Për librin “Një kafe për shefin” dhe për autorin, Tonin Vjerdha
Skicat dhe tregimet e këtij libri, janë shkruar përgjatë një segmenti kohor, që i takon dy fazave të realitetit shqiptar. “Para dhe pas erës së re”, kishte me thanë shkrimtari i njohur i humorit dhe miku i autorit, Paulin Selimi. Para dhe pas viteve ‘90 pra, kur në Shqipëri fillon ndërrimi i sistemeve politike, atëherë kur veset dhe shfaqjet e tjera të shëmtuara të njerëzisë marrin tjetër trajtë dhe për rrjedhojë edhe trajtimi i tyre në letërsi sipas kategorisë estetike të së bukurës, formësohet në të tjera trajta e stil tjetër, gjithashtu.
Ato i takojnë gjysmës së dytë të viteve ‘80 deri në vitin ‘95 saktësisht, viti kur ky libër ka ardhë i formësuar në dorën e lexuesit. Disa prej tregimeve a skicave qenë publikuar në faqet letrare të gazetave e revistave të kohës, duke filluar te ajo studentore, emërtuar me emrin “Studenti”, te “Zëri i rinisë” a te “Hosteni”, mediumi i epërm i kohës për krijimtarinë humoristike e satirike.
Sa më sipër thënë, i bie që mendimi i parë që të grish mbas një arsyetimi të sipërfaqshëm është kontrasti i vjetërsisë së lëndës humoristike me të tashmen e ndryshme. Në një farë mënyre kjo është e vërtetë, por asesi kategorike. Servilë të të pushtetëshmëve, trashamanë e dallkaukë, analfabetë të shkolluar në dy fakultete, debatues shterpë që zihen “për mustaqet e Çelos”, policë injorantë e rryshfetxhi njësoj si xhandari komik dikur i ravijëzuar prej pendave të mprehta të humorit, gjen me dyzina edhe në të përditëshmen tonë. Po a duhej ribotuar ky libër, motivuar këso dore sot pas fiks tri dekadave ?
Apo për nostalgjinë e të pakthyeshmes që ka ikë, për mikun e rinisë dhe kohën e përpjestuar ndërmjet tokës e qiellit, që pezullohet në ty ? !
Patjetër që ka edhe një dozë të saj, të të gjithave përret saj, por që asesi nuk mund të ishte vetëm nostalgjia shkak i ribotimit. Ky mendim në ngërç zhdavaritet prej diçkaje tjetër më thelbësore. Diçkaje, që rri mirë përtej të shkuarës deri në të sotmen. Është kualiteti letrar i letërsisë së shkruar, forma e zhdërvjelltë e lëndës që trajtohet, mjeshtria shkrimore e dallueshme, që i bën ato të lexueshme me ëndje edhe sot. Gjë që nuk ngjet gjithëherë dhe, besoj se këtu është edhe thelbi i pikëpamjes se arti nuk vdes kurrë edhe kur autori është ndarë nga ne e kur ndërmjet shkrimit të saj dhe të sotmes ka një distancë. Atëherë letërsia e shkruar prej tij shpërfaqet në mënyra të reja perceptimi. E receptimi i saj nga lexuesi vjen gjithnjë grishës.
Historia e këtij zhanrri të shkrimit, sidomos e shkrimtarisë së humorit e të satirës e bën të patjetërsueshme këtë sentencë. E bëjnë shembuj e panumërt të shtrirë në kohë mjaft të mëherëshme. A nuk lexohen sërish me ëndje sot, “Don Kishoti” i Servatesit (1547-1616), Shvejku, “Ushtari i mirë Shvejk” i Jarosllav Hashekut (1883-1923), “Gomari i Babatasit “ e “Anzat e Parnasit” të Fishtës (1871-1940) apo Zyloja, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit (1931-2017) ? … E shumë e shumë të tjerë, se rendi i thesareve, krijuar në përvojat më të mira të kohëve është i pafund.
Nën shembullin e mjeshtrave, artin e të cilëve e kishte bërë qysh heret pjesë të qenies së tij krijuese, Tonini nuk pati qenë asnjëherë dorëlëshuar në zejen e të shkruarit. Përkundrazi, ekzigjent e sqimatar, me shije të imtë e të lëmuar, me humorin e hollë e plot kulturë, shenjë e krijuesve sa inteligjentë po aq edhe sensitivë.
Unë jam besimplotë, jo vetëm në cilësinë e botuesit , por dhe të shokut të ngushtë të Toninit se nuk ka qenë dhe aq e vështirë ta tejkaloj nostalgjinë e kujtimeve. I jam mirënjohës mardhënies së tij besnike me humorin, mjeshtrisë së përkorë të rrëfimtarisë së tij, e cila vjen po aq e dallueshme edhe sot pas tridhjetë vjetësh. Jam i bindur se Tonini i paharrueshëm, na ka ndjekë në këtë sipërmarrje atje prej botës së hyjnishme të qiellit. Jo me nënqeshje për çka po bëjmë, siç bënte ai me gjërat e papëlqyeshme…, po me buzëqeshje. Ashtu sikurse unë dua ta kujtoj gjithmonë.
Nga botimi i parë, qershor 1995
Për lexuesin
Para se të dilja me këtë libër, mora mendimet e disa të njohurve të mi.
– E ke punuar thellë, por nuk e ka numrin e bimëve për hektarë – më tha një agronom, duke fshirë hundët me një gjethe hardhie.
Ia dhashë një mjeku dhe ai më tha se në përgjithësi është libër i pastër, ka sterilitet. Natyrisht. që më gëzoi shumë. Në fund të fundit kjo pastërti po na mban gjallë. Një aktor estrade më tha se nuk më bën të qesh, pasi unë qesh vetëm kur interpretoj vetë. Dhe unë e lashë të qeshte me vete aktorin…
Ma kërkoi dhe një inxhinier ujërash për ta lexuar, por të them të drejtën atij nuk ia dhashë, pasi pata frikë. se do të më thotë: ku e ke marrë ujin që ke futë në libër e do të më kërkonte dhe tatimin. Ndaj s’po e zgjas, po e jap për ju lexues, veçse me një kërkesë për të gjithë: ma lavdëroni librin ju lutem se më bëni qejfin!
Autori