Kreu Arte pamore Gejsi Tafa: “Trunks & Trees” – Animacioni i natyrës plot jetë në...

Gejsi Tafa: “Trunks & Trees” – Animacioni i natyrës plot jetë në pikturat e Abaz Hados

Ekspozita “Trunks & Trees” ftoi vizitorët në një udhëtim nëpër pyjet magjepsëse në pikturat e Abaz Hados, gjallëria e të cilave dhe shumë cilësi të tjera artistike u vunë në dukje përmes fuqisë transformuese të kompjuterit. Ekspozita erdhi me një veçanti artistike, ku krahas veprave origjinale, u realizuan edhe projeksionet e tyre, në thelbin e  të cilave qëndron marrëdhënia me natyrën. Për herë të parë animacioni i këtyre veprave, u gjenerua duke përdorur si medium atë çka mund të konsiderohet një nga arritjet më të mëdha të kohës në shkencë dhe teknologji: inteligjencën artificiale, e cila ka hapur dyert për mundësi të reja shprehëse, ideve dhe interpretimeve artistike. Duke eksploruar universin fantastik të peizazheve të piktorit Abaz Hado, të “gjallëruara” nga përdorimi i inteligjencës artificiale,  zbulojmë marrëdhënien simbiotike mes natyrës, artit dhe teknologjisë.

Në thelb të “Trunks & Trees” qëndron lidhja e thellë e autorit me botën, natyrën. I frymëzuar nga bukuria dhe egzotika e përjetshme e pemëve, tablotë e tij kapin kontrastin e ngjyrave, dritës dhe hijes, strukturës dhe tonit, si dhe formave, frakturave dhe kompozimit dinamik, që e pasurojnë peizazhin. Përmes levizjeve të guximshme të penelit dhe ngjyrave imponuese, shikuesi “transportohet” në një mbretëri, ku kufijtë mes realitetit dhe imagjinatës shkrihen, duke u zhytur edhe më thellë në gjiendje medituese dhe introspeksioni, i rrethuar nga vezullimi i natyrës. Në zemër të pikturës qëndron prekja njerëzore, rezonanca emocionale e konstatuar në çdo penelatë. Për shekuj me radhë, artistët kanë shfrytëzuar aftësitë e tyre për të përcjellë narrativa, për të ngjallur emocione dhe për të përjetësuar momente në kanavacë.

Nëpërmjet teknikave mjeshtërore dhe thellësisë së vizionit, emra të mëdhenj në fushën e artit i kanë dhuruar botës një sixhade të pasur të trashëgimisë artistike dhe kulturore. Anasjelltas, shfaqja e inteligjencës artificiale në fushën e artit, dizajnit dhe animacionit shënon një epokë të re të eksplorimit krijues. Duke përdorur algoritmet e “machine learning” dhe rrjetet neurale, artistët dhe shkencëtarët bashkëpunojnë për të hapur në kanavacat digjitale një dritare të re të animacionit dhe lëvizjes. Rezultati është një shkrirje mahnitëse e artit dhe teknologjisë, ku pikselat kërcejnë dhe subjektet shpalosen në mënyra të paimagjinuara. Në sferën e shprehjes artistike, ekziston një kryqëzim magjik ku teknikat e artit tradicional konvergojnë me zhvillimet e fundit të inteligjencës artificiale. Ky pikëtakim që nxjerr në pah evolucionin e praktikave artistike, e vë theksin mbi zhvillimin e kreativitetit, falë mediumeve të ndryshme.

Ajo që i bashkon këto sfera në dukje të ndryshme është thelbi i krijimtarisë – impulsi i lindur njerëzor për të eksploruar, për inovacionin dhe për të komunikuar përmes shprehive artistike. Artistët dhe animatorët e inteligjencës artificiale përballen në të njëjtën mënyrë me problemet e formës, substancës dhe “storytelling”, me qëllim që të evokojnë emocione, duke ngacmuar mendimin, të lartësojnë kuptimin dhe të zgjerojnë rezonancën ndjesore mes kundruesve të artit.

