Kreu Letërsi Shënime mbi libra Floresha Dado: Kureshtje për romanin e ri të Mira Meksit, “Bitëllsat i...

Floresha Dado: Kureshtje për romanin e ri të Mira Meksit, “Bitëllsat i vranë para mesnatës”

PARATHËNIA

Pse e nis shënimin tim me interpretimin e Parathënies që shoqëron veprën ?

Po ta keni vënë re pothuaj gjithë romanet e Mira Meksit paraprihen nga parathënie të shkruara nga vetë autorja. Duket që, në konceptin krijues të saj, parathënia nuk jep shpjegime mbi përmbajtjen e romanit, mbi synimet e veprës, por realizon shumë më tepër se kaq; është  rrëfim i një procesi vetiak të ngjizjes së romanit, i pikënxitjeve, sa të vetëdijshme aq edhe intuitive. Por, duke mos synuar të zbulojë kuptimin e veprës, Parathënia shfaqet, tërthorazi, edhe si një ‘kurth’ i këndshëm për lexuesin; me mjeshtëri dhe ‘marifet’ të bukur, i ngacmon atij kureshtjen për t’u zhytur në faqet e romanit. Siç është edhe e gjithë krijimtaria e Mirës, pas thjeshtësisë dhe rrjedhshmërisë së narracionit fshihet një proces jo i zakonshëm, ku realiteti, vëzhgimet e mprehta gjatë jetës, janë gjurmët, që, siç shkruan ajo, ‘vënë intuitivisht në lëvizje mekanizmin e shkrimësisë’. Me Parathëniet e veprave të saj romancierja i komunikon paraprakisht lexuesit rrethanat e mundimit të brendshëm të një ‘idengulitjeje’. M.Meksi synon të zbulojë, aq sa mundet, vetveten ! Gjithashtu, ajo synon të dëshmojë se veprat e saj nuk janë thjesht trillim artistik, kapriço të procesit krijues, por gjurmë të një përjetimi të hershëm dhe të një pune kërkimore të mundimshme, të jashtëzakonshme. Kështu, në këto parathënie-komunikimi paraprak, lexuesi mëson se proza e M.Meksit ka brenda si fillim një mbresë të fuqishme e ngulitur në pavetëdijen e saj, që papritur zgjohet, nxit vullnetin dhe kureshtjen për të kërkuar, gërrmuar, zbuluar ngjarje që kanë kaluar, apo janë fshehur, apo janë fshirë nga koha…Rrethanat historike, përvojat individuale dhe faktet e shumta të kontekstit të kohës, të përmendura shkarazi në Parathënien e librit, paralajmërojnë vërtetësinë dhe seriozitetin e krijimit artistik; suksesi i prozës së saj  e ka burimin pikërisht në kombinimin e faktorëve, sa të vullnetshëm aq edhe intuitivë, se gjatë procesit krijues zbulimi i fakteve jetësore i nënshtrohet, në shkallë më të lartë, ligjësive të një procesi specifik të trillimit artistik.

Nga brendia e parathënies së këtij romani kuptojmë edhe se një energji gati mistike ka shpërthyer nga brendësia e shpirtit të prozatores, për t’u  rishfaqur dhe formësuar në trajta të reja, përmes misterit të procesit krijues. Parathëniet (kam parasysh gjithë romanet e saj) paralajmërojnë, gjithashtu, përjetimin e procesit krijues  të autores si drejtim i shpirtit te hyjnorja, te roli metaforik që i jepet profecisë, besimit.  Kjo ndjeshmëri e brendshme, shpirtërore e prozatores zbulohet thjeshtë, por në thellësinë e vet. Prandaj mendoj se gjithë parathëniet, me të cilat autorja paraprin romanet e saj, janë pjesë të rëndësishme të kuptimit artistik të veprës si dhe të njohjes së laboratorit krijues të saj, janë, tërthorazi, njohje e vetë shkrimtares, e vetëdijes dhe intuitës krijuese të saj.

SA PLANE NDËRTOJNË STRUKTURËN KUPTIMORE?

