Kreu Letërsi Shënime mbi libra Giorgia Karvunaki: Niko Kacalidha – Olimpi dhe Golgota, një dëshmi e historisë...

Giorgia Karvunaki: Niko Kacalidha – Olimpi dhe Golgota, një dëshmi e historisë kulturore

Botuar në gazetën elektronike greke Fletore Shënimesh, 17.09.2025

Rreth përmbledhjes poetike tre-gjuhëshe Olimpi dhe Golgota të Nikos Katsalidas:

Kjo përmbledhje poetike mund të trajtohet jo vetëm si një vepër letrare, por edhe si një dëshmi e historisë kulturore: një monument poetik kujtese dhe, njëkohësisht, një ftesë për dialog ndërmjet popujve dhe gjuhëve.

Nikos Katsalidas, Όλυμπος και Γολγοθάς, Olimpi dhe Golgota / L’Olimpo e il Golgota, përzgjedhje, përkthim italisht dhe parathënie: Giuseppe Schirò Di Maggio, botimet Ombra GVG, Tiranë 2024.

Përmbledhja tre-gjuhëshe e Nikos Katsalidas Olimpi dhe Golgota përbën një ndërmarrje botuese të papërsëritshme, në të cilën poeti i pakicës greke në Shqipëri ndërthur zërin e tij me traditën e Greqisë së lashtë dhe atë të krishterimit. Prania e trefishtë e teksteve në greqisht, shqip dhe italisht nuk përbën thjesht një mjet  publikimi, por është pjesë e së njëjtës strategji poetike: çdo gjuhë ndriçon ndryshe imazhin dhe pasuron perceptimin e poezive.

Poeti i minoritetit etnik grek

Rasti i Nikos Katsalidas ka një rëndësi të veçantë për letërsinë e pakicës greke në Shqipëri. Nga njëra anë, ai i përket traditës së gjatë të krijuesve të moniritetit etnik grek; nga ana tjetër, zëri i tij pasqyron me intensitet ankthin e njeriut bashkëkohor. Vepra e tij nuk kufizohet në një regjistrim të kujtesës, por rindërton traditën përmes filtrit të një udhëtimi personal poetik.

Miti dhe besimi

Përmbledhja strukturohet rreth dy vendeve kulmore të botës: Olimpit dhe Golgotës. Në Shpellën e Polifemit (f. 129) poeti, në mes të errësirës, ka zemrën e tij si “një rreze drite dylli” për të përballuar frikën; ndërsa në Golgota e gjinjve (f. 136) dashuria takohet me simbolikën e kryqëzimit, me një guxim që tejkalon kufijtë e ikonoklastikes. Poezia këtu nuk ndahet nga diskursi fetar a mitik i së shkuarës, por e rimodelon atë në të tashmen.

Peizazhi si kosmogoni

Saranda, Llogaraja, brigjet e Epirit shndërrohen në një skenë emocionale shumëngjyrëshe. Në Si një kupë hëne (f. 131) qyteti deh poetin “dalë një mbrëmje anëdetit si një gjysmëhënë”, ndërsa në Unë i besoj magjisë së detit (f.133), deti “shtrihet në jastëkun” e poetit. Topografia bëhet kosmogoni, ku vendi shfaqet si zbulesë e së shenjtës. Natyra nuk funksionon vetëm si skenografi, por si bartëse e një dimensioni metafizik.

Odiseu – alter ego

Figura e Odiseut funksionon si alter ego e vetë Katsalidas. Në Itaka e zemrës (f. 138) “tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë mban erë Itake”, udhëtimi përfundon në tymin e vatrës, ndërsa në poezinë Dyshimet e Odiseut (f. 152) dyshimi për numrin e pemëve të Itakës zbulon ankthin ekzistencial për atë nëse udhëtimi ia vlente. Poeti flet si Odiseu, që kthehet por kurrë nuk gjen qetësi, sepse vetë kujtesa ka ndryshuar formë.

