Kreu Letërsi Shënime mbi libra Gino Luka: Etimologjia popullore, historia si edhe udhëtimi i fjalëve

Gino Luka: Etimologjia popullore, historia si edhe udhëtimi i fjalëve

Etimologjia popullore

Kur shfletojmë fjalorin e gjuhës shqipe lexojmë se me termin etimologji përcaktohet dega e gjuhësisë që studion prejardhjen e fjalëve të një gjuhe, duke u mbështetur në historinë e saj e në lidhjet me gjuhët e tjera, pra etimologjia shkencore.

Ndërsa me etimologji popullore kuptojmë etimologjinë që e përcakton prejardhjen e fjalëve, duke u mbështetur zakonisht te ngjashmëria e tyre e jashtme tingullore me fjalë të tjera të njohura, pa marrë parasysh ligjet e zhvillimit historik të gjuhëve, shpeshherë në mënyrë të gabuar.

“Kur njerëzit dëgjojnë një fjalë të huaj ose të panjohur për herë të parë, ata përpiqen t’i japin kuptim duke e lidhur fjalën e huaj me fjalë që i dinë mirë. Ata bëjnë një përshkrim të hamendshëm se çfarë kuptimi duhet të ketë ajo fjalë dhe shpesh arrijnë në përfundime të gabuara. Megjithatë, nëse mjaft njerëz, duke arsyetuar me hamendje, bëjnë të njëjtin gabim, gabimi mund të bëhet pjesë e gjuhës. Etimologjia që përcakton prejardhjen e fjalëve me forma të tilla të gabuara quhet etimologji popullore”.

Etimologjia popullore, nga gjermanishtja Volksetymologie, është një term i krijuar nga Ernst Förstemann në vitin 1852 dhe është procesi me të cilin një fjalë interpretohet përsëri duke devijuar ose braktisur formën apo kuptimin origjinal.

Etimologjia popullore, është një etimologji në dukje e besueshme, por pa baza shkencore: ajo në përgjithësi përbëhet nga përafrimi, në një plan sinkronik, i dy fjalëve që në të vërtetë kanë etimologji të ndryshme (p.sh. manometër, nga manometro që në italisht lidhet me fjalën mano – dorë, në vend të fjalës greke µανός “pak i dendur”), dhe përbën një fenomen shumë të zakonshëm në veprimtarinë gjuhësore të çdo folësi, për këtë arsye ndodh që ndonjëherë të kemi rrëshqitje të panevojshme në kuptimin e disa termave. Etimologjia popullore bazohet vetëm në ngjashmërinë e formës ose të kuptimit me fjalë të tjera, prandaj shpesh shndërrohet në një etimologji të gabuar ose të rremë. Kur ajo pranohet si e vërtetë nga një bashkësi e tërë folësish quhet etimologji popullore. (cit. Enciclopedia Italiane Treccani©)

Etimologjia popullore është një proces produktiv në gjuhësinë historike, në ndryshimin e gjuhës dhe ndërveprimin shoqëror. Analizimi i historisë ose i formës origjinale të një fjale mund të ndikojë në drejtshkrimin, shqiptimin ose kuptimin e saj. Ky fenomen është vërejtur shpesh në disa fjalë arkaike (forma linguistike të vjetruara që nuk përdoren më) ose në fjalët e huazuara.

P.sh. në anglisht fjala e prejardhur burger, është krijuar nga rianalizimi i fjalës hamburger si ham + burger, (proshutë + burger), edhe pse etimologjia e vërtetë origjinale është Hamburg (emri i qytetit në Gjermani). Nuk ka ndonjë lidhje etimologjike ndërmjet hamburgerit e proshutës (ham, në anglisht). Emri i qytetit Hamburg ka një etimologji tjetër. Në Gjermani është diçka e zakonshme që disa specialitete kulinare të emërtohen sipas emrit të qytetit ku mendohet se nga e kanë prejardhjen. P.sh. Berliner (një lloj kulaçi me reçel), Frankfurter (salsiçe), etj. 

Një shembull klasik i etimologjisë popullore është legjenda e themelimit të Romës nga heroi Romolo, kur në të vërtetë emri i këtij të fundit rrjedh nga Roma. Varro (Marcus Terentius Varro, letrar e studiues romak i gramatikës) e nxjerr fjalën canis “qen” nga canō “(unë) këndoj” sepse sipas tij “qeni këndon”; Elio Stilone (Lucius Aelius Stilo Praeconinus, shkrimtar e studiues i gramatikës) interpreton vulpës “dhelpër” si volipës “që fluturon me këmbë”. Pionierët e studimeve gjuhësore të Rilindjes së vonë dhe të epokës baroke në Evropë kanë prodhuar një sasi të madhe etimologjish të rreme.

Linguistika krahasuese, që ka lindur ndërmjet mesit të shekullit të XIX dhe fillimit të shek. XX, ka përuruar studimin sistematik të gjuhës, duke u bazuar në rregullsinë e ndryshimeve fonetike dhe morfosintaksore si dhe në analizën e shpërndarjes gjeografike të varianteve dialektore.

Etimologji të rreme

Akronimi i anasjellë është një fjali e ndërtuar me art, në mënyrë që shkronjat ose rrokjet fillestare të përkojnë me ato të një fjale ekzistuese, duke e bërë atë të duket si një shkurtesë e vërtetë.

Akronimet e anasjella, që shpesh krijohen për të shpjeguar sigla, etimologjia e të cilave nuk është e qartë menjëherë, konsiderohen si shembuj etimologjie të rreme. P.sh.: IHS është interpretuar në mënyrë të gabuar si “Iesus Hominum Salvator”, në fakt është shkurtesa e emrit të Jezusit (Krishtit) e shkruar në Greqisht: IHΣ – ΙΗΣΟΥΣ) Leximi i H (η) si h, i ka dhënë shkas interpretimit të gabuar si një sigël për Iesus Hominum Salvator. –  Sinjali i rrezikut SOS, është shoqëruar gabimisht me fraza si “Save Our Souls” (Shpëtoni Shpirtrat Tanë) ose “Save Our Ship” (Shpëtoni Anijen Tonë). Në fakt, SOS tri pika, tri viza, tri pika (të shkruara: · · · – – · · ·), që duhet të transmetohen pa asnjë pauzë ndërmjet sinjaleve të veçanta, pra sikur të ishte një fjalë e vetme, është aq e thjeshtë sa që edhe jo-ekspertët të mund ta kuptojnë menjëherë mesazhin, i cili nuk ka ndonjë kuptim në vetvete.