Është kombinimi i tre planeve subjektore : ai i dashurisë tragjike të personazhit Adi (‘Xhon Lenoni’ i bitëllsave të Tiranës) me Ganimeten e bukur dhe të fisme; filozofia e ritualit mistik të profeteshës Sarë, si themel i boshtit artistik-kuptimor; fundi tragjik i personazheve në përqasje me dy anëtarët e grupit muzikor të Bitëllsave të Liverpulit.

Arkitektura artistike-kuptimore mund të shihet edhe në një plan tjetër: Tirana në periudhën e shkurtër të lirisë dhe modernizimit të saj, vitet ’60, dhe Tirana e diktaturës së ashpër, pas viteve ’70. Në kombinimin e këtyre linjave  mund të jemi para dilemës së karakterizimit të romanit sipas raportit midis patosit lirik dhe atij dramatik. Lirizmi i përket dashurisë së ‘përjetshme’ të Xhonit dhe Ganimetes, dashurisë së grupit të ‘Bitëllsave të Tiranës” për muzikën, lidhjes së shenjtë midis tyre në pasionin për krijimin e këngës, dashurisë për një jetë të lirë e dinjitoze… Ndërsa dramatizmi është aty, ngjitur me personazhet, në pushtetin e shtypjes së lirive… Në vështrim të parë struktura e jashtme e romanit “Bitëllsat i vranë në mesnatë” është e thjeshtë, me kapituj të vegjël, që emërtohen  Faqe e re, të cilat mbartin episode që shfaqen, ndërpriten dhe rishfaqen për të  kombinuar planet kryesore. Ato përbëjnë pjesë të rrëfimit të plotë, i cili në kapituj të veçantë merr edhe fytyrën e raporteve të ‘reales’ me episode mistike, imagjinative. Por vlera e romanit i takon strukturës së brendshme, e cila qëndron mbi një bosht themelor : DASHURIA E VRARË, në kuptim të gjerë ; është vrasja e dashurisë njerëzore dhe vrasja e dashurisë për lirinë.  Përplasja midis lirizmit dhe dramatizmit, mbizotërimi i njerit mbi tjetrin, i jep një tingëllim të veçantë romanit, si për kuptimin artistik, ashtu edhe për specifikën e llojit gjinor.

Si mplekset patois lirik me patosin tragjik ?

Episodet nuk ndjekin një kronologji të rrjedhshme, fatet e personazheve zbulohen, për të rifilluar nga fillimi, rrëfimi ecën, papritur ndërpritet dhe kthehet pas; kjo krijon parandjenjën  ogurzezë për fatet që i presin ata. Kështu ndodh me Adin (i quajtur nga të rinjtë Xhon Lenon), Ganimeten e bukur dhe krenare, drama e së cilës është se i përkiste një familjeje të pasur… Sfida e përballjes së  lirikes me tragjiken përbën linjën më emocionuese të romanit: dashuri e përjetshme dhe fund tragjik i personazheve. Në kuptimin filozofik dashuria sfidon vdekjen. Po ashtu, edhe dashuria për lirinë e këngës së shpirtit mbetet e përjetshme (dorëzimi i fshehtë i partiturës së këngës së bitëllsave të Tiranës te muzikanti i madh Xhon Lenon). Është shpirti i një brezi të tërë, shkruan autorja .

Dashuria midis lirizmit dhe tragjikes, dy ndjenja rrënuese ndaj njera tjetrës, që përplasen, sfidohen dhe, tragjikisht, njera e mund tjetrën. Është po aq tragjik simboli i dy pëllumbave me dritësim të kaltër, që fluturojnë por humbasin shpejt për të mos u dukur më (përjetësia e lidhjes së Adit dhe Ganimetes)… Gjithashtu, përqasja virtuale e dy grupeve të rinjsh të apasionuar pas këngës, me vlera të jashtëzakonshme muzikore, njeri në Tiranë, tjetri në famën dhe lirinë e përtej Shqipërisë, është sa sfiduese, aq edhe tronditëse, sidomos për brezin e ri: Bitëllsat e Liverpulit ‘fluturojnë’ në ëndërrat e tyre, rrëmbejnë zemrat e njerëzve, sidomos të rinjve, në mbarë botën, kurse “Bitëllsat e Tiranës”,  kur duan të fluturojnë, i zhysin në thellësinë e zezë të detit. Lirizmi i mundur nga tragjikja!  Vepra përshkohet nga një realizëm drithërues. Ngarkesa emocionale rritet me kreshendo të shpejtë, që, në mbylljen fatale të romanit, i mban frymën lexuesit. 

