Kreu Intervista Han Kang: Autori të cilit i jam rikthyer: J.L.Borges

Han Kang: Autori të cilit i jam rikthyer: J.L.Borges

Përktheu nga gazeta The Guardian Granit Zela

Libri i parë që kam lexuar

Kur isha fëmijë, im at, romancier i ri dhe i varfër, e mbante shtëpinë tonë të pamobiluar plot me libra. Raftet ishin përmbytur nga librat, dhe mbulonin dyshemenë në kulla të çrregullta si një librari e dorës së dytë, ku sistemimi shtyhej përgjithmonë. Për mua, librat ishin qenie gjysmë të gjalla që vazhdimisht shumoheshin dhe zgjeronin kufijtë e tyre. Pavarësisht lëvizjeve të shpeshta, mund të ndihesha e qetë falë gjithë atyre librave që më mbronin. Përpara se të bëja miq në një lagje të çuditshme, i kisha librat me vete çdo pasdite.

Libri i parapëlqyer kur po rritesha

Në fëmijërinë time të hershme kam lexuar libra për fëmijë nga shkrimtarë koreanë si Kang So-cheon ose Ma Hae-song. Më kujtohet se isha magjepsur nga historia e një studioje fotografike që printonte fotografi të ëndrrave të njerëzve. Dhe imazhi i një fëmije që ndjen keqardhje për pemët që flenë të cilat ngrihen natën dhe këndon: “O pemë, o pemë, shtrihuni dhe flini”. Një libër veçanërisht i paharrueshëm i përkthyer për fëmijë është “Vëllezërit zemërluanë” i Astrid Lindgrenit. Në adoleshencën e vonë u zhyta në leximin e letërsisë ruse, veçanërisht të romaneve të gjata dhe të guximshëm të Dostojevskit. “Vdekja e një poeti” e Pasternakut ishte gjithashtu e parapëlqyer dhe e kisha lexuar disa herë.

Libri që më ndryshoi si adoleshente

Në moshën 14-vjeçare, lexova “Stacionin Sapyong”, një tregim të Lim Chul-woo-s. Përshkruan një stacion treni në fshat në mes të një nate me dëborë dhe nuk ka asnjë protagonist; monologët e brendshëm të pasagjerëve që presin trenin e fundit kombinohen si një potpuri. Njëri kollitet ndërsa tjetri përpiqet të fillojë një bisedë, dikush tjetër hedh tallash në sobë dhe kundron flakët. U magjepsa nga kjo histori e gjallë dhe vendosa të bëhesha shkrimtare.

Kliko për të blerë librin

Shkrimtari që më ndryshoi mendjen

Rreth dhjetë vjet më parë, lexova romanin “Austerlitz” të WG Sebald-it dhe fillova të ndalem në mënyrën se si ai depërtonte thellë në botën e brendshme për të përqafuar kujtimet kolektive. Që atëherë, kam lexuar shumicën e librave të tij; romani “Emigrantët” më pëlqen shumë.

Autori të cilit i jam rikthyer

.Për një vit kur nuk shkruaja dhe as të lexoja dot letërsi. Lexoja libra për astrofizikë. Mund të shikoja vetëm dokumentarë, sepse filmat e trilluar më dukeshin të padurueshëm. E kaloja kohën duke lexuar kryesisht libra të astrofizikës. Por deri diku Jorge Luis Borgesi përbënte një përjashtim. Iu riktheva dhe i shijova vëllimet e tij që i kisha shfletuar në të njëzetat, si “Libri i rërës” dhe “Kujtesa e Shekspirit”.

Librat që i zbulova më vonë në jetë

“Tabela periodike” e Primo Levit. “Qytetet e padukshme” të Italo Calvino-s. “Dublinasit” e Xhejms Xhojsit. “Zoti i gjërave të vogla” i Arundhati Roy-t. “Nox” i Anne Carson-it.

Librat që jam duke lexuar

“Dictee” i autores Theresa Hak Kyung Cha dhe “Fundi i ditëve” i Jenny Erpenbeck-ut.


Lexime për qejf

Shumica e librave që lexoj para gjumit kanë të bëjnë me bimët, libra si “Farat e shpresës” së Jane Goodall-it ose “Jeta e fshehur e pemëve” e Peter Wohlleben -it. Libri të cilit i drejtohem kur kam nevojë për qetësi është Glenn Gould Piano Solo nga Michel Schneider.

Exit mobile version