Sigla Spa interpretohet si shkurtesë për “salus per aquam apo sanitas per aquam (o per aquas) që latinisht do të thotë “shëndet nëpërmjet ujit”, por që në fakt rrjedh nga emri i qytetit Spa në Belgjikë, që është i njohur për llixhat (ujërat termale).

Ka shumë raste kur fraza e re e krijuar nga sigla mund të pranohet gjerësisht dhe të plotësojë ose zëvendësojë kuptimin origjinal të termit. Për shembull, Grande Raccordo Anulare (i shkurtuar në GRA) është një riinterpretim i mbiemrit të inxhinierit Eugenio Gra, i cili e projektoi atë.

Përdorimi edukues

Akronimet e anasjella kanë funksion ndihmës për të memorizuar një sekuencë të dhënash. P.sh. PECCETTUM, është një fjalë latine e shpikur që shërben për mbajtur mend emrin e nëntë Muzave (Polimnia, Erato, Clio, Calliope, Euterpe, Talia, Tersicore, Urania, Melpomene).

Ro.Cor.Cor., Col.Tes.Tes, Gal.Ef.Fi, Fil.Eb, Tim.Tim. Tito, janë akronime që shërbejnë për të memorizuar letrat e apostullit Paolo di Tarso (Romani, Corinzi, Corinzi; Colossesi, Tessalonicesi, Tessalonicesi; Galati, Efesini, Filippesi; Filemone, Ebrei; Timoteo, Timoteo, Tito ecc.).

Përdorimi humoristik

Shpesh akronimi i anasjellë përdoret për qëllime humoristike ose satirike, duke ripërpunuar akronimet ekzistuese ose duke supozuar të rinj, si p.sh.:

DRM – (Digital rights management) Digital Restrictions Management, Administrim i kufizimeve digjitale;

Scuola – (Shkollë) Società Che Uccide Ogni Libero Alunno, Shoqëri që vret çdo nxënës të lirë;

FIAT – (Fabbrica Italiana Automobili Torino) Fix It Again Tony, Rregulloje atë përsëri Toni, Found In A Trashcan, Gjetur në një kazan plehrash, ose Ferraille Invendable A Turin, Hekurishte e pashitur në Torino, Fiasco in AutomobilTechnik, Falimentim në teknologjinë automobilistike, Férmati Imbecille Abbiamo Tamponato, Ndalu hajvan se jemi përplasur;

FordFound On Road Dead, Gjetur vdekur në rrugë, Fix Often Repair Daily, Rregulloje shpesh, riparoje çdo ditë, Fabrication Ordinaire, Réparations Dispendieuses, Fabrikim i zakonshëm, riparime të kushtueshme, Ferraille, Ordure, Rebut, Déchet, Hekurishte, hedhurinë, skrap dhe mbeturina, Ferraille oxydée, réparation difficile, Hekurishte e ndryshkur, riparim i vështirë,

DOS – (Disk Operating System) Defunct Operating System, Sistem operativ i vdekur, etj.

Etimologjia popullore ka karakter pseudolinguistik dhe karakterizohet nga një metodë studimi parashkencore e gjuhës. Me anën e kësaj metode gjuha konceptohet si një entitet i pandryshueshëm, pakohë dhe bartëse e simbologjive që paraqiten nga studiuesi i cili e vë veten në rolin e orakullit: ai në mënyrë magjike asgjëson mijëra vjet dhe shpjegon etimologjinë e fjalëve antike me anën e fjalëve moderne. Disa linguistë arrijnë deri aty sa të shpjegojnë prejardhjen dhe kuptimin e disa fjalëve të gjuhës së Egjiptit antik (gjuhë afro-aziatike e lidhur ngushtë me gjuhët berbere e semitike) duke përdorur si bazë ndonjë gjuhë indoevropiane, pas rreth 5000 vjetësh. Në këto raste nuk ka asnjë ndryshim të formës së fjalës, por një interpretim të thjeshtë të bërë përdhuni nga “studiuesi” i cili duke u nisur nga bindjet personale të tija nuk merr parasysh evolucionin gjuhësor që është ndryshimi i karakteristikave të një gjuhe të caktuar e që mund të ndodhë në fonetikë (ndryshim fonetik), në fonologji (ndryshim fonologjik), në morfologji (ndryshim morfologjik), në sintaksë (ndryshim sintaksor), në semantikë (ndryshim semantik dhe/ose leksikor) dhe mund të analizohet në mënyrë sinkronike dhe diakronike. Gjuhësia diakronike, në fakt, është sinonim i gjuhësisë historiko-krahasuese, ndërsa gjuhësia e përgjithshme është tipike sinkronike (studimi i gjuhës në një periudhë të dhënë).

“Një studim sinkronik i gjuhës është një krahasim i gjuhëve ose dialekteve – dallimeve të ndryshme të folura të së njëjtës gjuhë – të përdorura brenda një rajoni të përcaktuar hapësinor dhe gjatë të njëjtës periudhë”. (cit. Greenlane Definizione della linguistica sincronica)

Nevoja për t’i mbajtur të ndara këto dy pikëpamje, sinkronike dhe diakronike, është nënvizuar për herë të parë nga gjuhëtari Ferdinand de Saussure (linguist, semiolog – Gjenevë, 1857-1913).

Është krejtësisht humoristike vepra e shkrimtares Bianca Pitzorno, e cila në librin e saj Parlare a vanvera (Me folë në tym): në çdo histori “zbulon” etimologjinë e shumë thënieve të gjuhës italiane, si p.sh. historia e shprehjes “bëj një pakt” – scendere a Patti – zbres në Patti, që i referohet qytetit Patti në Siçili, jo etimologjisë së vërtetë të fjalës pakt: Lat. pactum, me prejardhje nga pacisci (patteggiare), “lidh një pakt” (bie në ujdi) që ka të njëjtën rrënjë me pax, pacis “paqe”, etj. Autorja në parathënien e librit na paralajmëron se në librin “Me folë në tym”, të gjitha anekdotat e treguara në lidhje me etimologjinë e fjalëve janë shpikur plotësisht prej saj, pra titulli shpreh edhe brendinë e librit: etimologji të rreme të krijuara posaçërisht për të argëtuar lexuesin, pa asnjë bazë shkencore.