Në prozën e M.Meksit rrëfimi është  parim artistik i rëndësishëm për ndërveprimin midis brenda dhe jashtë tekstit. Kështu, përtej rrëfimit ‘të dukshëm’, që ndërton marrëdhënie, situata të një realiteti artistik interesant, rrëfimi i përket në radhë të parë lëvizjeve në shpirtin e personazheve, përplasjes së heshtur me ndëshkimin, përndjekjen e shpirtit të lirë. Rrafshi i historisë tragjike të “Bitëllsave të Tiranës”  është shtrati i veprës, intriga që i jep romanit një shtrirje më të gjerë. Përballja e përndjekjes diktatoriale me lirinë e shpirtit njerëzor, ngazëllimi dhe drithërimi i grupit të muzikantëve të rinj shqiptarë përballë tingujve dhe zërave të Bitëllsave të Liverpulit, të një vendi të lirë, nuk krijon vetëm keqardhje te lexuesit e sotëm shqiptarë, por njohje më të gjerë mbi realitetin e kohës, që sot të rinjve mund t’u duket gati i pabesueshëm. Në dallim nga romane të tjerë të kësaj autoreje, ku thellësia e strukturës së brendshme kuptimore është më e ndërlikuar, te “Bitëllsat i vranë në mesnatë”, lidhja midis dy strukturave, asaj sipërfaqësore dhe të brendshme, është më e drejtpërdrejtë, pa shumë mistere  e dilema. Personazhet, që nuk janë të shumtë në numur, nga njera anë mbartin intrigën në raportet midis tyre, nga ana tjetër mishërojnë secili motivin e thurjes së kësaj strukture narrative. E kemi vënë re se në këto struktura të disa veprave të M.Meksit teknikat poetike, ndonëse në vështrim të parë duken të thjeshta, krijojnë marrëdhënie  tronditëse midis shkakut dhe pasojës, midis dy planeve dhe kohëve që ndërlidhen me njera tjetrën. Thjeshtësia e rrëfimit dëshmon se prozatorja M.Meksi nuk ka kompleksin e ndërlikimit strukturor dhe rrëfimtar, e abuzimit me trajtat e çuditshme të ligjërimit. Proza e saj është rrëfim modern, sepse Mira njeh në thellësi vlerat e fjalës shqipe,  i referohet asaj me aftësinë  për ta rikrijuar artistikisht. Stili dhe botëperceptimi modern janë në brendësi të shpirtit të saj krijues, në filozofinë që i përcjell lexuesit, në aftësinë për të krijuar lidhjen metaforike midis personazheve dhe situatave, dhe, sidomos, në raportin që ndërton me hyjnoren, si shpëtim për njerëzimin.

FILOZOFIA E LINJËS SË PROFETESHËS  SARË 

Përbën thelbin e romanit, boshtin kryesor kuptimor.

