Kreu Letërsi Shënime mbi libra Gazmend Krasniqi dhe Vjollca Osja: “Kërkuesit”, një komedi moderne

Gazmend Krasniqi dhe Vjollca Osja: “Kërkuesit”, një komedi moderne

Hyrje

Cili është bekgraundi kulturor ku lind shkrimtari arbëresh Zef Skiro di Maxho dhe rrjedhimisht vepra e tij letrare, e në rastin tonë komedia në fjalë? Si shfaqet një komedi në një letërsi të cilën e njohim më së shumti për folklorin dhe poezinë lirike të shkollës romantike e me frymë patriotike?

Në studimet tona të traditës, vëremë se letërsia arbëreshe, me të drejtë, është parë si e rëndësishme, sigurisht në progresionin e kulturës sonë. Folklori paraosman i kësaj letërsie mbetet shumë sugjestiv. Poezia reflektive shqipe, edhe pse religjioze, fillon me Matrëngën thotë Koliqi, mendim i cili, për fat të keq, nuk është shtjelluar më tej. Sigurisht, nuk mund të harrojmë arritjet e kësaj letërsie me Varibobën. Mandej klimaksin me De Raden, poetin par exellance, i cili për herë të parë, e lidh letërsinë tonë me atë që ndodhte në Europë.

Në periudhën e realizmit socialist studimet tona janë treguar më të tërhequra, apo selektive, për shkak të parimeve të tij të cunguara, prandaj paraqitet i nevojshëm ridimensionimi. Për studiuesit e kësaj periudha figura e Zef Skiroit qe mjaft turbulluese sidomos për arsye të bindjeve të tij politike të gjykuara si të papërshtatshme. Më vonë, ringjallet interesi për poetët që vijnë pas Skiroit. Por këto qasje mbeten gjithmonë të pasistemuara, pasi pjesa e letërsisë që zhvillohej jashtë Shqipërisë nuk shihej në mënyrë integrale.

Çfarë mund t›i ofrojë tjetër letërsisë shqipe një letërsi si ajo?

Nga vjen Zef Skiro Di Maxho

Di Maxho hyn ndër poetët që ka pasur vëmendje në Shqipëri. Është botuar, është ftuar në evenimente të ndryshme, si dhe më vonë është antologjizuar. Po sa njihet krijimtaria e tij? Kjo pyetje do të vazhdojë të mbetet te ne, përderisa letërsia shqipe nuk shihet ende si një sistem letrar që ka marrë formë: nuk mund të ngrihet një mendim i drejtë nga disa botime sporadike.

Për të parë se sa organike është hyrja e tij në këtë sistem, duhet të kujtohemi se, kur hapet forma në poezinë shqipe, poetët që kanë krijuar vlera janë në proporcion me hapësirat e kulturës sonë. Emra për t’u përmendur, që flasin për vlera të veçanta, si Migjeni, Gaspër Pali dhe pas Luftës II Botërore, Zef Zorba, Martin Camaj. Kadare, Arapi, Azem Shkreli e të tjerë në Kosovë, një listë që nuk është konsoliduar ende, më tepër për arsye politike. Por, për të treguar se ky proces nuk është i varfër, përkundrazi, na ndihmojnë emra si Vorea Ujko, Del Gaudio dhe këtu del emri Di Maxhio.

Kush është, apo si hyn ai në letërsinë shqipe? Na rezulton se një ndihmë praktike në mësimin e gjuhës arbëreshe e jep kisha arbëroro-bizantine me leximin e epistulave dhe tropareve.Por si arbëreshët e tjerë ai e njeh letërsinë shqipe, rrjedhimisht atë arbëreshe, në universitet.

Me këtë bekgraund duket normale që poezitë në fillim t’i shkruante në gjuhën italiane. Por kjo zgjat derisa njëri nga pedagogët (papas Matteo Sciambra), i cili e  kishte këshilluar t’i kthente poezitë arbërisht, ia përcjell ato Zef Valentinit. Ky i fundit ia kalon Ernest Koliqit, vizionarit të madh të letërsisë shqipe në përgjithësi, por edhe i asaj arbëreshe në veçanti, i cili i  lexoi, i çmoi dhe i botoi në revistën e tij “Shejzat”.