Në lidhje me gjuhën shqipe:

Në librin e tij “Shqipja dhe Sanskritishtja” Petro Zheji dëshmon se:

“Sistemi leksikor i gjuhës shqipe është më i gjerë nga ai i gjuhës sanskritishte, për rrjedhojë gjuha shqipe është më e vjetër se gjuha sanskritishte, se është ajo Gjuhë e Parë, ajo Gjuhë Mëmë, ose së paku më e afërmja e saj, më e ngushtë e më përfaqësuese, nga copëtimi i së cilës si ai në Sakrificën e Madhe Kozmogonike të një Qenie Hyjnore, të gjitha gjuhët e tjera e të ndryshme erdhën e u ndërtuan mënjanë”.

Prof. as. dr. Elena Kocaqi te “Roli Pellazgo-Ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve Evropiane” flet për kontributin Pellazgo-Ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve Evropiane antike dhe moderne…

Një artikull Brahim Ibish Avdyli e përfundon me këto fjalë:

“Nuk do mend se gjuha shqipe është gjuha e vjetër, është gjuha mëmë për të gjitha gjuhët; është baza e etimologjisë së të gjitha gjuhëve prej Indisë e deri në Amerikën Latine; është gjuha e shenjtë fonetike e Thotit”.

Kohët e fundit po vërtetohen se gjuhët e vjetra, p.sh. ajo sumere dhe gjuha shqipe janë nënë e bijë dhe gjuha sumere është bija e shqipes.

Prof. Teuta Llalla te “Shqipja – gjuha që lindi gjuhët indo-europiane” shkruan:

Dy veprat e mëdha të shkruara nga Homeri, që dhe fjala Homer është shqipe, duke pasur parasysh që ai ishte i verbër, pellazgjikët i vunë emrin i Mjerë, Homer… Iliadha ose Troja dhe Odhiseas ose Udhë s’sheh. Janë legjenda pellazgje ose shqiptare, që u shkruajtën nga Homeri dhe gjatë shekujve u përvetësuan nga shkruesit e mëvonshëm grekë.

Në Iliadhën, të gjithë kryetarët e fiseve, pjesëmarrës në betejën e Trojës, dhe nga vendet që vinin kanë emra të kuptimit në shqip. Mikena-mik jemi, kishte mbret Agamemnonin-ai që mendon, është i zgjuar, i ditur etj. Menelaos-mëndja e la, ishte mbret i Spartës, vëllai i Agamemnonit.

Mirmidonët-mirditorët, kishin mbret Aqilean ose Akilin, që do të thotë-aq i lehtë. Elena-e lanë ment. Priami, mbreti i Trojës, që është-drejto amen. Paridi-është i pari që di, etj.

Leximi i vëmendshëm i poemës Iliadha, do të vërejmë se ngjarjet na flasin për luftëra midis fiseve pellazgjike ose shqiptare, dhe fjala e urtë shqipe thotë “i yti ta fut, i yti të nxjerrë sytë, i yti të vjedh” etj. Në veprat e Homerrit pasqyrohen ngjarje, legjenda dhe histori shqiptare.

Në të gjitha kohërat grekët kanë pasur maninë për të përshtatur emrat jo grek, në emra grek. Pra për të përkthyer në greqisht çdo fjalë jo greke.

Kjo mënyrë veprimi ka ndryshuar edhe mënyrën e shqiptimit të fjalive ose të emrave gjë që i bën emrat të pakuptueshëm.

Në qoftë se të lashtët grek dhe grekët e sotëm nuk do të kishin bërë gjithçka greke, me gjithë shtrembërimin e shqiptimit fillestar në pjesën më të madhe të gjuhës pellazgje ose shqipe, ne nuk do kishim vështirësi për të rindërtuar fjalët e lashta parahistorike shqipe, të shkruara greqisht apo të përkthyera keq në greqisht si “Piellbardh në-piellazgos, piellzis në—piellzious” etj.

Ing. Anastas Shuke, sumerolog, shpjegon se: Shqipja është gjuha e parë e shkruar në botë, është gjuha e fillimit! Ai bazohet edhe tek studimet e Zecharia Zitçin, në librin Çfarë thotë Zacharia Sitchin për gjuhën shqipe, në lidhje me sumerishten? Gjuha shqipe mund të deshifrojë sumerishten.

Aleksander Hasanas shkruan se: Etruskët e kishin shqipen si gjuhën e tyre amtare.

Ndërsa Giuseppe Catapano, autor i librit Antichità della lingua albanese (Përmbledhje e pjesës filologjike të veprës sime “Faraon”, fara jonë ose prejardhja jonë. Antikitete të gjuhës shqipe(…anche Cristo parlò questo idioma – …edhe Krishti e fliste këtë gjuhë) shpjegon arritjen e tij shkencore në librin “Thot – Tat parlava albanese”,

«Perëndia egjiptiane e urtësisë fliste shqipen. Ai, perëndia e urtësisë i përpiloi hieroglifët, duke u mbështetur në gjuhën e vet amtare, shqipen. – Sipas tij edhe “Iliada dhe Odiseja” e Homerit janë shkruar në gjuhën shqipe».

Hieroglifet e para mendohet se janë shfaqur rreth vitit 3100 para Krishtit. Pak para bashkimit të Egjiptit të Sipërm dhe të Poshtëm, nën faraonin e parë Nemes. Hieroglifet janë shenja piktorike dhe kombinojnë elemente ideografike, silabike dhe alfabetike.

Pjesa më e madhe e albanologëve janë dakord se gjuha shqipe i përket familjes indoevropiane, së bashku me rreth 450 gjuhë të tjera (më shumë se 47% e popullsisë së botës sot flet një gjuhë indo-evropiane – Cit.: it.babel.com) të cilat me gjasë e kanë origjinën nga një gjuhë e vetme e cila mendohet se ka lindur rreth 6000 – 8000 para Krishtit. Në vitin 1868, linguisti gjerman August Schleicher qe i pari që propozoi modelin në formë peme gjenealogjike që identifikon dhe shpjegon afërsinë ndërmjet gjuhëve dhe grupeve linguistike dhe përkatësinë e tyre në një familje të caktuar.