Kam shkruar se realizimi artistik i raportit midis ‘reales’ dhe nëntekstit filozofik përbën vlerën themelore të pikëvështrimit artistik të Mira Meksit, pothuajse në gjithë korpusin e saj romanor dhe tregimtar. Gjithashtu, është e dukshme që në shumicën e romaneve të saj zbulohet me ndjeshmëri, gati mistike, besimi tek Pushteti Hyjnor; në një aspekt kemi gjetur edhe lidhjen shpirtërore me misticizmin hebraik. Aspekt i brendshëm i intuitës krijuese të saj është filozofia “e kabalës profetike”, “një rrymë mistike hebraike që ka si qëllim arritjen e bashkimit me hyjnoren nëpërmjet meditimit, duke zgjuar te njeriu ndërgjegjen profetike”, shkruan rrëfimtarja-autore. Prandaj dhe konceptimin e grupit të muzikantëve të rinj ajo e ka zhvilluar si një ndjeshmëri të brendshme “për t’u bashkuar me hyjnoren nëpërmjet frymëmarrjes, muzikës …”. Autorja zhytet në thellësinë e monumenteve-dorëshkrime të vjetra, siç bën në disa krijime të saj, për të ndriçuar një marrëdhënie hyjnore… Raporti midis profecisë së plakës Sarë dhe ndjeshmërisë e misionit të brendshëm të Xhonit shqiptar përbën thelbin e veprës.  Biseda alegorike e profeteshës Sarë dhe rituali mistik i saj i zbulon atij një univers tjetër, i nxit bindjen të kërkojë rrugën drejt nisjes së një viti/kohe tjetër ku do të rilindëte nga vetvetja… Koncepti i filozofisë hebraike të rimishërimit shfaqet edhe në këtë roman. Procesin e kësaj rilindjeje, si proces alkimik, profetesha e përshkruan në tri faza, që sjellin “kalimin nga errësira në dritë”. E gjithë kjo linjë rrëfimtare mistike thellon kuptimin mbi realitetin shqiptar të periudhës së diktaturës. Koncepti i ‘Portës së fshehtë të Kohës’, i vlerësuar në disa tradita të lashta të njerëzimit, ndan fundin e një bote dhe fillimin e një bote tjetër; është alegoria e dëshirës së një shpirti të përndjekur nga djajtë e realitetit. Dilema e Adit se “ ekziston një kohë e pakohë, disa ditë që nuk janë as e shkuara as e ardhmja. Si një ngrirje kohe… Kjo, mesa duket, quhet Porta e Kohës. Se çfarë ndodh kur njeriu bëhet i ndërgjegjshëm për këtë fenomen, këtë nuk e di. Ndoshta plaka Sarë e ka përgjigjen”, është moment vendimtar për të marrë mesazhin filozofik që profetesha zbulon për hapjen e Portës së Kohës… Kalendari i gjashtë ditëve të fundvitit, që përgatisnin hapjen e Portës së fshehtë të Kohës, është metafora e madhe për daljen në një jetë tjetër, ‘kalimin rishtues’, që zbulohet në sqarimet e plakës Sarë.  Kapërcimi i kësaj hapësire kohore është ëndërra, sakrifica, shpresa për një botë, drejt së cilës personazhi, bashkë me anëtarët e grupi të bitëllsave, ëndërrojnë të shkojnë. Filozofia e mendimit sa është e drejtpërdrejtë, aq edhe e sofistikuar, përmes mistereve të thënieve dhe ritualeve të profeteshës, si vlera themelore e kuptimit artistik të romanit.

Imagjinata mistike e prozatores zgjeron sfondin filozofik të idesë së kapërcimit nga një botë reale në atë mistike. Kështu, skena e takimit halucinant të Xhonit me murgun, që shkroi dhe rishkroi Biblën e Djallit, (dorëshkrim i rëndësishëm i mesjetë, shekulli XIII) në pergamenë ‘të dlirësuar’, i jep intrigës një shtrirje tjetër, një ndërlidhje të realitetit shqiptar (tërthorazi) me pushtetin e djallit në këtë realitet, ku ‘Zotin e kanë rrëzuar, mohuar, e kanë përzënë”. Motivi i zbulimit të portretit të djallit në të, ujdia e murgut shkrues të dorëshkrimit me djallin, për ta vendosur portretin e tij në libër, që të shpëtonte veten, por edhe e fshehta e pamjes së këtij portreti, merr një kuptim të gjerë për realitetin shqiptar. Sarkazma mbi nëntekstin filozofik dhe historik është tronditëse : “ A nuk është e epërme? Libri i të Përjetshmit  dhe dijes së njeriut me vulën e kthetrave të djallit! T’u duk përqeshës ? E ndjeve se si tallet e përtallet me atë që i preu flatrar, që e përzuri nga mbretëria e qiellit dhe e rrokullisi teposhtë për të zezën e njeriut ?