Kështu Zef Skiro di Maxho, fillon të shkruajë arbërisht poezi në stilin e Ungaretti-t dhe rrëfime në stilin e Pirandello-s. (Kujtojmë se në studimet tona të deritanishme ndikimin e stilit të Ungaretti-t në letërsinë tonë e kemi lidhur vetëm me emrat e dy poetëve: Martin Camajt dhe Zef Zorbës.)

Komedia në fjalë nuk është e shkruar në vargje, por në prozë. Për të gjetur prozën arbëreshe mund të qëmtohen diskurset fetare. Duhet parë, bie fjala, një Schiro Plaku.

Siç e dimë, i pari që shkroi dramë qe F. A. Santori me Emirën, por vetëm dy aktet e kësaj drame u botuan në “Antologia Albanese” të De Radës dhe akti i tretë në revistën “Flamuri i Arbërit” (1883-1887), ndërsa botimi i plotë u bë në vitin 1984, shumë kohë pas vdekjes së tij.

I pari që botoi një libër në prozë – në vitin 1982 në Sicili – qe Di Maxho me komedinë “Dashuri magjike” (nëse do ta konsiderojmë modest vëllimin Tregimet e lëmit, të Solanos).

Tregimet e botuara në revistat Mondo Albanese, Katundi ynë, Biblos dhe Palimpsest, mund të mblidheshin në një libër.Ka, gjithashtu, një roman të pabotuar, me titull O mia bella Moorea, historia e të cilit i referohet ishullit me këtë emër, që ndodhet në Oqeanin Paqësor në Polinezinë franceze, ku arbëreshët kanë emigruar dhe kanë vazhduar traditat dhe përdorimin e gjuhës në një mjedis të ri. Sigurisht, një vepër që duhet ta gjejë rrugën për botim, edhe pse nuk vjen si një vepër tregu, por thjesht si pasuri kombëtare, në vlera gjuhësore dhe artistike.

Pra, Zef Skiro di Maxho ka çfarë t’i ofrojë letërsisë shqipe.

Në kërkim të çelësave të leximit

Le t’i kthehemi tekstit që kemi marrë në shqyrtim. Si hyjmë në botën e kësaj komedie?

Që në nisje, në aktin e parë, nëpërmjet didaskalisë, teksti fikson një topos identitar  “Në kënd të një rruge që del te sheshi i madh i Horës së Arbëreshëvet”, një topos që na bën të qartë se   nuk është më as Piana dei Greçi, që mund të na ngatërronte me ortodoksinë, por na e jep drejtpërdrejt identitetin e kombësisë.  A do ta gjejmë në këtë vepër Arbërinë romantike, siç jemi mësuar në librat e shkollës? A do ta gjejmë atë romantizëm ku shqiptarët kanë kërkuar fytyrën e vet eterne? Këto janë pyetje normale për lexuesin e traditës arbëreshe. Sidomos, atë të Shqipërisë.

Komedia zë fill me ardhjen e një akademiku shqiptar te Hora e Arbëreshëve, me misionin e kërkuesit të arit. Që këtu na nisin pyetjet: a përfaqëson ai, pra kërkuesi iluzionin e vjetër të arbëreshëve për të pritur diçka nga vendi amë? A do të shpërblehet më në fund aftësia e tyre konservuese, gjitha ajo që kanë bërë për kombin e ndarë prej 500-600 vjetësh? A do të dalë kombi më i pasur nga kjo? Mund t’i mendosh të gjitha këto, sepse komedia mban si datë krijimi vitin 1994. Pra, koha e një Shqipërie të dalë nga totalitarizmi absurd, me të cilin Arbëria mund të ëndërrojë të gjejë gjuhën e vërtetë tashmë. Shqipëria më së fundi po merr një fytyrë evropiane. Realiteti arbëresh mund të rilidhet me rrënjët. Sigurisht, si realitet arbëresh, siç na e kanë dhënë librat e shkollës gjithmonë.

