Nga Đorđje Krajišnik
Letërsia shqiptare për ne, në hapësirën post-jugosllave, mbetet ende një e panjohur e madhe. Marrëdhënia me këtë letërsi dhe autorët e saj ka qenë dhe mbetet e penguar nga barriera të llojllojshme politike, por edhe nga mosinteresim ynë absolut për të kuptuar kompleksitetin e jetës në këtë vend dhe orientimin kah kultura e tij. Qëndrimi i përgjithshëm i derisotëm ndaj kulturës shqiptare përbën një lloj marrie raciste, që vjen para së gjithash nga largësia gjuhësore, e reflektuar me dekada në letërsi, andaj tek ne kanë mbërritur pak materiale, që të mund të zbulojnë atë çka pikërisht letërsia e një vendi në një farë mënyre të afërt për ne, nga fenomene të këtilla, të jetë kaq larg nesh.
Avangardë letrare
Në të shkuarën lexuesit në gjuhën serbe kanë pasur rastin të njohin letërsinë shqiptare para së gjithash përmes përkthimit të klasikut të kësaj letërsie, Ismail Kadare. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka mbetur për ne një nga krijimet më të njohura, që vjen nga kjo pjesë e botës.
Kompleksiteti i pozicionit politik të Kadaresë, jeta e tij parisiane dhe gjithçka që ajo ka sjellë me vete, e kanë bërë atë ndër të rrallët autorë, që kanë mundur të përcjellin diçka nga bota e mbyllur e regjimit të Hoxhës. Në kohët e sotme kësaj mund t’i shtojmë edhe disa përkthime të autorëve kosovarë si Veton Surroi apo poetit Arben Idrizi, pa lënë jashtë përmendjes dramaturgët Doruntina Basha dhe Jeton Neziri, tekstet e të cilëve janë interpretuar në disa prodhime teatrore rajonale. Ndonëse bëhet fjalë për krijime letrare, që në shumëçka i kapërcejnë kornizat lokale, ato gjithsesi nuk kanë ngjallur ndonjë interesim të gjerë në hapësirat tona. Libri me tregime “Shpina e burrit” i shkrimtarit Arian Leka, botuar nga “Partizanska Knjiga”, është përjashtimisht një krijim me vlerë dhe i rëndësishëm për të kuptuar atë çka sot letërsia shqiptare përfaqëson. Arian Leka është një autor, që në kontekstin europian, u bë i njohur pas hapjes së Shqipërisë dhe përfaqëson avangardën letrare, e cila ka për ushqim dominant shartimin e veprimit soc-realist të kohës së Hoxhës. Ajo çka lë vrragë të qenësishme në kontekstin e të kuptuarit të këtij libri është fakti që kultura shqiptare në kohën e Enver Hoxhës ishte pothuaj tërësisht e izoluar. Në aspektin letrar, kjo gjente pasqyrim para së gjithash në kontrollin e rreptë të asaj që krijohej dhe botohej, çka prodhonte një kontekst specifik për zhvillimin e letërsisë e cila, në të çarat e sistemit, rendte e frikësuar drejt mundësive të ndonjë shprehjeje tjetër. Leka, si shkrimtar, gjykuar nga mënyra e ndërtimit të tregimeve, e ka përdorur padyshim si ushqim të parë letërsinë soc-realiste. Mirëpo si autor, ai e shpërfill atë dhe dyshemenë e saj e ka shfrytëzuar për të zhvilluar stilin e rrëfimit i cili, jam i lirë ta them, sot përbën një nga markat më autentike autoriale në këtë pjesë të Evropës. Ajo çka përmbledhtazi mund të merret si veçori bazë e tregimeve të Arian Lekës ndoshta gjendet në një fjali të tregimit të tij “Terra Firma”: “Gjithçka arriti kulmin. Fabula nuk zhvillohej dot më tej, ndaj duhej bërë gërshet. Përdora teknika postmoderne-metafiksionin, pastisin, fiksionin dokumentar, shfrytëzova paranojën koletive dhe euforinë e masave, futa edhe diçka nga realizmi magjik dhe….” Përgjatë gjithë librit “Shpina e burrit” do të gjendet e alternuar formula e pikturimit të botës në prozë. Në këto tregime Leka sillet pandërprerë me regjistër të ndryshuar, eksperimenton me veprimin dhe gjuhën, duke i shpënë shpesh heronjtë e vet në situata krejtësisht absurde. Të çudit, qoftë edhe në trajtën përkthimore, siguria me të cilën ky krijues zbërthen disa nga ngjarjet më traumatike të së shkuarës shqiptare dhe të sotmes, por edhe invencioni letrar që Leka servir në trajtimin e temave. Shpina e burrit na tregon padyshueshmërisht se Arian Leka është një autor ndërmjetësues, që e kapërcen dukshëm një kulturë të vetme, autor që me talentin dhe vrullin e vet hyn në radhën e mjeshtrave të mëdhenj të kohës sonë. Nëse do të flitnim për konturin tematik të këtij libri të Arian Lekës do të mund të përmendnim tre linja përmbajtimore që gërshetohen. Njëra syresh, e ngulitur thellë në Shqipërinë e post-Hoxhës, është pikërisht përplasja mes brezave, ndeshje që vjen pashmangshmërisht pas ndërrimit të një sistemi me një tjetër. Kjo temë gjithsesi është deri diku familjare për lexuesit e hapësirës së Jugosllavisë së dikurshme, vetëm se Leka atë raport e ekzaminon mjeshtërisht në një sërë tregimesh. Autori merret para së gjithash me traumën e atyre që kanë përjetuar torturën e diktaturës së Hoxhës, por edhe të atyre, që të ndodhur nën trysni, lanë vendin. Sindromi i arratisë, i shpërnguljes dhe zbrazjes së Shqipërisë, në një numër tregimesh, shndërrohet në temë që sundon fatin e tyre. Leka megjithatë nuk thurr tirada të angazhuara, nuk politizon. Ai gjurmon në këto hapësira më shumë dromca të së vërtetës dhe prej këtej tregimet e tij hyjnë në një hapësirë me plasaritje të imta, prej të cilave më pas del në honet e konvulsioneve universale njerëzore përballë mundimeve ekzistenciale. Edhe pse përkthimi i një libri të vetëm nuk do të thotë zbulim i një letërsie të tërë, gjithsesi pa “Shpinën e burrit” do të kishim mbetur ende sot, padiskutueshmërisht, më të varfër nga një zë i fuqishëm tregimtar.