Në cinizmin e tij murgu argumenton praninë e portretit të djallit në këtë dorëshkrim të lashtë me nëntekstin se “djalli në tokëështë burimi i tundimeve, të të gjitha llojeve, nga ato në dukje të pafaja dhe gjer tek më lapërdharet që molepsin, degradojnë, nxirojnë dhe humbin shpirtin !”. Simboli i ‘Biblës së Djallit’ vjen në roman për të treguar paralelizmin me djallin e kohës moderne, “ku Zotin e kishin shembur, ku shërbesat e tij i kishin masakruar dhe objektet e idhujtarisë ndaj perëndisë i kishin bërë shkrumb…” Boshti i kësaj linje është këshilla e murgut shkrues që në një vend pa Zot dhe me djaj lipset që shpirti t’i shitet Zotit. Nënteksti filozofik i romanit merr një drejtim tjetër të ri: në vendin e djajve të kuq duhej rishkruar një vepër me dorën e Zotit; ky mesazh biblik i murgut për Xhonin, bëhet motiv i revoltës dhe dramës së Bitëllsave të rinj.

Nga ana tjetër, simboli i ikonës së Shën Mërisë (motiv i rëndësishëm në disa romane të  Mirës), që personazhi e ka të puthitur mbas trupit, mbart gjithnjë filozofinë e rilindjes shpirtërore, besimin te Hyjniu, burimin e kthjelltësisë së mendjes dhe guximit. Rishtimi i personazhit ndodh tashmë, mbas takimit haluçinant dhe mbas kalimit haluçinant  të Portës së Kohës së fshehtë,  Xhoni i Bitëllsave të Tiranës bëhet i vetëdijshëm për një veprim të guximshëm…  Krijimtaria e Mirës i jep dritë të vazhdueshme besimit të saj në pushtetin hyjnor, në forcën magjike të  ikonës së Shën Mërisë, e cila  arrin ta qetësojë Xhonin e Tiranës, t’i japë forcë dhe dritë në sytë e tij.

Filozofia e shpëtimit shpirtëror rrok, në roman,  edhe grupin e Bitëllsave të Liverpulit, që e kërkojnë procesin e lartësimit të shpirtit larg botës së perëndimit, përmes meditimit transhendetal në tempullin hindjan të Rishikeshit, në Hindi. Vjen një moment në jetën e njeriut që , siç shkruan autorja “Kishin nevojë t’i iknin nga sytë këmbët suksesit dhe lavdisë planetare, që u kishte pështjelluar gjakun më ligsht se droga. Kishin nevojë të gjenin një tjetër drejtim shpirtëror…”. Janë dy përqasje të çuditshme : nga njera anë rishtimi i Bitëllsave të Tiranës, për të kapërcyer në një botë tjetër, ku fitimi i lirisë ishte sakrificë dramatike dhe tragjike; nga ana tjetër dëshira e djemve të famshëm anglezë për t’u përshtatur me filozofinë e meditimit transhedental, në një botë tjetër magjike, (të ndryshme nga ajo e bitëllsave tiranas), larg një bote ku sundonte edhe rrëmuja, lakmia, ku “as lavdia dhe as kërcënimet me vdekje nuk i arrinin dot”, atje ku frymëzimi krijues i këngëve të reja ridhte me qetësinë shpirtërore të një mentaliteti dhe bote tjetër. Pra, ka një përqasje midis dy grupeve: kërkimi i një bote tjetër, por motivet dhe ajo çka u mungon, janë të ndryshëm. Në këtë përqasje pajtimi dhe kundërshtie Mira Meksi i jep një kuptim më të gjerë boshtit subjektor të romanit. Përtej kuriozitetit, sidomos për linjën e zbritjes së shkurtër në Rinas të dy këngëtarëve të grupit të famshëm, thellohet kuptimi i marrëdhënies midis dy grupeve, që ishin takuar vetëm përmes këngës, njeri grup – talent i admiruar botërisht dhe grupi shqiptar – talent i kërcënuar, i fshehur në një realitet tjetër. Një mendje krijuese origjinale, një fantazi artistike funksionale, si e M.Meksit, u jep tematikave të romaneve të saj përmasa të veçanta të kuptimit artistik.