Profesori- kërkues duket i mrekulluar nga shansi që i është dhënë, ndaj kërkon të ofrojë në sipërmarrjen e tij këdo që ka shpirtin e kërkimit. Dhe gjatë aventurës për t’i bashkuar, përballemi me situata humori që vijnë si rezultat i ngërçit në komunikim. Komunikimi vazhdimisht çalon ose ka nota absurdi, duke sajuar kështu situata gazmore, me keqkuptimet apo kalamburet e krijuara. Këto janë thjesht për të qeshur apo mbartin ndonjë kuptim? Është e vërtetë se të gjithë kërkojnë – studentja kërkon shoqen që t’i thotë ca fjalë, mikologu kërpudha,  kërmillologu kërmij,  koprologu aciditetin e dherave, një grua e re (përkurora) kërkon burrë, glotologia kërkon manifestimet gjuhësore – po pse akademiku e lidh çdo kërkim me kërkimin e thesareve? Sidoqoftë, ky kërkim i bashkon, edhe pse gjuha e komunikimit është një mishmash shqip, e folme arbëreshe dhe italisht.

Plotësohet numri shtatë dhe për akademikun shqiptar kjo është e mjaftueshme. Po pse shtatë, si në përralla?

Pse akademiku thotë të kërkojmë nëpër livadhe e lugina, duke i habitur vendasit? Meqë kërkimi nuk është i qartë në idetë e tij, kërkuesi pranon të flitet për gjetjen e një thesari. A do të kemi të bëjmë me një Eldorado të përgjakshme? Gjatë leximit, kur kërkuesi shpërthen i  entuziazmuar “Sa bukur”, “Sa bukur”, edhe për gjëra si futja e fjalëve nga gjuha siçiliane në arbërishte, na largohet ky mendim. A nuk po flasim për një Arbëri të konservuar, që ai entuziazmohet ashtu? Nga kjo pikëpamje, kërkuesi na largohet si figurë romantike apo realiste. Madje, në mendjet tona të ftohta profilohet si pseudokërkues. Përderisa nuk ka ide të qarta, as platforma, as objektiva, por i rrëmbyer nga ethet e kërkimit bën me dorë nga kodrat dhe lumenjtë e Horës, si vende ku mund të gjenden thesare.

Sidoqoftë, secili vesh pajisjet e profesionit të tij si kërkues. La professioni ë una cosa seria! U jam un professionista seriu!, thotë koprologu. Përkurora, që kërkon burrë, është veshur shumë elegante. E kështu me radhë.

Vetëm studentja është kujtuar për valixhet. Gjyshja (pse gjyshja- do pyesnim ne, a ka vlerë simbolike përdorimi i saj?) i ka thënë se te një shpellë mund të mbledhësh ar sikur po mbledh llapsana (lakra të egra). Vetëm se askush nuk ka arritur ta nxjerrë arin prej aty.

Sa e bukur kjo legjendë, thotë si gjithmonë, pa u dhënë shpjegim gjërave, akademiku shqiptar.

Pra, kërkimi duhet bërë te shpella e jo te lumi. (Pse te një shpellë, dhe jo te livadhi e lumi? pyesim sërish ne).

Siç e dimë nga mitet, magjia nuk zhbëhet lehtë. Duhet gjetur formula që e prish atë. Ndaj kërkuesit vihen në kërkim dhe gjejnë  pergamenën e shkruar në siçiliançen e vjetër (se asokohe, thotë oshënari, asnjeri nuk shkruante arbërisht; se gjuha publike, bashkë me atë latine, ish gjuha siçiliane), e cila u zbulon prishjen e magjisë dhe nxjerrjen e arit. Gjithë kjo atmosferë shoqërohet me situatat groteske të marrëdhënieve të kafshanjeriut me oshënarin; të oshënarit me kërkuesit; të kërkuesve ndërmjet tyre; të kërkuesve me injorantët të cilat e rrisin gradën e absurditetit. 

Që të nxirret ari jashtë shpellës duhet gjetur një “injorant” absolut, thotë profecia.

Që nga vjen a ku vete nuk e di,

e nuk di n’është i gjallë a i vdekur rri!

Vetëm ai e nxjerr thesarin në dritën e diellit. Injorant? Po ata janë të gjithë njerëz të studiuar.

Tani që kanë gjetur thesarin, atyre të shtatëve nuk iu vjen ta humbasin dhe duhet t’i binden profecisë, pasi oshënari dhe Njeriukafshë kanë harxhuar një jetë pa mund ta përvetësojnë thesarin.

Po kush do të pranojë se është injorant?

Mirëpo për pak kohë e gjithë Hora është dyndur te shpella.

Si zakonisht, akademiku nuk e mban entuziazmin: Sa e mrekullueshme! Arbëreshët më befasojnë çdoherë më tej!