 Ndërsa mjetet dhe teknikat mund të ndryshojnë, baza kërkimore mbetet e pandryshuar – për të kapur thelbin e pashprehur të përvojës njerëzore dhe për ta shndërruar atë në formë vizuale. Për më tepër, dialogu mes artit tradicional dhe artit apo animacionit të gjeneruar nga inteligjenca artificiale shërben si një katalizator për inovacionin artistik. Artistët mund të zbulojnë rrugë të reja eksperimentale dhe shprehje artistike përmes integrimit të teknologjive të inteligjencës artificiale, duke zgjeruar diapazonin e kapaciteteve të profesionit të tyre dhe duke kapërcyer kufijtë e mundësive teknike drejt horizonteve të reja artistike. Nga ana tjetër, gjuha artistike e Abaz Hados është dinamike dhe i kapërcen kufijtë e kanavacës aq sa të krijon ndjesinë  e  prekshme të elementëve që na ofron natyra. Në të vërtetë, mjeshtëria e Hados nuk qëndron vetëm në aftësinë e tij teknike, por edhe në intuitën për të kapur vetë esencën e natyrës. Penelatat e gjera që pulsojnë me energji, krijojnë një atmosferë të çuditshme lëvizjeje, me pemë që ndërthuren dhe rrotullohen me njëri-tjetrin, lumenj që rrjedhin apo rrezet e diellit që pluskojnë mbi sipërfaqe, nën ritmet dinamike të anatomisë së drurëve.

Pavarësisht se inteligjenca artificiale shërben si një mjet i fuqishëm për të animuar këto vepra, në fund të fundit është vizioni dhe krijimtaria e artistit ajo që i jep jetë çdo skene. Ashtu si peneli është një medium që shpreh botën shpirtërore të artistit, teknologjia e inteligjencës artificiale mundëson dhe e avancon animacionin. Nuk duhet të harrojmë, se është vetë ndjeshmëria artistike e Abaz Hados që i mbush peizazhet me një ndjenjë vitaliteti dhe pranie.

Në këtë eksplorim të hollësishëm, shikuesit kishin mundësinë të konstatonin marrëdhënien simbiotike mes traditës dhe inovacionit, duke dëshmuar drejtpërdrejt fuqinë transformuese të vetë sintezës artistike. Sigurisht që nëpërmjet një përzgjedhjeje punimesh të kuruara me shumë kujdes, në animacionet e realizuara edhe nga inteligjenca artificiale, vizitorët mund të gjurmojnë fijet e vazhdimësisë dhe të evolucionit që i lidhin këto forma të ndryshme së bashku. Çdo fragment i kësaj ekspozite të fton të rishqyrtojmë paragjykimet  për artin dhe të përqafojmë potencialin e pakufishëm të bashkëpunimit krijues edhe me teknologjinë.

Lidhja mes artit dhe teknologjisë shërben si një dëshmi e qëndrueshme eksploruese dhe inovacionit artistik. Ndërsa lundrojmë në panoramën e ndryshueshme të shprehive kulturore, le të përqafojmë mundësitë e ofruara nga teknologjia, për të sfiduar supozimet tona dhe për të zbuluar shtigje të reja të imagjinatës krijuese. Në këtë pikëbashkimi të traditës dhe transformimit, gjejmë dritën që na drejton nga e ardhma, ku arti nuk njeh kufij.

Ekspozita “Trunks & Trees” ka ofruar një vështrim në një botë ku arti dhe teknologjia gërshetohen për të krijuar pejsazhe me bukuri befasuese. Vizitorët nisën një udhëtim nëpër pyjet magjepsëse dhe korijet e qeta, duke u bërë pjesë e veprës në ndërveprim me hapësirën e animacionit, teksa lëvizjet dinamike të elementeve të ndryshme që merrnin jetë në tablo shpaloseshin para syve të tyre.

Duhet thënë se ishte bashkëveprimi dhe mirëpritja që piktori Abaz Hado, i bëri këtij bashkëpunimi të guximshëm, për të inkorporuar në veprën e tij tendencat dhe idetë inovatore që shkojnë përtej koncepteve të njohura mbi të bukurën dhe artin, mbi të gjitha, për mendimin mbi atë se çfarë mundëson e sotmja për të ardhmen në art, dizajn dhe teknologji.

Teksa shkelim me besim në territore ende të panjohura, nëpërmjet aplikimit të teknologjisë dhe mediumeve të ndryshme, ne jemi në gjendje të zhvillojmë potenciale për të krijuar një realitet që gjithnjë e më shumë i përafrohet fantazisë, sado e sofistikuar, komplekse, apo e “çmendur” qoftë ajo. Këtë realitet do të mund ta përkufizoja vetëm me një fjalë të shkurtër, frymëzuese dhe  të shenjtë që është: ART.

Exit mobile version