi në një vend plot temperament si Spanja ishte i duhuri për artistin e violinistin plot energji e vitalitet.

Qyteti i lindjes, Durrësi ishte dhe stacioni i fundit, skena ku u shpall” Qytetar Nderi”,  e “Ambasador i Durrësit në botë” pak kohë më parë. Tingujt e kohës së dytë të koncertit të Tchaikovsk-it më shoqëruan në këtë mbyllje të shkrimit, përzierë, ngatërruar me momentet orkestrale të kohës së dytë të koncertit të Sibelius-it, bashkuar me plot tema koncertesh, sonatash, të interpretuara në skenë nga violinisti solist virtuoz Pandush Gjezi ! Në librin e historisë së violinës shqiptare, zë vendin e nderuar të mirënjohjes e respektit, si pararojë interpretimit violinistik, ndërsa incizimet e filmimet janë dëshmi e suksesit në skenë!

Exit mobile version