Familja e gjuhëve indo-evropiane të folura nga gati gjysma e popullsisë së botës e ka origjinën rreth 8 – 9000 vite më parë në jug të Kaukazit dhe rreth 6 – 7000 vite më parë u nda në pesë linja kryesore, të cilat u degëzuan drejt veriut në rajonet e stepës, përpara se të përhapeshin në të gjithë Evrazinë.

Në një ndër studimet e fundit, “Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages” të publikuar në revistën Science, një ekip ndërkombëtar prej 80 gjuhëtarësh dhe studiuesish të gjenetikës, i koordinuar nga Departamenti i Evolucionit Gjuhësor dhe Kulturor i Institutit Gjerman Max Planck për Antropologjinë Evolutive në Leipzig ka në këtë përfundim:

Provat aktuale gjuhësore me ato që dalin nga studimet e ADN-së, sqarojnë më mirë debatin shkencor që po vazhdon prej më shumë se dy shekujsh. Pjesa më e madhe e mosmarrëveshjes ka të bëjë me origjinën e gjuhëve indo-evropiane: disa studiues mendojnë se ato kanë lindur 9000 vjet më parë në Mesopotami dhe më pas u përhapën nëpërmjet agrikulturës; sipas ekspertëve të tjerë, gjuhët indo-evropiane e kanë origjinën 6000 vjet më parë në stepën Pontiko-Kaspike (Pontus Euxinus) dhe më pas u përhapën nëpërmjet barinjve kalorës…

Analiza e re bazohet në një bazë të dhënash të pabotuar më parë që përmban fjalorin bazë të 161 gjuhëve indo-evropiane, duke përfshirë 52 gjuhë të lashta (përfshirë latinishten dhe sanskritishten vedike). Duke shqyrtuar origjinën e fjalëve të përbashkëta, kronologjia e evolucionit të këtyre gjuhëve është rishkruar. Pemët filolinguistike që rezultojnë nuk mbështesin plotësisht as hipotezën e stepës dhe as atë të agrikulturës, por në vend të kësaj çojnë në një hipotezë hibride që përmban elementë të të dy skenarëve. (Cit. “Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages”)

Johann Erich Thunmann në shekullin e 18-të ka qenë ndër albanologët e parë që ka mbështetur teorinë e autoktonisë së shqiptarëve dhe teorinë e origjinës ilire. Gustav Meyer më vonë demonstroi se gjuha shqipe është pjesë e familjes indo-evropiane. Këto studime më pas u thelluan nga Norbert Jokl, Milan Šufflay dhe Franz Nopcsa von Felső-Szilvás, si dhe nga Karl Reinhold, Eqrem Çabej etj.

Ndërsa “Studiuesit” e etimologjisë popullore, që bazohen thjesht në fantazinë e tyre duke “rizbuluar” arbitrarisht kuptimet e fjalëve, mbeten të kufizuar në studime ekscentrike ose veprat e tyre përdoren për qëllime satirike.

Referime:

Definizione della linguistica sincronica. <www.greelane.com/it/humanities/inglese/synchronic-linguistics-1692015/>. Konsult. shkurt 2025.

Overview of Folk Etymology. <www.thoughtco.com/what-is-folk-etymology-1690865>. Konsult. shkurt 2025.

Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages. <www.science.org/journal/science>. Konsult. shkurt 2025.


Pothuajse çdo fjalë ka një histori

Sigurisht, në gjuhën shqipe, ndeshemi shpesh me etimologjinë e fjalëve me prejardhje latine dhe greke. Shumë fjalë i kanë rrënjët në histori dhe mite, si fjala hermetik nga Hermes Trismegistus. E njëjta gjë vlen për epikën: nga ai epos që tregon trimëritë e heronjve tanë legjendarë. Këto fjalë na japin mundësinë të vërejmë se si një kuptim, specifik dhe i kufizuar, me kalimin e kohës shpeshherë “përgjithësohet”.

Pesha e historisë ndjehet në ato terma që e kanë zanafillën në traditat antike dhe besimet fetare. Ky është rasti i entuziazmit (nga greqishtja ἐνϑουσιασµός, me prejardhje nga ἐνϑουσιάζω «frymëzohem», nga ἔνϑεος, që përbëhet nga ἐν «në» e ϑεός «Zot»). Për grekët antikë ishte gjendja e atij që u pushtonte nga një forcë hyjnore (ἔνϑεος), p.sh. magjistarja, fallxhori, faltari, si dhe poeti, që mendohej se frymëzoheshin nga një Zot. Karnaval (nga latinishtja “heq mishin” ndoshta e kombinuar me “lamtumirë mish”, që kishte të bënte me periudhën e Kreshmës). Tabu është një fjalë e importuar nga Polinezia nga eksploruesi James Cook, fjala përshkruan gjithçka që është e veshur me një atmosferë të shenjtë dhe për këtë arsye të paprekshme.

Ndërthurja komplekse ndërmjet kulturës së popullit tonë, me popujt dhe gjuhët me të cilat ka pasur kontakte, nxjerr në pah origjinën e disa fjalëve dhe ngjashmëritë me gjuhët e tjera, duke na dëshmuar kështu origjinën e shumë fjalëve që bëjnë pjesë në trashëgiminë leksikore shqiptare.  P.sh. fjala alkool,nga arabishtja. Ndërsa fjalët e reja, që kanë hyrë kohët e fundit nga anglishtja, si snob (“qytetar i shtresës së ulët” e në angl. dialektale “shkarpaxhi”, pastaj person që imiton mënyrat e jetesës së klasave shoqërore të larta “që merr me qira kostume të rafinuara”, etj.), slogan (me prejardhje nga gjuha gaelike “britmë lufte”) dhe forfait (à forfait, qesim) nga frëngjishtja, janë me etimologji të pasigurt.