Kjo linjë, shumë interesante sidomos për lexuesit e rinj, mban në vetvete edhe rrezikun  e leximit, përqëndrimin vetëm në sipërfaqe të rrëfimit, duke rënë në kurthin e kuriozitetit të zbritjes në Rinas dhe kalimit një natë në hotel Adriatik, në plazhin e Durrësit, të  John Lennon-it dhe George Harrison-it, anëtarë të grupit të famshëm të Bitëllsave, apo dhe të kuriozitetit për grupin e muzikantëve shqiptarë, të ashtuquajtur ‘Bitëllsat e Tiranës’, pa përjetuar thellësitë e veprimit dhe trillimit artistik në kuptimësinë e raportit mes dy grupeve.

Gjithsesi duhet thënë se linja e filozofisë mistike të plakës Sarë, ideja e rishimit mbas kalimit të ‘Portës së Kohës së fshehtë’, përbën çelësin e  kuptimit filozofik të gjithë strukturës kuptimore-artistike të romanit. Bashkë me këtë edhe episodi i dorëzimit te Xhon Lenoni të partiturës së këngës  Let It Be, thurur nga Xhoni shqiptar, përbëjnë metaforën e madhe që shënon kapërcimin, triumfin drejt lirisë së shpirtit. Kjo linjë përbën shtyllën e mendimit artistik të romanit, vlerën e vërtetë të tij.

RAPORTI MIDIS NJOHJES DHE EMOCIONIT 

Marrëdhënia artistike e ekuilibruar midis reales dhe mistikes, është shenjë e intuitës së spikatur artistike të autores. Në krahasim me romane të tjerë të saj, ku zakonisht ka një ‘ndërlikim të kufijve’ midis aspekteve referenciale dhe trillimeve befasuese, reales dhe joreales, në romanin “Bitëllsat i vranë në mesnatë” ky raport ka një kahje më të thjeshtë, më të drejtpërdrejtë. Sigurisht ka ndikuar fakti se kemi të bëjmë me personazhe realë, ngjarje të njohura, por dhe të zbuluara, që kanë orientuar një zhvillim të kujdesshëm të imagjinatës krijuese të prozatores. Megjithatë, e kemi të qartë se në një roman reale  nuk është thjesht ajo që ka ndodhur, por është ideja, filozofia e kuptimit artistik.  Në këtë raport e vërteta jashtë tekstit, (realiteti diktatorial) shfaqet edhe si jetë reale edhe si trillim; kjo do të thotë se format  e romanit janë po aq të besueshme  sa dhe ato të vetë realitetit të kohës. Romani, për një kategori lexuesish të brezit të ri, është zbulim dhe njohje tronditëse, sepse plani i rrëfimit formëson dhe pasuron përfytyrimit mbi realitetin shqiptar të një periudhe historike të pajetuar prej tyre. Rimodelimi i figurave-personazhë realë (muzikantët/bitëllsat e Institutit të Arteve), Ganimetes (misteri i ekzistencës reale së saj), shfaqja e papritur e Djemve të Liverpulit…ndonëse e zbut raportin midis tekstores dhe jashtëtekstores, krijon ndjeshmëri  të veçantë, sepse tensioni emocional-ritmik që krijon rrëfimi mbi muzikën e çunave të Tiranës,  momentet e shpërthimit të muzikës duken sikur dëgjohen e përjetohen edhe sot midis të rinjve. ”U dëgjua papritmas ulërima e Xhonit, pas saj Ringoja zjarrmoi tërbimshëm tamburin që rrezikonte të çahej, ndërsa Poli dhe Xhorxhi mbanin ritmin me kitarë – ishte Tëist and Shout – që kishte çmendur rininë e gjithë botës, që kishte përvëluar stadiumet dhe kishte nxjerrë nga shtrati lumenjtë e vrullit rinor.”

