Drama “Toka jonë”, që ende sot është diku në skutat e kujtesës së disa brezave, në rrafshin e trashëgimisë së re letrare, është shkruar prej Kolë Jakovës. Për Kolën thuhet se qe njëri prej krijuesve të kulturuar të këtij vendi. Kurse për dramën që më pas është bërë edhe film, ka analiza që e çmojnë si një arritje mjeshtrore artistike edhe pse, për shkak të rrethanave të krijimit është ndërkohë edhe ideologjike me tepri. “Kam përshtypjen se aso kohe, por fatkeqësisht as më vonë, askush nuk e vuri re, madje as kritika, se Kolë Jakova kishte shkruar një vepër aq të mirë, sepse ishte mbështetur mbi një strukturë solide dramatike, duke e dekontekstualizuar atë. Ai, si njeri thellësisht i kulturuar që ishte, edhe pse komunist i thekur, kishte shkruar një vepër, struktura narrative e së cilës ngjante si dy pika uji me “Hamletin” e Shekspirit – shkruan Stefan Çapaliku , njëri prej lëvruesve më të spikatur të këtij zhanrri sot. (”Panorama”, 21 prill 2018).
Vepra qe shkruar në fillimin e gjysmës së dytë të shekullit të shkuar, saktësisht në vitin 1953, mbi ngjarjet dhe mendësitë e ditës. Të asaj kohe. Po, mbase vlera mjeshtrore e shkrimit të saj dhe e shkrimtarisë së autorit është edhe vetë jetëgjatësia e saj. Fundja është njëra prej dëshmive të pakta të besueshme , nëpërmjet së cilës, në të tashmen mundemi me krijue “idendikitin” e njeriut dhe gjithçka gjallon përreth tij të një kohe të gjatëdhjetë vjetëve të shkuar.
Është dëshmia më autentike e reformave të para që po bëheshin në fshatin shqiptar atëherë, kur kish nisë e po ndërtohej “bota e re” e fitimtarëve të zbritur prej malit. Që letërsia e mirë mund ta bëjë edhe më mirë se kronikat korrekte…Reforma agrare-zanafilla e kolektivizimit të tokës e të gjithëçkaje, që në vijimin e vet do të rezultonte fatale dhe do ta çonte krejt jetën e vendit në një degradim të frikshëm, duke humbur pronën mbi token, pronën mbi gjithçka që mund të ishte pronë e “pronën” e lirisë mbi të gjitha.
Ndaj largimi në kohë, por edhe nevoja e përhershme e kujtesës sonë kolektive, të dëmtuar rëndë për t’i evokuar ngjarjet a copat e jetës që përbëjnë një kohë (epokë), vjen si imperativ i vetvetishëm. Edhe për gjithsa ka ndodhë prej fillimviteve ’90 e deri sot, qasja vjen e njëllojtë dhe nevoja e njëjtë gjithashtu për ta patur “të arkivuar” atë segment kohe edhe sot pas tri dekadash. Nevoja për shpëtimin e kujtesës së bjerrun, është uluritëse tek ne. Si për rrallë e hiç popuj të tjerë kujtesëbjerrun si ne. Dhe është thënë se letërsia e bën më kujdesshëm se realiteti këtë gjë.
Këtë ka synuar edhe Salvator Gjeçi me librin e vet më të ri: “Margaritari i një çmendine”; diç të ringrejë e të ringjallë nga ai hon i madh i krijuar prej kujtesës së bjerrun. Andej vërtitemi përsëri edhe në romanin e Salvatorit; në Shënkollin e Bregut të Matës në Lezhë, fshat gjithherë i madh e me popullatë të ndërlikuar për kah shtresëzimet etnokulturore dhe sociale (pasunore). Me siguri për këtë shkak e pati zgjedh edhe Kolë Jakova si “teatrin” e ngjarjeve e dukurive te veprës së vet. Po edhe për shkak se e njihte mirë fort deri në thellësi krejt dinamikën e jetës së atyshme të asaj epoke. Edhe Salvator Gjeçi, njësoj a mos më mirë e ka njohur, veçse jetën e një tjetër epoke, gjithashtu në kapërcyell ndrrimesh…Dhe në analizën e vet të gjatë e të përimtë, bërë me mjetet shprehëse të letërsisë, ai ka vënë re se tek ne rrjedhin “…kohë me rregjime që përmbysnin njera-tjetrën, e prapë mbesin të ngatërruara bashkë.”