Por magjia nuk preket prej tyre. Nuk janë vërtet injorantë, por thonë vetëm të rreme (rrena), sepse ata dinë dhe mund të bëjnë gjithçka.

Më së fundi, gjendet injoranti absolut, të cilit nuk mund t’i ftillohet identiteti: në kokë kamilafin e sipër kamilafit një kapelë prifti latin; rreth qafës një shami-skamandil me ngjyrat e skuadrës “Milan”; një këmishë skautisti e sipër këmishës brezin-fashën trengjyrësh të kryetarit të bashkisë; mbi brezin-fashën e sindakut ka një kriq-medaljon peshkopi; njëra këmbë e pantallonave-brekëve është si ajo e rojës së financës dhe këmba tjetër veshur me kostumin tradicional; një rrip-kurrijë moderne ka në mes pjesën qendrore të brezit tradicional; njëra këpucë është ajo e kostumit, tjetra ajo e tenisit.

Nuk i përgjigjet asnjë pyetjeje. Injoranti absolut përfaqëson humbjen totale të identitetit.

Në mënyrë sarkastike ari lirohet dhe njerëzit begatohen të gjithë materialisht. Kështu vritet e merr fund për ta Ideja e kërkimit. Zhbëhet thesari qindravjeçar.

Kjo nuk është gjë e re për krijimtarinë e Di Maxhos. Satira dhe sarkazma janë parë edhe në krijime të tjera të tij, si për shembull, te Poema arbëreshe, shkruar që në fillim të viteve ‘70. Atje kishim të bënim me poema të natyrës epike, ndërsa këtu jemi te një komedi që i ka respektuar ligjet e dramatikes. Këto ligje janë materializuar, pos ndarjes në akte, në:

1. Paraqitja – njohja e personazheve dhe paraqitja e qëllimeve të tyre (nëse mund t’i quajmë qëllime);

2. Thurja e intrigës – ngrihet grupi që do të bëjë zbulimin e arit

3. Kulminacioni – duhet gjetja e injorantit absolut

4. Ngadalësimi i veprimit – veprimi me injorantët sjell ngadalësimin dramatik

5. Zgjidhja – prishja e magjisë

Jemi te një stad tjetër i letërsisë arbëreshe. Gjejmë shtresa të panjohura të shoqërisë arbëreshe, të cilat letërsia nuk na i ka dhënë më parë. Në letërsinë ku pasurimi ka qenë gjithmonë shpirtëror, triumfon pasurimi material.

Përmendim elemente, shumë moderne, që janë përdorur për këtë ndërtim të pasur regjistrash stilistikor dhe dramatik:

 – befasia, e shprehur në të papriturat e shumta gjatë ecurisë së aksionit dramatik, sidomos me fundet paradoksale e të pahamendësuara,

kontrapunkti, që shfrytëzohet si element i kudogjendur midis personazheve, personazhit dhe situatës, personazhit dhe mënyrës së zgjidhjes së konfliktit, fjalës dhe veprimit, asaj çka thuhet dhe asaj çka nënkuptohet qartësisht etj.

ritmi i shpejtuar, që përfshin gjithë komponentët dhe shndërrohet në situatë

Pastaj, moskomunikimi deri në absurd është shumë i pranishëm, duke e afruar, të paktën, me teatrin beketian. Me gjithë përmendjen e elementeve të botës arbëreshe, komedia ka ngarkesë universale. Mund të montohet gjithandej. Shënimi hyrës: Në kënd të një rruge që del te sheshi i madh i Horës së Arbëreshëvet – na shtyn të mendojmë se kemi të bëjmë me një vepër realiste, me një vend të ngulitur në gjeografi, një qytezë arbëreshe – por neve që na vjen ndërmend se te arbëreshët realizmi ka qenë gjithmonë në periferi, na duhet të tregohemi të vëmendshëm që aty. Emërtimi “komedi” na shtyn ta përforcojmë këtë fakt, kur dimë se në zanafillë ajo lidhej me fundin e lumtur.

Teksti sjell të tjera elemente që pasuan komedinë antike, satirën e mesjetës dhe humorin e kohëve në vazhdim: satira e përdorur pjell humor, edhe pse fundi e bën atë një komedi të zezë.