Fjala alkool merret si shembull për të shpjeguar kalimet e tërthorta të fjalëve, nga konkrete në abstrakte. Ky fenomen ndodh shpesh nëpërmjet proceseve metaforike. Fillimisht fjala tregonte një pluhur për të ngjyrosur, pastaj një pluhur të paqëndrueshëm dhe më pas një “esencë”, nga e cila e ka prejardhjen alkooli i verës (alcohol vini) dhe më në fund alkooli në përgjithësi.
Fjala stil, e ka prejardhjen nga pena, latinisht stilus (shkopi me të cilin gdhendeshin pllakat e mbuluara me dyllë), kjo fjalë ka filluar të përcaktojë formën e teksteve, stilin krijues të një shkrimtari e pastaj tiparet dalluese të sjelljes së një personi.

Nëse analizojmë fjalët që kanë ngjallur interes më të madh gjatë kohëve të fundit, në publikun e mediave online, p. sh. në Facebook, fjalët që janë përdorur më shpesh janë, despotik, kaleidoskop dhe enigmë. Despotik, e ka prejardhjen nga despot, sundimtar lindor (monark absolut). Gjithashtu kaleidoskop (nga greqishtja kalós “i bukur”, eîdos “figurë” dhe të temës skopéō “shoh”) është një fjalë që përdoret relativisht kohët e fundit, ky emër sot tregon një larmi gjërash dhe elementesh. Më në fund, enigma na kthen përsëri në errësirë ​​dhe mister, si në kuptimin e mirëfilltë ashtu edhe në atë figurativ, gjëegjëzë, sekret, mister. Në Linkedin, relativisht fjalët paradoks, alkool, karnaval janë përdorur më shumë se të tjerat…

Shumë prej termave që përdorim çdo ditë fshehin histori kurioze, që në shumë raste na japin mundësinë të kuptojmë se si kanë jetuar dhe arsyetuar njerëzit, shumë shekuj më parë. P.sh. bifteku, që në shqip nuk ka ndonjë emër tjetër, është një ushqim i zakonshëm në Shqipëri: kjo fjalë e ka prejardhjen nga anglishtja beef steak, që do të thotë “biftek viçi”.

Emri hipopotam vjen nga fjalët greke ἵππος (hippos – kalë) dhe ποταµός (potamos – lumë) pra kalë lumi. Kjo kafshë, kaq e ngathët në tokë, bën një “galop” të shkathët kur gjendet në ujë.

Muskul, në fakt latinët quanin miun: musculus, dim. i mus,  “Një brejtës i vogël” që përpëlitet nën lëkurë është një fantazi e çuditshme, megjithatë, latinëve, lëvizjet me shpejtësi të muskujve të trupit u kujtonin hopin e “muskulit”, pra të miut.

Në qoftë se mendojmë se çdo fjalë ka një histori të përbërë nga ngjarje që ndërthuren ndërmjet tyre, ne na lypset ta tregojmë mirë këtë histori. Pra duhet të zgjedhim historinë e vërtetë dhe ta veçojmë nga historitë “e tjera”. Nuk duhet t’u zëmë besë “miqve të rremë” që shpjegojnë udhëtimin e gjatë emigrues me të cilin janë përballur fjalët, në hapësirë e në kohë, nga një gjuhë në tjetrën, nga një popull te tjetri. Shumë fjalë janë përbuzur fillimisht, por pas disa “udhëtimesh” kanë pasur “fat” dhe janë bërë pasuri e gjuhës që flasim sot.

Referime:

Treccani, <www.treccani.it/enciclopedia>, Konsult. Shkurt 2025.

Parole straniere in inglese: importazioni dal vocabolario indiano, <englishlive.ef.com/it-it/>. Konsult. shkurt 2015.

L’influenza del latino sulla lingua inglese, Accademia inglese a Roma. www.ihroma.it/. Konsult. shkurt 2025.

What Is ‘Folk Etymology’?, <www.merriam-webster.com/grammar/folk-etymology>. Konsult. shkurt 2015.

I primi documenti scritti in latino, < culturalmenteblog.blogspot.com/>. Konsult. shkurt 2015.

Dizionario Etimologico, https://www.etimo.it/?pag=hom>, Konsult. Shkurt 2015.

Parole di origine cinese in italiano – Inchiostro Virtuale. <inchiostrovirtuale.it/parole-di-origine-cinese-in-italiano/>. Konsult. shkurt 2025.


Përvetësime fjalësh: marramendja e etimologjisë

Si janë formuar fjalët që përdorim për të komunikuar? Për ta zbuluar duhet të hedhim një hap në të kaluarën që na lejon të kuptojmë se si kanë jetuar dhe arsyetuar paraardhësit tanë!

Kërkimi dhe zbulimi i origjinës së fjalëve në gjuhën shqipe mund të jetë një detyrë komplekse, por shumë interesante. Fjalët që ne përdorim çdo ditë janë në fakt rezultat i transformimeve dhe ndryshimeve që kanë prekur gjuhën e paraardhësve tanë gjatë shumë shekujve.

Për shembull, dihet që shqipja rrjedh nga trashëgimia e madhe e një protogjuhe e që është nëna e gjuhëve indoevropiane. Shqipja nuk është ndikuar vetëm nga latinishtja e greqishtja e lashtë por, me kalimin e kohës gjuha jonë e bukur ka tërhequr fjalë edhe nga gjuhë të tjera të huaja të cilat, për arsye të ndryshme, kanë ndikuar në jetën e paraardhësve tanë deri në atë masë sa ata fjalë janë “përthithur” dhe “shqiptarizuar”. I njëjti fenomen ka ndodhur e ndodh edhe me gjuhët e tjera…

Kur hapim një fjalor, duke lexuar kuptimin dhe origjinën e fjalëve, duket sikur po bëjmë një udhëtim marramendës. Në mijëra fjalë vetëm një pjesë të vogël të tyre jemi në gjendje të kuptojmë e aq më pak të kuptojmë origjinën e tyre. Si në një vorbull, përtej kohës dhe hapësirës, ​​qysh nga origjina e gjuhës sonë në kohët e lashta e deri në kohën e sotme, mund të përshkojmë fjalë me kushedi se çfarë boshllëqesh dhe kapërcime kuptimesh.