Fshati i pagëzuar Shënkollë qysh heret, në kohën antishenjt e antikrisht (komuniste) qe riemnue “Ylli i kuq”. Reforma agrare e kish rishpërndarë token e bagëtitë simbas parimeve-dogma të saj, pasunarët i kishte shpallë të deklasuar e i përndiqte si armiq, kurse kisha qe adoptuar në pallat kulture dhe… gjithë organizmit të jetës së shoqërisë i qe bërë një si transfuzion gjaku…
Pas nëntëdhjetës gjërat nis të hamendësohen si rikthim në identitet.
Gjithçka synohej të kthehej në identitet, si kudo. Gjithçka e fasadës, së paku po. Dhe këtu si kurdoherë me gjërat që lëvrijnë vetëm fasadave e larg thelbit zë fill e ngërthehet edhe ai humori gri në të zi. Edhe njerëzit gjithashtu, tashmë jo të mpitë po të zgjuar prej gjumit të gjatë letargjik lëvizin vrullshëm e me vrik, të çliruar prej diktaturës si “të zgjidhun hekrash”. Turmat në shumicë kështu. Por jo mjeshtrat e spërdredhjes…Të gatshëm e të paisur në perfeksion me artin e përshtatjes ata janë prap aty, në skalionin e parë të protagonizmit. Dhe këtu fillojnë e ngërthehen kumtet mbi ngjarjet e romanit, ngjarje që mbarten nga fundi i së shkuarës në fillimin e së së sotmes. Marengleni, i lindur njëherësh me “Yllin e Kuq”, ka lënë kështu emrin e vënë prej gjyshit, Irfan për t’ju përshtatur së “resë”. Në dekadën e fundit të rregjimit i ardhur si sekretar partie i rrethit, kurse në fillimkohën tjetër, pra në ’90-tën , menjëherë u shndërrua sa hap e mbyll sytë në Fanko, Fanko Caliko dhe pa shkuar shumë kohë, sekretari bëhet deputet i pushtetit të ardhshëm, duke mbartur emrin e përshtatur simbas nevojës së radhës. Si ariu i bardhë në përshtatëshmëri me akullnajat e Polit të Veriut. Ai që kishte imponuar arratisjen e Martinit vetëm se kish guxuar ti kushtonte një këngë dashurisë së vet fluide.E nuk lejon t’ia përdhosë “partia”, pra Marengleni, as ndjenjën e dlirtë të dashurisë për Anën, jo e jo e as këngën-kushtim për të. Arratisjen si shpëtim prej burgosjes së rëndë të tij dhe kalvarin e mëpasëm të të tijve. E kur Martini kthehet pas shtatë vitesh, i bindur e i lumtur që, më së fundi po kthehej në kohën e tij… tashmë Marengleni-Fanko, ish sekretari-deputet, arrin ta burgosë në demokraci sfidantin e vet të hershëm…Me akuzen si dhunues i pronës së tij, lokalit: “Mrizi i Zanave”, në parkun rinia, në Tiranë…Si në mizaskena sureale të teatrit absurd; sekretari armik i pronës tashmë pronar.
I pronës s’di se si të përfituar. Të “pagëzuar” me emrin e titullit të njërës prej veprave më të mira të poetit kombëtar të anatemuar prej tij e të tijve përgjatë krejt kohës së tyre. Edhe në ditën e shugurimit të kishës së ringjallur, prap protagonist ai (!) Kurse Martini, i arratisuri i rikthyer me bindje e shpresë për në kohën që e mendon si të tijen… gjendet prapa hekurave që rrethojnë lirinë…
Ironi e fateve të njerëzve, që ne e kemi ndeshë dhe e ndeshim rëndom në realitetin tonë të trishtë, Salvatori e dëshmon me realizëm artistik bindës e të përjetueshëm.
Ja pse “kohët me regjime që përmbysin njera-tjetrën dhe prapë mbesin të ngatërruara bashkë” është mirë të dëshmohen. E t’i ofrohen kujtesës, për të cilën njerëzia shqiptare sidomos ka nevojë si për ujin.
Letërsia e mirë e bën mirë këtë.