Së shpejti, ndërsa lexojmë, na duhet të ngremë pyetjen: Meqë realizmi bie, vepra e artit po flet me alegori? Pra, a e ndërtojmë dot mendimin tonë të prerë dhe i japim fund çdo nënkuptimi, siç na mundëson alegoria? Pra, a i rrimë një leximi: Një herë një akademik shqiptar shkoi të kërkonte ar te arbëreshët në Siçili dhe fati e deshi që ta gjente atë?

Atëherë, pse emërtimi “komedi”? Alegoria e prerë na rri ngushtë.

Apo na duhet t’i sillemi rrotull, siç na sugjerohet në kohën tonë, për rastet e simbolit? Pyllit të simboleve, në kuptimin që i japin Tzvetan Todorov-i dhe Umberto Eco.

Si vepër moderne dhe e thellë ajo luan vazhdimisht me zhanrin dhe lejon shumë interpretime. Një prej tyre është parodizimi i epokës romantike: ne nuk mund të idealizojmë më si dikur. Por, njëkohësisht, as nuk mund të jemi realistë.

Prandaj një mallëngjim postmodernist, që na nxjerr nga qendra e gjërave, do të na bënte mirë.

Nganjëherë na shkon mendja se komedia kërkon të përcjellë idenë: Bota arbërore është nja vazo e thyeshme antike, që mezi u ka qëndruar kohëve – a mund ta shpëtojmë kur ta nxjerrim në dritë?  A mund të ruhet identiteti dhe kultura i një komuniteti përjashta habitatit ku ai jeton? A e rrezikon derdhja në botën e jashtme identitetin e tij?

Se çfarë mendon realisht Zef Skiro di Maxho për vendin e tij, duhet ta kërkojmë në bisedat private me shkrimtarin. Kur folëm një herë për personazhe që kanë dashur të bëjnë ndryshimin, por nuk janë mirëpritur nga konservatorët, ai e mbylli me fjalët, sigurisht konfidenciale, që tregojnë një dramë shpirtërore: Arbëria, vend të marrësh!

Por Zef Skiro si Maxho është shembulli që na thotë se shkrimtarët dhe intelektualët e saj nuk e humbin durimin dhe e thonë “fjalën” e tyre.

Gjuha e veprës

Kur mendojmë se Zef Skiro di Maxho është poeti dhe prozatori më i rëndësishëm i gjallë i arbërishtes, ia vlen të përsërisim se si e kujton ai momentin kur papas Matteo Sciambra shikon të botuara arbërisht në revistën “Shejzat” poezitë e para dhe thotë: “Ky është moment historik!”.

Unë, kujtonai, që kisha përvetësuar të gjitha shkrimet e Pirandello-s dhe lëvroja filozofinë që buronte nga veprat e tij dhe e vija në praktikën e jetës, nuk qesha për nderim ndaj priftit, por tani që jam plak dhe më kujtohen fjalët e tij, mendoj se ndoshta papas Matteo ishte edhe profet.

Vlera e kësaj komedie qëndron në mënyrë të veçantë te gjuha: aktivizimi njëherazi i disa të folmeve të cilat e vështirësojnë komunikimin, i vendos personazhet në situata qesharake. Dialogët kalambureskë, që janë të shpeshtë në këtë komedi, sugjerojnë kuptime përtej atyre që përftohen literarisht. Po ashtu, rrethin e sugjerimeve apo nënkuptimeve e shton edhe përdorimi me vlerë simbolike i elementeve të kërkimit, të arit, të shpellës, të enigmës, të numrit shtatë, të botës jashtë shpellës, të nonës (gjyshes), të injorantit absolut. Në më të shumtën, ajo që shënjohet literarisht nuk është ajo që duhet të nënkuptohet.

Dikotomia pasuri shpirtërore/ pasuri materiale përcillet nëpërmjet gjuhës ironike e autoironike. (Sa gjinde zmol ari: përpara arit edhe besa e nderi venë e fshihen!)

Gjuha e kësaj komedie shënon vërtet një arritje të çmuar me aftësitë finoshe të lojës dhe sinjalet e alarmit ndaj çdo virusi të jashtëm. Pra, vepra e tij nuk është vetëm një pasuri e arritjes artistike, por edhe një pasuri e arritjes gjuhësore që rrezikon të vdesë.

Të mos harrojmë se gjuha mbetet pasuria kryesore që ofrojnë shqiptarët në një bashkim evropian.

Exit mobile version