Kreu Letërsi Shënime mbi libra Frano Kulli: Fytyra-maskë që shpërlahet me një lirikë

Frano Kulli: Fytyra-maskë që shpërlahet me një lirikë

Dy fjalë për romanin “7 Maskat e Javës” të Melita Vjerdhës

Nga libri me poezi “N’teh” tek “7 Maskat e Javës”, që është titulli i librit të parë në prozë edhe pse duket nji kapërcim kurajoz gjendjesh krijuese, kjo është vetëm dukje. Edhe formë e gjini; nga poezia në prozë. Thelbi, substanca, trajtesa estetike e saj nuk ndryshon edhe aq. Gjindemi në hulli, sa të njëjta, gjithaq të përafërta. Jo vetëm pse përfund çdo dite të ditarit ngërthehet një poezi, jo vetëm pse ç’do ditë-maskë “shpërlahet” me një lirikë. Nëse “N’teh “është njellje që të josh si lexues për të hyrë nëpër rrugina motivesh të vetvetishme e po aq aromash delikate, herë herë të brishta gjithashtu, maskat vijnë si një gjendje “e ngrirë”, një artific që veçse në formë shëmbëllen me fytyrën. Maska nuk është frymë, nuk gjallon, maska është fshehje e asaj që, në të vërtetë je, bile bash e kundërta e fytyrës, duke qenë krijuar si mbulesë e saj. Ajo ka lindë vetëm për këtë shërbesë. Modeli funksional i shoqërive të përbëra nga qenie të frustuara, që rrethanat jetësore ua përthajnë purpurin e fytyrës me përdorimin me tepri të maskës… Unë besoj, se këtë ka dashtë të na kumtojë Melita Vjerdha në romanin e saj të titulluar kështu. Dhe maskat nuk janë gjë tjetër veçse remet (enët) e shkrimësisë së saj, për të gatuar lëndën romanore, sa më të shijëshme për lexuesin që do ta shijojë. “Brumi” që autorja don të gatuajë është i saji, i ardhur mirë e aspak i marrun uhâ (hua). Duke dizenjuar me modesti e pa pritëshmëri të epërme gjurmën e saj të përvetçme në këtë fushë. Nuk e ndjen të nevojëshme të lundrojë në ujra të panjohuar të fantazisë, përkundër ndalet e lëvron në parcela jete ku ndjehet më familjare dhe e sigurtë. Rurale qofshin ato a metropolitane. A të dyja. Dhe në kontrastet ndërmjet, por dhe në bashkëjetesën e tyrë paqësore ajo ka vendosë ngjarjet e romanit… Maska si simbolikë gërshetohet me mënyrën lineare të rrëfimit të ngjarjeve dhe si e tillë edhe ngrehina e romanit ndërtohet më shumë me teknikë të përthyer simbolike.

               Java rridhte për ta gjithmonë njësoj, me shtatë mëngjese që hapnin dritare të ndryshme mbi të njëjtën jetë. Zgjoheshin çdo ditë me një rol të ri mbi supe, i lehtë në mëngjes si një maskë që vihej kollaj, i rëndë në mbrëmje, kur maska duhej hequr e destinuar për t’u ndërruar pafundësisht.

               Një jetë e marrun me kaq lehtësi sa bërja e thonjëve, zgjedhja e ngjyrës së manikyrit a fryrja e buzëve, o rimeli i qerpikëve. Aq sa shkujdesja e partnerit të jetës për to vjen e pezullon e e rropos marrëdhënien mbi të cilën kishin ndërtuar themelet e bashkëjetesës së tyre familjare. E betimi në ditën e kurorëzimit të lidhjes me martesë: “Unë, të marr ty për bashkëshortin/ bashkëshorten tim/e dhe të premtoj se do të të jem besnike në të mirë e në të keq, në shëndet e në sëmundje dhe se do të të dua e do të të respektoj çdo ditë të jetës sime, derisa vdekja të na ndajë “, shkrihet më shpejt se kripa në ujë. Fluturon si tollumbacet e shkumës së sapunit prej frymës në lojën e fëmijëve. Vjen si pluhur i së shkuarës që duhet shkundë.

               Ngjet kështu kur edhe nën maskën e ditës paska qenë e mbuluar prap një tjetër maskë dhe jo fytyra. Kur vetë lidhja paska qenë “e paftyrë”, e pa shpirt; pa ndjenjë të thellë, po edhe aspak e njimendtë, gjithashtu.

               Tek po shtrinte dorën të largonte vazon me lule nga tryeza, vuri re një zarf nën vazo. E mori vetëtimthi dhe e lexoi me një frymë. Pas leximit, iu turbullua shikimi dhe vajti e ra shakull në karrige…Në letër shkruhej:”Mos më prit, nuk do të kthehem më. Paç fat, Egla.”

               Kështu, e ardhmja e partnerit Enea, e varur në fije të perit, këputet e rri varë në pezullí. Varë në ndjesitë e fikëta, që as vetë ai se di se mund të rindizen. Por kjo ngjet  e zgjat vetëm aq sa zgjat pezullia, e derisa krijohet një gjendje e re, një rrethanë e bindëshme prej atyre që jeta vetë të ofron , shpesh edhe kur s’i pret.

               – Mua më duhet pak nga qetësia jote dhe ty pak nga puna ime.

               – Mos po thua që…

               – Po, Stela, dhe nëse ti je dakord, unë do të vij atje në mal për pak kohë, ndërsa ti eja dhe ma mbaj dyqanin këtu ku jetoj unë.

              Por… unë… epo mirë… – psherëtiu Stela. – Dëgjohemi nesër. Dhe mbylli telefonatën

               Më pas vijnë fletët monologuese meditative të ditarit, përzgjedhje stilistike e autores,  pjesë komplementare e shpërfaqjes së protreteve të personazheve, që mbajnë përmbi vete secili kryqin e vet duke synuar secili bregun e shpëtimit. Ndërsa sa i takon strukturës: më duket interesante që landa fiction ngjet në shtatë ditë edhe narrativa ec me të njëjtin ritëm, gjithashtu. Teksti është i shkruar më shumë si prozë poetike. I kursyer , i përzgjedhur me sqimën e poetes. Në këtë linjë ecë edhe mbyllja e çdo dite me nji poezi. I begatë me fonema pak të përdorura, me ngulm të vetëdijshëm për të skicuar siluetën e vehtjes krijuese, po më shumë një mozaik të vehtjeve të ngjashme. Duhi e vrazhdë, borë e vrêjtun, frymë e ngecur ndër dhëmbë, me i pa fjalët në sy… Ose  njerëzit bënin kryqin fshehurazi dhe fuguret i ruanin në arkat e vjetra të gjysheve. – krejt autentike dhe që i përkasin një areali të përcaktuar mirë; të pangjashëm tjetërkund. Mjaft më këndshëm kështu. Sesa përdorimi i shpeshtë i fjalëve : katund e qytet. Gërshetimi i modës tradicionale të jetesës me modernitetin e të përditëshmes edhe pa përcaktuar skenografi të tyre, mua më duket se rrinë mirë. Atmosfera e situatave dhe teatri ku ato luhen ndjehen e preken fillim e mbarim…

Në teatër me perden që nuk ngrihet kurrë

Aktorët janë të njejtët

Vetëm maska ndryshon

Njëri sot mbanë frak

Nesër uniformë

Por replika asht gjithmonë e shkrume

Nga një dorë

Që nuk duket

Exit mobile version