Për sa u përket huazimeve ato dallohen në “të nevojshme” dhe “luksi” sipas nevojave reale që ka gjuha e cila i adopton:

huazimet e nevojshme janë fjalë që hyjnë kur, për shembull, zbulohet një send ose mjet i ri, pra futet një referent i ri (patate, kafe, lavatriçe, juke-box…), duke mbushur një boshllëk leksikor ose semantik;

huazimet luksoze (ose huazime “prestigji”) teorikisht janë të tepërta pasi terma me të njëjtin kuptim ekzistojnë në një gjuhë; këto huazime përdoren për nuancën e veçantë ekspresive që kanë dhe për të rritur prestigjin e asaj që ata përcaktojnë (show, manager, training, baby-sitter).

Përveçse nga gjuhët indoevropiane, pjesë e të cilave është, shqipja ka huazuar fjalë edhe nga gjuhë që nuk kanë lidhje me shqipen, p.sh. nga Nahuatl që është gjuha antike e civilizimit aztek, e që flitet akoma sot në disa zona të Meksikës dhe Amerikës Qendrore, kemi huazuar fillimisht nëpërmjet spanjishtes fjalët hamakë, ananas, kakao, çokollatë.

Nëpërmjet portugalishtes kanë hyrë në shqip fjalët me origjinë kineze banane, kokos, mandarinë, pagodë.

Nëpërmjet spanjishtes kanë hyrë në shqip (ndoshta nëpërmjet italishtes) fjalët kondor, etiketë, guerilje, paradë, patate, të cilat fillimisht ishin në gjuhën Quechua (Keçua). Quechua (edhe Checiua ose kichwa) ka qenë gjuha zyrtare e perandorisë Inka. Sot, gjuhët Keçua janë një familje e gjuhëve vendase të Amerikës së Jugut dhe aktualisht fliten si dialekte të ndryshme nga afërsisht 9.6 milion banorë.

Gjermanizmat: Në shqip ka shumë terma që kanë origjinë gjermane, veçanërisht longobarde ose franke, në një masë më të vogël gotike. Për shembull: bankë, bandë, helmetë, garantoj, gram, sapun, shtangë, llogore, vangë, mantel, balkon, kobalt, volfram, etj. Disa huazime janë skandinave si p.sh.: nga norvegjishtja fjord, viking, ski, renë. Nga suedishtja: nikel e tungsten. Nga islandishtja: gejzer.

Gjatë periudhës së Austro-Hungarisë janë futur në shqip fjalë si dikaster (qendër administrimi) e kifle (chifel tip buke gjysmëhënë, Kipfel – croissant). E më vonë fjalët blic, diezel, bunker, doberman, fon (për të tharë flokët), gestapo, gulash, strudel, herc, etj.

Disa fjalë që kanë hyrë nga rusishtja e janë përvetësuar nga gjuha shqipe janë:  balalaika, bjellorus, bolshevik, katiushë, çeçen, kirkiz, kopek, kozak, duma, glasnost, gulag, isba, kallashnikov, kolkoz, kombinat, kulak, liman, matrioska, menshevik, muzhik, nomenklaturë, perestrojka, robot, rubël, rus, presidium, sambo, samovar, sovjet, sputnik, stakanovist, stepë, tajgë, tundër, ukrainas, vodka, car etj.

Disa fjalë që kanë hyrë në përdorimin e shqipes nga anglishtja me prejardhje nga indishtja janë: avatar, bungalow, kerri, (curry), xhungël, pizhame, shampo, verandë etj.

Gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër, vazhdon të pasurohet me neologjizma madje edhe nga japonishtja p.sh. joga, karate, judo, sumo, sushi, sashimi, sake, soja e tofu (me origjinë kineze), shatzu, geisha, ninja, samurai, harakiri, hikikomori, kimon, tsunami, wasabi, yen, zen. Edhe fjala kaki (lloj hurme) e ka prejardhjen nga japonishtja.

Nga kinezishtja kemi: tao, taoizëm, kung fu, shaolin, yin e yang, tajfun, çaj, ketchup (me prejardhje nga gjuha maleze), wok, dazebao (fletërrufe, sot nuk përdoret), kaolin, ginseng, goji, litchi, pidgin, saten, tangram, edhe shprehja “shpëlarje truri” e ka prejardhjen nga kinezishtja por në shqip është futur nga anglishtja “brainwashing” (edhe në italisht kjo shprehje është kalk nga anglishtja: lavaggio del cervello) që është përkthimi i shprehjes kineze.

Fjalët me origjinë turke janë të shumta në të gjithë Ballkanin po ashtu si ato me origjinë latine, sllave e greke.

Disa fjalë me origjinë arabe: algjebër, almanak, algoritëm, azimut, nadir, zenit, zero, alkimi, eliksir, shah (me prejardhje indiane, sanskritisht), shah-mat, admiral, doganë, magazinë, tas, llak, limon, etj. Këto fjalë kanë hyrë pothuaj në të gjitha gjuhët evropiane.

Disa fjalë që kanë hyrë në shqip nga osmanishtja e turqishtja, pjesa më e madhe e të cilave, me shqiptim të përafërt gjenden pothuaj në të gjitha gjuhët ballkanike:

Fjalë të përdorimit të përditshëm, orendi shtëpiake, profesione: argat, bakall, bakërxhi, bardak, batanije, berber, biçak, bodrum, bojaxhi, çanak, çarçaf, çengel, çini, çorap, divan, dollap, dybek, dyshek, esnaf, fallxhi, fener, filxhan, fitil, hafije, hajat, hallë, hallkë, hamall, havan, hajvan, hendek, heqim, hyzmetçi, ibrik, jastëk, jelek, jorgan, kafexhi, kandil, kanxhë kapak, kavanoz, kazan, këllëf, kolltuk, kovë, kundraxhi, legen, mangall, mashë, minder, musëndër, nallban, oturak, oxhak, padishah, pasha, penxhere, perde, peshqir, post, qatip, qepshe, qese, qilim, qymyrxhi, qyp,  raja, rende, saç, sahan, saksi, salepçi, sergjen, sixhade, sofra, sofrabez, sulltan, shandan, shilte, shishe, tabaka,taban, taketuke, tava, teneqexhi, tenxhere, tenxhere, tepsi, tigan, tirq, torbë, vezir, xhezve, zanatçi, zinxhir, etj.