Zbrazja e vendit
Tema e zbrazjes së vendit pas diktaturës mbetet në këtë kontekst interesimi më i fuqishëm artikuluar nga Leka. Tregimi “Gjilpërat në kokë”, për shembull, na rrëfen qartësisht përmasat e katastrofës së një shoqërie të mbytur në vite me dhunë. “Na kishte ardhur radha që edhe ne të ishim nga pak hebrenj. Gjithkujt, herët apo vonë, ka për t’i ardhur radha. Do të ndodhë… Në të vërtetë nuk ka pasur asgjë të shenjtë, por as edhe biblike në eksodin e shqiptarëve në fund të shekullit XX.” Ngjashëm Arian Leka do të trajtojë problemin e largimit edhe në tregimin “Lulet në ballkonin e tjetrit”, ku heroi përshkon si fantazmë ambientet e zbrazura të të njohurve, që kishin ikur brenda natës, ndërsa në tregimin Pema, në një dialog mjeshtëror dhe përmes dëshmive të dhunimit të të miturit do të çohet në kulm përplasja komplekse e brezave dhe manifestimi i racizmit ndaj atyre që mbeteshin rrugëve të Evropës. Temë e dytë e rëndësishme e librit “Shpina e burrit” mbetet tematika e familjes. Kuadri social-politik i përshkruar do të reflektohej edhe në raportet brenda familjes. Në këto tregime Arian Leka arrin pikën më të lartë. Problemi i përplasjes në një familje tradicionale, bazuar në jetën fisnore dhe me norma të ngurta, me mbërritjen e kohëve të reja, flladit perëndimor, detyrimisht do të sillte ndryshime në strukturën e shoqërisë shqiptare, çka Leka e jep me sugjestion dhe saktësi prej mjeshtri.
Në tregimin Zogjtë e pikturave, skena ku babai, kryefamiljari, shfaqet cullak para trashëgimtarëve, përbën një kulm rrëfimtar, i cili shtresëzon thellë një siklet që ndryshoi me themel marrëdhëniet brenda familjes. Kemi përnjëmend të bejmë me një metaforë të mrekullueshme të frikës familjare që mban larg njerëz, që duhej të ishin më të afërtit.
Arian Leka në këtë tregim, sikundër edhe në tregimin e arrirë Brisku (i cili të kujton disi tonin e rrëfimit të Ćamil Sijarić), tregon shembjen e familjes tradicionale dhe dhimbjeve që e pasojnë. Nga ana tjetër, çështja e dasmës dhe dashurisë, robërimit prej tyre në ato kushte sociale që ekzistonin, në tregimin me titullin e vëllimit Shpinae burrit, i ofron lexuesit kujtesë elegante për atmosferën dhe detajet. Linja e tretë tematike që haset në tregimet e Arian Lekës ka të bëjë me eksperimentet letrare postmoderne. Ka plot shembuj në këtë vëllim, ku Leka orvatet të shpërthejë kornizat e tregimit klasik, duke hyrë në eskapada tekstore, të cilat janë tekanjoze dhe presin në besë logjikën e tregimit. Gjithsesi ajo që shihet nga një manovër e tillë është që ky shkrimtar me një gjuhë të tillë mëton të gjejë hapësirë për ironi efektive, qoftë të pozicionit të vetë shkrimtarit, qoftë edhe të veprimit të dezintegrimit të tregimit. Më mirë se kudo gjetkë, kjo demonstrohet në tregimet Sekreti i jetëgjatësisë dhe Ftesa. Ndërsa veprimi postmodern në tregimin Krijim i Njeriut të Ri shfrytëzohet me synimin për të shpënë në absurditet çmendurinë nacionaliste të etnoinxhinjerimit dhe mitomanisë. Arian Leka është autori që na ndriçon madhërisht kontekstin e letërsisë shqiptare. Ndonëse përkthimi i një libri të vetëm nuk do të thotë zbulim i gjithë letërsisë, gjithsesi, e nënvijëzoj, pa librin Shpina e burrit do të kishim mbetur sot e gjithë ditën, padyshueshmërisht, më të varfër nga një zë të fuqishëm tregimtar, i cili, në një formë a në një tjetër, me siguri na përket të gjithëve ne.
Përktheu nga origjinali Astrit Beqiraj
*Oslobođenje është një nga gazetat e përditshme më të vjetra në rajon dhe më të rëndësishme në Ballkan