Teologji vendore

Në poezinë Krishti u kryqëzua në Leshnicë (f. 143) Kryqëzimi nuk vendoset në Jeruzalem, por në vendlindjen e poetit: “Krishti u kryqëzua në Leshnicë… dhe gjaku pikoi mbi shegët tona të egra”. Kjo është një “teologji orale”, ku e shenjta mishërohet në kujtesën e komunitetit. Katsalidas arrin ta zhvendosë transhendenten në vendoren, duke i dhënë përvojës së jetuar të pakicës një dimension universal.

Elemente intertekstuale

Poezia e Katsalidas, e ruan të gjallë kujtesën dhe nuk ka caqe; ajo dialogon vazhdimisht me Homerin, Elitisin, por dhe me traditën evropiane. Golgota i referohet si simbolikës së krishterë ashtu edhe asaj danteske, ndërsa figura e Afërditës shfaqet përmes një loje midis antikes dhe modernes. Përdorimi i këtyre referencave krijon një mitologji të re, personale.

Përkthimi italisht

Kontributi i Giuseppe Schirò Di Maggio me përkthimin në italisht dhe parathënien e tij i jep librit karakterin e një ure ndërkulturore. Përkthimi nuk është thjesht një mjet shpërndarjeje, por edhe një rikrijim krijues i poezive. Schirò ruan energjinë dhe poliseminë e poezive, duke i bërë ato të kapshme për publikun italofon duke i intergruar në dialogun mesdhetar të gjuhëve dhe kulturave. Tregjuhësia e kthen librin në një vend takimi, ku rrënjët greke dhe ato shqiptare bashkëbisedojnë me traditën latine, duke krijuar një fushë polifonike.

Përfundim

Olimpi dhe Golgota është një vepër që tejkalon kufijtë e një antologjie. Katsalidas arrin të endë triptikun Mit – Histori – Peizazh në një përvojë poetike unikale. Vizatimet e Gëzim Tafës ilustrojnë tekstin, dhe shtojnë koherencën estetike të vëllimit. Kjo përmbledhje mund të interpretohet jo vetëm si vepër letrare, por edhe si dëshmi e historisë kulturore: një vlerë poetik kujtese dhe, njëkohësisht, një ftesë për dialog ndërmjet popujve dhe gjuhëve. Katsalidas mishëron kështu kuptimin e poetit-ndërlidhës, i cili merr nga e kaluara për të dialoguar me të tashmen dhe për të vendosur vlerat e minoritetit etnik grek, në hartën më të madhe të letërsisë evropiane.

______________________

Giorgia Karvunaki ka lindur në Hania të Kretës, Greqi. Ajo studioi Shkenca Politike – të Drejtën Ndërkombëtare, Gjuhën dhe Kulturën Italiane. Në Greqi ajo studioi Përkthim dhe Translatologji.

Ajo është Anëtare e Asociuar dhe Konvenere Kombëtare e Greqisë që nga viti 2007 e Komisionit Ndërkombëtar për Historinë e Përfaqësuesve dhe Institucioneve Parlamentare (ICHRPI), Përfaqësuese e Akredituar e Konkursit Ndërkombëtar Poetik Nosside, i cili është nën kujdesin e UNESCO-s dhe anëtare e Institutit Ndërkombëtar të Teatrit (ITI).

Ajo jeton në Athinë dhe punon si studiuese historike, përkthyese dhe organizatore e ngjarjeve. Artikujt, përkthimet dhe intervistat e saj janë botuar në revista të shtypura dhe elektronike në Greqi, Rumani dhe Itali. Përkthimet e saj mbi veprat teatrale janë prezantuar në Greqi dhe në Itali. Ajo u vlerësua nga Instituti Italian i Athinës në vitin 2018 me Çmimin Special Luigi Pirandello.

Exit mobile version