Ushqime e gatime të ndryshme: arapash, ashure, bakllavë, barbunja, borani, bostan, bozë, bullgur, byrek, çaj, çamçakëz, çomlek, çorba, fasule,  gjevrek, hardall, hoshaf, jahni, jufka, limontoz, llokma,  llokum, majdanoz, muhalebi, musaka, nenexhik, nisheste, paça, pastërma, pilaf, pite, qebap, qofte, raki, reçel, revani, samsa, simite, simitçi, susam, shefteli, sheqer, sheqerpare, sherbet, tasqebap, trahana, tullumba, turshi, zarzavate, zerdeli, etj.

Veshje, tekstile: astar, atllaz, basmë, belezik, beze, binish, bohçe, çadër çakçirë çantë, çember, çitjane, çizme, çorap, çull, dimi, dolloma, dylben, ferexhe, fustan, gjerdan, gjymlek, jakë, jelek, kadife, kaftan,  kaish, kumash, mushama, pashmagje, perçe, peshtamall, poture, qeleshe, qostek, qylah, shajak, shallvare, shami, takije, tallagan, thes, ushkur, xhamadan, xhanfes, xhep, xhybe etj.

Terma mbi cilësitë e individit dhe jetën sociale: adash, akraballëk, alem, allçak, amanet, avashllëk, axhami, azat, azgan, babaxhan, batakçi, batakçillëk, bela, beqar, biçim, bollëk, boshllëk, budalla, budallallëk, bullur, çapraz, çare, dallaveraxhi, dallkauk, dangall, dava, dilenxhi, dynja, dynjallëk, dyzen, efendi, ezmer, ferishte, firaun, fodullëk, fukara, fukarallëk, gajret, gallata, gazep, gurgule, gjurulldi, gjytyrym, haber, habertar, hair, hajdut, hajn, hall, hallall, halldup, hallk, hamallëk, haram, harbut, harem, hasetçi, hata, hatër, hile, horr, horrllëk, hovardallëk, hyzmet, inatçi, jabanxhi, jaran, jetim, kaba, kabadai, kabull, kaçak, kallaballëk, karar, kasavet, katil, kërdi, kimet, komshi, kopuk, kurbetçi, levend, llaf, llafazan, marifet, marifetçi, matuf, merakli, mesele, milet, muhaxhir, mukajet, mysafir, myzhde, namus, namusqar, nijet, noksan, pehlivanllëk, peshqesh, pisllëk, pizeveng, qeder, qejf, qelepirxhi, qerrata, qiraxhi, qorr, qyfyrexhi, qylaxhi, refene, rezil, risk, ryshfet, sarhosh, sebep, sehirxhi, selam, sevap, shaka, shakaxhi, shamataxhi, sherrxhi, shishman, takat, taksirat, tamahqar, tarafllëk, telash, ters, tersllëk, topall, tuhaf, vesveseli, xhahil, zahmet, zarar, zor, zullumqar,

Terma fetarë: abdes, Allah, avaz,bajram, bektashi, dervish, din, dua, gjynah, gjynahqar, hafëz, hajmali, haxhi, haxhillëk, hoxha, iftar, imam, iman, kuran, lanet, matem, mevlud, minare, molla, myfti, myhib, namaz, nevruz, ramazan, rufai, sure, syfyr, sheh, sheriat, taç, tarikat, teqe, tespihe, tyrbe, vakëf, xhami, xhehenem, xhenet etj.

Terma ndërtimi: ahur, arkapi, avlli, bahçe, basamak, bashllëk, baxha, bina, bodrum, bohçe, buhar, bylmet, çardak, çati, çatma, çekma, çerte, çikrik, dajan, direk, dograma, dysheme, gjerdek, hajat, hamam, hauz,hendek, horasan, jerevi, kamare, kanat, karabinà, kat, konak, kube, mandall, mazgallë, mërtek, muslluk, odë, oxhak, pajandra, parmak, parvaz, penxhere, perdah, pinar, qereç, qereste, qerpiç, qilar, qoshe, qoshk, qymez, qyng, qytyk, sap, saraj, suva, shatërvan, taban, tavan, trapazan, tulla, ulluk, xham, xhamllëk, etj.

Terma të fushës administrative dhe ushtarake: angari, arzuhall, asqer, asqerie, ashar, bajrak, bajraktar, barut, bashibozuk, batare, bedel, beledie, bylyk, bylykbash, çifte, dovlet, dushman, dyfek, dylbi, ferman, gjyle, hapsane, haraç, irat, istikam, jatagan, jeniçer, kala, kallkan,kasaba, kobure, mëhallë, mylk, nahije, nishan, nishanxhi, nizam, pashallëk, patllake, qole, saçme, sanxhak, sanxhakbej, serasqer, serdar, spahi, shehër, tabor, tesqere, timar, topçi, topjak, topuz, varosh,vilajet, xhelat, xhelep, xhephane, yshyr, zaptije, zarf, etj.

Sipas studiuesve numri i fjalëve të përbashkëta me turqishten është 3000 deri në 5000.

Shumica e fjalëve me origjinë turke janë të vjetruara e nuk përdoren më, p.sh. termat në fushën ushtarake. Vazhdojnë të rezistojnë disa terma që përdoren gjatë komunikimit të përditshëm: fetar, specialitete gatimi etj. Shumë nga këto fjalë në gjuhën shqipe nuk kanë kuptimin origjinal të tyre por kuptim të ngjashëm, apo kuptim që nuk del si rrjedhim i kuptimit fillestar.

Fjalët me origjinë turke po përdoren gjithnjë e më pak, megjithëse vazhdojnë të mbushin fjalorët e gjuhës shqipe e cila është në rritje e në zhvillim të vazhdueshëm.