 Energjia e përjetimit emocional të muzikës së tyre duket sikur buron nga energjia shpirtërore dhe përjetimi emocional i vetë autores; duket se shpirti i saj është futur midis shpirtrave rinorë. Mira është mjeshtre e zhytjes në ndjeshmërinë e personazheve të saj. Në këtë roman ajo sikur shkrihet edhe vetë në dridhjet e këtij shpirti, në zhuritjen e tyre për shpërthim të lirë rinor. Muzika, tingujt, fjalët e këngës ‘LET IT BE’, zëri drithërues i djemëve të talentuar, të quajtur ‘Bitëllsat e Tiranës’, shkrihen me përjetimin dhe dhimbjen e shpirtit të rrëfimtares : ”Tingujt ledhën ajrin, fytyrat, zemrat; notat ishin kristaline, të brishta, të buta, të ngadalta, oh sa të ngadalta, jetime, që u shkëputën një cast dhe ranë pa zhurmë mbi qelq si lotët e përmbajtur të trishtimit. Zëri i Xhonit tek këndonte ishte i mehur, i dregjur, i rraskapitur nga lëndimi, i gërvishtur, i tymtë si zëri i murgut të qelës së murimit që thoshte :”Let it be, do të kalojë, nuk ke ç’bën!Ja kështu qenka e thënë! Të lodhur jemi!” Pastaj si frymë hyri kitara solo e Xhorxhit, e lehtë si flladi që trazoi shpirtrat dhe lotët ranë vetiu, e ajo paskëtaj u tret dhe iku…” .

Por, edhe aspekti tjetër njohës – kërkimet në bibliotekën e gjyshit të dorëshkrimit të “Codex Gigas-Bibbia del Diavolo”, është realisht kurioziteti, gërrmimi i vetë autores për atë dokument të çmuar të mesjetës. Kërkimet këmbëngulëse janë pasion i pandalshëm, prandaj është gjithnjë befasuese në kulturën e gjerë, në njohuritë fetare, etnografike, kulturore…Prandaj njohja merr vlerë të posaçme në veprat e saj.

Në prozën e M.Meksit përgjithësisht pikënxitje bëhen fakte historike në qasje dhe përjetim emocional origjinal. Diku ky raport është më i komplikuar, ndërsa në romanin “Bitëllsat i vranë në mesnatë” marrëdhënia është më e ekuilibruar, sepse i zbulon lexuesit një ngjarje reale, ardhjen e rastësishme te dy anëtarëve të Bitëllsave të vërtetë, si dhe pasionin dhe koncertet e famshme të djemve të marrosur pas muzikës, njohja me fatin tragjik të atyre që deshën lirinë dhe dashurinë. Pas kuriozitetit të ngjarjeve  qëndron raporti i trillimit me realen, finesa krijuese e autores që, me intuitën artistike të spikatur nuk e zhgënjen lexuesin, por, përkundrazi e rrëmben në ngrehinën që ndërton. Personazhet konceptohen edhe si realë, edhe si fiksion, edhe produkt i një konteksti të caktuar historiko-politik, edhe si krijesa artistike në pasionin dhe dëshirat e tyre. Kjo i jep peshë faktit real, ndonëse përcjell filozofi ekzistenciale të njeriut në mjedis historik diktatorial. Siç e thashë, në thelbin e letërsisë trillimi artistik nuk është realja së cilës i përngjan, ndonëse e në këtë roman ‘realja’ e krijuar artistikisht është shumë pranë me realitetin. Megjithatë këto dy aspekte të përjetimit artistik, njohja dhe emocioni  vijnë si një shkrirje e brendshme, mbështetur në parime racionale/objektive dhe emocionale/subjektive që karakterizojnë procesin krijues. Prandaj raporti midis ‘njohjes’ dhe ‘emocionit’ është kyçi i suksesit të këtij romani. Duke njohur një grup të rinjsh muzikantë në pasionin krijues dhe interpretues të tyre, në ëndrrën rinore për të qenë grup i suksesshëm, sikurse grupi i famshëm i Bitëllsave anglezë, lexuesi është e pamundur të mos përjetojë emocione lidhur me fatin tragjk të dy anëtarëve të grupit të Bitëllsave të Tiranës, që janë quajtur njeri  Xhon Lenon, tjetri George Harrison, në vrasjen gjatë tentativës për arratisje drejt lirisë.