Te SHQIPOPEDIA Fjalë të përbashkëta italisht-shqip është shënuar një listë fjalësh të përbashkëta me italishten: https://italisht.shqipopedia.org/fjalor-italisht-shqip – mbi 5000, po aty është shënuar një  listë tjetër fjalësh të përbashkëta me gjermanishten – rreth 4000. Shumë fjalë, pavarësisht nga shqiptimi ose transliterimi, janë të huazuara kryesisht nga latinishtja e italishtja e indirekt nga greqishtja, ndërsa shumë të tjera janë të përbashkëta me frëngjishten, spanjishten, arabishten, gjermanishten etj. https://gjermanisht.shqipopedia.org/fjale-te-perbashketa

Fjalori i Gjuhës Shqipe (Mehmet Elezi) përmban rreth 41000 fjalë e rreth 54000 kuptime, të cilat nuk gjinden në fjalorët e Akademisë së Shkencave të viteve 1980 e 2002. Fjalori ka edhe rreth 5300 shprehje frazeologjike. Ndërsa Profesor Jani Thomai i Akademisë së Shkencave Shqiptare ka deklaruar se “Fjalori i madh i shqipes” do të ketë rreth 100 mijë njësi gjuhësore e leksiko-frazeologjike.

“Kur ndodh që doktrina të reja të hyjnë në një qytet ose zanate të reja, është e nevojshme që të futen fjalë të reja që e kanë prejardhjen nga ajo gjuhë nga e cila doktrinat ose zanatet kanë ardhur; por duke u shndërruar, në të folur, me mënyrat, rasat, ndryshimet dhe me theksat, përbëjnë një bashkëtingëllim të njëjtë me fjalët e asaj gjuhe që gjejnë dhe kështu bëhen fjalë të asaj gjuhe; sepse, përndryshe, gjuhët do të dukeshin si të arnuara dhe nuk do të ishin në rregull”.

(Niccolò Machiavelli, Discorso intorno alla nostra lingua, Diskutim rreth gjuhës sonë, 1524/1525,)

Më sipër janë paraqitur vetëm disa fjalë që kanë hyrë në gjuhën shqipe. Ky udhëtim i shkurtër ndër-gjuhësor na jep mundësinë të hedhim një vështrim mbi kozmopolitizmin e gjuhës dhe të kulturës sonë: gjuhët dhe traditat shkëmbehen, bashkohen dhe ndikojnë njëra-tjetrën për arsye historike, gjeografike e shoqërore siç janë luftërat, emigracioni, martesat, udhëtimet, tregtia etj. dhe pasurojnë gjithnjë e më shumë bagazhin tonë kulturor.

Në përgjithësi, më shumë se 65% e leksikut të anglishtes rrjedh në një farë mënyre nga latinishtja, aq sa gjuhëtari i njohur Tullio De Mauro e ka përkufizuar anglishten si “gjuhët më të latinizuara dhe më të romanizuara të gjuhëve jo-latine”.

Vlerësohet se fjalët “amtare”, pra që rrjedhin nga anglishtja antike, nuk përbëjnë më shumë se 20-33% të leksikut të përgjithshëm të gjuhës angleze, edhe pse përfaqësojnë gjerësisht fjalët më të përdorura në jetën e përditshme. Në përgjithësi, fjalët me origjinë anglo-saksone janë më të shkurtra dhe më të thjeshta se fjalët me rrënjë latine, të cilat kanë prirje të përdoren më shumë në fushën letrare, akademike dhe tregtare.

Për shkak të kësaj përzierjeje të veçantë të prejardhjes gjuhësore, anglishtja krenohet me një përzgjedhje të gjerë sinonimesh, disa me origjinë gjermanike dhe të tjerë me origjinë latine; për të treguar të njëjtin koncept, por shpesh me nuanca të ndryshme, p. sh.: freedom e liberty, pig e pork, spear e lance, first e prime, opening e aperture, surname e family name.

Çdo kulturë mban një qëndrim të veçantë ndaj fjalëve të huazuara.

Në disa shoqëri merret si e mirëqenë që fjalët e huaja të përdoren për sende e fenomene të reja, si në anglisht.

Anglishtja ka huazuar vazhdimisht fjalë nga kulturat me të cilat ka rënë në kontakt dhe përhapja e këtyre fjalëve nuk ka qenë kurrë e kufizuar, kjo ka ndodhur edhe për shkak të mungesës së një akademie kombëtare që do të duhej të ishte përgjegjëse për të ruajtur “pastërtinë” e gjuhës në vendet anglishtfolëse.

Ndërsa disa vende të tjera, preferojnë të krijojnë ekuivalente përshkruese, duke u bazuar në modelet e tyre gramatikore ose fjalëformuese, si gjermanishtja, spanjishtja dhe frëngjishtja. Në këta vende huazimet gjuhësore shpesh shihen në mënyrë kritike.

Në disa shtete, ligji mbron gjuhën e vendit me rregulla të rrepta. Për të përmbajtur përdorimin pa kriter të huazimeve, p.sh. në Francë është Académie Française, e cila përveç të tjerave ka për qëllim të hartojë një listë të termave francezë të barasvlershëm me huazimet për çdo fushë të jetës shoqërore (p.sh. fjalori i termave kompjuterikë). Académie Française është e angazhuar ta mbrojë frëngjishten, duke pasur parasysh se në ditët e sotme rreziku i “pushtimit” nga anglicizmat është i madh edhe në Francë…

Si përfundim, fjalët e huaja që kanë hyrë në shqip janë bërë tashmë pasuri e leksikut të shqipes. Të gjitha gjuhët shkëmbejnë fjalë me njëra-tjetrën, sidomos gjuhët indoevropiane që kanë një prejardhje të përbashkët, e shqipja nuk mund të përjashtohet nga familja e madhe indoevropiane.  

Ne nuk pushojmë kurrë së mësuari, duke ndikuar të tjerët dhe duke u ndikuar nga të tjerët, duke rritur  kështu pasurinë tonë gjuhësore e cila përbëhet nga fjalët. Sa më shumë fjalë që dimë, aq më të aftë do të jemi ta përdorim gjuhën në dobinë tonë. Duhet të kemi gjithmonë parasysh se gjuha duhet përdorur për të komunikuar dhe për krijuar lidhje, për të bashkuar e jo për të ndarë.

Referime:

Prestiti linguistici, anche detti forestierismi: come usarli? <growell.it>. Konsult. shkurt 2025.

Lingue indoeuropee: classificazione, caratteristiche ed esempi <puntomarinero.com>. Konsult. shkurt 2025.

L’influenza del latino sulla lingua inglese – International House. <www.ihroma.it>. Konsult. shkurt 2025.

Exit mobile version