Dimë se në gjithë krijimtarinë e Mirës ndërlidhen disa filozofi, boshti i të cilave është filozofia e ekzistencës njerëzore. Në këtë roman kjo filozofi vjen thjesht, pa ndërlikime arsyetimesh  e dilemash, sepse edhe struktura e rrëfimit artistik është po ashtu e thjeshtë, në raport të hapur me strukturën e mendimit. Gjithashtu, mund të them se emocioni i veprës nuk lidhet aq me procesin e trillimit, të alegorisë së zgjeruar përmes nëntekstit të brendshëm (siç e kemi parë në shumicën e veprave të Meksit) …por me efektin dramatikqë njohja sjell mbi emocionin. Kjo ndodh se romani  ka si  shtratin  bazë përballjen e dy realiteteve të ndryshëm, Tiranën e viteve ’60 dhe atë të viteve ’70. Kështu, nga njera anë është njohja e Tiranës në periudhën e shkurtër, kur tingujt, ngjyrat, veshjet dhe dëshirat e bëjnë që të dukej pranë vendeve moderne dhe larg asaj periudhe që do ta bënte më pas qytetin një ëndërr, që zhduket sa hap e mbyll sytë. Autorja ka ndjekur me vemendje burime të kohës, nga dokumente historike, të shtypit, vepra të disa autorëve, e deri te kujtimet nostalgjike të personave që jetuan atë periudhë. Duken paksa të çuditshme për lexuesin e sotëm  tablotë që përshkruajnë Tiranën me jetën ndryshe të rrugës “Broduej”, ku përjetohej aroma, shija dhe kundërmimi i botës së lirë, moda e kryeqyteteve të botës  në veshjet e vajzave dhe djemve, ku shkëmbeheshin tekstet e këngëve të Bitëllsave, etj., ku diskutoheshin lirshëm ide, pikëpamje, luftrat e kohës.. Tablloja zgjerohet te kafeneja e famshme, “Kursal”, me muzikën, ballot dhe kërcimet e balerinave të huaja, me ekspozitat e piktorëve të famshëm shqiptarë, me pijet e rralla në ato kohra, me takime dhe ngjyra të një jete mondane, me historira dhe thashetheme rreth shtresave të larta, me parfume dhe dyqan valute, me disqe të këngëtarëve të huaj të famshëm, me revista mode, me diskutime për vepra të autorëve të huaj… (Mira është jo vetëm njohëse e mire, por edhe mjeshtre e rikrijimit të mjedisit të kohës). Lexuesi i ri i sotëm do të mrekullohej nga pamja e Tiranës në vitet e pakta të lirisë, atëhere kur mbante aromën e një qyteti të emancipuar, dhe kontrastin e Tiranës së viteve kur përndjekja e lirisë erdhi e pamëshirshme. Personazhet janë vetë njohja, që në fatet e tyre tragjike shkaktojnë emocione drithëruese te lexuesi. Kjo do të thotë se bota që krijon autorja në vepër nuk sfidon realen, por e tërheq atë zvarrë për t’ja zbuluar sidomos lexuesit te ri. Fatet tragjike që përmbante ky realitet bëjnë që njohja dhe emocioni të shkrihen drithërues me njeri tjetrin….. Një tronditje për brezin që nuk e jetoi atë periudhë. Pas thjeshtësisë, rrjedhës pa ngërçe të rrëfimit, fshihet një problem më i madh njerëzor dhe pikërisht këtu qëndron kyçi i ngarkesës emocionale, i presionit shpirtëror që krijohet te lexuesi.

Kjo është njohja, ndërsa përplasja midis lirizmit dhe tragjikes është emocioni. Suksesi artistik i romanit qëndron pikërisht në mjeshtërinë e ndërtimit të skemën, ku këto dy aspekte rrëshqasin te njeri tjetri për ta bërë, sidomos lexuesin e ri, bashëpjesmarrës  në një përjetim të fuqishëm emocional.

******

Në tërësinë e korpusit të veprave të Mira Meksit, duke ardhur deri sot te romani i ri, duket se kërkimet dhe intuita e saj artistike rendin nëpër problematika dhe periudha të ndryshme historike, nga ato më të hershmet, deri në kohën tonë. Është vizioni i gjerë i zbulimit të magjisë së fjalës artistike; shpirti krijues i saj  nuk ndalet, endet në hapësirë të gjerë dhe ndalet, papritur, aty ku ndjeshmëria, intuita dhe zbulimi i mendimit  kapen në kurth dhe intuita bën punën e saj…

Exit mobile version